Diplomati danez Peter Sorensen do trashëgojë postin e Mirosllav Lajçakut në funksionin e emisarit evropian për dialog, merret vesh nga burimet diplomatike në BE.
Gjithnjë sipas të njëjtave burime, shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas tashmë ka dërguar emrin e Sorensenit tek shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Propozimi për të dërguarin e ri të BE-së për dialog do të shqyrtohet në nivel të ambasadorëve të shteteve anëtare, të martën më 21 janar.
Të gjitha procedurat e emërimit të emisarit të ri do duhej të përfundojnë deri në fund të këtij muaji, në mënyrë që ai të marr postin më 1 shkurt, meqë mandati i Llajçakut skadon më 31 janar.
Peter Sorensen nga Danimarka ka përvojë më të madhe diplomatike në strukturat evropiane se sa në shtetin nga i cili ai vjen.
Mes tjerash ka shërbyer si shef i delegacionit të BE-së në Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ndërsa në Kosovë ai mes viteve 2002 deri në vitin 2006, shërbeu si Zëvendës Shef i Shtyllës IV të BE-së të UNMIK-ut si dhe drejtor i Zyrës Evropiane. [RTK]