Nga Shaban Murati
Tiranë, 29 korrik – Samiti i tre krerëve të qeverive të “mini Shengenit” në Shkup në 29 korrik pranoi zyrtarisht dështimin e bujshëm, përderisa pa u mbushur dy vjet nga firmat që vunë në Serbi, u detyruan t’i fshijnë dhe t’i ndërrojnë emrin nismës serbe.
Tre krerët e qeverive të “mini Shengenit” po tallen me veten e vet dhe për të shpëtuar rytben e pagëzuan me emër presuntuoz, duke e quajtur tani “Ballkan i hapur”. Mirpo ky pretendim i hijes së mengjesit i bën më komikë, sepse askush nuk i autorizoi krerët e tre mikroshteteve të vetëmarrin pronësinë për çelsat e hapjes së Ballkanit, i cili ka 12 shtete, ku shumica janë më të mëdha dhe më të fuqishme se sa të tre minishengistët bashkë.
Kuptohet pozita për t’u mëshiruar e tre minishengistëve serbë, që premtojnë “Ballkan të hapur” për pesë shtete të rajonit anëtare të BE dhe të NATO-s: Greqia, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria dhe Rumania, si dhe për Turqinë shtet kandidat në BE dhe anëtare e NATO-s.
Këtë “Ballkan të hapur” të gjymtë serb po tentojnë ta shesin si e ardhme e rajonit. Në Ballkan i vetmi shtet, që është me sy nga e kaluara, është Serbia. Serbia po ndez zjarrin e luftës etnike dhe fetare në Bosnje, sepse nuk pranon krimin serb të gjenocidit dhe po bllokon shtetin e Bosnje-Hercegovinës nëpërmjet instrumentit të saj gjenocidial, “serpska republikës”.
Serbia po tenton të ndezë konfliktin në Kosovë që ta aneksojë dhe ta rikthejë si koloni të saj. Serbia po lufton të gllabërojë Malin e Zi dhe ta fusë në “botën serbe”, siç paralajmëroi këto ditë presidenti i Malit të Zi. Serbia shpalli këto ditë se planifikon që të bashkojë të gjithë serbët e Ballkanit megjithë territoret e shteteve të tjera ku jetojnë, në një shtet të vetëm të quajtur “Serbia e Madhe”.
Serbia ka sot në vitin 2021 presidentin, zëvendëskryeministren dhe kryetarin e parlamentit, të cilët kanë qenë anëtarë qeverie të kriminelit të luftës Millosheviç. Serbia po glorifikon zyrtarisht kriminelët ndërkombëtarë të luftës të dënuar nga Haga, Millosheviç, Mlladiç dhe Karaxhiç dhe po mohon zyrtarisht gjenocidin e Srebrenicës dhe masakrat e spastrimin etnik në Bosnje dhe në Kosovë.
Mirëpo një mendjeje halucinante nga Tirana në shkretëtirën e kokës së vet narciziste me sa duket i vjen mirazhi i Serbisë si oaz. Të gjithë Ballkanin e sheh kokëposhtë me sy nga e shkuara dhe vetëm Serbinë e sheh si të ardhme të Ballkanit. Fantazma e 1946 po vjen përsëri në Shqipëri! Një “Ballkan serb”.