Nga Dr Selim Ibraimi
Sllovenia e kryeson Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian (BE). Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor do të mbahet më 5 dhe 6 tetor në Bled të Sllovenisë. Deri atëherë, për lexuesit tanë do t’i hedhim një vështrim Presidencës, rolit dhe rëndësisë që ka brenda unionit Presidenca. Presidenca e Këshillit të BE-së është në sistem rotacioni midis shteteve anëtare të BE për çdo gjashtë muaj. Gjatë periudhës gjashtë mujore, presidenca kryeson takimet në çdo nivel, duke ndihmuar vazhdimin e veprimtarisë së institucioneve të unionit.
Sipas rregullores, shtetet anëtare që mbajnë presidencën punojnë së bashku në grupe prej tre individëve, e quajtur si “trio”. Ky sistem për herë u mbështet nga Traktati i Lisbonës së vitit 2009. Treshja përcakton qëllimet afatgjata dhe përgatit një axhendë të përbashkët që përcakton temat dhe çështjet kryesore që trajtohen nga Këshilli. Në bazë të këtij programi, secili nga tre vendet përgatit programin e tij të detajuar gjashtë mujor. Treshja aktuale përbëhet nga presidencat e Gjermanisë, Portugalisë dhe Sllovenisë. Presidenca e Sllovenisë mban datën prej 1 korrikut deri më 31 dhjetor të 2021-tës. Përparësitë e presidencës së Sllovenisë nxiten nga motoja e saj për një Evropë të bashkuar dhe e gatshme për të pranuar anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor. Programi i presidencës së Sllovenisë fokusohet në disa fusha kryesore si: rimëkëmbja, elasticiteti dhe politikat strategjike të BE -së, që njëherit janë një reflektim mbi të ardhmen e Evropës, sundimit të ligjit dhe stabilitetit me fqinjtë.
Presidenca sllovene e Këshillit të BE -së sipas zotimeve, do të përpiqet të kontribuojë në mënyrë aktive në forcimin e BE -së ndaj krizave shëndetësore, ekonomike, energjetike, klimatike dhe kibernetike. Siç përmendëm më lartë, Presidenca e Këshillit të BE-së është përgjegjëse për të çuar përpara punën e Këshillit mbi legjislacionin e BE -së, proceset e rregullta legjislative dhe bashkëpunimin midis shteteve anëtare. Për ta bërë këtë, Presidenca vepron si një ndërmjetës neutral. Presidenca e Këshillit të BE-së ka dy detyra kryesore dhe objektiva: E para, është planifikimi dhe kryesimi i takimeve në Këshill dhe organet e tij përgatitore, Dhe e dyta, përfaqësimi i Këshillit në marrëdhëniet me institucionet e tjera të BE -së.
Tek e para, Presidenca kryeson takimet e Këshillit dhe organeve tjera të cilat përfshijnë komitetet e përhershme. Tek pika e dytë, Presidenca punon në koordinim të ngushtë me Presidentin e Këshillit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikat e Sigurisë.
Presidencës mund t’i kërkohet të kryejë detyra të caktuara për Përfaqësuesin e Lartë, siç është përfaqësimi i Këshillit të Punëve të Jashtme para Parlamentit Evropian ose kur flitet për çështjet tregtare. Roli i tij është që të përpiqet të arrijë marrëveshje për dosjet legjislative përmes takimeve joformale dhe takimeve të Komitetit të Pajtimit ku burokracia e BE-së shpesh herë i vështirëson çështjet.
Siç vërehet BE ka një mekanizëm të ndërlikuar të punës dhe këtu Sllovenia duhet të punojë që të bindë anëtarët tjerë që nga Samiti të nxirren disa përfundime për një integrim të shpejtë të shteteve të mbetura drejt BE-së. Meqenëse ka shumë premtime, pas largimit të Angela Merkelit zgjerimi është vënë në pikëpyetje. Vetëm Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë gjasa t’i fillojnë bisedimet me BE-në. Aktualisht, procesi është bllokuar për shkak të mospajtimeve mes Sofjes dhe Shkupit rreth historisë dhe identitetit maqedonas. Sllovenia ka gjasa t’i afrojë dy palët me një ndërmjetësim serioz amerikan. Ndryshe, çështja do të zvarritet deri në pafundësi dhe shumë shtete do të shkojnë e vijnë në rotacion dhe pa rezultate në politikat e zgjerimit drejt Evropës Juglindore.