Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ambasadorit Shaban Murati, një personalitet i shquar në diplomaci dhe studime gjeopolitike.
Si anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë dhe kontributdhënës i palodhur me shkrimet e tij të vlefshme në të tre numrat e revisëts sonë “Gjeopolitika” dhe portalin e Institutit dhe në mediat tona gjithandej, ai ka lënë një trashëgimi të çmuar në analizën dhe interpretimin e zhvillimeve ndërkombëtare dhe rajonale.
Në dekadat e fundit, Shaban Murati, shërbeu, si diplomat në Maqedoni, Finlandë, Suedi etj. dhe ishte ndër më të dalluarit në gjithë diplomacinë shqiptare.
Gjatë gjithë veprimtarisë së tij intelektuale e diplomatike, Shaban Murati bosht të përpjekjeve dhe përkushtimit të tij e kishte Kosovën në veçanti dhe çështjen shqiptare në përgjithësi.
Si intelektual i guximshëm e atdhetar i përkushtuar, Shaban Murati u dallua sidomos me denoncimin e vendosur dhe demaskimin profesional që i bëri përpjekjeve antishqiptare për copëtimin e Kosovës.
Korpusi i tij intelektual është përmbledhur në 19 vepra të botuara. Ambasador Murati ka shkruar dhe këshilluar politikën që të orjentohet në selitjen e aleancave rajonale jetike të shqiptarëve me Kroacinë dhe Turqinë, duke qenë i vetëdijshëm se në rendin e ri që po krijohet ato do të shërbejnë për pozicionim sa më të mirë të Kombit tonë në kuadër të arkitekturës së sigurisë europiane në ndërtim.
Gijatë gjithë kohës Shaban Murati shërbeu si busullë orjentuese në rrafshin gjeopolitik dhe të diplomacisë, duke u shndërruar në korife i mendimit politik.
Humbja e tij është e madhe për komunitetin akademik dhe diplomatik shqiptar.
Në emër tē Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë i shprehim ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që patën privilegjin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të.
U prehtë në paqe!
******************************************
Disa nga veprat e Shaban Muratit, përmes të cilave ai rrezatoi e dëshmoi dijen e thellë dhe përkushtimin atdhetar e profesional :
• “Serbia kundër Serbisë: analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë” (2004)
• “Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës: (fletë nga ditari i një ambasadori)” (2007)
• “Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës: një testament diplomatik” (2009)
• “Profile të diplomacisë europiane në Ballkan” (2009)
• “Hije në diplomacinë shqiptare” (2012)
• “Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit” (2013)
• “Rusia ballkanike” (2014)
• “Shqiptarët e Maqedonisë, prioritet i çështjes shqiptare” (2016)
• “Ballkani faustian” (2016)
• “Çështja e paqenë e detit, një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?” (2018)
• “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” (2018)
• “Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana” (2019)
• “Antitabu: Këshilla për miqtë” (2020)
• “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” (2020)
• “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë” (2021)
• “Rusët po vijnë: Rusia Ballkanike 2014 – 2022” (2022)
• “Antitabu për filozofinë filotabu shqiptare” (2023)
• “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci” (2023)
• “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi” (2023)