Shkruan: Dr Selim IBRAIMI
Bashkimi Evropian (BE) nuk ka një ministri të jashtme klasike si shtetet tjera. Mirëpo, është ‘Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm’, ndryshe i quajtur si (EEAS) që përfaqëson politikat e BE-së. Një aspekt kryesor i punës së EEAS-it është forma për të punuar ngushtë me ministritë e jashtme dhe të mbrojtjes të shteteve anëtare të BE-së, institucioneve tjera të unionit dhe organizatat ndërkombëtare.
EEAS selinë e ka në Bruksel, por duke u mbështetur në një rrjet të gjerë të pranisë diplomatike të BE-së në të gjithë botën, EEAS-i ka një përfaqësim të konsiderueshëm edhe jashtë unionit. Aktualisht EEAS-i drejtohet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Jozef Borelli.
Zyrtarisht, Shërbimi i Jashtëm filloi në janar të vitit 2011, i cili u krijua nga Traktati i Lisbonës i nënshkruar në vitin 2007, por hyri në fuqi në fund të vitit 2009. Roli kryesor i tij është përfaqësimi i BE-së në shtetet ku ato janë dhe ashtu siç dihet EEAS-i duhet të bëjë promovimin e vlerave dhe interesave të BE-së.
‘Traktati i Lisbonës’ gjithashtu përcaktoi mënyrën se si do të krijohej ‘Shërbimi Jashtëm’. “Organizimi dhe funksionimi i ‘Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm’ (EEAS) do të përcaktohet me një vendim të Këshillit Evropian. Këshilli do të veprojë në bazë të një propozimi nga Përfaqësuesi i Lartë pasi të konsultohet me Parlamentin Evropian dhe pasi të marrë pëlqimin e Komisionit.” “Kjo do të ndihmojë në forcimin e BE-së në skenën globale, t’i japë asaj më shumë profil dhe t’i mundësojë asaj të projektojë interesat dhe vlerat në mënyrë më efikase.”
Kështu më 8 korrik të vitit 2010, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë duke aprovuar këtë propozim.Për lexuesit tanë është me rëndësi të informohen se ‘Shërbimi i Jashtëm’ i BE-së (EEAS) është i ndarë në disa drejtori gjeografike, duke filluar nga Azia, Paqësori, Afrika, Lindja e Mesme dhe Amerika.
Departamentet mbulojnë çështje globale të cilat përfshijnë disa fusha kryesore si: të drejtat e njeriut, demokracia, ekonomia, ndryshimet klimatike, media etj. EEAS-i gjithashtu ka departamente të rëndësishme të planifikimit dhe ato që janë përgjegjëse ndaj krizave që mbulohen kryesisht nga Politika e Përbashkët e Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP). Departamentet e EEAS-it janë përgjegjës për të gjitha fushat e politikave të marrëdhënieve midis BE-së dhe vendit pritës, qofshin ato politike, ekonomike, tregtare etj. Shërbimi i jashtëm EEAS-i, analizon dhe raporton mbi zhvillimet politike në vendin e tyre pritës.
EEAS sipas rregullave nuk del jashtë traktateve të miratuara, pasi ata janë themeli i politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Traktati i Lisbonës e përcakton qartë se çfarë duhet ta drejtojë BE-në në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku Shërbimi i Jashtëm EEAS-i e mbështet misionin dhe rolin e BE-së.
“Veprimi i BE-së në skenën ndërkombëtare do të udhëhiqet nga parimet që kanë frymëzuar krijimin, zhvillimin dhe zgjerimin e tij dhe që kërkon të avancojë në botë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, parimet e barazisë, respektimin e parimeve të Kartës së OKB-së… ” Këtu kemi disa shembuj ku BE-ja pra EEAS-i luan rol kritik si kontribues i paqes duke drejtuar dhe mbështetur bisedimet e paqes nëpër botë për të lehtësuar zgjidhjet e konflikteve aktive dhe ato të ngrira. Lirisht këtu mund t’i përmendim bisedimet aktuale në mes Kosovës dhe Serbisë me koordinimin e përbashkët të aktorëve BE-SHBA.
Në fushën e politikës së të drejtave të njeriut, BE-ja gjithashtu ka udhëzime për politikat e të drejtave të njeriut. Vëzhgimi i zgjedhjeve është një veprim tjetër i BE-së që synon të promovojë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në të gjithë botën dhe këtu në Ballkanin Perëndimor. EEAS-i është katalizator kyç dhe departament i jashtëm, që e bën BE-në aktor kryesorë në shumë marrëveshje ndërkombëtare, negociata dhe kriza.
Ka pesimistë që thonë se BE-ja nuk është shtet-komb dhe i fryjnë politikave të shkapërderdhjes së unionit për shkak të mospasjes së një politike të përbashkët të sigurisë dhe të jashtme, por nuk duhet harruar se BE dhe EEAS kanë bërë hapa të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe nuk duhet nënvlerësuar gjithçka nga veprimtaria konkrete e EEAS-it si fytyra kryesore diplomatike e BE-së.