Nga Dr. Begzad BALIU
[Kumtesë e lexuar në TRYREZËN E KUVENDIT SHQIPTAR / Zgjimi i Ndërgjegjes Kombëtare – Fillimi i Rrugës drejt Bashkimit të Shqiptarëve, Tiranë, 7 qershor 2025]
E nderuara kryesi e punës!
Të nderuara zonja dhe zotërinj!
Jemi takuar sot të diskutojmë mbi gjendjen e popullit shqiptar në fillim të Rendit të Ri Botëror, i cili po merr përmasa të reja dhe të shpejta, si kurrë më parë!
Kem njohur nga historia kapërcime të tjera të rendeve botërore dhe orientime strategjike në përmasa kontinentale e botërore, por nuk kemi njohur zhvillime kaq komplekse në arenën ndërkombëtare, si këto nëpër të cilat po kalojmë sot.
Shpejtësia e këtyre ndryshimeve po ndodhë në ato përmasa sa të mos na lë shumë hapësirë të merremi me historinë as të viktimës as të krenarisë. E megjithatë, rrethanat e reja nëpër të cilat po kalojmë na obligojnë të merremi me përgjegjësitë individuale, institucionale e kolektive.
Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, shqiptarët kanë hy në Rendin e Ri Botëror pa i përfunduar proceset historike të organizimit shtetëror, për të mos thënë gati një shekull pas fqinjëve të tyre, ndonëse i kishin filluar disa dekada para fqinjëve. Kjo ishte edhe arsyeja pse në luftërat ballkanike dhe në Luftën e Parë Botërore e në tryezat ndërkombëtare ku vendosej për fatin e Ballkanit e të Europës Juglindore ata dhe hapësira etnike e tyre, ishin të përjashtuar apo në margjinë e të pakonsultuar. Hapësira etnike e tyre e organizuar në katër vilajete të Perandorisë Osmane përfundoi si një shtet xhuxh e me organizim anarkik të brendshëm, të varur prej interesave fqinjësore, europiane e ndërkombëtare.
Me përpjekje për të realizuar të drejtat etnike e shtetërore, shqiptarët kanë hy edhe në Luftën e Dytë Botërore, por dolën përsëri të mundur, me luftëra të brendshme, me një qeverisje që orientohej skajshmërisht nga njëra diktaturë te tjetra, si dhe me shpërfillje gjithashtu të skajshme nga Europa.
Në Rendin e Ri Botëror shqiptarët kanë dalë nga Lufta e Ftoftë dhe Fundi i Komunizmit në një gjendje pothuajse të njëjtë me fundin e Perandorisë Osmane. Populli më i varfër në Europën Juglindore, mbase i krahasuar me maqedonasit dhe malazezët, me luftëra të brendshme dhe me pasoja pothuajse të njëjta me ato tri luftëra, të cilat u zhvilluan në hapësirat anësore të trojeve shqiptare në Kosovë, Maqedoninë Veriore dhe Luginë të Preshevës, rezultatet e të cilave nuk munguan, por ishin krejtësisht simbolike, sepse u kurorëzuan me Pavarësinë e Kosovës dhe realizimin e disa të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, por jo edhe me synimet historike të tyre: Bashkimin Kombëtar.
Shqiptarët po hynë në Rendin e Ri Botëror në një gjendje më të përparuar politike dhe ekonomike, por shqiptarët, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e në Serbi, ende po mbahen peng të zhvillimeve rajonale, si asnjë popull dhe si asnjë shtet në rajon, ndërsa shqiptarët e përndjekur të Çamërisë dhe Malit të Zi, Sanxhaku, gati fare nuk zihen në gojë.
Prandaj, të vetëdijshëm për të ardhmen e kombit shqiptar, të shqetësuar për qëndrimin që po mbahet ndaj çështjes sonë kombëtare, të lodhur nga presionet e qeverive europiane dhe institucioneve politike të kontinentit, që po bëhen ndaj qeverive në Prishtinës dhe Tiranë si dhe partive politike në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, pra ndaj të drejtave dhe lirive themelore te shqiptarëve në Europën Juglindore, e kemi parë të arsyeshme e legjitime të mblidhemi sot, në këtë tryezë të rrumbullakët, për një çështje kardinale, siç është për ne, BASHKIMI KOMBETAR SHQIPTAR.
Duke parë se si prej shumë vitesh, pas rënies së komunizmit kjo çështje madhore e të ardhmes tonë të përbashkët është heshtur; duke parë se si shqiptarët vazhdojnë të mbeten peng i interesave ekonomike, politike, kulturore dhe strategjike jo vetëm të shteteve europiane po edhe popujve fqinj; duke parë se gjendja e rëndë ekonomike, politike, ushtarake e strategjik e popullit shqiptarë është pasojë e mungesës së komunikimit të brendshëm të tyre, Bashkimin Kombëtar e shohim si të vetmin kusht për rilindjen tonë dhe ecjen përpara.
Megjithëse prej rreth tri dekadash kemi bërë tri luftëra, gjithnjë brenda frymës demokratike europiane dhe të drejtave të njeriut, ne ende nuk po arrijmë të kurorëzojmë shtetin e Kosovës, të drejtat elementare në Maqedoni dhe në Serbi. Përkundrazi, shqiptarët vazhdojnë të presin kthimin e pasurisë personale në Çamëri, presin të shqetësuar të dëgjojnë shuarjen e adresave private në Luginë të Preshevës dhe në Medvegjë, bëjnë luftë donkishotiane për krijimin e shteteve maqedonase e malazeze, ndërkohë që ballafaqohen me tkurrjen e identitetit të tyre pikërisht brenda këtyre shteteve.
A duhet që për hire të paqes fqinjësore, europiane dhe universale, shqiptarët të vazhdojnë politikën e nënshtrimit, tkurrjes gjeografike dhe identitare? Të vazhdojnë këtë politikë, e cila më në fund mban në statuskvo edhe perspektiven ballkanike e europiane.
A do të duhej që shqiptarët, një popull historik për nga trashëgimia, popull me gjuhë nga familja indoeuropiane, popull, sikur thuhet nga analizat e shkencës autoritative amerikane, me gjuhën më të vjetër të kësaj familjeje, krahas grekëve e armenëve, të mbahet peng për më shumë se një shekull.
Dhe për më tej, a mendoni se Europa ka interes që një populli të vendosur strategjikisht në kërthizën e Euopës Juglindore dhe Qendrore; një popull me një kulturë humane brenda së cilës për më shumë se 800 vjet bashkëjetojnë tri besime fetare pa asnjë fërkim historik; një popull me trashëgimi historike Lindje – Perëndim, po me fytyre të kthyer historikisht kah Europa; një popull sikur janë shqiptarët me mbijetesë dhe përtrirje si askund në Europë, mund të mbahet peng i padrejtësisë së përhershme?
Ne ju themi: Jo!
Çështja e bashkimit kombëtar të shqiptarëve nuk është thjesht aspiratë e mbetur nga shekujt, por e drejtë historike, natyrore dhe morale, që buron nga përkatësia etnike, kulturore dhe gjuhësore e një kombi të ndarë me dhunë në rrethana të padrejta të historisë.
Shqiptarët në të gjitha trevat etnike kanë treguar ndjenjë të thellë të identitetit të përbashkët, pavarësisht kufijve shtetërorë dhe si të tillë kanë mbijetuar, sikur nuk kanë mundur të mbijetojnë shumë popuj të kontinentit dhe më gjerë në rrethana të ngjashme.
Shqiptarët që historikisht kanë mbijetuar në rrethanat më të errëta të historisë, jo vetëm do të mbijetojnë po edhe do të arrijnë qëllimet e drejta të tyre në kohën kur drita dhe dituria mbisundojnë botën.
Ne besojmë se shqiptarët me modelin dhe fuqinë e organizimit të tyre (përtej miteve të origjinës së gjuhës, fesë e kulturës), do të mund të organizohen si një sistem i vetëm shtetëror në gjithë hapësirën e tyre etnike, duke u bërë mbështetje e sigurt dhe e rëndësishme strategjike e Krahut Jugor të NATO-s, duke pasur edhe bazat e rëndësishme brenda hapësirës së saj në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe mburojë e jashtëzakonshme e Europës Juglindore e Qendrore në kushtet dhe rrethanat e reja të pasigurisë, që po i sjell Rendi i Ri Botëror, jo vetëm në raport me Rusinë në njërën anë dhe Europën e Amerikën në anën tjetër, po edhe me shtetet e reja me ndikim planetar, sikur janë: Kina e India, Turqia e Anglia, Franca e Gjermani, si dhe Izraeli si një dorë e zgjatur e Amerikës në Lindje.
Hapësira shqiptare si askund tjetër në Europën Juglindore, brenda një periudhe shumë të shkurtër ishte arteria më e besueshme e investimeve rrugore drejt Europës Qendrore dhe nyje me interes Lindje-Perëndim, ndërsa ajo tashmë si asnjë shtet tjetër i rajonit është më se e përgatitur për investime strategjie në fushë të energjetikës, si dhe mineraleve e gazit, prandaj na duket e paqëndrueshme përpjekja për të lënë nën tryezë insistimin historik të shqiptarëve për tu organizuar brenda një shteti, me respekt të përhershëm ndaj pakicave simbolike kombëtare, që do të mbeteshin brenda shtetit të tyre.
Përkundrazi, ne po e shohim me shqetësim, se si bashkësia ndërkombëtare po e preferon dhe madje frenon stabilitetin afatshkurtër me të cilën ne do të realizonim të drejtën historike, e kjo do të thotë bashkimin de jure. Për më tej, ne, nuk e kuptojmë pse politikat kombëtare në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni nuk po e mundësojnë krijimin përmes bashkimit funksional, të institucioneve kulturore, arsimore, ekonomike, të sigurisë e të diplomacisë, duke krijuar ombrella të përbashkëta për akademitë, institutet shkencore, Universitetet, tregun e brendshëm nacional, sigurinë dhe përfaqësitë e përbashkëta diplomatike.
Jemi të vetëdijshëm se ashtu si edhe deri më sot, aspiratat e drejta historike të popullit shqiptar nuk do të sendërtohen përnjëherë, madje as me hyrjen e Shqipërisë, Maqedonisë Veriore e Malit të Zi, nën ombrellën e Bashkimit Europian, sikur nuk janë përmbyllur me krijimin e Republikës së Kosovës, por jemi të vendosur që këto aspirata të shumë brezave t’i mbajmë gjallë dhe sigurisht edhe t’i realizojmë një ditë.
Tiranë, maj-qershor 2025
