Ndërkohë që presidenti i SHBA-së, Donald Trump po i bën presion gjithnjë e më shumë Kinës me tarifat e tij të mëdha për importet e produkteve të saj, por edhe përmes presionit ndaj vendeve të tjera për të reduktuar apo edhe ndalur plotësisht importet e produkteve të caktuara kineze, duke i shpallur kështu një luftë tregtare Kinës de fakto – një vend i rëndësishëm në udhëkryqin e Evropës dhe Azisë ka vendosur të marrë një rrugë krejtësisht të kundërt.
Po flasim për Azerbajxhanin, një vend jashtëzakonisht i rëndësishëm si në aspektin energjetik ashtu edhe në atë gjeopolitik – si për Europën, e cila ka hequr dorë kryesisht nga gazi dhe nafta ruse dhe është e etur për energji, ashtu edhe për Turqinë, Iranin, Izraelin etj. – për secilin prej tyre për arsyet dhe interesat e veta.
Përkatësisht, të mërkurën, më 23 prill, në kryeqytetin kinez, Pekin, u mbajt ceremonia e nënshkrimit të dokumenteve azerbajxhano-kineze në prani të liderëve të dy vendeve, Xi Jinping dhe Ilham Aliyev.
Dokumenti më i rëndësishëm që të dy liderët nënshkruan sot është sigurisht “Deklarata e Përbashkët për Vendosjen e Marrëdhënieve Gjithëpërfshirëse të Partneritetit Strategjik ndërmjet Republikës së Azerbajxhanit dhe Republikës Popullore të Kinës”.
Aliyev dhe Jinping morën pjesë gjithashtu në nënshkrimin e gjithsej 20 dokumenteve për bashkëpunimin në ndërtimin e përbashkët të projekteve të Iniciativës Brez dhe Rrugë, në fushën e drejtësisë, zhvillimit të gjelbër, ekonomisë dixhitale, pronës intelektuale, hapësirës dhe sektorë të tjerë.
Azerbajxhani dhe Kina kanë rënë dakord për heqjen e regjimit të vizave. Ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov, dhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, nënshkruan “Marrëveshjen midis Qeverisë së Republikës së Azerbajxhanit dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës për përjashtimin e ndërsjellë nga regjimi i vizave për qytetarët me pasaporta të zakonshme”. [GN/ISHGJ]