Franca dënoi krimin kolonial, a do i kërkojë “Ballkani i Kapur” Serbisë të njëjtën gjë?
Nga Shaban Murati
Për herë të parë në 60 vjet presidenti i Francës, Emanuel Makron, në 16 tetor dënoi masakrën e policisë franceze ndaj protestuesve algjerianë në Paris në 17 tetor 1961, duke e cilësuar “një krim të pafalshëm”.
60 vjet më parë, protesta paqësore e rreth 30 mijë algjerianëve në Paris kundër ndalim-qarkullimit të vendosur nga policia vetëm për algjerianët, u shtyp në mënyrë mizore nga policia franceze, duke vrarë 200 algjerianë, duke plagosur 11 mijë algerianë dhe duke arrestuar 12 mijë algjerianë.
Autoritetet franceze gjithmonë e kanë mohuar dhe nuk e kanë pranuar masakrën. Presidenti Makron pati kurajon shtetërore dhe e hapi tani dollapin e skeleteve franceze, duke dënuar “krimin e pafalshëm” të Francës në kohën e kolonisë algjeriane.
Është një akt, që meriton vlerësim, sepse e historia e hidhur e një shteti kolonial duhet dekolonizuar.
Presidenti i Francës në 16 tetor mori pjesë në ceremoninë përkujtimore, vendosi një kurorë me lule në urën Bezons të Parisit, ku nisi protesta algjeriane 60 vjet më parë, dënoi “krimin e pafalshëm“ të Francës së asaj kohe, dhe u jep një mësim të madh udhëheqësve të shteteve koloniale si Serbia, që të pranojnë të vërtetat e hidhura historike dhe të dënojnë krimet e shtetit kolonial serb.
Serbia zhvilloi katër luftra të përgjakëshme kundër popujve joserbë në fundin e shekullit të kaluar, dhe megjithë masakrat e përbindëshme serbe në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, udhëheqja e saj ende nuk i ka dënuar dhe nuk ka kërkuar falje për to.
Akti i presidentit Macron duhet të shërbejë si mësim i madh edhe për “Ballkanin e kapur”, i cili në mënyrë idiote bën thirrje të harrohen krimet e pafalshme të Serbisë si shtet kolonial.
Franca i mëson “Ballkanit të kapur” se krimet dhe masakrat serbe nuk duhen harruar dhe duhen dënuar nga vetë autorët e tyre. Franca e dënoi më vonë prefektin e Parisit, që urdhëroi masakrën, me akuzën “për krime kundër njerëzimit”. Presidenti serb Vuçiç, babai i “Ballkanit të kapur”, po i nderon dhe po i darovit me poste dhe me glorifikime kriminelët serbë të luftës, që masakruan popullin e Bosnjës dhe të Kosovës.
Presim që “Ballkani i kapur” t’i thotë presidentit serb Vuçiç që të ndjekë shembulin e presidentit francez dhe të dënojë krimet koloniale të Serbisë, e cila në vitin 1999 vrau rreth 20 mijë shqiptarë në Kosovë, përdhunoi 20 mijë vajza dhe gra dhe dëboi me dhunë një milion shqiptarë nga shtëpiat dhe tokat e tyre.
Të paktën njëherë në jetë “Ballkani i kapur” të dëshmojë se vërtet e don Francën. [Dita/ISHGJ]