Nga Dr. Selim IBRAIMI
Lufta në Ukrainë, veprimet e disa shteteve ballkanike dhe faktorë të tjerë kanë sjellë kujtime të së kaluarës nga Kievi në Shkup, me jehonë të traumave të së shkuarës që i kanë rrënjët para rënies së Perandorisë Osmane, Revolucionit Bolshevik dhe Luftës së Ftohtë. Zakonisht kur qeveritë duan të zgjerojnë kufijtë ose të forcojnë një ideologji, qoftë fetare apo kombëtare, zyrtarët e qeverisë, politikanët dhe institucionet e tjera si media dhe arsimi, bëhen pjesë e mitit që duhet mbajtur gjallë dhe përhapur paralelisht.
Duke përdorur kujtimet e së kaluarës, politikanë të caktuar nga shekujt e kaluar deri në kohët moderne janë përpjekur ta mbajnë gjallë mitin si një instrument për politikën ditore. Zakonisht në Ballkan, kujtesa kolektive që përmban mite të mesjetës, ka sjellë luftëra të reja, duke mbajtur disa shtete ballkanike jashtë BE-së dhe në armiqësi të përhershme.
Pa përmendur mesjetën, eksperimente të tilla në rajonin tonë janë bërë që nga fundi i shekullit XIX e deri në luftërat e fundit në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Zbatimi dhe interpretimi i së kaluarës nga politika dhe shtresat popullore, sot bartin një rrezik të lartë të shpërthimit të tensioneve fetare dhe etnike, madje edhe të mbajtjes së mosmarrëveshjeve ndërshtetërore për të ruajtur kujtesën kolektive të historive të këqija.
Në raste të tilla, qeveritë dhe institucionet arsimore, për të thirrur kujtesën historike, vendosin në skenë ose në narrativën publike disa personazhe nga historia dhe politika për të nxitur mosmarrëveshje si brenda, ashtu edhe me të tjerët. Krahas sundimit të hapësirës publike, një qeveri me politikat e saj të forcimit të kujtesës kolektive synon të rikthejë të keqen me të gjitha mjetet.
Si shembull mund të marrim riemërtimin e rrugëve apo shesheve publike, që në realitet dëshmon gjeopolitikën e kujtesës historike të çdo kombi, duke përfshirë edhe ato të Ballkanit. Kështu, panorama e përditshme në Ballkan është e mbushur me elementë të së kaluarës, duke filluar nga Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
E gjithë kjo manifestohet më tej me fotografi të forcimit të kujtesës historike për të mbështetur projekte kombëtare dhe shoviniste për territore të reja që nga disa shihen si vazhdimësi e të njëjtave plane për sundimin apo asimilimin e popujve. Qëllimi i politikave të tilla është të prodhojë kujtime për popullatën në armiqësi në mënyrë që pajtimi të mos arrihet kurrë.
Prandaj, përveç politizimit të arsimit, media, rrugët dhe vendet e tjera publike mbeten vende ku politika e kujtesës bën përpjekje për të mbajtur gjallë projektet famëkeqe. Për të qenë realist, përsëritja ose ruajtja e kujtesës historike ka qenë e pranishme në ish-RSFJ, në ish-BRSS dhe në Evropën Qendrore, ku sovjetikët pas pushtimit vendosën të ndërtojnë memoriale të luftës sovjetike, për shembull në Austri, Poloni, Hungari, Sllovaki, Rumani, Bullgari, Ukrainë etj etj.
Po sot, shenja të tilla shihen edhe në vendet evropiane, si shembull mund të përmendim Italinë, ku kryeministrja Meloni, pavarësisht thirrjeve për të hequr dorë nga simbolet fashiste, ka përjashtuar mundësinë e heqjes së simbolit të flakës trengjyrëshe nga logoja e partisë së saj.
Në Ballkan, memoriale të ngjashme vendosen qëllimisht në vende të dukshme ku njerëzit mund të “infektohen” nga kujtimet e politikës dhe të kaluarës. Simbole fetare apo kombëtare janë hasur në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Bosnje dhe vende të tjera të Ballkanit. Pjesa më e keqe është kur qeveritë ndërhyjnë në tekstet shkollore, për të tjetërsuar grupet e tjera etnike apo për të poshtëruar grupet e tjera etnike në të njëjtin vend. Për shembull, këto veprime janë të pajustifikueshme për vendet që pretendojnë të jenë një ditë në BE.
Kohët e fundit, qeveria e Maqedonisë së Veriut, një vend anëtar i NATO-s që ka çështje të hapura me Bullgarinë, ka përdorur politikën e kthimit të kujtimeve të së kaluarës dhe ka propozuar një ligj që himni kombëtar maqedonas të këndohet në të gjitha shkollat, pavarësisht përkatësisë etnike.
Meqenëse vendi i mbijetoi luftës së vitit 2001 dhe marrëdhëniet e dobëta ndëretnike vazhdojnë të mbeten një temë qendrore, qeveria mund t’i ketë vënë marrëdhëniet ndëretnike në një pozitë më të keqe. Lëvizje të ngjashme u panë edhe në veri të Kosovës ku serbët lokalë, grupet politike dhe radikale refuzuan të integrohen për shkak të ndikimit të faktorit serb që është pjesë e sjelljes së kujtimeve të së kaluarës për serbët si faktor kryesor.
Në këto kushte, arritja e paqes dhe përparimit në rajon bëhet e pamundur. Në vitet e ardhshme, politikat aktuale në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje mund të kenë efekte të kundërta me trazira të brendshme. Kur kujtimet kolektive kalojnë brez pas brezi, është shumë e vështirë të kesh pajtime të lehta të brendshme dhe marrëdhënie të mira me vendet e tjera.
Loja me kujtimet e historisë, veçanërisht në Ballkan, gjithmonë ka shkuar keq. Prandaj nuk është vonë për të ndryshuar drejtimin dhe politikat si rrugë drejt marrëveshjeve, qoftë të brendshme apo të jashtme.