Nga Dr. Selim IBRAIMI
Vakumi i pushtetit ka qenë një tipar i gjeopolitikës apo gjeostrategjisë që nga lashtësia. Vakumi zakonisht përfaqësohet nga rënia ose tërheqja e fuqive dominuese dhe nga përpjekjet e fuqive të tjera për të zëvendësuar fuqitë në rënie. Teorikisht, vakumi është një pasqyrim i natyrës anarkike të politikës ndërkombëtare. Në jetën ose praktikën politike, vakumi inkurajon konflikte, luftëra dhe ndonjëherë baraspeshë. Nuk kemi ndonjë fazë të caktuar se kur shfaqet vakumi. Mund të ketë faktorë të ndryshëm dhe dinamika të tjera në shoqëri që e shtyjnë vakumin të rritet dhe të qëndrojë për një periudhë të gjatë. Gjatë gjithë historisë, vakumi gjeopolitik është interpretuar dhe përdorur gjithmonë ndryshe nga perandoritë, shtetet dhe qeveritë moderne.
Le ta analizojmë tani vakumin nga aspekti teorik në atë praktik me fokus në Ballkan. Ndërsa Ballkani është pjesërisht gati për t’u bashkuar me BE-në, gjithmonë ka pasur shqetësime legjitime për atë se çfarë do të ndodhë me pjesën tjetër të Ballkanit. Disa vende, si Shqipëria dhe Mali i Zi, bazuar në raportet e BE-së, janë afër anëtarësimit për shkak të reformave dhe përafrimit të tyre të ngushtë me politikat e BE-së. Të tjerë, si Maqedonia e Veriut, Serbia, Kosova dhe Bosnja – Hercegovina, për shkak të mosmarrëveshjeve dhe mungesës së sundimit të ligjit dhe shumë problemeve të hapura, janë jashtë procesit të integrimit të shpejtë, gjë që e vë rajonin në rrezik të mbetet një “shkretëtirë” shtetesh me korrupsion dhe krim të lartë. Në këtë kohë shqetësimesh në rritje për atë që e pret Ukrainën dhe shtetet e tjera të brishta, Ballkani, siç ka qenë historikisht rast për shpërthime luftërash dhe paqëndrueshmëri, në politikën moderne të sotme, duhet të vëzhgohet se çfarë do të ndodhë me rajonin në 3-5 vitet e vakumit politik.
Lidhur me dialogun Serbi-Kosovë, ka pasur shumë lajme se të dy qeveritë janë të gatshme të ecin përpara me marrëveshje thelbësore. Por Marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit (2023) nuk kanë prodhuar marrëdhënie të mira për të dy vendet. Kosova ka thënë se është e gatshme të ecë përpara kur Serbia të jetë gati, por deri më tani, Serbia ka luajtur politikë dhe situata mbetet e njëjtë pa ndonjë rrugë konkrete se si do të duket e ardhmja për Serbinë dhe Kosovën. Deklarata e fundit e presidentit serb Aleksandër Vuçiç tregon se nuk pritet lëvizje pozitive midis dy shteteve, as nga shtetet që nuk e njohin Kosovën. “Kemi pasur takime shumë të suksesshme këtu në Odesë. Kjo është hera ime e katërt që marr pjesë në Samitin e Evropës Juglindore-Ukrainë dhe hera ime e parë në territorin ukrainas. I falënderova mikpritësit tanë ukrainas, presidentin Zelensky, për respektimin e integritetit territorial të Serbisë. Siç e patë, këtu nuk kishte asnjë përfaqësues të Prishtines”, tha Vuçiç. “Bëhet fjalë për Kosovën. Siç e dini, ne i përmbahemi Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244, e cila thotë se Kosova është pjesë e Serbisë. Njëzet e dy nga 27 shtetet anëtare të BE-së e kanë njohur tashmë pavarësinë e Kosovës, ndërsa pesë prej tyre jo – dhe ky është problemi. Beogradi nuk është gati ta njohë pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiç.
Marrëdhëniet bullgaro-maqedonase po hyjnë gjithashtu në një epokë kritike për shkak të rritjes së nacionalizmit në Maqedoninë e Veriut, me politikat e qeverisë aktuale në Shkup. Marrëdhëniet janë në një fazë kritike dhe nuk tregojnë shenja përmirësimi. Qeveria e Mickoskit shpreson që e ardhmja e ngërçit në marrëdhëniet me Bullgarinë do të diskutohet në Hagë, Hollandë, gjatë Samitit të NATO-s në fund të qershorit (2025). Zyrtarët e Shkupit shpresojnë për një ndryshim në Marrëveshjen e Parisit, e cila sipas tyre do të mundësojë tejkalimin e marrëdhënive të tendosura Shkup-Sofje dhe do t’i hapë derën Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Ndërkohë, qeveria bullgare e ka bërë të ditur se Shkupi duhet t’u përmbahet marrëveshjeve të dakordësuara. Këto janë dy çështje kyçe në Ballkan, ku vakumi gjeopolitik mund të shfrytëzohet nga aktorë të jashtëm dhe të brendshëm, siç ishte rasti i Banjskës në vitin 2023 në Kosovë. Qëndrimi në një vakum të tillë për një qeveri kërkon aftësi dhe forcë.
Në përgjithësi, në rajonin e Ballkanit, që nga rënia e RSFJ-së, nuk ka pasur autoritet të fuqisë së madhe që mund të mbushte vakumin politik, shoqëror dhe ekonomik. Prandaj, në situatën aktuale në Ballkan, kemi një kolaps të autoritetit, rënie ekonomike, sociale dhe rritje të konflikteve të brendshme dhe të jashtme. Vazhdimi i vakumit gjatë tre dekadave ka prodhuar një situatë që nuk ndryshon, ose ndryshimi varet nga presioni i jashtëm nga shtetet autoritare dhe aktorët jo-shtetërorë. Vakumi i pushtetit është i pashmangshëm dhe do të jetë me ne për dekada të tëra për shkak të mungesës së institucioneve të forta dhe të qëndrueshme në Ballkan, veçanërisht në ato shtete të brishta që kanë vështirësi në reformimin dhe integrimin në BE në të ardhmen. Ndërsa Ballkani vazhdon të mbetet i ndarë me shtete që po lëvizin drejt bashkimit të një autoriteti më të fortë dhe disa që synojnë të qëndrojnë jashtë, përsëritja e konflikteve do të mbetet aktive, me tendencën që ky rajon të mos bëhet kurrë plotësisht evropian.
Duhet përsëritur se në këtë vakum, gjithmonë ka pasur një tendencë për një autoritet më të fortë krahasuar me shtete të tjera si Serbia, e cila në njëqind vitet e fundit, pas shkëputjes nga Perandoria Osmane, është përpjekur të luajë rolin e një fuqie dominuese. Përsëritja e këtij skenari në këtë vakum në Ballkan do të sjellë gjithmonë tensione dhe paqëndrueshmëri. Në këtë drejtim, ndodh që aktorët ndërkombëtarë të kenë vështirësi në koordinimin e dështimeve dhe mbajtjen nën kontroll të krizave, me përjashtim të ndërhyrjes në nëntor 1995 në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë në mars 1999. Gjatë tre dekadave të fundit, BE dhe NATO janë përpjekur ta mbushin këtë vakum gjeopolitik. Megjithatë, përderisa bota ndryshon dhe Lindja fiton fuqi, do të jetë e vështirë të qëndrojnë aktivë institucione të tilla për një kohë të gjatë nëse vetë shtetet ballkanike nuk funksionojnë brenda këtij vakumi. Këto janë disa shembuj për lexuesit se çfarë sjell vakumi dhe si manifestohet i njëjti në politikë. Me raste të tjera mund të vazhdohet, por në thelb vakumi duhet parë si një pjesë e pandashme e politikës. Në terma teorikë dhe praktikë, të gjitha teoritë kryesore të marrëdhënieve ndërkombëtare merren me vakumin, pushtetin, përfitimet dhe pasojat. Gjithashtu, në filozofinë politike dhe aspektet ontologjike, vakumi i pushtetit ka qenë pjesë e debatit që nga Makiaveli, Hobsi, deri te autorët e fundit të ekzistencializmit dhe shumë të tjerë.