Pentagoni ka konfirmuar mundësinë e bashkëpunimit ushtarak midis Shteteve të Bashkuara dhe fqinjëve të Afganistanit – Uzbekistanin dhe Taxhikistanin, si dhe vende të tjera, njoftoi më 2 korrik zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
Vërejtjet e tij erdhën si një koment mbi takimet e mëparshme midis Departamentit të Mbrojtjes të SHBA dhe fqinjëve të Afganistanit: Më 1 korrik, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Lloyd Austin, u takua me Ministrin e Jashtëm të Uzbekistanit, Abdulaziz Kamilov. Objekt trajtimi ishte siguria strategjike e dy palëve dhe situata në Azinë Qendrore.
Gjatë një vizite në Uashington, Kamilov falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në “modernizimin e mbrojtjes së Uzbekistanit”, ndërkaq Austin nga ana e tij falënderoi bashkëbiseduesin e tij për promovimin e stabilitetit dhe sigurisë në Azinë Qendrore, tha shërbimi i mediave i Pentagonit.
Kirby nuk dha detaje rreth rindërtimit të bazës ushtarake amerikane në territorin e Uzbekistanit, pasi që është “shumë herët” për të folur për të. Ai nuk dëshironte të “spekulonte” mbi infrastrukturën ushtarake amerikane në vendet e tjera.
Planet e Pentagonit për të studiuar mundësitë e partnerëve të mundshëm për zbatimin e projekteve për ndërtimin e objekteve ushtarake në 20 vende në Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore janë të njohura tashmë. Projekti vlerësohet në 240 milion dollarë dhe territoret e vendeve të tilla si Kazakistani, Uzbekistani, Taxhikistani dhe Turkmenistani konsiderohen territore për vendosjen e objekteve ushtarake të SHBA, tha Eadaily.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë kërkuar nga Kazakistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani që t’u japin përkohësisht azil 10,000 Afganëve “të cilët ose kanë punuar me Shtetet e Bashkuara ose kanë bashkëpunuar me forcat Aleate”, raportoi Reuters. (Geopolitika News)