Fitorja e Vetëvendosjes e pozicionon fuqishëm Kosovën dhe Kombin tonë si pjesë të arkitekturës së sigurisë europiane me garanci e prezencë të fuqishme edhe amerikane. Prandaj zgjedhjet e 9 shkurtit marrin karakter plebishiti dhe kanë peshë historike.
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Serbia dhe gjakimi i saj për pozicionim si fuqi rajonale
Serbia kishte investuar kohë të gjatë iluzionin se rikthimi i Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë do t’i kontribuonte në gjakimin e saj për rritjen e ndikimit të saj në rajon, përmes realizimit gradual të “Botës serbe”. Disi ngjashëm, siç po ndodhë me zgjerimin e ndikimit të Turqisë në Lindjen e Mesme, sidomos në Siri, duke imponuar pozicionin e saj në rendin e ri që po sjell rikthimi i gjeopolitikës.
“Kushdo që pyet se çfarë po bën Turqia në Libi, Siri dhe Somali, mund të mos i kuptojë këto operacione. Ne duhet të njohim dhe pranojmë misionin që na ka caktuar historia si komb dhe të veprojmë në përputhje me rrethanat”, tha Presidenti Erdogan pas përmbysjes së diktatorit Bashar al-Assad.
Disi ngjashëm deklaroi në një intervisët të tij dhënë agjencisë ruse TAS, ditë më parë, Aleksander Vulin, dora e djathtë e Putinit në Qeverinë serbe, në raport me aleancën ruse dhe perspektivën e realizimit të “Botës serbe”, që nënkupton anshlussin e Republikës Serbe të Bosnjës e Hercegovinës dhe pushtimin e butë të Malit të Zi, por edhe aneksimin e veriut të Kosovës.
Modeli sirian dhe ndikimi rus në Serbi
Derisa rënia e regjimit të Asadit në Siri shënon një pikë kthese të thellë për Lindjen e Mesme, protestat në Serbi për më shumë se dy muaj rresht, paralajmrojnë një fund të ngjashëm për regjimin e Vuçiqit në Serbi.
Marrja e pushtetit në Damask nga milicia pro-turke Hayat Tahrir al-Sham (HTS) dhe Ushtria e Lirë Siriane e stërvitur nga Ankaraja u zhvillua nën hijen e luftës në Lindjen e Mesme – në një kohë kur boshti shiit i Iranit pësoi disfatën e tij më të keqe si rezultat i ofensivës izraelite.
Është me interes për vështrim analitik krahasues, të pohomë se gjatë kësaj faze të konfliktit, si administrata amerikane nën Presidentin Joe Biden ashtu edhe selia e NATO-s i kishin dhënë Turqisë lirinë për të mbështetur një ofensivë nga milicitë aleate të opozitës siriane kundër regjimit të Asadit dhe Rusisë mbrojtëse të tij. Dobësimi i pranisë ushtarake ruse në Siri ishte gjithashtu një qëllim i deklaruar i oficerëve ukrainas të përfshirë në trajnimin e komandantëve të rangut të lartë të HTS.
Është i njohur ndikimi i Moskës në Damask që nga vitet 1950; ajo ka vepruar si stabilizues i regjimit të Asadit deri në fund. Ofensiva e HTS në dhjetor 2024 dhe kapja e Damaskut përfundimisht çuan në rënien e boshtit shiit dhe e detyruan Rusinë të braktiste qendrën e saj logjistike në Levant.
Kështu disi ngjashëm ka vepruar Moska edhe në Serbi. Pavarësisht se raportet mes BRSS-së [Rusisë] dhe RSFJ-së [Serbisë së zgjeruar e të njohur si Jugosllavi] ishin prishur formalisht në vitin 1948. Segmente të shërbimeve ruse të instaluar në Ushtri, në Kishën Serbe dhe madje edhe në institucionet e kulturës, tutje kishin vazhduar të ishin prezent. Këtë e dëshmoj më shumë procesi i shkërmoçjes së Jugosllavisë dhe pozicionimi i fuqishëm i Federatës Ruse pro Serbisë. Ndërkaq instalimi i hapur i të ashtuquajturës Qendër Humanitare Ruse në Nish ishte akt publik i këti veprimi atipik.
Këto shërbime tashmë të instaluara në pozicionet më të larta në struktura të sigurisë, ushtrisë e Kishës Serbe, vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në mbështetjen e përpjekjeve të Serbisë për krijimin e të ashtuquajturës “Bota Serbe” – një koncept që synon bashkimin e serbëve etnikë në rajon nën një ndikim të përbashkët politik, kulturor dhe ekonomik. Ky koncept është parë si një formë e re e nacionalizmit serb dhe shpesh është krahasuar me idenë e “Serbisë së Madhe”.
Rusia, përmes agjencive të saj të inteligjencës (FSB, GRU) dhe mjeteve të tjera të ndikimit, ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për projektet serbe në Ballkan. Kjo mbështetje ka ardhur në disa forma, përfshirë mbështjen politike e ideologjike, të sigurisë, ushtarake, mediale, ekonomike etj.
Rusia e sheh Serbinë si aleatin e saj kryesor në Ballkan dhe e mbështet atë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me Kosovën.
Kremlini promovon konceptin e “Botës Serbe” si një mënyrë për të forcuar lidhjet midis Serbisë dhe entiteteve serbe në rajon (Republika Srpska në Bosnje, serbët në Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut).
Sergei Lavrov dhe zyrtarë të tjerë rusë kanë bërë deklarata publike që mbështesin pretendimet serbe në rajon, duke e paraqitur Serbinë si viktimë të Perëndimit.
GRU-ja dhe FSB-ja janë përfshirë në aktivitete të fshehta në Ballkan, përfshirë destabilizimin e rajonit dhe mbështetjen e strukturave paralele serbe në Kosovë dhe Bosnjë. Ndërkaq përpjekja për grusht shteti në Mal të Zi në vitin 2016, e mbështetur nga elementë serbë dhe rusë, ishte një shembull i ndërhyrjes ruse për të penguar integrimin e rajonit në NATO.
Rusia ka përdorur luftëtarë mercenarë dhe organizata si Grupi Wagner për të ndikuar në situata të tensionuara, përfshirë mbështetjen e grupeve radikale serbe.
Rusia përmes RT Balkan, Sputnik Serbia dhe mediave pro-ruse në Serbi përhap narrativat kundër Perëndimit dhe pro-serbe.
Propaganda ruse ka ndihmuar në promovimin e idesë se Serbia duhet të ruajë lidhjet me Moskën dhe të shmangë Perëndimin.
Dezinformimi dhe lajmet e rreme për NATO-n, BE-në dhe Perëndimin janë përdorur për të rritur ndjenjat anti-perëndimore në Serbi.
Rusia ka shfrytëzuar varësinë energjetike të Serbisë, duke i ofruar gaz me çmime të favorshme dhe duke e mbajtur të lidhur ekonomikisht me Moskën.
Serbia ka marrë mbështetje ushtarake nga Rusia, përfshirë blerjen e sistemit të raketave Pantsir-S1 dhe pajisjeve të tjera ushtarake.
Ushtria serbe ka zhvilluar stërvitje të përbashkëta me forcat ruse, duke ruajtur lidhje të forta me Moskën pavarësisht presionit nga Perëndimi.
Koncepti i Botës Serbe është një kërcënim për stabilitetin e Ballkanit, pasi ringjall idetë nacionaliste që çuan në luftërat e viteve 1990. Rusia e përdor këtë projekt për të ndikuar në Ballkan si një zonë strategjike për interesat e saj globale, veçanërisht në raport me Perëndimin. Destabilizimi i rajonit mund të përdoret nga Rusia për të shpërqendruar vëmendjen nga lufta në Ukrainë dhe për të krijuar kriza të reja në Evropë.
Ndikimi i shërbimeve ruse në Serbi dhe në përpjekjet për krijimin e Botës Serbe është një strategji e mirëorganizuar për të mbajtur rajonin të tensionuar dhe të varur nga Moska. Kjo ndërhyrje paraqet një sfidë serioze për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit dhe kërkon një përgjigje të fortë nga BE-ja, NATO-ja dhe vendet demokratike të rajonit.
Ndikimi i rezultatit të plebishitit në Pozicionin Gjeopolitik të Kosovës
Referendumin e 9 shkurtit 2025 duhet kuptuar si një moment historik për aspiratat e shqiptarëve për shtetësi dhe pavarësi dhe bashkim në trajtën e një Federate Shqiptare. Ky plebishit po mbahet në kushte të reja gjeopolitike, por rezultati i tij do ët dëshmojë qartë vullnetin e popullit shqiptar të Kosovës për të ndërtuar tutje një Republikë demokratike, të zhvilluar e me mundësi prosperimi në fushën e integrimeve euroatlantike.
Nga ana tjetër, pozicioni gjeopolitik i Kosovës në Ballkan mbetet një faktor kyç në zhvillimet e saj politike dhe ekonomike. Si një territor me rëndësi strategjike, Kosova ka qenë dhe mbetet në fokusin e fuqive të mëdha rajonale dhe ndërkombëtare.
Le të kujtojmë faktin se Kosova mbeti një çështje e hapur ndërkombëtare deri në vitin 1999, kur ndërhyrja e NATO-s kundër Serbisë ndryshoi realitetin politik. Pavarësia e Kosovës më 2008 ishte kulmimi i përpjekjeve të kahmotshme për vetëvendosje, të cilat filluan me referendumin e 1992-it. Sot, Kosova gjendet në një situatë delikate mes ndikimeve të BE-së, SHBA-së dhe sfidave nga Serbia dhe Rusia. Pozicioni i Kosovës në Ballkan vazhdon të jetë vendimtar për stabilitetin rajonal dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe pozicionimi gjeopolitik i Kosovës janë dy çështje të ndërlidhura ngushtë, që kanë ndikuar në rrjedhat historike, politike dhe strategjike të rajonit të Ballkanit.
UÇK-ja, fillimisht e organizuar si një forcë guerile, fitoi mbështetje të madhe nga diaspora shqiptare dhe arriti të krijojë një rrjet të strukturuar rezistence.
Për shkak të krimeve të luftës dhe spastrimit etnik nga forcat serbe, NATO ndërhyri në mars 1999 me bombardime ajrore kundër caqeve serbe. Pas 78 ditësh sulmesh, Serbia u detyrua të tërhiqte forcat e saj nga Kosova.
Rezultati: Pas luftës, Kosova u vu nën administrimin e OKB-së (UNMIK) dhe në vitin 2008 shpalli pavarësinë, e cila sot njihet nga mbi 100 shtete.
Pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është bërë një faktor i rëndësishëm në gjeopolitikën e Ballkanit, për shkak të faktorëve të mëposhtëm:
- Mbështetja Perëndimore: Kosova ka një aleancë të ngushtë me SHBA-në dhe BE-në, të cilat mbështesin integrimin e saj euro-atlantik.
- Mosnjohja nga disa shtete: Serbia, Rusia, Kina dhe disa vende të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke krijuar tensione diplomatike.
- Paqja dhe stabiliteti rajonal: Kosova luan një rol kyç në stabilitetin e Ballkanit, ndërkohë që vazhdon dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.
- Integrimi Euro-Atlantik: Kosova synon anëtarësimin në BE dhe NATO, megjithëse përballet me pengesa politike dhe diplomatike.
Në këtë kontekst, Kosova vazhdon të pozicionohet si një shtet pro-perëndimor, me orientim drejt integrimeve euro-atlantike
Plebishiti i 9 shkurtit 1992 ishte një akt simbolik dhe politik me rëndësi historike për shtetësinë e Kosovës. Ai tregoi qartë synimin e popullit për pavarësi, ndonëse nuk pati njohje ndërkombëtare në atë kohë. Ndërkaq zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, që për shumëçka mund të cilësohen si plebishit I lloit ët vet, Kosova vazhdon të ballafaqohet me sfida gjeopolitike, ndërkaq vendosmëria e saj për integrim evropian dhe afirmim ndërkombëtar mbetet një prioritet strategjik.
Përfundim
Derisa kemi ndryshim të papritur në pozicionin e zëdhënësit të presidentit rus, Dmitry Peskov, për zhvillimin e negociatave midis Rusisë dhe SHBA-së, pasi Donald Trump mori presidencën në Shtëpinë e Bardhë dy javë më parë, nuk kemi ndonjë ndryshim të qëndrimit të pozicionit të eshalonit të së kaluarës politike në Kosovë. Përkundrazi, ky eshalon është hedhur në sulm, duke hedhur “fishekzjarret” e fundit me idenë se do t’i japin shpirt luftës hibride kundër qeverisë dhe Vetëvendosjes.
Ky eshalon i mbështetur fuqishëm nga një pjesë e madhe e mediave, në redaksitë e të cilave janë atashuar bijtë e oligarkëve dhe olhokratëve që sunduan Kosovën përplot 20 vjet, ndërkohë ia arriti të bashkërendojë e publikojë deklaratat e sekserit të oligokratëve të fuqishëm të botës, Richard Grenell, si ndërhyrje të pastër në fushatë, me idenë se do ta dëmtojë Vetëvendosjen.
Në këtë tronditje të thellë gjeopolitike që po kalon bota ndërkohë, Bashkimit Evropian, i cili gradulisht do të shtrëngohet të luajë rolin që i cakton Vëllai i Madh, në emër të ruajtjes dhe selitjes së interesave strategjike aftgjata europiane, Kosova nuk bën përjashtim.
Në këtë betejë të ashpër, në këtë rirreshtim gjeopolitik, Republika e Kosovës dhe Kombi si tërësi, ka nevojë për Qeverinë Kurti 3 më shumë se kurrë, ka nevojë imediate për një struktirë politike të etabluar siç është Vetëvendosja, që din të balancojë interesat e Kombit duke marrë një rol të ri në marrëdhëniet transalantike.
Pozicionin e sotëm gjeopolitik të Kosovës duhet ta forcojmë në katër vitet pasuese; këtë mund ta bëjmë pa rrëshqitur në përzgjedhje të gabuara elektorale.
Ky rol duhet ta pozicionojë Kombin tonë si pjesë të Arkitekturës së Sigurisë Europiane me garanci e prezencë të fuqishme edhe amerikane.
Prandaj zgjedhjet e 9 shkurtit marrin karakter plebishiti dhe kanë peshë historike.