Çfarë është “Lëvizja e të paangazhuarve” që po përgatitet të organizojë Serbia në tetor dhe pse ajo i ngjan një dasme pa nuse e pa dhëndër
Nga Shaban Murati
Kushdo, që do të mësojë se çfarë është diplomacia sureale, mjafton të ndjekë ministrin e jashtëm serb Nikolla Selakoviç, i cili me shportë në dorë po shpërndan ftesat zyrtare për dasmën e madhe jugosllave, samitin e vendeve të “Lëvizjes së të Paangazhuarve”, që do të organizojë Serbia në tetor.
Nga 19 në 21 gusht ministri i jashtëm serb fluturoi duke shpërndarë ftesat në Kenia, Zimbabve, Zambia, Angola, Namibi dhe në 22 gusht i dorëzoi presidentit egjiptian Sisi në Kajro ftesën e presidentit serb Vuçiç për në samitin e Beogradit në 11-12 tetor 2021. Është një samit apo një dasmë diplomatike, ku mungon edhe nusja, edhe dhëndri. Mungojnë, sepse kemi situatën sureale, kur Serbia pretendon të organizojë samitin e madh të “Lëvizjes së të paangazhuarve” me rastin e mbledhjes së parë të asaj Lëvizjeje, 60 vjet më parë në Beograd, me pretendimin si një shtet themelues i Lëvizjes, në një kohë që Serbia nuk ka ekzistuar si shtet në atë kohë .
“Lëvizja e të paangazhuarve” u krijua nga kryetarët e shtetit të Indisë, Indonezisë, Egjiptit dhe Jugosllavisë, që mbajtën mbledhjen e parë themeluese në Beograd në vitin 1961 në kulmin e Luftës së ftohtë, si një përpjekje e vendeve të Azisë, të Afrikës dhe të Amerikës Latine, pra të “botës së tretë”, për të mbrojtur interesat e tyre në botën bipolare të asaj kohe. Presidenti serb Vuçiç, kur njoftoi publikisht në 5 maj 2021 planin e tij të organizimit të samitit të vendeve të “Lëvizjes së të Paangazhuarve”, paraqiti pretendimin e madh se “Unë do t’u flas gjithë atyre udhëheqësve për qëllimin që të jemi më të lidhur ngushtë me njeri-tjetrin dhe se ne mund të ndihmojmë njeri-tjetrin më shumë nga sa mendojmë ne vetë”. Një pretencion krejtësisht jashtë kohe dhe jashtë realitetit të botës së sotme dhe të fuqisë së mikroshtetit që ai përfaqëson.
Ka dy rrethana diplomatike, që e bëjnë sureale sipërmarrjen e tanishme pompoze të Serbisë për të organizuar samitin e vendeve të “Lëvizjes së të Paangazhuarve”. Rrethana e parë, absurde, është që Serbia pretendon se ajo është trashëgimtarja e ish-Jugosllavisë në kuptimin e trashëgimisë së mandatit, të akteve, të marrëveshjeve dhe të marrëdhënieve diplomatike të ish-Republikës Socialiste Federative Jugosllave (RSFJ). Pra Serbia pretendon se është Jugosllavia. Kjo megagënjeshtër diplomatike është bërë një obsesion diplomatik i Serbisë dhe i udhëheqësve të saj, të cilën guxojnë madje ta prononcojnë edhe në forumet më të rëndësishme ndërkombëtare. Në fjalimin, që mbajti në seancën plenare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB në 26 shtator 2019, presidenti i Serbisë Vuçiç deklaroi se “ Ish-Jugosllavia dhe trashëgimtari i saj legal Serbia kanë qenë një nga themeluesit e “Lëvizjes së të Paangazhuarve”. Edhe presidenti i mëparshëm serb Boris Tadiç në samitin e Unionit Afrikan, në 30 qershor 2008, deklaroi se “Serbia është shteti trashëgimtar i RSFJ”. Përsërisim se Serbia nuk ka ekzistuar si shtet në vitin 1961. Jugosllavia ishte shtet tjetër.
Është një ëndërr dhe ambicie sureale e Serbisë, krejt në kundërshtim me të vërtetën dhe realitetin historik, juridik dhe diplomatik, si dhe krejt në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB dhe me aktet juridike ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me shembjen e ish-Jugosllavisë, të cilat i ka pranuar dhe nënshkruar edhe vetë Serbia. Këshilli i Sigurimit i OKB ka përcaktuar dhe vendosur me rezolutë të posaçme që në fillimet e konflikteve në ish-Jugosllavi se të gjitha shtetet e dala nga ish-Jugosllavia janë njëlloj dhe barabartësisht trashëgimtarë të ish-Jugosllavisë, janë të gjithë njëlloj shtete të rij, të cilët duhet të aplikojnë që të gjithë si shtete të rij për t’u anëtarësuar në OKB, sepse asnjeri prej tyre nuk e trashëgon vendin, që kishte Jugosllavia në OKB. Në rezolutën Nr.777 të miratuar në 19 shtator 1992, Këshilli i Sigurimit i OKB, me vendim unanim, i ndërpret RFJ (Serbia dhe Mali i Zi) anëtarësimin në OKB dhe pjesëmarrjen në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB dhe i vendos kushtin që duhet të aplikojë si shtet i ri.
Më 29 shtator 1997 departamenti amerikan i shtetit publikoi deklaratën “Për Trashëgiminë Jugosllave”, ku në emër të qeverisë amerikane deklaron: “SHBA i konsideron të pesë shtetet trashëgimtare, Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë, Slloveninë, Maqedoninë dhe RFJ(Serbia dhe Mali i Zi), trashëgimtare të barabarta të RSFJ. Me SHBA në këtë pikëpamje është bashkuar edhe bashkësia ndërkombëtare”.
Në Marrëveshjen jugosllave për çështjet e trashëgimisë së Federatës Jugosllave të hartuar nga pesë shtetet ish-jugosllave në Vjenë, më 29 qershor 2001, Serbia nënshkroi atë marrëveshje, ku theksohet se pesë shtetet, që dolën nga ish-Jugosllavia: Serbia, Kroacia, Sllovenia, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia, janë barabartësisht sovrane dhe janë pesë shtete trashëgimtare të RSFJ.
Serbia është pranuar në OKB në 1 nëntor të vitit 2000 pasi aplikoi si shtet i ri. Dikush duhet t’i kujtojë presidentit serb Vuçiç se, paraardhësi i tij Vojislav Koshtunica, që konsiderohet si presidenti i parë i zgjedhur demokratikisht pas rënies së Millosheviçit, në deklaratën e tij të parë si president, më 6 tetor 2000, deklaroi se “gjëja e parë që qeveria e re demokratike pranonte, është se Serbia nuk është trashëgimtare e ish-RSFJ-së”.
Tani qeveria dhe diplomacia e Serbisë bëjnë sikur nuk i dinë dokumentet, vendimet dhe marrëveshjet ndërkombëtare për prishjen e ish-Jugosllavisë dhe dalin me pretendimin arbitrar se Serbia është trashëgimtari legal i ish-Jugosllavisë, të cilës i takon organizimi i një samiti të vendeve të “Lëvizjes së të Paangazhuarve” meqë Jugosllavia ka qenë një nga shtetet themelues të asaj Lëvizjeje.
Rrethana e dytë absurde diplomatike është akaparimi nga Serbia i së drejtës së paqenë që, Serbia ta paraqesë veten shtet themelues të “Lëvizjes së të Paangazhuarve”. Ironia është se Serbia si shtet i ri i nuk është as anëtare e “Lëvizjes së të Paangazhuarve”. Ish-Jugosllavia u përjashtua nga “Lëvizja e të Paangazhuarve” në vitin 1992, kur nisën konfliktet e armatosura ndëretnike në Jugosllavi. Serbia u pranua si vëzhguese në “Lëvizjen e të Pangazhuarve” në vitin 2010, status që ka edhe sot e kësaj dite. Madje me këtë status vëzhguesi asaj nuk i takon as të organizojë ndonjë mbledhje apo takim dhe jo më samit të vendeve të “Lëvizjes së të Paangazhuarve”. Për këtë arsye Serbia, për mundësinë e organizimit në Beograd të një samiti përkujtimor të mbledhjes së parë themeluese të Lëvizjes, u detyrua t’i lutej Azerbajxhanit që ta lejonte dhe t’i jepte garancinë, meqë Bakuja ka aktualisht presidencën e “Lëvizjes së të Paangazhuarve”.
Ironia është se në vitin 2011 ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, në letrën drejtuar homologëve të tij të shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, ku kërkonte që ata t’i bashkoheshin Serbisë për organizimin e një mbledhje komemorative me rastin e 50 vjetorit të mbledhjes së parë në Beograd të vendeve të “Lëvizjes së të Paangazhuarve”, deklaron se “Lëvizja e të Paangazhuarve” është pjesë e rëndësishme e historisë sonë të përbashkët”. Tani Serbia harron “historinë e përbashkët me shtetet e tjera ish-jugosllave për “Lëvizjen e të Paangazhuarve” dhe del e shet në opinionin ndërkombëtar si histori të saj. E vërteta është se Serbia në “Lëvizjen e të Paangazhuarve” ka të njëjtin status si Kroacia, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi, të cilat janë të gjitha shtete vëzhguese në “Lëvizjen e të Paangazhuarve”.
Por Serbia është kapur pas fiksimit diplomatik të së drejtës së saj jugosllave për të qenë organizatore e samitit të vendeve të “Lëvizjes së të Paangazhuarve” dhe për të dalë në arenën ndërkombëtare si Jugosllavi. Udhëheqësit serbë janë të obsesionuar nga ambicia për të qenë Serbia Jugosllavi në skenën ndërkombëtare dhe për të rikrijuar Jugosllavinë në skenën rajonale. Ndaj Serbia po angazhon kaq forca, para dhe përpjekje për diplomacinë sureale jugosllave. Në funksion të kësaj ambicieje të madhe Serbia po pretendon të luajë një rol jugosllav në “Lëvizjen e të Paangazhuarve”, lëvizje e cila në fakt është një forum ndërkombëtar, që ekziston për inerci dhe që e ka humbur vlerën dhe rolin, që kishte në periudhën e Luftës së Ftohtë dhe të bipolaritetit të asaj kohe.
Ambicia e Serbisë është disproporcionale me fuqinë e saj reale, ndaj tingëllon sureale ëndrra e saj për të luajtur në skenën diplomatike ndërkombëtare rolin që kishte Jugosllavia e djeshme. Është një absurditet dhe një politikë e jashtme antihistorike, por megalomania e shtetit dhe e diplomacisë serbe noton në fantazitë e sureales. Ministri i jashtëm serb, Nikolla Selakoviç, lidhur me planifikimin e organizimit të samitit të vendeve të “Lëvizjes së të Paangazhuarve” në Beograd deklaroi se “Ky është një rast që Beogradi të riafirmojë rolin e tij dhe pozicionin natyral si një fokus në hartën diplomatike botërore”. Kaq mjafton për të kuptuar megalomaninë diplomatike pakufi të një shteti të varfër me shtatë milion banorë si Serbia, që mendon se do të marrë rol dhe të ndikojë te shtetet themeluese të “Lëvizjes së të Paangazhuarve” si India me 1 milard e 350 milion banorë, te Indonezia me 270 milion banorë apo Egjipti me mbi 100 milion banorë.
Diplomacia sureale jugosllave e Serbisë duket se e ka të porositur misionin dhe rolin për të luajtur në “Lëvizjen e të Pangazhuarve”. Duket një mision i porositur nga Rusia për të përçuar qëndrimet dhe manovrat diplomatike të ndikimit rus në rajonet e “botës së tretë”. Moskës i duhet roli i Kalit të Trojës nga Serbia si “shtet themelues dhe trashëgimtare e Jugosllavisë” për diversion në “Lëvizjen e të Paangazhuarve” dhe për të mbrojtur interesat e Rusisë në vendet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine. Interesi i Rusisë për këtë organizatë çoi në atë që në 14 korrik 2021 “Lëvizja e të Paangazhuarve” i dha Rusisë statusin e shtetit vëzhgues, duke e shtuar konfuzionin ndërkombëtar për parimin e “mosangazhimit” të Lëvizjes. Në të njëjtën kohë Serbia duke u maskuar me flamurin e Jugosllavisë në “Lëvizjen e të Paangazhuarve” synon të avancojë mashtrimin e saj lidhur me Kosovën te vendet e “botës së tretë” dhe të fitojë mbështetjen e tyre për pretendimet koloniale serbe mbi Kosovën.
Serbisë i duhet hiperbolizimi i rolit të saj në “Lëvizjen e të Paangazhuarve” për t’u paraqitur në BE dhe në Perëndim si një shtet i rëndësishëm në skenën diplomatike ndërkombëtare dhe që duhet të tolerohet nga BE dhe nga Perëndimi për lidhjet e ngushta me Rusinë, për mosnjohjen e Kosovës, për turbullirat që po shkakton në Bosnje dhe në Mal të Zi, për korrupsionin e madh zyrtar dhe për lidhjet e udhëheqësve serbë me krimin e organizuar dhe për autokratizmin tipik ballkanik të udhëheqjes së sotme serbe, etj.
Në fund, fantazia ndërkombëtare serbe dhe ambicia jugosllave e Beogradit në arenën ndërkombëtare shprehin ëndrrën e pashërueshme të Serbisë që nga viti 2000 për të rikrijuar Jugosllavinë në forma dhe me emra të rij. Aspirata serbe për rol Jugosllav në arenën ndërkombëtare është vazhdimi i politikës së brendshme jugosllave. Me këtë aspiratë Serbia po synon t’u imponohet ish-shteteve, që dolën nga Jugosllavia dhe që nuk janë bërë ende anëtare të BE, sidomos shteteve të të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor, mbi të cilët po ushtrohet diktat që të përfshihen nën ombrellën e kësaj Serbie jugosllave. Serbia ka nevojë të ngutshme që roli dhe pretendimet e reja jugosllave të saj në arenën ndërkombëtare të ndikojnë dhe të bëjnë më atraktive për neojugosllavët e Ballkanit Perëndimor projektin e saj të ri të grupimit me emrin “ Mini Shengen apo Ballkan i hapur”. Është deviza e presidenciale e Vuçiçit, i cila ia shpalli botës sapo u zgjodh president para katër vitesh, kur deklaroi se projekti i tij është rikrijimi i Jugosllavisë, plus Shqipërinë. Plani dhe ambicia e serbizimit të Ballkanit Perëndimor është i pandarë nga jugosllavizmi i Serbisë në arenën ndërkombëtare dhe në rajon. Në këtë funksion po lëviz diplomacia sureale jugosllave e Serbisë. [DITA/ISHGJ]