Nga Dr. Selim IBRAIMI
Përfaqësuesit e lartë dhe presidentët e shteteve anëtare të NATO-s ranë dakord të mërkurën në Hagë të Hollandës për të arritur një rritje prej 5 përqind të shpenzimeve të mbrojtjes (PBB) deri në vitin 2035, që konsiderohet një objektiv i jashtëzakonshëm në këtë kohë. Rritja nuk vjen vetëm nga kërkesa e vazhdueshme e SHBA-së për më shumë shpenzime, por siç dihet, bota dhe institucionet ndërkombëtare, së bashku me ato ushtarake, po kalojnë ndryshime të shpejta. Kështu, anëtarët e NATO-s kanë marrë masa për t’u përshtatur me një botë të re, me ritëm të shpejtë, ku e nesërmja është e panjohur dhe ajo që mund të sjellë është pasiguria.
Në shkurt të vitit 2025, NATO njoftoi se për shkak të agresionit rus në Ukrainë, është e detyruar të ndryshojë strategjinë e saj të mbrojtjes, duke përfshirë prodhimin e armëve dhe zbulimet teknologjike, si një plan afatgjatë për shtetet anëtare të aleancës. Ka pasur disa faktorë që e kanë shtyrë NATO-n të rishqyrtojë planet e saj për prodhimin industrial të armëve, por kryesori duket se ka qenë pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Përveç Ukrainës, lufta e fundit në Lindjen e Mesme midis Iranit dhe Izraelit ka treguar se shtetet kanë nevojë për aftësi të tilla strategjike në kohë lufte për t’u përgatitur dhe për t’u përballur me forcat kundërshtare. NATO-s i duhen armë, dhe më shumë sesa ajo që konsiderohet se zotëron aleanca në rast të një konflikti të madh në Evropë dhe më gjerë. NATO-s i mungojnë armët në një skenar të një konflikti që zgjat disa muaj. Prandaj, kuadri i ri i NATO-s është mjaft dinamik, pasi përfshin një gamë të gjerë prodhimi armësh për shtetet anëtare të aleancës. Kështu, në vitin 2023, në Samitin e NATO-s në Vilnius të Lituanisë, u ra dakord për “Planin e Parë të Veprimit për Prodhimin dhe Mbrojtjen”, i cili, sipas njoftimit të NATO-s, përbëhet nga tre pika kryesore: mbledhja e kërkesave, kuptimi dhe adresimi i sfidave të prodhimit, dhe rritja e ndërveprimit dhe standardizimit.
Ndërkohë, në Samitin e Uashingtonit të vitit 2024, zyrtarët dhe udhëheqësit e shteteve anëtare ranë dakord të zgjerojnë aftësitë industriale të NATO-s. Propozimet e bëra publike nga NATO lidhen me angazhimin e aleancës për të përshpejtuar rritjen e prodhimit industrial të qëndrueshëm dhe të bazuar në inovacion kundër shteteve kundërshtare të aleancës. Plani synon të ruajë ekuilibrin midis kërkesës dhe prodhimit të municioneve që janë të nevojshme për ushtritë e shteteve anëtare. Gjithashtu, këtë javë në Samitin e NATO-s në Hagë të Hollandës, aleanca njoftoi një version të përditësuar të dokumenteve, përkatësisht “Planin e Veprimit për Prodhim dhe Mbrojtje”, i cili i përgjigjet nevojës së shteteve anëtare për të prodhuar më shumë dhe më shpejt në një mjedis sigurie në ndryshim. Sa i përket “Planit të Veprimit për Miratim të Shpejtë”, është e rëndësishme që i njëjti të zbatohet në kohë, dhe veçanërisht gjatë luftës, për të përshpejtuar miratimin dhe integrimin e produkteve të reja teknologjike në fushën e mbrojtjes. Plani parashikon mundësi të reja testimi në botën reale duke lançuar të gjitha zbulimet e mundshme të NATO-s ose me fjalë të tjera, në një situatë lufte reale, përdorimi i armëve do të varet edhe nga përvoja e personelit të NATO-s dhe ushtrimet që duhet të kryhen nga anëtarët e shteteve anëtare të aleancës. Për më tepër, plani i fundit i përditësuar i NATO-s për vitin 2025 synon të “ndërtojë aftësi të reja industriale mbrojtëse për aleancën për të përmbushur objektivat e shteteve anëtare të NATO-s në këtë shekull”.
Për të ruajtur ekuilibrin ushtarak ose avantazhin teknologjik, NATO ka gjithashtu disa programe që u mundësojnë qeverive të shteteve anëtare të marrin pjesë dhe, në të njëjtën kohë, të përfitojnë nga të njëjtat programe. Programi i quajtur “Përshpejtuesit e Inovacionit të Mbrojtjes për Atlantikun e Veriut”, “Fondi i Inovacionit të NATO-s”, “Qendra e Inovacionit të Komandës Aleate për Transformim” dhe disa programe të tjera janë në funksion të avantazhit strategjik që aleanca duhet të ruajë në këtë shekull. Ndërkohë, shtetet anëtare të NATO-s janë zotuar të bëjnë më shumë në zbulimet e kohës duke u përqendruar jo vetëm në bashkëpunimin midis tyre, por edhe në nivel global me vendet që ndajnë vlera të përbashkëta. Zhvillimi i industrisë së armëve dhe inovacionit tani shihet si një domosdoshmëri në NATO. Përveç samiteve të zakonshme, NATO ka njoftuar se, përmes forumeve, do të përpiqet t’i bëjë realitet premtimet e bëra në lidhje me kapacitetet industriale të aleancës. Pavarësisht planeve dhe ideve për ta mbajtur NATO-n aktive, që nga samiti i fundit dy-ditor në Hagë, aleanca është vënë në gatishmëri nga kërcënimet aktuale dhe të ardhshme. Duket se e ka marrë seriozisht këtë dhe po bën përpjekje për të dyfishuar, siç thamë, prodhimin e armëve.
Për të arritur të gjitha këto objektiva, vullneti politik i qeverive do të jetë kryesori, dhe këtu shumë do të varet nga SHBA-të, të cilat mbajnë barrën kryesore financiare të NATO-s. Anëtarët evropianë të NATO-s kanë qenë të shqetësuar për shkak të politikave të ashpra të administratës së presidentit të SHBA-së Donald Trump ndaj tyre. Për fat të mirë, Samiti i NATO-s në Hollandë mori çuditërisht një drejtim pozitiv, me premtime dhe angazhime të mëdha për NATO-n, dhe në veçanti, për shtetet anëtare të aleancës nga Ballkani. Një rol të madh në prodhimin e armatimeve dhe në mbrojtje do të luajnë kompanitë prodhuese të armëve në SHBA, Evropë dhe shtetet e Paqësorit. Pas rënies së BRSS-së dhe Paktit të Varshavës, gjithsej 32 vende janë bashkuar me NATO-n, nga ish-blloku komunist dhe Ballkani, ku Finlanda dhe Suedia u bënë së fundmi anëtare të aleancës pas sulmit rus në Ukrainë. Ushtritë e fuqishme, teknologjia, shpejtësia, kontrolli i hapësirës dhe armët me teknologji të lartë do të jenë një sfidë e madhe në këtë shekull për NATO-n dhe kundërshtarët e saj. Kush do të fitojë mbetet për t’u parë nga avantazhi strategjik jo vetëm në teknologji, por edhe në të menduarit si pjesë e “strategjisë së madhe” të shteteve.