Asnjë “rend ndërkombëtar” nuk është i përhershëm. Aleancat, politika, strategjitë dhe politikat janë gjithmonë në ndryshim dhe pothuajse çdo brez në Evropë është përballur me një luftë të madhe.
Nga Janusz Bugajski
Administrata e Donald Trump nuk i sheh më Shtetet e Bashkuara si garantues të sigurisë evropiane. Kjo do të ketë pasoja të mëdha për luftën në Ukrainë, për ambiciet imperialiste të Rusisë, për mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s dhe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Në fjalime të mbajtura nga zyrtarë amerikanë dhe në deklaratat e vetë Trump-it, Evropës i është thënë të mos mbështetet më tek SHBA për sigurinë e saj. Shtëpia e Bardhë po e sfidon Evropën të investojë në mbrojtjen e saj, pasi shumica e shteteve evropiane kanë dështuar të ndërtojnë kapacitetet ushtarake të nevojshme për të zmbrapsur dhe mundur Rusinë në një luftë konvencionale. Polonia dhe shtete të tjera që ndodhen përballë Moskës kanë paralajmëruar prej vitesh se Perëndimi duhet të forcojë seriozisht ushtritë e tij, pasi mundësia e një konflikti të armatosur me Rusinë po rritet. Kërcënimi i Trumpit për të tërhequr SHBA nga Evropa ka konfirmuar frikën e tyre.
Presioni i Trumpit mbi Zelenskin dhe ndikimi në Ukrainë
Sulmi publik i Trumpit dhe i nënpresidentit Vance ndaj Zelenskyy-t në Zyrën Ovale tregoi dëshpërimin e tyre në kërkimin e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, me qëllim që Trumpi të duket si fitimtar dhe të pretendojë Çmimin Nobel për Paqen. Mesa duket, zyrtarët e Putinit u kanë bërë të ditur homologëve të tyre amerikanë se nuk do të tërhiqen nga asnjë territor ukrainas që kanë pushtuar. Për këtë arsye, Trumpi po ushtron presion të madh mbi Zelenskiy-n që të bëjë lëshime të mëdha.
Megjithatë, Trumpi po rrezikon një dështim të madh, pasi Kievi nuk do të dorëzohet para Moskës dhe mbështetja për Zelenski-n në Evropë dhe brenda Ukrainës ka të ngjarë të rritet. Nëse Trumpi braktis Ukrainën, ai do të mbahet mend në histori si një përkrahës i Rusisë dhe një humbës gjeopolitik. Por, procesi i negociatave i nisur nga Shtëpia e Bardhë është i pasigurt dhe Trumpi mund të kthehet kundër Rusisë nëse e kupton që Moska po e pengon të arrijë “fitoren e paqes”.
Dobësia e Rusisë dhe realiteti i luftës
Rusia është një fuqi në rënie, siç tregohet nga performanca e saj e dobët ushtarake, të ardhurat në rënie nga energjia dhe buxheti i rrënuar. Putini mund ta shohë Trump-in si një mundësi shpëtimi për ta mbajtur Rusinë larg kolapsit dhe disfatës ushtarake. Por dobësitë në rritje të Rusisë mund ta bëjnë Uashingtonin të kuptojë se Moska po bën bllof për kapacitetet e saj.
Është e qartë se nuk do të ketë një marrëveshje të qëndrueshme mes Kievit dhe Moskës derisa ushtria ruse të tërhiqet nga Ukraina. Rusia nuk do ta ndalë agresionin e saj derisa të marrë të gjitha rajonet që i ka integruar tashmë në kushtetutën e saj, ndërsa Ukraina nuk do të ndalë kundërofensivën e saj derisa të rimarrë të gjitha territoret e pushtuara. Trumpi mund të arrijë një armëpushim të përkohshëm dhe të shpallë “fundin e luftës”, por të gjithë kujtojnë sa pak zgjatën armëpushimet në ish-Jugosllavi. Nuk pati një zgjidhje përfundimtare të luftës deri kur ushtria serbe u mund dhe siguria e shteteve të reja u garantua.
Europa duhet të marrë në dorë sigurinë e saj
Shumica e liderëve të mëdhenj evropianë, përfshirë kancelarin e ardhshëm gjerman Fridrih Merc [Friedrich Merz], tani e kuptojnë se Rusia është kërcënimi kryesor për paqen në Evropë dhe duhet të mposhtet në Ukrainë. Evropa duhet të fokusohet mbi të gjitha në sigurinë e saj, me rritje të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen, shtim të prodhimit ushtarak dhe zgjerim të forcave të gatshme për luftë me Rusinë. Kjo duhet të fillojë me një furnizim masiv me armë për Ukrainën.
Kërcënimi i Trumpit për të ndaluar ndihmën ushtarake për Kievin ka ngritur alarmin në kryeqytetet evropiane dhe aleatët e NATO-s, pa përfshirë SHBA-në, duhet të angazhohen plotësisht për fitoren e Ukrainës duke marrë rolin e Amerikës në dërgimin e armëve dhe burimeve të tjera në Kiev sa më shpejt të jetë e mundur.
Roli i NATO-s dhe Ballkanit Perëndimor
Nëse politika transatlantike e Trumpit çon në tërheqjen e garancive të sigurisë për aleatët e NATO-s, atëherë “shtylla evropiane” e NATO-s duhet të marrë komandën e saj. Kjo nuk mund të jetë një ushtri e BE-së, e cila do të krijonte burokraci të panevojshme dhe do të minonte sovranitetin kombëtar të shteteve individuale. Në vend të kësaj, duhet të përfshijë një koalicion të të gjitha vendeve të gatshme për të kontribuar në sigurinë, përfshirë vendet kyçe jo-anëtare të BE-së, si Mbretëria e Bashkuar, Turqia dhe Norvegjia.
NATO mund të transformohet në një aleancë sigurie të përqendruar në Evropë dhe mund të përfshijë shtete të reja që janë të gatshme të angazhohen për mbrojtjen reciproke. Gjithashtu, është e rëndësishme të kujtohet se administrata Trumpit është e përkohshme dhe një qeveri e ardhshme amerikane mund të vendosë të angazhohet sërish plotësisht në mbrojtjen e Evropës, duke sjellë një tjetër transformim në sigurinë transatlantike.
Asnjë rend ndërkombëtar nuk është i përhershëm. Aleancat, politika dhe strategjitë janë gjithmonë në ndryshim dhe pothuajse çdo brez në Evropë është përballur me një luftë të madhe, qoftë nga fuqitë e brendshme apo të jashtme imperialiste. Evropa duhet të sigurojë që sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës të jetë përpjekja e fundit për ripushtimin me dhunë të kontinentit.
Të gjitha vendet anëtare të NATO-s duhet të kontribuojnë në imperativin pan-evropian për të mposhtur Rusinë në të gjitha fushat, jo vetëm në fushën e betejës. Një Evropë me një ushtri në ringjallje mund të ofrojë gjithashtu një impuls të ri për projektin e BE-së, në të cilin Ballkani Perëndimor do të jetë në vijën e parë për anëtarësim. Ata gjithashtu duhet të parandalojnë një tjetër luftë në Ballkan që Moska do ta inkurajonte me kënaqësi ndërsa administrata Trumpit mbetet në anashkalim. Beogradi dhe Banja Luka do ta shohin përçarjen transatlantike si një mundësi unike për të ndjekur agjendën e tyre pan-serbe, duke llogaritur se Trumpi do të favorizojë planet e Rusisë në gadishull. Tani i takon aleancës pan-evropiane të veprojë me vendosmëri dhe forcë për të mposhtur armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm të pavarësisë shtetërore dhe demokracisë civile.
Shënim: Janusz Bugajski është një anëtar i lartë në Fondacionin Jamestown në Washington DC dhe autor i dy librave të rinj: “Polonia pivotale: Fuqia në Rritje e Evropës” dhe “Shteti i dështuar: Një Udhëzues për Shpërbërjen e Rusisë”. [Përktheu: ISHGJ]
Burimi: https://istraga.ba/janusz-bugajskis-washington-view-trumps-trans-atlantic-divorce/?fbclid=IwY2xjawIxTENleHRuA2FlbQIxMQABHfilnGpHephSrgG0pulFvHgAnmgo0rXN9CVGV4Tn4UJdvjJc_r3PNz-wTg_aem_xFQyOxrJJwj-eTW44SS6OA