Nga Xhafer SHATRI
Sot, në fund të çerekut të parë të shekullit XXI, Serbinë vazhdon ta udhëheqë një nga personat që kanë përpiluar dhe nënshkruar njërin prej dokumenteve më të shëmtuar e më çnjerëzor për zhdukjen e një populli.
Fjalën e kam për Projektin e Partisë së Sheshelit dhe Vuçiqit (Partia Radikale Serbe) që titullohet: «Si do ta zgjidhin radikalët serbë çështjen e Kosovës»…
Ky projekt u publikua në organin e Partisë Radikale Serbe, «Velika Srbija» (Serbia e Madhe), në vitin e kahershëm 1995. Projektin e ka nënshkruar Kryesia e PRS-së dhe aty, figuron e zezë në të bardhë, edhe nënshkrimi i sekretarit të përgjithshëm të saj e kryetarit aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ky është njëri prej shumë projekteve serbe për zhdukjen e shqiptarëve të Kosovës. Apo, siç thoshte Hitleri «Zgjidhjen Përfundimtare», që, asokohe, nënkuptonte asgjësimin me rrënjë të jevrejve.
Kjo praktikë njihet, sot e gjithë ditën, me emrin HOLOLKAUST. Ky togëfjalësh i ka rrënjët në greqishten e vjetër: “holos”, që do të thotë “i tëri” dhe “kaustos”, që do të thotë “i djegur”.
Po e publikoj në vijim e në disa vazhdime këtë Projekt gjenocidi, me shpresë se të rinjtë dhe intelektualët shqiptarë, që jetojnë e studiojnë gjithandej nëpër botë, të mësojnë për rrezikun që vazhdon t’u kanoset shqiptarëve dhe Kosovës; ta përkthejnë në gjuhët e vendit dhe t’ua dërgojnë medieve dhe instituteve përkatëse studimore, me informatën përcjellëse, se njëri prej autorëve të këtij Projekti ogurzi, është vetë kryetar aktual i Serbisë, A. Vuçiq:
SI DO TA ZGJIDHNIN ÇËSHTJEN E KOSOVËS E METOHISË RADIKALËT SERBË?
Kumtesë e Drejtorisë Qendrore Atdhetare e Partisë Radikale Serbe
Në Kosovë e Metohi, para njëmijë vjetësh u vunë themelet e shtetësisë, vetëdijes kombëtare dhe kulturës serbe. Prej atëherë e deri në ditët tona, në Kosovë e Metohi nuk ka ekzistuar asnjë shtet tjetër i ligjshëm, pos atij serb. Prej atyre popujve, të cilët, gjatë historisë të disa mijëravjeçarëve, kanë levizur dhe kanë jetuar në ato hapësira, rrënjët e popullit serb janë të ngulitura më thellë. Pa Kosovë e Metohi nuk ka as shtet serb. Për këtë gjë ruajtja e Kosovës e Metohisë, si pjesë përbërëse dhe integrale e Serbisë, për nga rendësia, është e barabartë me vetë ekzistencën e kombit serb në tërësi.
Shpërngulja dhe largimi nga vatrat shekullore janë bërë pjesë e fatit të popullit serb në Kosovë e Metohi. Robëria nën turqit, krimet e shqiptarëve të ardhur e të islamizuar, kanë krijuar kushte në të cilat jetesa nuk ishte e mundur. Ikja sa më larg për t’ì shpëtuar fëmijët, ikja pa marrë parasysh dhe pa shikuar pas, duke i lënë shtëpitë dhe pasuritë, varret e të parëve, për të kërkuar shpëtim në Serbi nuk po ndalet.
Shpërngulja u ndal mes dy luftërave botërore dhe kolonizimi me vullnetarët serbë, në veçanti me luftëtarë në një masë e përmirësoi strukturën etnike në Kosovë e Metohi. Por, fatkeqësisht, vetëm deri në Luftën e Dytë Botërore, kur pushteti pushtues fashist filloi, e regjimi komunist e vazhdoi më vonë, shpërnguljen e tyre nga Kosova e Metohia dhe vendosjen në pasuritë e tyre të të mërguarve të shumtë nga Shqipëria.
Në vitin 1944 – 45, pushteti komunist ua ndaloi kthimin në vatrat e tyre serbëve të përzënë, dhe ndërkaq e pranoi si akt të kryer ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë, që ishte shkaktuar nga ardhja e të mërguarve shqiptarë. Njëkohësisht, shqiptarët u shpërblyen me konstituimin e autonomisë së Kosovës e Metohisë, e cila shërbeu si pikënisje për politikën e tyre secesioniste. Pasojat e një politike të tillë antiserbe ishin të pamënjanueshme, sepse një numër i madh serbësh u shpërngul nga Kosova e Metohia. Dhunuesit shqiptarë uzurpuan qindra e mijëra hektarë tokë shtetërore, shoqërore e private serbe, ndërsa manastiret, kishat, varrezat dhe shenjtëri të tjera serbe iu nënshtruan rrënimit e shkatërrimit sistematik.
Regjimi komunist në Serbi, duke dëshiruar ta ruante pushtetin, sinjalizonte në fund të viteve ’80 se do të ndiqte një politikë të drejtë kombëtare dhe se çështja serbe në Kosovë e Metohi do të fillonte të zgjidhej seriozisht. Serbët u mashtruan nga ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë, me anën e të cilës pushteti kushtetues u kthye nën kompetencat e Kuvendit të Republikës së Serbisë. Serbia në dukje të parë u bë e njësuar. Njëkohësisht kryetari i Serbisë premtoi se shumë serbëve do t’u mundësohej kthimi në Kosovë e Metohi.
Ai ishte një rast historik dhe një detyrim, të cilin pushteti i tashëm i Serbisë nuk e ka plotësuar. Regjimi i Beogradit ka zbatuar politikën e vet në Kosovë e Metohi i udhëhequr nga motive politike të ngushta partiake, pa i marrë parasysh interesat e popullit serb. Ai ka lejuar, në heshtje dhe në marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare e nën trysninë e saj, që lëvizja separatiste shqiptare të forcohet dhe, faktikisht, të formojë parashtetin e vet, të ashtuquajtur Republika e Kosovës dhe ta ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës e Metohisë. Me zgjidhjen e krizës në ish-Jugosllavi, bëhet e qartë se çështja serbe duhet të zgjidhet përfundimisht dhe kjo me bashkimin e të gjitha tokave serbe në një njësi të vetme shtetërore.
Duke mos harruar gjendjen në Kosovë e Metohi, e cila po keqësohet me shpejtësi, si dhe duke pasur parasysh përvojën e tradhtisë, që pushteti në Serbi po bën ndaj bashkombësve tanë në Republikën Serbe dhe në Republikën e Krainës Serbe, çka mund të ndodhë edhe me serbët në Kosovë e Metohi; të shqetësuar nga deklaratat e emisarëve të huaj, të cilët theksojnë se çështja e Kosovës e Metohisë, e rajonit të Rashkës dhe Vojvodinës duhet të zgjidhet në kuadrin e zgjidhjes së krizës së ish-Jugosllavisë; të vetëdijshëm se vetëdija kombëtare dhe ardhmëria e sigurtë e popullit serb nuk mund të merren me mend pa Kosovën e Metohinë, si pjesë e patjetërsueshme e shetit serb, dhe të bindur se kryetari i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, ka përgatitur tradhëtinë ndaj tokës së shenjtë serbe dhe dorëzimin e saj në duart e secesionistëve shqiptarë, theksojmë qëndrimet e polikës kombëtare në Kosovë e Metohi dhe masat për vënien e tyre në jetë, si vijon:
l. Për shuarjen e kryengritjes seperatiste shqiptare në Kosovë e Metohi, me të gjitha mjetet, dhe për pengimin e recidivave të saj, ne zotohemi për marrjen dhe zbatimin e masave pasuese:
a) Rregullimi i Shtetit
Në kuadër të ristrukturimit të domosdoshëm shtetëror-juridik, që nënkupton abrogimin e federatës ekzistuese dhe format e autonomisë territoriale, sepse ato janë treguar dështuese për popullin serb, si zgjidhje më e mirë imponohet formimi i një shteti unitar serb, në përbërjen e të cilit do të hynin Republika e Krainës Serbe, Republika Serbe, Republika e Serbisë dhe Republlika e Malit të Zi.
Shteti serb do të kishte një kryetar, një parlament e një qeveri dhe lidhja mes qeverisë dhe administratës lokale do të bëhet përmes kryesive të qarqeve. Serbia do të duhej të përkufizohej si shtet kombëtar e demokratik i popullit serb dhe i qytetarëve e grupeve etnike, të cilëve do t’u siguroheshin të gjitha të drejtat vetjake, qytetare e njerëzore.
Heqja e autonomisë ekzistuese Kosovës e Metohisë, me të cilën është krijuar një asimetri e kobshme në Serbi, ndërkaq që shqiptarëve u është dhënë shkas për të kërkuar shkëputjen, dhe kthimi i Kosovës e Metohisë në përbërjen e shtetit të njësuar serb, paraqesin elementin qenësor për realizimin e çështjes kombëtare serbe.
Populli serb, i cili ndodhet para një lufte të vështirë për bashkimin e të gjitha tokave serbe, para së gjithash, duhet t’i sigurojë e t’i ruajë territoret që gjenden në kufinjtë e Serbisë. Inkuadrimi i plotë i Kosovës e Metohisë në shtetin e njësuar serb është thjesht një çështje e brendshme, e cila duhet të zgjidhet pa kurrfarë perzierje nga jashtë, pra as nga e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare. Rregullimi i statusit të Kosovës e Metohisë, si pjesë integrale e shtetit serb, si edhe rregullimi i të gjitha çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me konsolidimin e një shteti demokratik modern, mund të bëhet vetëm përmes miratimit të një Kushtetute të re. Kjo Kushtetutë do të miratohej nga një asamble kushtetuese e zgjedhur, përmes zgjedhjeve të përgjithëshme të drejtperdrejta në tërë vendin. Politika kombëtare ndaj Kosovës e Metohisë nuk mund të zbatohet pa u shqyrtuar me themel në organizmat parlamentare dhe pa mendimin e përfaqësuesve të ligjshëm të popullit serb të Kosovës e Metohisë.
Duke pasur parasysh se në Serbi jeton një numër relativisht i madh i pjesëtarëve të pakicave, atyre, në përputhje me standardet ndërkombëtare do t’u siguroheshin të gjitha të drejtat vetjake e kolektive, që do të thotë, e drejta për përdorimin e gjuhës së vet në jurisprudencë, e drejta për arsimin fillor në gjuhën e vet amtare, për shprehjen e ndjenjave fetare, marrjen me veprimtari kulturore e të ngjashme. Ndërkaq, ushtrimi i këtyre të drejtave nënkupton, para së gjithash, detyrimin e anëtarëve të pakicave për sjellje lojale ndaj shtetit, qytetarë të të cilit janë.
b) Rishikimi i librave të amzës dhe i të drejtës së shtetësisë, në bazë të rezultateve të regjistrimit të popullsise të vitit 1991
Eshtë e domosdoshme që Kuvendi federal të miratojë sa më parë ligjin mbi shtetësinë. Ai do të ndihmonte që të përcaktohet me saktësi numri i emigrantëve shqiptarë dhe i pasardhësve të tyre, të cilët, në periudhën 1941-1987, në mënyrë të paligjshme e pa kurrfarë mbështetjeje ligjore, kanë përfituar prona e pasuri të tjera të patundshme, për të cilat nuk do të kishin të drejtë askund tjetër në botë. Jugosllavia ka sot rreth 400 mijë të huaj të tillë, të cilëve, në bazë të një ligji të këtillë, mund t’ua refuzojë mikpritjen në vendin tonë. Në të njëjtën menyrë duhet të veprohet edhe me të gjithë qytetarët e republikave të shkëputura, me përjashtim të atyre që janë të përkatësisë kombëtare serbe, si edhe me anëtarët e pakicave të tjera kombëtare, të cilët nuk e pranojnë shtetësinë e Republikës Federale të Jugosllavisë.
Në vend të tyre, ne do të mund të pranonim 400 mijë të ikur nga ish-republikat e Jugosllavisë e kjo do të ishtë një akt plotësisht legal e i ligjshëm i pushtetit në këtë shtet. Për eliminimin e emigrantëve, duhet të zbatohen standarde të dyfishta: për ata që njihen si ekstremistë duhet zbatuar përzënia e menjëherëshme, ndërkaq, të tjerëve duhet t’u vihet si kusht zotërimi i të gjitha dokumenteve, madje edhe për nëvojat më të zakonshme, për sigurimin e të cilave, si parakusht do të ishte dëshmia e shtetësisë, të cilën ata nuk e kanë si edhe pasja e listës së atdheut. Lista e atdheut do të zbatohej për të gjithë shtetasit e Serbisë, si mjet i detyrueshëm, me të cilën do të vërtetohej se kanë shtetësinë e Republikes së Serbisë.
Në kopertinë, lista e atdheut do të kishte stemën e Serbisë: shqiponjën e bardhë dykrenëshe të Nemanjiçëve, mburojën me kryq dhe katër S-të (Samo sloga srbina spasava që do të thotë vetëm uniteti serbët i shpëton, shënim i përkthyesit).
Mospasja e listës së atdheut do të përbënte një bazë për përzënien e atyre që nuk e kanë statusin e shtetasit të Serbisë. [Vijon]