Franca i është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë duke i sinjalizuar Ukrainës se lejohet të përdorë armë me rreze të gjatë kundër objektivave në territorin rus, në një ndryshim politikash që ka zemëruar Moskën, raportoi agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Në një intervistë për BBC, ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot tha se gjuajtja e raketave nga ana e Ukrainës ndaj Rusisë do të ishte një akt “vetëmbrojtjeje”. Ai nuk konfirmoi nëse kjo kishte ndodhur tashmë.
Moska e kritikoi ashpër deklaratën e Barrot-it dhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se miratimi “nuk është mbështetje për Ukrainën, por një vdekje për Ukrainën”.
Këtë javë, Ukraina raportohet se gjuajti me raketa me rreze të gjatë veprimi ATACMS, të prodhuara nga SHBA-të dhe kryqëzorë britanikë Storm Shadow në objektiva ushtarakë në Rusi.
Nga korriku 2023, në bashkëpunim me Britaninë, Franca filloi të furnizojë Ukrainën me raketa Storm Shadow. Raketa u krijua përmes bashkëpunimit britaniko-francez. Është një raketë lundrimi që është e vështirë të zbulohet nga radarët. Qëllohet nga ajri, zakonisht fluturon ulët, distanca e saj është 550 km, dhe koka e luftës peshon 450 kg. Predha është mjaft e saktë.
Vetëm Gjermania nuk dëshiron ta dërgojë TAURUS-in e saj
Vetëm Gjermania nuk po e ndihmon Ukrainën me armë me rreze të gjatë, pasi kancelari Olaf Scholz kundërshton kategorikisht dërgimin e raketave të lundrimit Taurus në vendin e shkatërruar nga lufta.
Një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit ukrainas, Mihajlo Podoljak, i interpretoi kërcënimet e fundit të presidentit rus Vladimir Putin për të përdorur armë me rreze të gjatë, të cilat nuk janë përdorur deri më tani, si një shprehje të “frikës absolute”. Ai i tha gazetës Bild am Sonntag se Putin-i po përpiqet të trembë Perëndimin me kërcënimet e tij.