Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në zonën ushtarake të Babaj të Bokës, ku po mbahet ushtrimi i përbashkët fushor ndërkombëtar “Defender Europe 2025”, një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake që zhvillohen në Evropën Juglindore nën udhëheqjen e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në bashkëpunim me NATO-n dhe vendet partnere.
Gjatë vizitës së tij, kryeministri Kurti u takua me ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët po marrin pjesë aktive në këtë ushtrim krahas trupave të shteteve anëtare të NATO-s.
Ai vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e pjesëtarëve të FSK-së, duke theksuar se prania e tyre në këtë stërvitje konfirmon rritjen e kapaciteteve të Kosovës për të bashkëpunuar në nivel të lartë me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Bashkë jemi jo vetëm të fortë, por shumë më të fortë. Shteti i Kosovës kurrë nuk ka qenë më i fuqishëm dhe më i sigurt”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Ai shtoi se pjesëmarrja e FSK-së në ushtrime të tilla ndërkombëtare tregon gatishmërinë dhe profesionalizmin e institucioneve të sigurisë së Kosovës për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.
Një moment historik i këtij viti është fakti që Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara është vendosur në aeroportin ushtarak të Gjakovës, një hap domethënës që dëshmon për rritjen e rolit strategjik të Kosovës në arkitekturën e sigurisë rajonale. Kjo komandë ka drejtuar të gjitha operacionet dhe aktivitetet e brigadave që po veprojnë në kuadër të “Defender Europe 2025” në rajonin e Evropës Juglindore.
Kurti nënvizoi gjithashtu rëndësinë e ndërveprueshmërisë së FSK-së me forcat e NATO-s, duke thënë se kjo nuk është vetëm në interes të Kosovës, por edhe një dëshmi se vendi është i gatshëm të japë kontribut aktiv dhe të vlefshëm për paqen dhe sigurinë kolektive.
“Po vërtetojmë çdo herë e më shumë fuqinë dhe aftësitë tona, si dhe ndërveprueshmërinë që kemi me NATO-n, dhe po dëshmojmë se anëtarësimi ynë në aleancën ushtarake veri-atlantike nuk është vetëm për dobinë tonë, por edhe për kontributin që mund të japim”, theksoi ai.
Në përmbyllje të vizitës, Kurti shprehu krenarinë dhe mirënjohjen e thellë për ushtarët e Kosovës dhe për të gjithë partnerët ndërkombëtarë që e kanë mbështetur dhe e mbështesin zhvillimin e FSK-së dhe aspiratat euroatlantike të vendit.
Ushtrimi “Defender Europe 2025” paraqet një nga aktivitetet më të rëndësishme të bashkëpunimit ushtarak në rajon, duke përfshirë mijëra trupa nga vende të ndryshme dhe duke testuar gatishmërinë për reagim të shpejtë ndaj çdo sfide të mundshme të sigurisë. Për Kosovën, kjo stërvitje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike dhe forcimit të pozitës së saj ndërkombëtare si një partner i besueshëm për paqe dhe siguri. [Rruga Press]


