Nga Dr. Gurakuç KUÇI
Rusia, përmes shërbimit të saj të inteligjencës së jashtme, akuzon Serbinë se po i dërgon armë Ukrainës nëpërmjet rrugëve të tërthorta, përmes vendeve të NATO-s. Ajo pretendon se prodhuesit serbë e dinë mirë se municioni përfundon kundër forcave ruse.
Ky është një skenar klasik i dezinformimit rus i ndërtuar me dy objektiva kryesorë:
1. Për të mashtruar Perëndimin, duke krijuar iluzionin se Serbia po largohet nga Rusia dhe po afrohet me vendet e NATO-s përmes ndihmës për Ukrainën – gjë që në fakt nuk përputhet me realitetin gjeostrategjik të Serbisë, e cila vazhdon të mbetet e sinkronizuar me interesat ruse.
2. Për të ruajtur dhe forcuar infiltrimin rus në BE, përmes Serbisë si portë e hapur – gjë që vërtetohet nga artikulli i Politico, ku thuhet qartë se agjent serb të lidhur me inteligjencën ruse kanë takuar zyrtarë të Parlamentit Evropian në tetor 2023. Kjo është dëshmi konkrete e përdorimit të Serbisë si kanal spiunazhi nga Rusia në institucionet evropiane.
Realiteti që po fshihet pas këtyre lajmeve propagandistike:
• Në Serbi vazhdojnë të operojnë qendra ruse si “Russki Dom”, “Sputnik Srbija”, “Centar za ruske studije” e dhjetëra OJQ të infiltruar me fondacione ruse që funksionojnë si vektorë të propagandës dhe inteligjencës ruse.
• Ka bashkëpunim të hapur në sektorin ushtarak, energjetik, kulturor dhe të sigurisë mes Serbisë dhe Rusisë.
• Serbia refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht presionit ndërkombëtar.
Ky lloj lajmi është një kurth i rafinuar i Rusisë për të mbrojtur pozitat e saj në Ballkan dhe për të fshehur rolin e vërtetë të Serbisë si instrument strategjik i Moskës në zemër të Evropës. Sa më shumë që Perëndimi të bjerë pre e këtij narrativi, aq më lehtë Rusia do të vazhdojë të penetrojë strukturat evropiane përmes Serbisë, duke e paraqitur këtë të fundit si “neutral” dhe “ndihmuese”, ndërsa në realitet është kanali më i besueshëm i Kremlinit në kontinent.

