Kreu i komitetit ushtarak të NATO-s, admirali holandez Rob Bauer, u bëri thirrje udhëheqësve të biznesit evropian dhe amerikan të rregullojnë strategjitë e tyre të prodhimit dhe shpërndarjes për të reduktuar varësinë nga Rusia dhe Kina. Duke folur në një konferencë të Institutit të mendimit Qendra e Politikave Evropiane në Bruksel, Bauer paralajmëroi për rrezikun në rritje të shantazhit dhe sabotimit ekonomik dhe theksoi se qëndrueshmëria ekonomike luan një rol kyç në parandalim. “Parandalimi nuk varet vetëm nga aftësitë tona ushtarake. Të gjitha instrumentet e disponueshme përdoren në luftë, duke përfshirë ekonominë dhe industrinë”, tha Bauer.
Ai bëri thirrje për përgatitje strategjike të ekonomisë, duke përmendur shembuj të krizave energjetike dhe varësisë nga burimet kineze. “Evropa tashmë ka përjetuar sabotim në furnizimin me energji. Menduam se kishim një marrëveshje me Gazpromin, por në fakt kishim një marrëveshje me zotin Putin. E njëjta gjë vlen edhe për infrastrukturën dhe produktet kineze – ne në fakt kemi një marrëveshje me zotin Xi”, tha ai.
Bauer paralajmëroi për varësinë e Perëndimit nga Kina, duke vënë në dukje se 60 për qind e metaleve të rralla në botë vijnë nga Kina, ndërsa 90 për qind e këtyre metaleve përpunohen atje. Ai shtoi se Kina dominon furnizimin e komponentëve kryesorë kimikë për prodhimin e barnave, duke përfshirë antibiotikë, qetësues dhe ilaçe për presionin e lartë të gjakut. “Ne jemi naivë nëse besojmë se Partia Komuniste Kineze nuk do ta përdorë këtë fuqi”, tha Bauer, duke shtuar se vendimet e biznesit kanë pasoja strategjike për sigurinë e vendeve.
Skenari i luftës
Admirali theksoi nevojën e përgatitjes së një “skenari lufte” në biznes, me qëllim forcimin e rezistencës ndaj krizave të mundshme. “Biznesmenët duhet të përshtatin proceset e tyre për t’i bërë ballë sfidave gjeopolitike. Ushtria fiton betejat, por ekonomitë fitojnë luftëra”, përfundoi Bauer. [GN/ISHGJ]