Nga Dr. Selim IBRAIMI
Përplasja historike dhe e paprecedentë në Shtëpinë e Bardhë midis presidentit amerikan Donald Trump, zëvendësit JD. Vance dhe presidentit ukrainas Volodymir Zelenskyy, mund të thjeshtohet me një frazë të vetme: interesi ekonomik kombëtar është i pari para ligjit humanitar dhe fatit të kombeve. Nga ana tjetër, disa kritikë thonë se kjo është një tragjedi për vendet demokratike dhe një triumf i tiranive. Por, para se të vazhdojmë më tej, është shumë e qartë se ekzistenca e moralit në politikën ndërkombëtare ka qenë një normë jo aq e gjatë. Gjithashtu në artikujt e fundit, i kemi eksploruar marrëdhëniet e shteteve të vogla dhe atyre të mëdha. Dhe kjo që ndodhi pikërisht në Shtëpinë e Bardhë ishte e pritshme.
Fatkeqësia nga politika e shteteve të fuqishme çdoherë bie mbi më të dobëtit. Kjo është maksima dhe rregulli nga nuk mund të lëvizet. Mirëpo, nga tensionet e fundit shtetet evropiane kanë një shans të qëndrojnë dhe të mbrojnë veten. Britania e Madhe si duket ka marrë rolin qendror në mbrojtje të interesave britanike, Ukrainës dhe ndërtimit të një aleance pan-evropiane. Tani, ndërsa rendi i ri po ngritet, ideja se morali do të marrë një formë tjetër dhe do të zbatohet nga pjesa dërmuese e shteteve është një pikëpyetje e madhe. Ka qenë një dilemë dhe pyetje themelore nëse morali dhe etika mbizotëron në gjeopolitikë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Pa teorizuar, ngjarjet aktuale tregojnë se shtetet veprojnë në bazë të interesave të sigurisë kombëtare e ekonomike. Ndërsa normat dhe etika, në raste të tilla mbeten thjesht një e kaluar. Konkretisht, askush nuk e mendonte se Ukraina do të ishte në një pozitë kaq të keqe pas tre vitesh mbështetje të madhe ushtarake, humanitare dhe financiare nga bota perëndimore. Meqenëse linja morale është thyer nga SHBA-të, tani shtetet e BE-së nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të ndjekin një qasje tjetër të mbështetjes jo vetëm ndaj Ukrainës, por edhe të shteteve që janë në një pozitë të njëjtë.
Ekziston një frikë e përgjithshme se administrata e presidentit Trump po bën përpjekje maksimale për të qenë më afër se asnjëherë Rusisë, duke shkelur mbi evropianët. Por, presidenti Trump tha se SHBA është e rreshtuar me veten, me botën. Dhe kur jemi tek aspekti etik e moral, përplasjet e fundit nuk shkojnë në favor të shteteve që kërkojnë ndihmë nga SHBA. Sepse aty dominon fuqia dhe interesi ekonomik, mëshira dhe humanizmi nuk kanë hapësirë. Pasi gjërat janë të lidhura me politikën, pozitën gjeografike dhe burimet natyrore, atëherë është e pashmangshme të bëhet ndërlidhja e ngjarjeve aktuale me aftësinë e shteteve që konkurrojnë po për këta burime, dhe më shumë siguri. Por, a kanë ekzistuar momente gjatë dy shekujve të fundit kur është shkelur ligji ndërkombëtar? Sigurisht se gjatë shekullit të 20-të kemi pasur raste. Por kur konsideratat morale në këtë kontekst kanë qenë të përkohshme, atëherë pa dyshim se qasja pragmatike ka dominuar në veprimet e qeverive. Morali në këtë rast, e aq më shumë në gjeopolitikën e materialeve strategjike bëhet vetëm një maskë e fjalimeve të liderëve, ashtu si në rastin e fundit në Shtëpinë e Bardhë, ku takimi kaloi në shfaqje dramatike.
Parimet universale dhe kartat ndërkombëtare të nënshkruara nga shtetet bëhen të pavlerë, sa që as konventat ndërkombëtare nuk do të mund të tregonin se ku fillon dhe mbaron morali në politikën ndërkombëtare. Andaj nëse mbetemi në dilemat morale në gjeopolitikën e shteteve që garojnë për materiale të rralla e strategjike, sigurisht se është një zhytje e kotë teorike, pasi në praktikë marrëdhëniet në mes shteteve përcaktohen nga interesat tregtare, politike, ushtarake dhe pse jo kulturore-fetare. Thjesht shtetet veprojnë në bazë të një pragmatizmi, fuqisë që kërkojnë dhe shumë më pak në baza humanitare-morale. Po këtu përfundojnë çështjet nëse shtetet në sistemin aktual ndërkombëtar do të vazhdojnë të mbajnë linjën morale e shumica atë të forcës. Një ndarje e tillë tashmë është krijuar në krye me shtetet evropiane në njërën anë, SHBA e “rreshtuar me veten”, Rusinë, Kinën dhe të tjerët. Ashtu siç lëvizin ngjarjet, qeveritë qofshin evropiane dhe më gjerë duhet të mbajnë një qëndrim të fortë të mbështetjes së njëri tjetrit. Nga një aspekt tjetër, duke qenë të ndarë, rreziku nga goditjet ekonomike dhe krizat e brendshme, do të jenë faktor vendimtar nëse qeveritë do të mund vazhdojnë të mbajnë linjën morale në gjeopolitikë. Në rikonfigurimin aktual, këto dy terme në fjalorin e udhëheqësve do të përdoren shumë më pak, pasi për disa shtete në plan të parë kanë dalë çështje më të rëndësishme se sa morali dhe etika në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Dilema në mes moralit dhe fuqisë do të vazhdojë të mbetet pjesë e debatit akademik në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, po jo aq aktuale në luftën për materiale të rralla, interesa ekonomike dhe pozitë të favorshme globale. Morali dhe etika që disa e kërkojnë në politikën ndërkombëtare është vështirë ta tejkalojë politikën pragmatike të shteteve të lartëpërmendura. Mund të thuhet se do të të jetë një përballje e shekullit e luftës së shteteve në institucionet ndërkombëtare dhe atyre që synojnë zotërimin e mineraleve dhe supremacinë hapësinore. Ndryshimet e shpejta në vitin 2025 tregojnë se ide të tilla për paqen botërore në shekullin e 21-të, ndoshta do t’i përkasin universiteteve, e jo realitetit.