Luftimet midis forcave proturke dhe milicive kurde janë intensifikuar në veri të Sirisë, njoftoi sot Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), një monitorues i luftës me bazë në Britaninë e Madhe. Sipas SOHR, Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët, gjuajtën me raketa gjatë natës pozicionet e Ushtrisë Kombëtare Siriane (SNA) të mbështetur nga Turqia pranë Digës Tishrin. SNA u përgjigj me artileri të rëndë, duke synuar objektiva pranë qytetit kufitar të Kobane-s. SDF raportoi për luftime intensive në fronte të shumta, duke vrarë të paktën 17 anëtarë të SNA, duke përfshirë atë që ata pretenduan se ishte një komandant.
Forcat pro-turke, të cilat janë pjesë e SNA, vazhduan të sulmojnë zonat kurde në veri të Sirisë, duke ngritur shqetësime për viktimat civile. Sipas SOHR, disa civilë u plagosën në sulmet e SNA-së. Turqia akuzohet për përdorimin e destabilitetit në Siri për të zgjeruar praninë e saj ushtarake dhe për të dobësuar kontrollin kurd në rajon.
Forcat kurde të SDF-së gëzojnë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, të cilat i konsiderojnë ato një aleat kyç në luftën kundër Shtetit Islamik. Megjithatë, Turqia i sheh ato si një zgjatim të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën e konsideron një organizatë terroriste.[GN/ISHGJ]