Ne kemi nevojë shumë për miqë dhe aleat, por ajo çka është tepër esenciale ndërlidhet me krijimin e një shkolle të mirëfillt politike vendore, mbi traditën e mendimit politik e ideologjik të Sami Frashërit, Fan Nolit, Hasan Prishtinës e Ukshin Hotit, e cila do të ndërtohej mbi strategjinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe arritjen e mirëkuptimit të brendshëm dhe bashkërendimi substancial, që do të ishin alfa dhe omega e filozofisë sonë politike kombëtare.
Nga Prof.dr. Skender ASANI
Shkup, 12 gusht – Mendimtarët dhe politikanët mund të shuhen fizikisht, por idetë e tyre vizionare mbesin gjallë. Historia botërore është e mbushur me plot shembuj, ku kauzat kanë mbijetuar përtej fateve personale të njerëzve.
Një ide për t’u bërë vizion, ajo e ka patjetër të kalojë në testin e rrept të kohës. Empiria historike ka dëshmuar se jo të gjitha idetë i kanë bërë ballë erozionit të ndryshimeve epokale. Kjo gjithsesi është varur nga cilësia e përpunimit të ideve në mullirin e madh të kërkesave të një populli. Për rrjedhojë, rrota e epokave është më e pamëshirshme kundrejt ideve që nuk sjellin kurrfarë rise dhe si të tilla ato nxiren nga përdorimi si një material harxhues.
Historia e civilizimit botëror i ngjan një magazine të stëmbushur me materiale harxhuese, por liderët dhe dijetarët ishin ata që e bënë selektimin e vlerave dhe ngritjen e tyre në aksione popullore plebishitare , duke i dhuruar njerëzimit kryevepra në formë të revolucioneve tekniko-shkencore e shoqërore.
Edhe historia e shqiptarëve është e përshkuar nga idetë e mëdha që kanë rezultuar në rrumbullaksim të pjesshëm të proceseve historike, siç ishte fillimisht pavarësia e Shqipërisë dhe më vonë pavarësia e Kosovës, por edhe në cikël të pambyllura të zhvillimit të projekteve madhore, siç është , bie fjala, bashkimi kombëtar.
Sami Frashëri në manifestin e tij programartik “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet’’, teksa ia bënte një radiografi çështjes së pazgjidhur shqiptare në fund të shek. 19, pasi detektonte rreziqet e jashtëme, me të cilat sipas tij përballej kombi shqiptar, e që ishin, “zgjedha e huaj”, “lakmitë shoviniste të fqinjëve”, ndalej edhe në rrezikun e madh që i kanoset kombit nga, ‘’grindjet dhe përçarjet midis shqiptarëve’’. Prandaj ai me të drejt apelonte: “O burrani, o shqiptarë ! Zihuni me të dy duart në besë, në lidhje e në bashkim, se kjo do t’ju shpëtojë! …Në mes të shqiptarëve të vërtetë s’ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje, ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim, një besë!”.
Armiqtë tanë janë ndier komod gjithmonë kur shqiptarët kanë punuar të ndarë, pa ndonjë program dhe pa ndonjë koordinim të mirëfillt në mes veti. Dhe goditjet pasuan vetëm atëherë kur nga gjiu i popullit shqiptar dilnin prijës që si synim madhor kishin bashkimin dhe flakjen e mosmareveshjeve të brendshme. Mjafton të kujtojmë likuidimin e Jusuf Gërvallës me bashkëpuntorët e tij, për të kuptuar më mirë ideatorët dhe ekzekutorët e planeve famëkeqe për përçarjen e shqiptarëve.
Sot kur kujtojmë 12 gushtin e famshëm të Shkupit të lirë dhe të administruar për herë të parë nga forcat kryengritëse shqiptare, porosia nuk do të duhej të kufizohet vetëm në peshën dhe rëndsinë që pati kjo ditë në historinë e shtetndrëtimit të shqiptarëve, por edhe në një dimension tjetër që duhet patjetër të ketë ky shtetndërtim.
Pikëpmajet vizionare të Hasan Prishtinës të sublimuara në një program 14 pikësh, janë bazamenti intelektual i këtij dimensioni dhe kjo do të provohet edhe në përvojën e mëvonshme të betejave politike të shqiptarëve për shtendërtim. Në historinë më të të re, këto beteja personifikohen në figurën dhe veprën e Ukshin Hotit, një ideolog i spikatur i çështjes shqiptare, vizioni i të cilit lidhej drejtëdrejt me konceptin e ndërtimit të shtetit mbi themelet filozofisë politike të Rilindjes Kombëtare dhe të ideve bashkëkohore të shtetit kombëtar.
Nga Sami Frashëri tek Hasan Prishtina, Ismail Qemaili e Fan Noli, deri te Ukshin Hoti, Albin Kurti e Ali Ahmeti, çështja kombëtare shqiptare ka bërë një rrugëtim dramatik nëpër shtigje të vështira, ku dianamika e proceseve historike ka shënuar ngritjet dhe rëniet e veta.
Ajo çka nuk arriti të realizohej si qëllim madhor në Shkup, u transferua në Vlorë, si amanet i një pune të papërfunduar, ndërkohë që idealistët shqiptarë të ilegales së viteve 60, 70 e 80 në ish Jugosllavi , ndaheshin dikund – ndikund në nuanca ideologjike, por ata sërish bashkoheshin në idenë e pavdekur të bashkimit kombëtar në një shtet të përbashkët.
Republika e Kosovës , e shpallur si shtet i pavarur më 2008, me të drejt është trajtuar edhe si kompromis mes idealeve kombëtare të viteve të mëhershme dhe zgjidhjeve pragmatike që impononte koha, të cilat nuk mund të arriheshin pa miqtë tanë euro-atlantik.
Pra, me vet shpalljen e Kosovës shtet i pavarur, është bërë kompromisi i parë në rang gjithëkombëtar dhe është tepër e padrejtë që nga Kosova sërish të kërkohen kompromise. Atëherë kur Kosovës i është dhënë autonomi në kuadër të ish federatës Jugosllave, pjesëve tjera të shqiptarëve të mbetur jashtë kësaj autonomie, iu ishte bërë padrejtësi historike, sepse vetëm shqiptarët ndaheshin në disa njësi federative dhe në këtë mënyrë shkërmoqej kohezioni brendshëm i çështjes shqiptare. Me faktin se shqiptarët pranuan të bashkëjetojnë me kombet tjera në shtete tjera ku ata nuk ishin konstituent, dhe pranuan të heqin dorë të jenë në një shtet të përbashkët, është kompromisi më i madh që është bërë në historinë më të re të popujve në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Prandaj na duket absurd pretendimi i Serbisë për kompromise të tjera që duhet të bëjë Kosova, duke futur në derë të vogël projektin e bosnjizimit.
“Një komb”, ka thënë presidenti Xhon Kenedi, “e tregon veten me burrat që dalin nga trupi i tij, por një komb e kallëzon veten gjithashtu edhe me burrat që ai nderon dhe me burrat që kujton…”
Tani udhëheqja aktuale e Kosovës, e prirë nga kryeministri Albin Kurti, ka nevojë për një mbështetje substanciale nga të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Kosovës. Kjo mbështetje duhet të vijë edhe nga Shkupi, edhe nga Tetova, edhe nga Tirana, edhe nga Presheva, edhe nga Ulqini. Diplomacia e Shqipërisë dhe infrastruktura lobuese e diplomatëve shqiptarë nga Maqedonia do të duhej të jen në një linjë koherente me nevojat që ka shteti i Kosovës në artikulimin e interesave nacionale në qendrat botërore të vendosjes.
Idetë politike të Hasan Prishtinës nuk do të konsideroheshin vizionare nëse ato edhe sot nuk prodhojnë efekte praktike, që do të mud të pëdoreshin nga politikanët tanë aktualë.
Parasegjithash shqiptarët kanë nevojë për aleatë dhe miqë të sinqertë. Ashtu siç vepronte Hasan Prishtina, i cili nuk ngurronte të kërkonte mbështetje evropiane dhe aleanca fqinjësore për të realizuar idetë e çlirimit kombëtar, njësoj duhet të veprojnë edhe politikanët tanë, fushëveprimi i të cilëve është ngusht i lidhur me artikulimin dhe afirmmin e interesave kombëtare në planin ndërkombëtar e rajonal.
Gjithmonë kur interesat shqiptare janë përçuar drejt në planin ndërkombëtar, kanë pasur efekt ndikimet pozitive në dizajnimin e hartës poltike të shqiptarëve. Kështu ndodhi edhe me qëndrimin parimor të diplomacisë austro-hungareze, e përfaqësuar nga Konti Bertholt, i cili menjëherë pas 14 pikave të Hasan Prishtinës, më 13 gusht 1912, kishte dalur me idenë e decentralizimit të Perandorisë Osmane, e cila shkonte drejtpërdrejt në favor të administrimit të pushtetit vendor nga ana e shqiptarëve. Me këtë ide ai në fakt iu jepte jehonë kërkesave të Hasan Prishtinës për marrjen e pushtetit nga ana e shqiptarëve, që hapte udhë për një autonomi politike brenda Perandorisë Osmane. Kjo ide e Kontit
Berthold nga qarqet diplomatike të kohës u interepretua si paradhomë e shpalljes së Pavarësisë së Sqhipërisë, e cila në fakt ndodhi disa muaj më vonë, konkretisht më 28 nëntor 1912.
Ka plotë popuj në botë që kanë zhvilluar lufta për liri, mirëpo kanë dështuar në artikulimin e drejtë të çështjeve të tyre. Me këto probleme janë ballafaquar edhe shqiptarët, mirëpo fatbardhësisht në krye të lëvizjes kombëtare shqiptare pati ideolog e patriot të cilët i dhanë kahje të duhur kauzës shqiptare. Kjo mund të konfirmohet edhe me rastin e kërkesës që paria shqiptare i shtroi në Konferenecën e Versajes (1919), e cila kërkonte nga presidenti amerikan Vudro Wilson shpllajen e viseve verilindore shqiptare protektorat amerikan. Kjo ide, sikundër dihet, u bë realitet disa dekada më vonë, pas ndëryhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë në qershor të 1999-tës, kur në Kosovë u instalua administrata ndërkombëtare, që në gjuhën diploamtike njihej si protektorat ndërkombëtar.
Miqësitë nuk krijohen lehtë, por ato ndërtohen me besim reciprok, dhe me artikulim të drejt të kërkesave dhe ideve që mund të gjejnë mbështeje tek miqtë tanë ndërkombëtar. Prandaj jo ratësisht edhe kjo sallë në të cilën ne sot ndodhemi mban emrin e presidentit të famshëm amerikan Wilson, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në trajtimin e drejtë të çështjes shqiptare.
Gjithashtu edhe Instituti ynë ka trashëguar një objekt historik, në të cilin ishte e vendosur dikur ambasada e SHBA-ve, një vendndodhje kjo ku është shkruar edhe një pjesë e lavdishme e historisë më të re të Kosovës. Kjo ambasadë ishte zëri më i fuqishëm i administratës amerikane para dhe pas çlirimit të Kosovës, sepse këtu zhvilloheshin takimet me krerët e atëhershëm të rezistencës politike e ushtarake të Kosovës dhe prej këtu përcillej mesazhi se nga duhej të zhvilloheshin situatat në terren.
Përfundimisht ne kemi nevojë shumë për miqë dhe aleat, por ajo çka është tepër esenciale ndërlidhet me krijimin e një shkolle të mirëfillt politike vendore, mbi traditën e mendimit politik e ideologjik të Sami Frashërit, Fan Nolit, Hasan Prishtinës e Ukshin Hotit, e cila do të ndërtohej mbi strategjinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe arritjen e mirëkuptimit të brendshëm dhe bashkërendimi substancial, që do të ishin alfa dhe omega e filozofisë sonë politike kombëtare.
(Fjalë e mbajtur në tribunën me temën “Kauzat shqiptare – para dhe pas Hasan Prishtinës” që u zhvillua në ITSHKSH, më 12 gusht 2021, në Shkup)