Nga Dr. Selim IBRAIMI
Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vlladimir Putin janë gati të takohen dhe të diskutojnë përfundimin e luftës në Ukrainë. Ndërsa negociatat e paqes do t’i kenë ulje-ngritjet e veta, në Ballkan paqja në frontin lindor mund ta lë rajonin me çështje të hapura dhe paqëndrueshmëri të gjatë. Para se të flitet për perspektivën e paqes në frontin lindor, politika botërore ka ndryshuar në mënyrë dramatike.
BE-ja dhe disa shtete të Ballkanit nga presioni i jashtëm duhet të marrin një qasje realiste ndaj ndryshimeve aktuale. Së pari, qeveritë dhe aktorët e tjerë të rëndësishëm në rajon duhet të përshtaten me botën e re në të cilën shtetet sapo kanë hyrë. Interesi kombëtar mbetet shtytësi kryesor i qeverive në arenën ndërkombëtare. Siç tha Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, Rusia, SHBA-ja dhe vendet e tjera veprojnë në bazë të interesave të tyre kombëtare, atëherë lind pyetja se a duhet shtetet ballkanike, në këtë paradigmë që po bëhet kaq e fortë, të ndjekin të njëjtën rrugë. Në këtë drejtim, ashtu siç e kemi theksuar edhe në artikujt e mëparshëm, shtetet sado të mëdha apo të vogla të jenë, në politikën ndërkombëtare veprojnë në bazë të interesave të tyre kombëtare.
Historikisht, shtetet e kanë përdorur gjithmonë këtë qasje, që nga kohërat e lashta, për të maksimizuar nevojat ekonomike dhe, natyrisht, të sigurisë. Kur flasim për shtetet, është e pamundur të mos thuash asgjë për rolin e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërveprimin kompleks midis faktorëve vendor dhe ndërkombëtarë që formësojnë veprimet e qeverive në arenën ndërkombëtare. Në kontekst të vendosjes së armëpushimit në mes Ukrainës dhe Rusisë, për më shumë se tre dekada që nga rënia e Murit të Berlinit, qeveritë e rajonit të Ballkanit që dolën nga shpërbërja e ish-federatës jugosllave, kanë vepruar më shumë sipas nevojave të politikës së brendshme dhe në disa raste nga ndikimi i politikave të jashtme. Se si do të veprojnë më tej në këtë kohë, kjo po shihet nga deklaratat e qeveritarëve të Ballkanit.
Vetëm në Serbi kemi pasur veprime të kombinuara që kanë qenë rezultat i faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm. Shenja të ngjashme janë vërejtur në Maqedoninë e Veriut, dhe aktualisht ku qeveria e kryeministrit Hristijan Mickovski është e varur nga jashtë, veçanërisht nga partitë e krahut të djathtë. Duke filluar nga SHBA-ja dhe BE-ja, në varësi të lëvizjeve të brendshme, dhe gjithmonë sipas kërkesave të partive në pushtet dhe opozitë, zyrtarët e Shkupit kanë lënë fatin në aktorët e jashtëm gjeopolitikë. Këto dy raste klasike të ndërveprimit të faktorëve që ndikojnë në politikën e jashtme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, në fakt tregojnë shumë për sjelljen e shteteve.
Forca e institucioneve, ekonomia, pozicioni gjeografik dhe forcat e armatosura luajnë një rol vendimtar në sjelljen e shteteve në politikën ndërkombëtare. Ky sqarim bëhet sepse qeveritë ballkanike kanë shfaqur mungesë autoriteti në mjedisin anarkik ndërkombëtar duke vepruar në mënyrë jo të organizuar. Më tepër kanë zbatuar politika të jashtme mbi baza ideologjike. Prandaj në këtë kohë, bëhet e domosdoshme që qeveritë të balancojnë imperativat e mbijetesës dhe sigurisë në sistemin politik ndërkombëtar me kufizimet e tyre të brendshme dhe të jashtme. Ekuilibri që disa qeveri janë përpjekur të ruajnë, si ajo e Serbisë, është vështirë të vazhdohet për një kohë të gjatë.
Me ndryshimet aktuale nga Uashingtoni e deri në kancelaritë evropiane, politika e ekuilibrit pritet të marrë fund. Prandaj, duke marrë parasysh këto teori dhe praktika, shtetet ballkanike duhet të veprojnë sipas mënyrës se si lëvizin aktorët globalë në sistemin politik ndërkombëtar. Të gjitha veprimet e tjera që do të jenë jashtë lëvizjeve të aktorëve globalë ka të ngjarë të dështojnë ose të shoqërohen me turbulenca të brendshme. Në çështjet aktuale rajonale, Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe Kosova do të ndikohen nga faktorë të brendshëm, të cilët do të jenë vendimtar edhe për veprimet në politikën rajonale dhe globale.
Kohët e fundit partitë e djathta kanë marrë formë dhe janë forcuar në BE dhe SHBA, ndryshime që do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në Ballkan në vonesën e zgjidhjes të çështjeve ndëretnike dhe ndërshtetërore. Në çështjet aktuale me të cilat ballafaqohet Ballkani dhe aktorët e tjerë globalë, mund të jetë një sfidë e madhe nëse çështjet e hapura nuk do të gjejnë zgjidhje, siç është rasti i Kosovës me Serbinë e Bosnjën dhe i Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.
Së fundimi, duhet të mbahet mend se ajo që është një temë kryesore në politikën ndërkombëtare nuk konsiderohet gjithmonë si e rëndësishme për shtetet e vogla. Në realitet, SHBA, BE, Rusia, Kina dhe aktorë të tjerë gjeopolitikë kanë çështje që kryqëzohen dhe nuk kryqëzohen me çështjet dhe interesat e shteteve të vogla, veçanërisht atyre në Ballkan. Prandaj, mbijetesa në këtë epokë të re do të kërkojë përshtatje të shpejtë me rendin e ri global.
Përshtatja duhet të fillojë nga një lexim afërsisht i saktë se ku po lëvizin të mëdhenjtë (shtetet). Nëse politika e ekuilibrit apo e rreshtimit të shteteve të Ballkanit në një bllok duhet të vazhdojë, kjo do të shihet përpara se BE-ja të zgjerohet apo jo me anëtarë të rinj, dhe tjetra si do të duket armëpushimi në Ukrainë. Duke parë situatën në rajonin e Ballkanit, është shumë e qartë se qeveritë do të ndjekin politikën e interesit kombëtar dhe shumë më pak do të përqendrohen në pasojat ndaj të tjerëve. Prandaj, procesi i negociatave për paqen në Ukrainë do të jetë një faktor përcaktues në mënyrën se si do të veprojnë të tjerët jo vetëm në rajonin e Ballkanit.