Xi Jinping u bën thirrje vendeve të BRICS të kundërshtojnë “hegjemoninë dhe mendimin e Luftës së Ftohtë”

Prishtinë/Zagreb, 20 maj – Presidenti kinez Xi Jinping tha dje se vendet e BRICS – Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut – duhet të ndihmojnë në stabilizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në kohë turbulencash.
Ai këtë e deklaroi në një fjalim në seancën e takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të BRICS, i cili u mbajt me video lidhje. “Si një forcë pozitive, frymëzuese dhe konstruktive në komunitetin ndërkombëtar, vendet e BRICS duhet të ndërmarrin veprime reale për të promovuar paqen dhe zhvillimin, për të mbështetur drejtësinë dhe të drejtën dhe për të mbrojtur demokracinë dhe lirinë, në mënyrë që të kontribuojnë në stabilitetin dhe energjinë pozitive në marrëdhëniet ndërkombëtare, në kohë të trazuara dhe transformim”, tha Xi Jinping, bën të ditur Ministria e Jashtme kineze në faqen e saj të internetit.
“BRICS duhet të kundërshtojë hegjemoninë dhe politikën e pushtetit dhe t’i rezistojë qasjes dhe të menduarit të Luftës së Ftohtë,” tha Xi, duke shtuar: “Përballë rreziqeve dhe sfidave aktuale, është më e rëndësishme se kurrë të forcohet solidariteti dhe bashkëpunimi midis vendeve të tregut në zhvillim”.
Në mënyrë domethënëse, tre anëtarë të BRICS: Kina, India dhe Afrika e Jugut – kishin abstenuar më parë nga votimi për një rezolutë të Kombeve të Bashkuara që dënonte Rusinë për sulmin ndaj Ukrainës. [GN/ISHGJ]