Sigurinë se më Kabuli nuk do të shërbejë si çerdhe e terrorizimit ndërkombëtar, amerikanët e kanë të garantuar, sepse talebanët e kanë marrë mësimin e duhur më 2001. Kjo rrethanë përbën thelbin e suksesit amerikan në Afganistan: tani e tutje i ka duart e lira për të menaxhuar fuqinë kineze që përbën rrezik strategjik më afatgjatë dhe shumë real për sigurinë dhe paqen në botë.
Gjeneza e problemit
Në një shkrim të vitit 2001 në “Foreign Affairs”, shefi i CIA-s për Pakistan (1986-1989), Milton Bearden, e pati cilësuar Afganistanin si “varri perandorive”. Shumëçka që ka thënë aty, sot ka relevancë, në veçanti sa i përket gjenezës së problemit në këtë vend aziatik dhe qëllimit, për të cilin ishte kryer ndërhyrja ushtarake në vitin 2001. Përshkrimi që i bën historisë së dështimit të disa perandorive në Afganistan, me fillim që nga Aleksandri i Madh (në vitin 327 p.e.s.), e deri tek ai sovjetik në vitin 1989 është mbresëlënës. Paralelet janë të qarta e me vend: dy herë britanikët në shekullin 19, sovjetikët pas vitit 1979, kishin instaluar regjime kukulla duke përjashtuar rrymat kryesore politike që përfaqësojnë ideologjinë e fiseve që përbëjnë popullin më të madh në vend – pashtunëve. Ky autor nuk e thotë, por që është e vërtetë, se përjashtimi amerikan i talebanëve, si përfaqësuesit autoktonë të shumicës së popullsisë fisnore afgane, ka qenë dhe ngelet njëri ndër faktorët më të rëndësishëm në rikthimin e tyre në pushtet sot.
Në vend se të futeshin në sistem pas rrëzimit të tyre nga pushteti në vitin 2001, amerikanët u patën kënaqur viteve të para (2001-2006), me bindjen se mund të ndërtojnë një shtet-komb në gërmadhat e shoqërisë së rraskapitur nga okupimi sovjetik dhe lufta civile disavjeçare. Kjo binte ndesh me premisën themelore të strukturës së shoqërisë së këtij vendi, e ndërtuar në fise e nënfise, me ideologjinë bazë islamin suni të interpretimit radikal selafist. Se kjo strukturë nuk mund t’i prishë lojalitetet fisnore aq lehtë, u pa ditën që ikën sovjetikët më 1989. Vendi u fut në kaos dhe luftë civile, për të shërbyer si shembull shkollor se si krijohet një shtet i dështuar, koncept ky që më pastaj do të transpozohet në kontekste të tjera në vendet e ish-Botës së Tretë. Vota e lirë, përveç si fasadë, nuk shërbeu për ndërtimin e asnjë institucioni në Afganistan, me qëllim që më pastaj të ndryshoheshin lojalitetet fisnore duke i shndërruar në lojalitete kushtetuese-institucionale. Ky nuk ishte veçse një iluzion: mëkati nis në kutinë e votimit, e thonë autorët e librit “Si vdesin demokracitë” (2018). Kjo nuk shihet askund më qartë se në përpjekjet perëndimore në Afganistan për të instaluar një shtet sipas standardeve perëndimore. Atëherë, çfarë ka ndodhur?
Pakistani, ky aleat i pabesë i Amerikës!
Në vitin 2006 nisën raportimet e para mbi kalimet e kufirit afgano-pakistanez të luftëtarëve talebanë, në rajonin Baluçistan/Pashtunistan, të armatosur, trajnuar dhe financuar nga Pakistani, aleati i supozuar amerikan dhe perëndimor.
Pse gjithë ky entuziazëm i strukturave të spiunazhit pakistanez, të njohura ndërkombëtarisht me shkurtesën ISI, për të mobilizuar talebanët në luftë kundër aleatit të tyre kryesor, SHBA-së? Njëri ndër udhëheqësit kryesorë të ISI-t, gjenerali Hamid Gul, kishte deklaruar me një rast, disa vite më parë, se “mundëm sovjetikët me ndihmën amerikane, kurse amerikanët po i mundim me ndihmën e vetë Amerikës”. Kjo përkrahje e talebanëve, përmes financimit, trajnimit dhe përdorimit të territorit pakistanez për të vepruar kundër Qeverisë pro-perëndimore në Kabul, në Islamabad është fshehur në vazhdimësi. Kur amerikanët i kanë mbështetur për muri qeveritarët pakistanezë, përgjigja e tyre ka qenë që këtë po e bënin për shkak të frikës që kanë nga India. Pavarësisht sigurimeve të forta të dhëna nga amerikanët se India nuk përbën asnjë problem sigurie për Pakistanin, ky vend e ka kornizuar politikën e saj të sigurisë ndaj Indisë në terma ekzistencialë. Kjo për shkak të frikës, sipas zyrtarëve të ISI-t, se fqinji i tyre lindor do të fitojë përparësi në Kabul në të ardhmen e marrjes së pushtetit nga talebanët, siç kishte ndodhur pas tërheqjes së sovjetikëve në vitin 1989. Kjo politikë absurde e sigurisë, që në literaturë quhet sekuritizim i targetit që nuk paraqet rrezik sigurie, përveç që detyronte Pakistanin për financim dhe mbështetje ushtarake të një armiku e kundërshtari ekzistencial amerikan dhe perëndimor, në të njëjtën kohë e ka shtyrë në gjirin e sigurisë kineze. Kjo për shkak se amerikanët kishin vënë sanksione ndaj lëvrimeve të ndihmës ushtarake për Islamabadin. Kina, në të njëjtën kohë, paraqet një armik ekzistencial amerikan dhe perëndimor, jo vetëm për shkak të marrëdhënieve afgano-paksitaneze, por si pasojë e pengesave që i paraqet Amerikës në çdo cep të botës, me vështrim të veçantë në hapësirën Pacifiko-indiane. Nuk është për t’u çuditur që Kina, krahas Rusisë, ka qenë viteve të fundit furnizuesi më i madh në armatimin e forcave talebane. Ndërkohë, që për Rusinë kjo tingëllon krejt normale dhe paraqet kthim të borxhit për rolin kolosal dhe vendimtar të amerikanëve në rrëzimin e Perandorisë Ruse me bazë sovjetike, me Kinën gjendja paraqitet ndryshe: ky vend ka qenë me amerikanët në luftën e talebanëve kundër sovjetikëve (1979-1989). Tani roli kinez është krejt i kundërt.
Kina dhe Rusia, rivalët amerikanë që furnizuan me armë talebanët
Ka kohë që Kina ka nisur hapur dhe pa u fshehur t’i vë në dukje ambiciet e saj imperiale. Pak kohë më parë, një zyrtar i lartë kinez tha se “perëndimi e ka kryer punën e vet, ka ardhur koha e dominimit të lindorëve”. Me lindor nënkuptohet, në rend të parë, lidershipi kinez dhe aleanca e tyre me çdo shtet që ka për synim prishjen e rregullave aktuale të lojës në marrëdhëniet ndërkombëtare, rregulla e institucione që janë ndërtuar nga amerikanët e aleatët e tyre në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Kjo është pika e përbashkët që lidh Kinën me Rusinë e Putinit dhe me krejt vendet tjera autoritare që gjenden në politikën e jashtme kineze të njohur si “Belt and Road Policy”.
Pakistani nuk përbën përjashtim në këtë aspekt: ISI, jo strukturat civile të Shtetit pakistanez, diktojnë dhe realizojnë politikën e jashtme të këtij vendi. Duke inkurajuar dhe mbështetur Pakistanin për të ndihmuar talebanët, përfshirë ndihmën e pandërprerë ushtarake, si pasojë imediate e sekuritizimit ekzistencial të marrëdhënieve të Islamabadit me Delhin, Kina ka arritur dy qëllime: e para, ka prishur Pakistanin me amerikanët dhe perëndimin, duke bërë kësisoj që presioni perëndimor të rritet në mënyrë eksponenciale në të ardhmen, me kërkesë për të kontrolluar talebanët në Kabul; dhe, e dyta, ka vënë Indinë në defansivë, duke ia bërë me dije se, në rast të institucionalizimit të marrëdhënieve në kuadër të “Katërshes” (dialogu strategjik që prihet nga amerikanët dhe që përfshin Indinë, Japoninë dhe Australinë), Kina do t’i ketë dy vendet islamike në anën e saj për t’i nxitur kundër Qeverisë në Nju Delhi duke përdorur myslimanët indianë.
Çfarë ka fituar Pakistani? Asgjë! Fitorja e këtij vendi për mbështetjen e talebanëve nuk është pos një fitore e Pirros: regjimi në Kabul do të kthehet së shpejti kundër Pakistanit pikërisht për shkak se rajoni historik i Pashtunistanit, që në pjesë të madhe gjendet në Pakistan, sot e kësaj dite konsiderohet i okupuar nga Pakistani. Në fakt, deri në vitin 1976, Afganistani nuk i ka njohur kufijtë me Pakistanin sipas linjës Duran. Ndërkohë që kjo do të ndodhë, Pakistani nuk do t’i ketë më amerikanët dhe perëndimorët për ta ndihmuar në aspektin ushtarak dhe të sigurisë. Në fakt, ka kohë që kjo ndihmë më nuk vjen për këtë vend. Për pasojë, kjo ka rritur vartësinë nga ndihma ushtarake kineze, që është e cilësisë së dobët. Aktualisht, statistikat flasin për një përqindje alarmante të vartësisë ekonomike e ushtarake të Pakistanit ndaj Kinës, e shkaktuar me dorën e ISI-t, si pasojë e sekuritizimit të rrezikut indian.
Riorientimi i madh i politikës së jashtme dhe të sigurisë amerikane në drejtim të hapësirës Pacifiko-indiane
Ndër arsyet kryesore pse Pakistani më nuk mund të llogarisë në ndihmën ushtarake dhe ekonomike amerikane është edhe riorientimi radikal i politikës së jashtme në Washington në hapësirën Pacifiko-indiane. Ky riorientim është bipartizan dhe ka për qëllim frenimin dhe menaxhimin e fuqisë në rritje të Kinës, e cila, siç u tha, në projektin e vet imperial “Belt and Road” ka për synim primar revidimin e tërësishëm të rregullave të lojës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kohëve të fundit, Pekini zyrtar flet edhe për “rrugën e mëndafshit në Arktik”, duke u imponuar me forcë si një fuqi me të drejta për shfrytëzim ekonomik të Arktikut, njëjtë si fuqitë tjera perëndimore dhe Rusia. Ky, megjithatë, nuk është shqetësimi primar amerikan e perëndimor: shqetësimi kryesor ka të bëjë me bulizmin që Kina në vazhdimësi po e bën në detin e Kinës Jugore, duke synuar kontrollimin e rrugëve kryesore detare që lidhin Pacifikun Perëndimor me nënkontinentin indian. Për të penguar këtë, amerikanët janë në rrugë të mirë për të institucionalizuar një dialog strategjik, të cilin ka vite që e kanë nisur me Japoninë, Australinë dhe Indinë. Në fillim ka pasur rezerva. Ndërkohë, pas konflikteve kufitare me Indinë, ky vend e ka shumë të qartë se Kina përbën një rrezik më serioz sigurie se sa bllokimi i rrugëve detare në detin e Kinës Jugore, të cilin synon ta shndërrojë në një det të brendshëm territorial, siç është Deti Kaspik. Krejt kjo me qëllim të kontrollit të mbi 80 për qind të komunikacionit ekonomik dhe tregtar të botës (aq sa supozohet që është vëllimi i qarkullimit ekonomik dhe tregtar në atë hapësirë detare). Kjo është arsyeja pse SHBA-ja ka dislokuar në mënyrë permanente dhe progresive anije luftarake, platforma raketore dhe teknologji survejimi të situatës atje, me qëllim të sigurimit të vendeve anësore përgjatë detit të Kinës Jugore për seriozitetin e ndërmarrjes strategjike amerikane. Kjo rrethanë ka bërë që vendet në fjalë, përfshirë këtu Vietnamin, të japin shenja pozitive ndaj iniciativës amerikane të “katërshes strategjike”, por me kusht që të mbrohen të drejtat e tyre detare në tërësinë e tyre dhe mos të lihen në mëshirën e Kinës. Për momentin, vetëm Filipinet dhe Vietnami kanë treguar një entuziazëm të duhur, të tjerët vetëm shenja afrimi me idenë amerikane.
Pikërisht ky dislokim strategjik amerikan në këtë pjesë të botës shpjegon thelbin e tërheqjes nga Siria dhe Afganistani dhe mosinteresimi si dikur për çështjet e Lindjes së Mesme. U mor vesh, kjo nuk shpjegon modalitetet e asaj që sot duket si dështim amerikan me rastin e tërheqjes nga Afganistani. Ky dështim që u asocua me kaos dhe humbje jetësh njerëzore, më shumë ka të bëjë me gabimet në dy hapa strategjikë: i pari ka të bëjë me caktimin publik në vazhdimësi të datës së tërheqjes amerikane nga ky vend, ani se me marrëveshje me talebanët; dhe i dyti ka të bëjë me zbatimin e doktrinës së zbatuar në Irak të kundërkryengritjes (“counterinsurgency doctrine”), në një terren si Afganistani, me “aleatin” pakistanez me një agjendë të sigurisë tërësisht të kundërt me agjendën perëndimore. Një situatë e ngjashme me aleatët në atë pjesë të botës u ka ndodhur amerikanëve me Turqinë: sot e kësaj dite Erdogani e definon marrëdhënien e tij me SHBA-në nën prizmin e luftës kundër kurdëve, që luftojnë për mbijetesë në atë pjesë të botës. Pikërisht kjo rrethanë e sekuritizimit të problemit kurd me terma ekzistencialë, ka bërë që edhe në Siri amerikanët të tërhiqen në mënyrë graduale, duke lënë Turqinë edhe më shumë të rrezikuar në sigurinë e saj se që ka qenë në të kaluarën e saj si një shtet modern. Sot Turqia ka lufta të vazhdueshme në krejt kufijtë e saj tokësorë. Më serioz i ka në juglindje dhe në jug të vendit. Këtë siguri ka mundur ta përmirësojë dukshëm sikur të kishte ndjekur politikat me aleatin e saj kryesor, SHBA-në. Njëjtë gabim ka bërë edhe Pakistani, i cili shumë shpejt do ta kuptojë se rreziku ekzistencial i vjen nga fqinji perëndimor, Afganistani, jo nga India. Gjithashtu, shumë shpejt do të kuptohet se talebanët do të jenë aleati më besnik ndaj Kinës se sa ndaj Pakistanit, pikërisht për shkak të definimit kinez të Indisë si rrezik sigurie numër një si pasojë e aleancës që kjo ka me amerikanët në “Katërshe”. Vetë amerikanët, ndërkaq, kanë hequr qafe një problem sigurie ku me dekada kanë shpenzuar lekë dhe kanë derdhur gjak, ndërkohë që vlera strategjike e Afganistanit ka qenë shumë e ulët. Sigurinë se më Kabuli nuk do të shërbejë si çerdhe e terrorizimit ndërkombëtar , amerikanët e kanë të garantuar sepse talebanët e kanë marrë mësimin e duhur më 2001. Kjo rrethanë përbën thelbin e suksesit amerikan në Afganistan: tani e tutje i kanë duart e lira për të menaxhuar fuqinë kineze që përbën rrezik strategjik më afatgjatë dhe shumë real për sigurinë dhe paqen në botë.
(Koha ditore/ISHGJ/
(Autori është profesor i së Drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)