Nga Dr. Agim KRASNIQI
Abstrakt
Ky punim trajton në mënyrë ndërdisiplinore çështjen e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, duke u mbështetur në argumente historike, juridike dhe gjeopolitike. Duke analizuar dokumentet esenciale të Kombeve të Bashkuara dhe opinionin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, punimi argumenton se e drejta për vetëvendosje dhe për bashkim kombëtar është e legjitimuar në të drejtën ndërkombëtare, për aq kohë sa realizohet në mënyrë paqësore dhe demokratike.
Në rrafshin gjeopolitik, theksohet epërsia strategjike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së Perandorisë Sovjetike, si dhe fakti që shqiptarët përfaqësojnë aleatin më të natyrshëm, më të besueshëm dhe më të përkushtuar ndaj vlerave perëndimore në rajon. Fuqizimi i faktorit shqiptar paraqitet si domosdoshmëri për ndërtimin e rendi të ri ndërkombëtar të qëndrueshëm në Evropën Juglindore.
Punimi thekson qasjen pragmatike të administratës Trump si model për zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara ndërkombëtare përmes vendimeve të guximshme dhe strategjike, duke e paraqitur këtë si një mundësi për avancimin e bashkimit kombëtar shqiptar. Gjithashtu analizon qëndrimin e elitave politike dhe opinionit publik në Shqipëri e Kosovë, duke theksuar nevojën për një strategji të përbashkët kombëtare në rrafshin diplomatik dhe shkencor, për afirmimin paqësor dhe të legjitimuar ndërkombëtarisht të së drejtës për bashkim.
Fjalë kyçe: bashkimi kombëtar, vetëvendosja, shqiptarët, SHBA, pragmatizmi diplomatik, e drejta ndërkombëtare, Trump, rendi i ri ndërkombëtar.
1. Hyrje
Çështja e bashkimit kombëtar të shqiptarëve nuk është thjesht aspiratë e mbetur nga shekujt, por e drejtë historike, natyrore dhe morale që buron nga përkatësia etnike, kulturore dhe gjuhësore e një kombi të ndarë me dhunë nga rrethanat e padrejta të historisë. Bashkimi i shqiptarëve, ndonëse për dekada është ndaluar apo heshtur nga aktorë të ndryshëm politikë, vazhdon të jetojë si ideal i gjallë në vetëdijen kolektive të kombit shqiptar. Ky punim synon të analizojë këtë të drejtë në tri rrafshe esenciale: historik, juridik dhe gjeopolitik, duke sjellë një reflektim të ri mbi legjitimitetin e kërkesës për bashkim kombëtar në kontekstin aktual ndërkombëtar.
Rëndësia e kësaj teme është theksuar veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe zhvillimeve të mëvonshme në rajon. Për shqiptarët, ekzistenca e dy shteteve të pavarura shqiptare në Ballkan është arritje historike, por njëkohësisht paraqet sfidë për të menduar rreth mënyrave të bashkëjetesës dhe bashkërendimit kombëtar në rrafshin institucional, ekonomik dhe diplomatik. Ndërkohë që shtetet e tjera në rajon i kanë realizuar objektivat e tyre kombëtare, shqiptarët mbeten ende të ndarë në disa shtete, si pasojë e padrejtësive të trashëguara nga Konferenca e Londrës më 1913 dhe rendit gjeopolitik të vendosur nga fuqitë e mëdha (Schmitt, 2009; Malcolm, 1998). Në këtë kuptim, qasja analitike që do të ndiqet në këtë punim është ndërdisiplinore. Së pari, qasja historikedo të ndriçojë periudhat kyçe të formësimit të vetëdijes kombëtare shqiptare dhe aktet e rëndësishme për bashkimin kombëtar, siç është Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Së dyti, qasja juridike do të mbështetet në të drejtën ndërkombëtare, sidomos në parimet e Kombeve të Bashkuara që e njohin të drejtën për vetëvendosje si parim universal (United Nations, 1945; International Covenant on Civil and Political Rights, 1966). Së treti, qasja gjeopolitike do të analizojë faktorët që ndikojnë në (mos)realizimin e kësaj të drejte, përfshirë rolin e aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë, dhe perceptimin e bashkimit shqiptar në kontekstin e stabilitetit në Ballkan.
Punimi do të trajtojë edhe realitetin aktual shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri, përfshirë diskutimet publike, qasjen e elitave politike dhe intelektuale, si dhe mundësitë që ofron bashkimi funksional në mungesë të bashkimit de jure. Kjo qasje do të mundësojë kuptim më të thelluar të bashkimit kombëtar jo vetëm si projekt politik, por si një çështje themelore e drejtësisë historike dhe legjitimitetit ndërkombëtar.
2. E drejta historike për bashkim
E drejta historike e shqiptarëve për bashkim kombëtar është ndër të drejtat më legjitime dhe më të mohuara në historinë moderne të kombeve evropiane. Populli shqiptar, autokton në Gadishullin Ilirik, me gjuhë, kulturë dhe identitet të vetin të formuar ndër shekuj, është ndër rastet më të qarta ku e drejta për të qenë i bashkuar është shtypur përmes vendimeve të jashtme dhe imponimeve të dhunshme diplomatike. Që nga shpërbërja e Perandorisë Osmane e deri te shpallja e pavarësisë më 1912, shqiptarët janë përpjekur me të gjitha mjetet për të ndërtuar një shtet të përbashkët kombëtar.
2.1. Argumentet historike për unitetin kombëtar të shqiptarëve
Qysh në fund të shekullit XIX, me formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878, shqiptarët manifestuan qartë vullnetin e tyre politik për të mbrojtur tërësinë e trojeve të tyre dhe për të krijuar administrim të përbashkët kombëtar (Clayer, 2008). Ky organizim nuk ishte rebelim i rastësishëm, por ishte akt politik i menduar në mënyrë moderne, që synonte krijimin e shtetit shqiptar në kufijtë etnikë, duke u mbështetur në identitetin e përbashkët dhe trashëgiminë historike. Kjo aspiratë u përforcua më tej me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, akt themelor që synonte bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Përfaqësuesit e viseve shqiptare nga të gjitha anët – Kosova, Çamëria, Ilirida, Malësia, Plava, Gucia e Ulqini kontribuan në këtë akt të rëndësishëm, duke e dëshmuar qartë vullnetin për bashkim kombëtar (Frashëri, 2012).
2.2. Coptimi i trojeve shqiptare në Konferencën e Londrës (1913)
Megjithatë, vetëm pak muaj më vonë, ky projekt kombëtar u copëtua nga një vendim tragjik dhe historikisht i padrejtë: Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e mbajtur në vitin 1913, ndau territorin etnik shqiptar në pesë shtete të ndryshme Shqipëri, Serbi, Mali i Zi, Greqi dhe më vonë Maqedoni pa marrë parasysh vullnetin e popullsisë autoktone dhe pa mbajtur asnjë referendum popullor (Puto & Maurizio, 2009). Ky vendim ishte shkelje flagrante e parimeve të vetëvendosjes dhe integritetit të kombit shqiptar. Fuqitë e Mëdha, në vend që të përkrahnin të drejtën e shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre të unifikuar, vepruan sipas interesave gjeopolitike të kohës. Ky vendim i padrejtë krijoi plagë të thella që kanë mbetur të hapura deri në ditët e sotme, duke sjellë vuajtje kolektive, diskriminim dhe përpjekje për asimilim në trojet shqiptare të mbetura jashtë shtetit shqiptar.
2.3. Roli i Fuqive të Mëdha dhe padrejtësitë historike
Roli i Fuqive të Mëdha në ndarjen e trojeve shqiptare ishte vendimtar dhe tragjik. Shumica e vendimeve u diktuan nga interesat e Francës, Britanisë, Austro-Hungarisë dhe Rusisë, të cilat u përpoqën të krijonin balancë force në Ballkan, duke shpërfillur tërësisht të drejtat natyrore të popujve (Schmitt, 2009). Veçanërisht Rusia dhe Franca përkrahën synimet territoriale të Serbisë dhe Greqisë në dëm të shqiptarëve. Kjo padrejtësi nuk ishte thjesht pasojë e luftërave ballkanike, por ishte akt i qëllimshëm për të kufizuar shqiptarët si faktor politik në rajon. Edhe më vonë, gjatë periudhës së Jugosllavisë, shqiptarët e Kosovës u mbajtën nën shtypje, pa të drejtë shtetformimi, në kundërshtim me çdo standard ndërkombëtar për popujt autoktonë dhe identitetet kombëtare (Malcolm, 1998).
Ky kapitull dëshmon se e drejta për bashkim kombëtar, nuk është konstrukt politik artificial, por domosdoshmëri historike dhe kërkesë për drejtësi. Historia flet qartë: shqiptarët kanë vepruar gjithnjë si komb i vetëm, me identitet të përbashkët dhe me aspiratë të qartë për të qenë bashkë në një shtet të përbashkët.
3. Bashkimi kombëtar në të drejtën ndërkombëtare
Aspirata e shqiptarëve për bashkim kombëtar nuk është vetëm e drejtë historike dhe morale, por gjen mbështetje të qartë edhe në parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. E drejta për vetëvendosje, si një nga parimet më bazike të Kombeve të Bashkuara, e garantuar në Kartën e OKB-së (1945), në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (1966) dhe në Deklaratën për Dhënien e Pavarësisë Kombeve Koloniale (1960), i njeh popujve të drejtën për të përcaktuar vetë statusin e tyre politik dhe të ndjekin lirisht zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor.
3.1. Parimi i vetëvendosjes dhe legjitimiteti i bashkimit
Neni 1(2) i Kartës së OKB-së përcakton qartë se qëllimi i organizatës është: “të zhvillojë marrëdhënie miqësore ndërmjet kombeve, të bazuara në respektimin e parimit të barazisë së të drejtave dhe të vetëvendosjes së popujve…” (United Nations, 1945). Ky parim nuk është slogan idealist, por është normë juridike e detyrueshme, e aplikuar në qindra raste në botë, ku popuj të nënshtruar kanë fituar të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje apo bashkim me entitete të tjera shtetërore.
Populli shqiptar në Kosovë, i cili më 17 shkurt 2008 shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia, e bëri këtë akt në përputhje me këtë të drejtë themelore. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin e saj këshillues më 22 korrik 2010, deklaroi se: “Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare” (ICJ, 2010). Ky vendim është një precedent juridik i pakundërshtueshëm që vërteton se popujt që kanë kaluar nëpër procese të shtypjes dhe mohimit të të drejtave, kanë të drejtë të krijojnë ose të bashkohen me shtete të tjera sipas vullnetit të tyre. Në këtë dritë, nëse populli shqiptar, në të dy anët e kufirit Shqipëri–Kosovë, shpreh përmes referendumit të lirë dhe demokratik vullnetin për bashkim, ky akt është plotësisht legjitim sipas së drejtës ndërkombëtare, për aq kohë sa ai realizohet pa dhunë dhe me respektim të normave demokratike.
3.2. Të drejtat e kombeve dhe parimi i integritetit territorial
Argumenti kryesor që zakonisht përmendet kundër bashkimeve të tilla është integriteti territorial i shteteve ekzistuese. Megjithatë, të drejtat e popujve dhe integriteti territorial nuk janë në kundërshtim absolut, ato duhet të balancohen, dhe kur një shtet mohon në mënyrë sistematike të drejtat themelore të një populli, atëherë parimi i vetëvendosjes prevalon (Crawford, 2006). Kjo është parë në rastin e Eritresë, Sudanit të Jugut dhe së fundmi me referendumet e kontrolluara ndërkombëtarisht në Timorin Lindor dhe në Slloveni.
Kosova, në periudhën 1989–1999, përjetoi represion sistematik, shkelje masive të të drejtave të njeriut, heqje të dhunshme të autonomisë kushtetuese, spastrim etnik dhe gjenocid të dokumentuar ndërkombëtarisht – kushte të cilat plotësojnë të gjitha kriteret e së drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje, ashtu siç parashikohet në të drejtën ndërkombëtare dhe në rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara (UNSC, 1999; ICJ, 2010). Akti i shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008 u mbështet në vullnetin e popullit dhe në parimin e remedial secession, i cili e legjitimon shkëputjen kur popujt përballen me represion të vazhdueshëm dhe mungesë të përfaqësimit demokratik. Prandaj, tani që Kosova është shtet i pavarur, e drejta për të bashkuar vullnetarisht fatin me Republikën e Shqipërisë, nëse ekziston një konsensus i qartë popullor, nuk përbën kërcënim për integritetin territorial të ndonjë shteti tjetër, përkundrazi, është realizim i drejtë dhe paqësor i aspiratës kombëtare shqiptare.
Për këtë qëllim, ndonëse Neni 1, paragrafi 3 i Kushtetutës së Kosovës përcakton se “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”, ky nen nuk përjashton të drejtën e popullit të Kosovës që, përmes shprehjes së lirë dhe demokratike të vullnetit në një referendum gjithë popullor, të kërkojë rishikim të rendit kushtetues për të avancuar aspirata të reja në përputhje me rrethanat politike dhe kombëtare.
Në të njëjtën kohë, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në Preambulën e saj, afirmon qartazi aspiratën shekullore për bashkim kombëtar, duke theksuar:
“…me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar…”
Ky formulim nuk është vetëm simbolik, por bart një detyrim kushtetues dhe moral që shteti shqiptar të mbrojë interesin kombëtar në tërësinë e tij, përfshirë edhe të drejtën për bashkim me pjesët e tjera të kombit, nëse një proces i tillë buron nga vullneti i popullit përmes mjeteve demokratike.
Nëse Kushtetutës së Kosovës i ndalohet të iniciojë bashkimin, atëherë Republika e Shqipërisë, në përputhje me preambulën e saj dhe të drejtën ndërkombëtare, ka të drejtë legjitime të propozojë një bashkim me Kosovën, si realizim i aspiratës kombëtare të shprehur qartë në aktin themeltar të shtetit. Në këtë logjikë, një bashkim eventual nuk do të ishte aneksim, por shprehje e ndërsjellë dhe e barabartë e vullnetit kombëtar, duke përbërë një prelud juridik, politik dhe moral për një bashkim të drejtë dhe të qëndrueshëm.
3.3. Raste krahasimore: Gjermania, Vietnami, Sudani i Jugut
Historia moderne njeh bashkime kombëtare të suksesshme, të përkrahura ose të njohura nga bashkësia ndërkombëtare:
- Gjermania Lindore dhe Perëndimore u bashkuan më 1990 në një proces të drejtuar nga vullneti popullor dhe i pranuar ndërkombëtarisht, përkundër kundërshtimeve fillestare të disa fuqive (Garton Ash, 1993).
- Vietnami i Veriut dhe i Jugut u bashkuan pas një periudhe konflikti dhe më pas u njohën ndërkombëtarisht si një shtet i vetëm.
- Sudani i Jugut, pas referendumit të vitit 2011 të mbikëqyrur nga OKB-ja, u nda nga Sudani dhe u pranua si anëtar i Kombeve të Bashkuara në korrik të atij viti.
Në të gjitha këto raste, vullneti i qytetarëve u vendos mbi kufijtë artificialë apo kundërshtimet politike të jashtme. Shqiptarët, si komb i ndarë në mënyrë të padrejtë, kanë të njëjtin të drejtë për të vendosur vetë për fatin e tyre.
4. Sfidat gjeopolitike aktuale
Bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk është vetëm një çështje e të drejtës historike dhe juridike; ai është, mbi të gjitha, një çështje gjeopolitike me ndikim të thellë rajonal dhe ndërkombëtar. Kjo është arsyeja pse, përkundër legjitimitetit të padiskutueshëm të aspiratës shqiptare për bashkim, procesi në fjalë është i shoqëruar me sfida komplekse, që burojnë nga qëndrimet e shteteve fqinje dhe interesi i faktorit ndërkombëtar për “stabilitetin në Ballkan”. Megjithatë, stabiliteti i vërtetë nuk mund të ndërtohet mbi padrejtësi të vjetra dhe kufij të imponuar me dhunë – ai duhet të bazohet mbi drejtësinë historike dhe respektimin e vullnetit të lirë të popujve.
4.1. Qëndrimi i shteteve fqinje: Serbia, Greqia, Maqedonia e Veriut
Serbia, që historikisht ka qenë një nga përfitueset më të mëdha nga coptimi i trojeve shqiptare në vitin 1913, kundërshton çdo ide të bashkimit kombëtar të shqiptarëve, duke e konsideruar atë si kërcënim për integritetin territorial të saj, në veçanti për shkak të humbjes së Kosovës. Megjithatë, nuk mund të ketë drejtësi ndërkombëtare përderisa një shtet që ka kryer krime kundër njerëzimit në Kosovë, siç janë dokumentuar nga Tribunalet Ndërkombëtare (ICTY, 2001) – kërkon të ketë të drejtën e fjalës mbi të ardhmen e popullit që ka shtypur.
Greqia, nga ana tjetër, ka pasur historikisht qëndrime hegjemoniste mbi territoret e Çamërisë dhe kundërshton çdo rritje të influencës shqiptare në rajon. Qëndrimi i saj reflekton frikën nga rishikimi i të kaluarës dhe nga kërkesa për drejtësi historike për komunitetet shqiptare në Greqi, të zhdukura me dhunë pas Luftës së Dytë Botërore (Manta, 2009).
Maqedonia e Veriut, ndonëse ka bashkëjetesë të ndërlikuar etnike me shqiptarët, është rast delikat. Ndërsa shqiptarët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë dhe kanë ndikuar ndjeshëm në shtetformimin e saj, qasja zyrtare mbetet shpesh ngurruese, e frikësuar nga mundësia e bashkimit të shqiptarëve në një entitet më të fuqishëm rajonal.
4.2. Roli i faktorit ndërkombëtar: BE, SHBA, NATO
Bashkimi Evropian ka ruajtur qëndrime të kujdesshme ndaj temës së bashkimit kombëtar të shqiptarëve, duke i paraprirë çdo zhvillimi që mund të interpretohet si “ndryshim kufijsh”. Politika e tij është ndërtuar mbi narrativën e mosndryshimit të kufijve në Ballkan, një parim që buron nga frika e destabilizimit dhe rihapjes së konflikteve etnike. Megjithatë, kjo qasje nuk ka bazë të qëndrueshme, përderisa BE-ja ka pranuar rastin e bashkimit të Gjermanisë në vitin 1990 dhe pavarësinë e shteteve të reja si Kroacia, Sllovenia apo Kosova.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleat i ngushtë i shqiptarëve në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, kanë ruajtur një pozicion neutral në raport me bashkimin kombëtar, duke mbështetur funksionalitetin dhe sovranitetin e shteteve ekzistuese. Megjithatë, SHBA ka treguar në të kaluarën se, nëse vullneti i popujve është i qartë dhe i shprehur në mënyrë paqësore e demokratike, atëherë interesi i tyre është që Ballkani të jetë stabil mbi baza reale, jo mbi status quo të padrejtë (Clark, 2000). NATO, si strukturë e sigurisë që përfshin disa nga shtetet ku jetojnë shqiptarët, ka qenë e kujdesshme në ruajtjen e balancave etnike dhe shtetërore në rajon. Por një bashkim i koordinuar dhe i mbështetur në ligj ndërkombëtar, nuk do ta rrezikonte sigurinë rajonale; përkundrazi, do të sillte më shumë kohezion ndërshqiptar dhe stabilitet të qëndrueshëm.
4.3. Frika nga precedenti: “ndryshimi i kufijve në Ballkan”
Justifikimet më të zakonshme që përdoren nga komuniteti ndërkombëtar për të frenuar bashkimin kombëtar të shqiptarëve është frika nga “hapja e Kutisë së Pandorës” në Ballkan. Por ky argument është i pabazë dhe hipokrit. Kufijtë në Ballkan janë ndryshuar vazhdimisht në dekadat e fundit: nga shpërbërja e Jugosllavisë, ndarja e Malit të Zi nga Serbia më 2006, e deri te pavarësia e Kosovës më 2008. Nuk mund të ketë standarde të dyfishta: nëse pavarësia e Malit të Zi u pranua me 600,000 banorë, dhe ajo e Kosovës me 1.8 milionë banorë, pse bashkimi i dy shteteve shqiptare me vullnet të lirë duhet të përjashtohet si e pamundur? Prandaj, frika nga ndryshimet e kufijve nuk mund të shërbejë si justifikim për të mohuar të drejtën e një kombi për bashkim.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas fitores në Luftën e Ftohtë dhe kolapsit të Bllokut të Lindjes, kanë konsoliduar rolin e tyre si fuqia gjeopolitike dominuese në Ballkan dhe më gjerë. Rënia e Perandorisë Ruse dhe shpërbërja e Jugosllavisë i hapën rrugë një arkitekture të re të sigurisë në Europën Juglindore, në të cilën shqiptarët janë shndërruar në aleatin më të natyrshëm, më të besueshëm dhe më pro-perëndimor në rajon. Duke qenë të shpërndarë në disa shtete, me dy shtete shqiptare tashmë të pavarura, shqiptarët përfaqësojnë faktorin e stabilitetit dhe bashkëpunimit euroatlantik, jo një kërcënim për rajonin.
Në këtë kontekst, fuqizimi i faktorit shqiptar në rajon nuk është vetëm legjitim, por është domosdoshmëri strategjike për SHBA-të dhe Perëndimin, sidomos në kuadër të përpjekjeve për të ndërtuar një rend të ri ndërkombëtar, ku Ballkani të mos mbetet më arenë ndikimi ruso-kinez, por zonë e sigurt e ndikimit perëndimor.
Me këtë në mendje, shqiptarët duhet të shfrytëzojnë momentumin e ardhjes së presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, i cili njihet për pragmatizmin në vendimmarrje dhe për qasjen transaksionale dhe të drejtpërdrejtë ndaj politikës së jashtme. Administrata Trump ka treguar se preferon marrëveshje të qarta, të mbështetura në interesa strategjike dhe besueshmëri reciproke, siç u dëshmua edhe në iniciativat në Lindjen e Mesme (marrëveshjet Abraham) dhe në përfshirjen në dialogun Kosovë–Serbi (Marrëveshja e Uashingtonit, 2020).
Në këtë frymë, shqiptarët mund dhe duhet të ofrohen si partner i padiskutueshëm i SHBA-ve në Ballkan, jo vetëm për të ruajtur status quo-në, por për ta orientuar rajonin drejt një të ardhme të sigurt euroatlantike. Qartësimi i kësaj aleance strategjike, përmes diplomacisë aktive dhe projekteve të përbashkëta zhvillimore e ushtarake, është çelës për t’i dhënë formë aspiratës për bashkim kombëtar në një kontekst të ri global. Administrata e Presidentit Donald Trump ka demonstruar qasje pragmatike në politikën e jashtme, duke ndërmarrë vendime të guximshme që kanë ndryshuar dinamikat ndërkombëtare. Një nga këto vendime ishte njohja zyrtare e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit më 6 dhjetor 2017, duke e bërë SHBA-në vendin e parë që ndërmori një hap të tillë . Ky veprim u pasua nga zhvendosja e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem më 14 maj 2018 . Një tjetër arritje e rëndësishme ishte ndërmjetësimi i Marrëveshjeve të Abrahamit, të cilat çuan në normalizimin e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe disa vendeve arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin . Këto marrëveshje kanë hapur rrugën për bashkëpunim më të ngushtë ekonomik dhe strategjik në Lindjen e Mesme.
5. Realiteti shqiptar: mes dëshirës dhe racionalitetit politik
Bashkimi kombëtar i shqiptarëve është më shumë se koncept historik ose juridik: është ndjenjë e gjallë, që përcjell brez pas brezi frymën e një kombi të ndarë padrejtësisht, por që aspiron të bashkohet në emër të drejtësisë, dinjitetit dhe përparimit të përbashkët. Megjithatë, përballë kësaj ndjenje të thellë e të rrënjosur në ndërgjegjen kolektive, qëndron realiteti i ndërlikuar politik dhe institucional, që kërkon balancë mes dëshirës kombëtare dhe racionalitetit politik.
5.1. Diskursi mbi bashkimin në Kosovë dhe Shqipëri
Në Kosovë dhe Shqipëri, bashkimi kombëtar nuk është më një temë tabu, përkundrazi është bërë pjesë e debatit publik, akademik dhe politik. Sipas disa sondazheve të viteve të fundit, mbi 75% e shqiptarëve në Kosovë dhe rreth 65% në Shqipëri shprehen të gatshëm të mbështesin një bashkim të dy shteteve, nëse ai realizohet përmes referendumit të lirë dhe pa pasoja destabilizuese (IDRA, 2020; KDI, 2021). Kjo gatishmëri popullore, e cila ka qëndrueshmëri ndër breza, tregon se bashkimi kombëtar nuk është thjesht nostalgji romantike e së kaluarës, por projekt i mbështetur në realitetin e sotëm. Gjeneratat e reja e shohin atë si mundësi për rritjen e fuqisë politike, ekonomike dhe gjeostrategjike të shqiptarëve në rajon.
5.2. Qasja e elitave politike dhe intelektuale
Elitat politike shqiptare, megjithëse retorikisht e përkrahin idenë e bashkimit, nuk kanë zhvilluar ndonjë strategji të qartë institucionale për ta realizuar atë, qoftë edhe në mënyrë graduale. Në disa raste, çështja është përdorur në mënyrë populiste gjatë fushatave elektorale, por pa vullnet të sinqertë për veprim konkret. Përjashtim bëjnë disa figura vizionare që kanë artikuluar qartë nevojën për një qasje të përbashkët kombëtare në politikën e jashtme, në mbrojtje, arsim dhe ekonomi. Intelektualë e akademikë kanë kontribuar me projekte konkrete për integrim funksional, duke sugjeruar që përpara se të vijë bashkimi de jure, të ndërtohet një platformë e integruar për bashkëpunim të thelluar institucional midis Shqipërisë dhe Kosovës.
5.3. Perceptimi i opinionit publik
Shqiptarët në të gjitha trevat etnike kanë treguar ndjenjë të thellë të identitetit të përbashkët, pavarësisht kufijve shtetërorë. Festat kombëtare, gjuha, simbolet, letërsia dhe muzika janë dëshmi të unitetit kulturor që ruhet gjallë. Në mediat sociale dhe platformat digjitale, të rinjtë shqiptarë nga Tirana, Prishtina, Tetova, Ulqini dhe Presheva ndajnë përditë përkatësinë e përbashkët, duke treguar se kombi shqiptar është realitet sociokulturor përtej kufijve politikë.
Përkundër kësaj, ekziston mungesë edukimi institucional rreth temës së bashkimit kombëtar, veçanërisht në sistemin arsimor. Kurset e historisë dhe të edukatës qytetare shpesh shmangin trajtimin serioz të kësaj teme, duke e lënë atë të mbështetet vetëm në ndjesinë emocionale dhe jo në argumentin shkencor.
5.4. Dilema: Bashkimi de jure vs. bashkimi funksional
Në rrethanat aktuale ndërkombëtare, ku bashkësia euroatlantike preferon stabilitetin afatshkurtër ndaj drejtësisë historike, bashkimi de jure1 mund të jetë një proces i ngadaltë dhe i kushtëzuar. Por kjo nuk përjashton mundësinë, madje e nxit nevojën që shqiptarët të ndërtojnë bashkimin funksional2, duke unifikuar politikat publike në fusha kyçe si:
- Arsimi (njësimi i kurrikulave dhe diplomave),
- Ekonomia (zona e përbashkët tregtare dhe fiskale),
- Mbrojtja (doktrina e përbashkët ushtarake dhe emergjencave),
- Diplomacia (koordinimi në organizata ndërkombëtare),
- Kultura dhe sporti (ligat e përbashkëta dhe institucionet e përbashkëta kulturore).
Ky model i integrimit gradual, i quajtur ndryshe bashkimi funksional, është përdorur me sukses edhe në rastin e dy Gjermanive gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, përpara bashkimit formal në vitin 1990 (Garton Ash, 1993). Kjo strategji ofron një rrugë të mençur, realiste dhe të qëndrueshme drejt realizimit të aspiratës kombëtare.
6. Konkluzione dhe rekomandime
Bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk është koncept abstrakt apo dëshirë utopike, por e drejtë e patjetërsueshme historike, politike dhe njerëzore, e mbështetur në fakte historike, precedentë të së drejtës ndërkombëtare dhe në vullnetin e qëndrueshëm të një kombi që është ndarë padrejtësisht nga rrethanat e gjeopolitikës evropiane. Ky punim ka argumentuar se shqiptarët, si popull autokton në Ballkan, kanë qenë viktimë e vendimeve të padrejta të Konferencës së Londrës (1913) dhe të regjimeve që mohuan të drejtat e tyre kolektive. Megjithatë, ideali i bashkimit kombëtar ka mbijetuar dhe mbetet një bosht themelor i vetë identitetit shqiptar.
Në aspektin historik, shqiptarët kanë dëshmuar qartë përmes Lidhjes së Prizrenit, shpalljes së Pavarësisë më 1912, dhe rezistencës së vazhdueshme në Kosovë, Preshevë, Maqedoni dhe Çamëri, se bashkimi kombëtar nuk është shpikje politike moderne, por e drejtë e trashëguar ndër breza.
Në aspektin juridik, e drejta për vetëvendosje, e sanksionuar në dokumentet themelore të Kombeve të Bashkuara – përfshirë Kartën e OKB-së (neni 1, paragrafi 2) dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (neni 1) , u jep shqiptarëve të drejtën të përcaktojnë vetë të ardhmen e tyre politike. Kosova, në periudhën 1989–1999, përjetoi represion sistematik, heqje të dhunshme të autonomisë, spastrim etnik dhe gjenocid të dokumentuar ndërkombëtarisht – kushte që plotësojnë kriteret për të drejtën e shkëputjes si formë të vetëvendosjes së domosdoshme. Shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008 u gjykua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si e përputhshme me të drejtën ndërkombëtare, duke vendosur se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare”.
Prandaj, tani që Kosova është shtet i pavarur, e drejta për të bashkuar vullnetarisht fatin me Republikën e Shqipërisë, nëse ekziston konsensus i qartë popullor, nuk përbën kërcënim për integritetin territorial të ndonjë shteti tjetër, por përkundrazi, përbën realizim të drejtë dhe paqësor të aspiratës kombëtare shqiptare. Megjithëse Neni 1, paragrafi 3 i Kushtetutës së Kosovës përcakton se “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”, ky nen nuk përjashton mundësinë që, përmes një referendumi gjithëpopullor të lirë dhe demokratik, qytetarët të kërkojnë ndryshim të rendit kushtetues në përputhje me vullnetin e shumicës.
Nga ana tjetër, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në Preambulën e saj, afirmon qartazi se populli shqiptar ka një “aspiratë shekullore për identitetin dhe bashkimin kombëtar”. Ky formulim nuk është deklarativ, por përbën detyrim kushtetues substancial që i jep Shqipërisë të drejtën për të propozuar bashkimin me Kosovën, nëse ky hap bëhet në përputhje me vullnetin popullor të dyanshëm dhe në respekt të parimeve të së drejtës ndërkombëtare.
Në aspektin gjeopolitik, theksohet se shqiptarët përfaqësojnë aleatin më të qëndrueshëm të Perëndimit në Ballkan. Pas rënies së Bllokut të Lindjes dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konsoliduar epërsinë e tyre në rajon. Në këtë arkitekturë të re të sigurisë, shqiptarët janë partnerë strategjikë të natyrshëm, që kontribuojnë në stabilitet, demokraci dhe orientim euroatlantik.
Administrata e presidentit Donald Trump ofroi një model të qartë të pragmatizmit diplomatik në politikën ndërkombëtare, përmes vendimeve të drejtpërdrejta dhe të guximshme, si: njohja zyrtare e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit (2017); zhvendosja e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem (2018); ndërmjetësimi i Marrëveshjeve të Abrahamit mes Izraelit dhe shteteve arabe; si dhe njohja e Kosovës nga Izraeli në vitin 2020, si pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit, me kërkesën direkte të administratës Trump. Ky veprim kishte vlera të trefishta për shqiptarët: (1) tregoi se qasja pragmatike e SHBA-ve mund të sjellë njohje të rëndësishme ndërkombëtare për Kosovën dhe, rrjedhimisht, të përforcojë legjitimitetin e saj ndërkombëtar; (2) konfirmoi që Kosova është pjesë e një arkitekture më të gjerë të stabilitetit global që mbështetet nga SHBA; dhe (3) tregoi se shqiptarët janë përfitues të drejtpërdrejtë të vendimmarrjeve strategjike amerikane në Ballkan. Kjo logjikë vendimmarrjeje e drejtpërdrejtë, e mbështetur në interesa të qarta strategjike dhe në qëndrueshmëri politike, ështëmundësi që faktori politik shqiptar duhet ta kuptojë dhe ta shfrytëzojë, në funksion të avancimit të bashkimit kombëtar në një rend të ri ndërkombëtar, ku shqiptarët janë më të bashkuar, më të organizuar dhe më të përfaqësuar
6. Rekomandime për veprime strategjike:
6.1. Theksimi i të drejtës historike të shqiptarëve
Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe institucionet e Kosovës duhet të ndërtojnë një platformë të përbashkët të argumentimit historik dhe shkencor mbi të drejtën e shqiptarëve për bashkim, e bazuar në dokumente arkivore, të dhëna statistikore dhe burime ndërkombëtare. Historia duhet të kthehet në instrument legjitimiteti dhe diplomacie, jo vetëm kujtese.
6.2. Kërkesa për respektim të vullnetit të lirë të popujve
Duhet të artikulohet qartë në nivel ndërkombëtar e drejta e shqiptarëve për vetëvendosje dhe për bashkim të mundshëm nëpërmjet referendumit demokratik, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Çdo përpjekje për ta konsideruar këtë akt si kërcënim për stabilitetin duhet të kundërshtohet me argumente juridike dhe me precedentë të njohur nga komuniteti ndërkombëtar.
6.3. Nevoja për një strategji të përbashkët kombëtare në rrafshin ndërkombëtar
Kosova dhe Shqipëria duhet të harmonizojnë politikën e jashtme dhe diplomacinë publike, duke vepruar si një trup i vetëm në mbrojtje të interesave kombëtare. Bashkëpunimi në organizata ndërkombëtare, koordinimi i qëndrimeve në raport me çështje rajonale dhe lobimi i përbashkët, janë hapa të rëndësishëm drejt ndërtimit të një blloku kombëtar shqiptar në politikën ndërkombëtare.
6.4. Roli i akademisë dhe institucioneve kërkimore për prodhimin e argumenteve shkencore
Universitetet shqiptare dhe qendrat kërkimore duhet të investojnë më shumë në studime strategjike, historike dhe juridike, që dokumentojnë të drejtën e bashkimit kombëtar, të përkthehen në gjuhë të huaja dhe të shpërndahen në forumet ndërkombëtare. Nevojitet ndërtimi i një narativi shkencor të përbashkët, që mbështet aspiratat kombëtare me fakte dhe legjitimitet ndërkombëtar.
Në përmbyllje, bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk është kërcënim për askënd, është kërkesë për drejtësi, dinjitet dhe të drejtën për të jetuar si komb i lirë e i bashkuar në trojet e veta. Historia dhe e drejta janë në anën e shqiptarëve. Sfida mbetet organizimi, strategjia dhe besimi i palëkundur se bashkimi nuk është vetëm i mundur – por i domosdoshëm.
REFERENCAT
- Clayer, N. (2008). Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Europë. Tiranë: AIIS.
- Clark, W. (2000). Waging Modern War: Bosnia, Kosovo and the Future of Combat. New York: PublicAffairs.
- Crawford, J. (2006). The Creation of States in International Law (2nd ed.). Oxford: Oxford University Press.
- European Commission. (2008). Kosovo under UNSCR 1244/99 – Progress Report.
- Frashëri, K. (2012). Shpallja e Pavarësisë dhe diplomacia shqiptare 1912–1914. Tiranë: Toena.
- Garton Ash, T. (1993). In Europe’s Name: Germany and the Divided Continent. New York: Random House.
- IDRA Research & Consulting. (2020). Sondazhi Kombëtar mbi Integrimin Shqipëri–Kosovë. Tiranë–Prishtinë.
- International Court of Justice (ICJ). (2010). Accordance with International Law of the Unilateral Declaration of Independence in Respect of Kosovo [Advisory Opinion]. https://www.icj-cij.org
- International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia (ICTY). (2001). Milošević Indictment. https://www.icty.org
- KDI – Këshilli Demokratik i Kosovës. (2021). Perceptimi i opinionit publik për bashkimin kombëtar. Prishtinë.
- Malcolm, N. (1998). Kosovo: A Short History. New York: New York University Press.
- Manta, E. (2009). The Cham Issue: The Last Taboo in Greek-Albanian Relations. Balkan Studies, 50(2), 267–284.
- Presidential Proclamation Recognizing Jerusalem as the Capital of the State of Israel and Relocating the United States Embassy. (2017). The White House.
- President Donald J. Trump Keeps His Promise to Open U.S. Embassy in Jerusalem, Israel. (2018). The White House.
- Puto, A., & Di Lellio, A. (2009). The London Conference and the Albanian Question: The Albanian State and its Borders. East European Quarterly, 43(3), 299–322.
- Republic of Albania. (1998). Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Preambula.
- Republic of Kosovo. (2008). Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 1, paragrafi 3.
- Schmitt, O. J. (2009). Kosova: Histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike. Tiranë: AIIS.
- The White House. (2017). Presidential Proclamation Recognizing Jerusalem as the Capital of Israel.
- The White House. (2018). U.S. Embassy in Jerusalem, Israel.
- United Nations. (1945). Charter of the United Nations, Article 1(2).
- United Nations. (1960). Declaration on the Granting of Independence to Colonial Countries and Peoples (UNGA Resolution 1514).
- United Nations. (1966). International Covenant on Civil and Political Rights, Article 1. https://www.ohchr.org
- United Nations Security Council. (1999). Resolution 1244 on Kosovo.
- Wikipedia. (n.d.). Abraham Accords. Retrieved from https://en.wikipedia.org/wiki/Abraham_Accords
1 I referohet bashkimit të plotë dhe zyrtar të dy entiteteve shtetërore në një shtet të vetëm të pranuar nga rendi ndërkombëtar, përmes procesit kushtetues, referendumit apo traktatit të bashkimit, me pasoja të plota juridike dhe sovrane në sistemin ndërkombëtar.
2 Bashkimi funksional: Nënkupton procesin e afrimit ndërmjet dy ose më shumë shteteve përmes unifikimit të politikave publike dhe institucioneve në fusha të caktuara (arsimi, ekonomia, mbrojtja, kultura etj.), pa realizuar ende një bashkim formal juridik. Ky model është përdorur, ndër të tjera, edhe nga dy Gjermanitë gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë përpara bashkimit zyrtar më 1990.