Një zyrtar palestinez i ka thënë BBC-së se “Hamasi” do t’i lirojë tri ushtare në ditën e parë të armëpushimit. Ndërmjetësit në Doha po mundohen që sa më parë të nisë zbatimi i armëpushimit. Madje qysh të enjten mbrëma e jo të dielën, shkruan Jeremy Bowen në një analizë në BBC.
Derisa armëpushimi nuk do të hyjë në zbatim, lufta që nisi kur “Hamasi” sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, ende po vazhdon. Së paku 12 palestinezë janë vrarë prej sulmeve izraelite në Gazë veriore në kohën kur po bëhej i njohur lajmi për armëpushimin.
Në atë që ka qenë pothuajse ritual për pesëmbëdhjetë muaj me radhë, pamjet nga Gaza veriore kanë treguar trupat e viktimave që po barteshin me ambulanca dhe të shtrirë në rresht para një spitali.
Armëpushimi është një arritje e konsiderueshme diplomatike, vlerëson BBC në analizën pas lajmit për arritjen e ujdisë për armëpushimin. Versione të marrëveshjes janë vendosur në tavolinë prej njoftimit të presidentit Joe Biden në maj vjet. “Hamasi” dhe Izraeli fajësonin njëri-tjetrin për vonimin e arritjes së marrëveshjes.
Në Khan Younis në Gazë, gazetarët që po punonin për BBC-në kanë filmuar palestinezët duke vallëzuar e brohoritur derisa po bëhej e qartë se ishte arritur marëveshja për armëpushimin.
Izraeli nuk i lejon gazetarët e huaj të hynë në Gazë për të rpaortuar lirisht, kështu që BBC-ja dhe organizatat e tjera informative mbështeten te gazetarët e besueshëm palestinezë për të mbledhur informacione për BBC-në. Raportimi prej 15 muajsh nga lufta do të ishte i pamundshëm pa ta. Izraeli ka vrarë më shumë se 200 gazetarë palestinezë në Gazë.
“Njerëzit janë lodhur me shpirt”
Umm Muhammed, një grua e moshuar palestineze, i ka thënë njërit prej gazetarëve që punojnë për BBC-në se po ndihej e lumtur dhe e lehtësuar.
“Dhimbja është davaritur pak, megjithëse ende dhemb. Shpresojmë se do t’ia marrë anën gëzimi. Le të lirohen të burgosurit dhe të trajtohen të plagosurit. Njerëzit janë lodhur me shpirt”, ka thënë ajo.
Pos mbijetesës nuk është se kanë për çfarë tjetër të festojnë palestinezët në Gazë. Izraeli ka vrarë pothuajse 50 mijë palestinezë. Më shumë se dy milionë persona janë detyruar të zhvendosen prej shtëpive të tyre prej aksioneve të ushtrisë izraelite.
Kundërpërgjigja e Izraelit ndaj sulmeve të “Hamasit” më 7 tetor 2023, ku u vranë pothuajse 1.200 persona, shumica izraelitë, e ka kthyer Gazën në gërmadhë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të udhëhequr nga “Hamasi”, sulmet izraelite kanë vrarë pothuajse pesëdhjetë mijë persona – luftëtarë dhe civilë. Një studim i kryer së fundmi nga revista shkencore për mjekësi, “Lancet” ka treguar se kjo shifër mund të jetë edhe më e madhe.
Shpresë edhe në Tel-Aviv
Në Tel-Aviv, kishte gjithashtu momente lehtësimi dhe frymëmarrjeje për familjet dhe përkrahësit e pengjeve izraelite, të gjallë apo të vdekur. Në fazën fillestare, 33 gra, pleq dhe të sëmurë e të plagosur pritet të lirohen në gjashtë javët e ardhshme në këmbim të qindra të arrestuarve dhe të burgosurve palestinezë – por e ardhmja e pengjeve të tjera varet prej negociatave të ardhshme.
Negociatat në gazën e dytë të marrëveshjes për lirimin e pengjeve të mbetura izraelite në këmbim të palestinezëve të burgosur dhe tërheqja izraelite nga Gaza pritet të nisin 16 ditë pas fuqizimit të marrëveshjes.
Sfida e parë e madhe është që të sigurohet se marrëveshja po zbatohet. Diplomatë të lartë perëndimorë druajnë se pas fazës së parë 42-ditëshe do të ketë rishpërthim të luftës.
Dhe lufta në Gazë ka pasoja të menjëhershme në mbarë Lindjen e Mesme. Nuk shpiu drejt asaj, që shumëkush i druante, një lufte të përgjithshme në rajon – administrata e Bidenit ka marrë lavdatën për këtë – por shkaktoi kokëçarje të mëdha gjeostrategjike.
Dobësimi i Boshtit të Rezistencës
“Hamasi” ende është në gjendje të luftojë, por është hije e asaj çfarë ishte. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministri i tij i Mbrojtjes janë akuzuar për krime lufte prej Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është duke hetuar një rast të ngritur nga Afrika Jugore, që e akuzon Izraelin për gjenocid.
Pasi “Hezbollahu” në Liban ndërhyri në luftë, u shtyp pothuajse barabar prej ofensivës izraelite. Ky ishte një faktor që çoi drejt kolapsit të regjimit të Assadit në Siri. Irani dhe Izraeli shkëmbyen sulme të drejtpërdrejta – duke e dobësuar Iranin. Është shpartalluar rrjeti iranian i aleatëve dhe grupeve besnike të njohura si Boshti i Rezistencës.
Huthët në Jemen kishin ndërprerë shumicën e qarkullimit me anije ndemjet Europës dhe Azisë përgjatë Detit të Kuq. Tani raportohet se ata kanë bërë të ditur armëpushimin e vetëshpallur. Prejse ata nisën të sulmonin anijet në fillim të luftës, kanë thënë se vetëm një ujdi armëpushimi në Gazë do t’i frenonte ata.
Me fat, vullnet politik dhe përpjekje të madhe diplomatike mund të mbahet në fuqi edhe armëpushimi pavarësisht shkeljeve të pashmangshme, raporton BBC.
Por pas 15 muajsh të luftës në Gazë, konflikti, më shumë se një shekullor, është po aq i hidhur dhe i vështirë për t’iu prerë udhë se kurrë më parë.
Armëpushimi nuk i jep fund konfliktit. Pasojat e shkatërrimit dhe numrit kaq të madh të vdekjeve do t’i ndjejë së paku edhe një brez. [Kallxo.com]