Nga Lisen Bashkurti
Këto ditë u bë në Shkup takimi i tetë i radhës për “Minishengenin” ballkanik. Në takim morën pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Tre shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina nuk morën pjesë. Pas takimit u firmosën disa marrëveshje që synojnë jetësimin e nismës. Parashihet që në vitin 2023 qytetarët e këtyre tre vëndeve të lëvizin lirshëm në tërë hapsirën e trojkës.
Debate të shumta e kanë shoqëruar dhe pasuar takimin e tetë të Shkupit. Disa debate janë politike, disa patriotike dhe të tjerat janë teknike, pra ekonomike dhe tregëtare. Pavarësisht nga karakteri i debateve, fakti që nisma shoqërohet dhe pasohet me papajtueshmëri të shumta dhe të forta tregon se ka disa gjëra që nuk shkojnë mirë me të.
Nismat apo organizatat rajonale kanë definicionin e tyre në shkencat e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ky definicion vjen nga historia dhe afirmimi në të drejtën dhe në praktikën ndërkombëtare. Butros Butros Gali i definonte nismat apo organizatat rajonale si “organizata të përhershme, të cilat në një hapsirë të caktuar gjeografike tubojnë disa shtete, që, për shkak të fqinjësisë, të interesave të përbashkëta ose të lidhjeve kulturore, gjuhësore, historike a shpirtërore, solidarizohen për zgjidhjen paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve që do të mund të shfaqeshin midis tyre, për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në rajonin e tyre, si dhe për ruajtjen e interesave të tyre dhe për zhvillimin e marrëdhënieve të tyre ekonomike e kulturore” (Pedro Pablo Comargo, ‘Dereco International, Tomo III, p.252)
Ky definicion i pranuar gjërësisht në të drejtën ndërkombëtare dhe praktikën botërore vlen për cdo organizatëe apo iniciativë rajonale. Bazuar mbi këtë definicion dhe duke bërë analizë krahasuese me “Minishengenin” ballkanik, duke u përpjekur të mbetem mëndjeftohtë do e ndërtoj shkrimin mbi disa pyetje.
1. Gjithëpërfshirës apo perjashtues?
Në fillimet e saj nisma për “Minishengenin” ballkanik synonte të tërhiqte gjashtë vëndet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Edhe mbas tetë takimesh kjo nuk ndodhi. Nismëtarët, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nuk arritën dot të ndërtonin një proces gjithëpërfshirës për gjashtë vëndet e Ballkanit Perëndimor. Ata dështuan të krijonin bindjen tek fqinjët e tyre. Për këtë ka shkaqe dhe faktorë të shumtë.
Disa shkaqe burojnë nga mungesa e kushteve e rrethanave rajonale për bashkëpunim, ka faktorë mosbesimi midis palëve, ka dallueshmëri në nivelet e zhvillimit ekonomik e tregëtar, ka mospërputhshmëri legjislative dhe institucionale, ka mungesa infrastrukturore, ka kontradikta të thella papajtueshmërie politike e gjeopolitike. Mbi të gjithë ka një zhvendosje të paarsyetuar nga procesi i Berlinit (që hap dhe njëkohësisht lidh tregjet e Ballkanit me BE dhe njëzet e shtatë vëndet anëtarë të tij) drejt një nisme plot paqartësi e vizione që nuk të shpien drejt një qëllimi e objektivash të qartë. Me fjalë të tjera “Minishengeni” ballkanik edhe mbas tetë takimesh nuk ka arritur të sigurojë harmonizimin e qëllimit dhe objektivave të përbashkët me interesat e gjashtë shteteve individuale të Ballkanit Perëndimor.
Në këto kushte e rrethana, nisma nuk gjeti mbështetje ballkanike, por u tkurr në një trojkë ballkanike. Bazuar në praktikën e nismave dhe organizatave rajonale trojka Tiranë-Shkup-Beograd nuk arriti të ngrihet në nivel të hapur ballkanik, por në nivel të tkurrur ballkanik, duke mbetur në thelb nismë perjashtuese dhe jo gjithëpërfshirëse. Në këtë kontekts mbetën më të vlefshme iniciativat rajonale si CEFTA apo procesi i Berlinit që janë gjithëpërfshirëse për mbarë Ballkanin Perëndimor dhe e integrojnë atë me Bashkimin Evropian.
2. Bashkim kaotik apo me kritere?
Krijimi i nismave apo organizatave rajonale synon krijimin e grupimeve të disa shteteve që vendosin të bashkëpunojnë në një ose disa fusha me qëllim përfitimet e përbashkëta dhe të secilit veçmas. Shtetet që i bashkohen këtyre nismave apo organizatave krijojnë një grup nismëtar që vendos qysh në fillim kriteret që duhet të plotësojë secili vënd që të mund t’u bashkohet atyre. A ka kritere të tilla nisma e “Minishengenit” ballkanik? Nëse po, cilat janë kriteret politike, ekonomike, juridike dhe aministrative që duhet të plotësojë secili vënd individualisht?
Deri tani askund nuk janë bërë me dije kriteret që i bashkojnë këto vënde. Pra kemi të bëjmë me një tentativë për të bashkuar shtete konglomerat, pa kritere të unifikuara dhe të standardizuara politike, ekonomike, juridike dhe administrative. Në këto kushte nisma ose do të dështojë, siç ka dështuar në tetë hapat e parë të saj, ose do të adoptojë masa gjatë rrugës, që mund të jenë të ndryshme nga kriteret e Kopenhagës së BE. Mund të jenë devijime nga legjislacioni “Acquis Communautaire”, mund të jenë përplasje me të, ose, akoma më keq mund të krijojnë një konglomerat regjimesh demokratikë e autokratikë apo hibridë, me mirë-qeverisje apo keq-qeverisje, me mungesë transparence, korruptivë dhe të inkriminuar, me mungesë lirie e konkurrence ekonomike, me trafiqe të paligjshme dhe pastrime parash.
Ky eksperiment duket të jetë krejt i panevojshëm dhe madje i rrezikshëm për sa kohë të gjithë vëndet e Ballkanit Perëndimor janë të ndërfutura në procesin e integrimit në BE dhe për këtë arsye u referohen kritereve të Kopengahës në rrafshet politike, ekonomike, juridike dhe administrative. Këto kritere lidhen me demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, fqinjësinë e mirë, bashkëpunimin rajonal dhe vijojnë me standardet e lirisë ekonomike e tregëtare, kushtet financiare dhe monetare, përafrimin e legjislacionit dhe funksionimin e kapaciteteve administrative. Referenca e kritereve të Kopenhagës është e patjetërsueshme dhe e pazëvendësueshme. Për këto arsye nisma e trojkës Tiranë-Shkup-Beograd ngjan më shumë si “nisma e të dëshpëruarve apo e të inatosurve me BE” se sa një nismë që i shpie vëndet e trojkës drejt BE.
3. Projekte me financa apo me propagandë?
Bazuar në Traktatin e Vjenës për organizatat dhe nismat rajonale dhe në praktikën e krijimit dhe funksionimit të tyre, është e domosdoshme që palët të krijojnë themelet financuese për realizimin e qëllimit, objektivave dhe projekteve të përbashkëta. Ky kontribut jepet nga shtetet pjesëmarrëse, por edhe nga shtete të tjera donatore e sponsorizuese apo institucione bankare e financiare ndërkombëtare. Ka mjaft raste që organizatat e nismat rajonale kanë krijuar bankat apo fondacionet e tyre me kapitale të mjaftueshme për përmbushjen e qëllimit, objektivave dhe projekteve të tyre.
“Shengeni ballkanik” ose “Ballkani i tkurrur” nuk është deklaruar për krijimin e themeleve financuese për realizimin e qëllimit, objektivave dhe projekteve të veta. Si mund të zbatohet një nismë e tillë pa kapitale financiare? Edhe ndryshimet e legjislacionit, të logjistikës, infrastrukturës në nivel shumëpalësh për t’iu adoptuar nismës kërkojnë para për t’u realizuar. Pa para asgjë nuk mund të lëvizë. Nismëtarët nuk kanë arritur të bindin as vetveten dhe as shtetet e tjera apo institucionet bankare dhe financiare për të mbështetur financiarisht iniciativën e tyre. Mungesa e mbështetjes financiare është reagimi diplomatik injorues më i mirë ndërkombëtar ndaj kësaj nisme.
4. Lidership e administrim spontan apo i strukturuar?
Bazuar në Traktatin e Vjenës dhe në praktikën ndërkombëtare për krijimin dhe funksionimin e organizatave dhe nismave rajonale, është e domosdoshme që të krijohen organet drejtuese si dhe një qëndër administrimi e përbashkët e shteteve pjesëmarrëse në iniciativë. Në krye të administrimit ka dy struktura: një strukturë politikë-bërëse dhe vendim-marrëse, që përbëhet nga përfaqësues të lartë të vëndeve anëtare dhe një strukturë administrative që krijohet me stafe teknike dhe udhëhiqet nga një sekretar i përgjithshëm. Në krye të organeve drejtuese politike vendoset një përfaqësues i lartë, zakonisht me rotacion nga shtetet anëtare të nismës.
Këto organe politike dhe qëndra e përbashkët administrative synojnë që të ndjekin zbatimin e traktatit e marrëveshjeve të lidhura mes palëve, të firmosura dhe ratifikuara në këtë kuadër, të informojë rregullisht pjesëmarrësit për ecurinë, problematikat dhe aspekte të tjera, të organizojë takimet e rregullta periodike të parashikuara në statutin e organizatës apo nismës, duke filluar nga agjenda deri te protokolli dhe dokumentet që miratohen në proces.
Nisma e “Minishengenit” ballkanik apo e “Ballkanit të tkurrur”, nuk duket të ketë themeluar një strukturë të tillë me organet drejtuese dhe strukturë drejtimi administrativ politik dhe administrativ. Gjithçka duket t’i jetë lënë spontanitetit diletant, pa parashikime profesionale, pa vizione afatgjatë, pa përgjegjshmëri dhe pa llogaridhënie politike. Kështu, mund të themi që nismës, së paku deri tani i mungojnë organet kapilare drejtuese politike dhe administrative për zbatimin e qëllimit, objektivave dhe projekteve. Pa këto organe dhe pa këtë strukturë politike dhe administrative nisma rajonale nuk mund të ekzistojnë dhe aq më pak të nuk mund të jetësohen.
Si konkluzion mund të themi se nisma e “Minishengenit” ballkanik, e quajtur me emrin “Ballkani i hapur” nuk plotëson përgjithësisht parimet, normat juridike dhe praktikën ndërkombëtare të një nisme rajonale, nuk është gjithëpërfshirëse konform emrit të saj, por perjashtuese sepse nuk ka arritur të harmonizojë qëllimin e përbashkët të nismës me interesat e shteteve individuale ballkanike, nuk ka arritur të sigurojë bazat e saj të përbashkëta financiare për të funksionuar, nuk ka krijuar strukturën e saj drejtuese politike vendim-marrëse dhe atë administrative për menaxhimin e punëve.
Edhe mbas takimit të tetë të saj, iniciativa e “Minishengenit” ballkanik nuk arriti të konstituojë këto parime, norma, financa e struktura lidershipi dhe administrative, nuk i është bashkëngjitur qartësisht dhe vendosmërisht integrimit në BE dhe procesit të Berlinit që rrjedh prej tij, duke ulur gjithnjë e më shumë pritshmëritë ndaj saj.