Nga Arbër ZAIMI
Shefi i Francës, Macroni, i ofroi shefit të ardhshëm të Gjermanisë, Merzit, krijimin e një deterrence kontinentale. Armët nukleare franceze ndryshe prej fjala vjen atyre britanike, nuk operacionalizohen nga sisteme amerikane, por janë të pavarura (sajë skepticizmit gaullist që e ka mbajtur Francën larg NATO-s për dhjetëra vite). Nga ana tjetër, fuqia buxhetore gjermane është e vetmja që mund të mbështesë riindustrializimin ushtarak të Evropës. Për momentin janë veç samite, veç fjalë, por sidoqoftë janë fjalë të pathëna kësisoj më parë. Nga ana tjetër veprat, nëse vërtet do të bëhen, me siguri që nuk do të proklamohen e nuk do të komentohen publikisht deri sa të kryhen.
Udhëheqësit e disa vendeve të rëndësishme të BE u mblodhën bashkë me Turqinë, Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar, jo në Bruksel por në Londër. Krerët afirmuan se me urgjencë po hyjnë në një periudhë të industrisë intensive të armatimit e mbrojtjes. Shefi polak, Tusku, tha se është turp qysh 500 milion europianë presin prej 300 milion amerikanëve t’i mbrojnë nga 140 milion rusë. Shefi britanik Starmeri tha se po krijojnë një “Koalicion të vendeve vullnetmira” që do të çojë ushtarë në tokë e aeroplanë në qiejt ukrainas. Shefja e BE-së Von der Leyen pohoi atë që po e thonë të gjithë “Duhet një ringritje masive e mbrojtjes europiane”.
Ajo mori përsipër të paraqesë të martën një plan për riarmatosjen e vendeve të BE-së. Putini e ka tashmë reputacionin e njeriut që bën çfarë thotë, e ai ka thënë se pas Ukrainës radhën do ta kenë Polonia e vendet balltike, ndaj Europa është e detyruar të vendosë digë në Ukrainë, që të mos vërshojë në Brandenburg.
A do të ofrojë dot garanci sigurie dhe integrim Europa për vendet e lindjes europiane e ato të Ballkanit, apo do t’i lërë të hapura për ndikime nga fuqi të ndryshme? Mbetet për t’u parë.
Ndërkohë njerëz të rëndësishëm nga kabineti ukrainas ashtu siç parashikohej nga kushdo që ka pak mendim, po thonë se tërheqja e një aleati do të plotësohet nga kontakte me fuqi të tjera të etura për ndikim. Po punohet për takimin Zelensky – Xi, e në të njëjtën kohë Turqia ftoi të mbahen në Ankara bisedime të drejtpërdrejta për armëpushim apo paqe Ukrainë – Rusi. Turqia për Europën është më afër se Saudia – në çdo aspekt.
Megjithatë, e arsyeshme është të pritet që, teksa marrin masa e teksa ndërtojnë secili muskujt e vet, askush të mos zhvillojë qasje ballafaquese me administratën e re amerikane sepse lidhjet ekonomike, ato të sigurisë e shumë të tjera janë ende shumë dhe nuk janë këputur të gjitha as për së afërmi. Relacioni sot për sot duket ende i shërueshëm e i rikuperueshëm.
Nga ana tjetër nuk po duket e arsyeshme të pritet ndonjë diskutim i thellë, se a kushton më shumë për Amerikën ta mbajë një aleancë si ajo transatlantikja, apo kushton më shumë të mos e mbajë. Do t’i lihet historisë ta gjejë përgjigjen e pyetjes.