Nga Dr. Selim IBRAIMI
Ndërsa telashet dhe pasiguria vazhdojnë me ngritjen e BRICS dhe aktorëve të tjerë gjeopolitikë, në skenën rajonale të Ballkanit, krahas Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, në prag të përpjekjeve separatiste për shpërbërjen e Bosnjes dhe Hercegovinës, zyrtarë të lartë serb të ndihmuar nga Serbia hapur po deklarojnë se nuk janë të interesuar më të jetojnë në një federatë.
Për situatën në BeH kemi shkruar në artikujt e mëparshëm, por sot do të ndalemi te udhëtimi special i presidentit serb Millorad Dodik, (lideri separatist i boshnjakëve serbë), i cili mban lidhje të ngushta me Rusinë, Serbinë dhe grupe të tjera nacionaliste. Ndërkohë, artikulli gjithashtu do të fokusohet në raportin e autokratëve të Ballkanit me BRICS. Ditë më parë nga qeveria e Republika Srpska dhe ajo e Serbisë, përfaqësues të lartë udhëtuan për në Kazan të Rusisë për të marrë pjesë në Samitin e BRICS. Ambasada Amerikane në Sarajevë, kishte reaguar më parë rreth pranisë së tij (Dodikut) në këtë Samit. Nuk vonoi shumë, Dodiku ua ktheu mbrapshtë me një reagim të ashpër.
“Nëse kjo është përgjigja e Ambasadës Amerikane për qëndrimin e delegacionit të Republika Srpska në Samitin e BRICS, atëherë është budallallëk, sepse është e qartë se Murphy (Michael Murphy, ambasadori amerikan në BeH) nuk ka ndonjë përgjigje kuptimplotë”. “E vetmja gjë shqetësuese është se Murphy u mërzit sepse doli me një gënjeshtër kaq të trashë. Nuk ka kampe në Republika Srpska, sepse Republika Srpska nuk është Maoça (fshat në Komunën e Brçkos) në në asnjë pjesë”.
“Sigurisht që amerikanët e dinë shumë mirë këtë”- ka shkruar Millorad Dodik në rrjetin X. Ai u takua më pas në Kazan me presidentin rus Vlladimir Putin, dhe ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov. “Perëndimi dëshiron të ndajë Rusinë. Qëllimi i tyre është të ndajnë Rusinë në disa pjesë të vogla në mënyrë që të gjitha të bëhen ekskluzivisht satelitë të Perëndimit.”- tha Dodiku për emisionin “60 minuta” që emitohet në kanalet televizive ruse.
Për më shumë se një dekadë, komuniteti ndërkombëtar, SHBA dhe BE-ja kanë ushtruar presion ndaj serbëve të BeH dhe liderëve të saj që të respektojnë Marrëveshjen e Dejtonit (1995). Megjithatë, situata ka shkuar në një drejtim tjetër me planet për të shkatërruar federatën boshnjake. Dhe tani, ndërsa boshnjakët po përpiqen të afrojnë vendin me BE-në dhe të bëhen pjesë e NATO-s, serbët me ndihmën e Beogradit dhe shteteve të BRICS, po përpiqen të ndërtojnë një lidhje speciale territoriale gjithë serbe që i minon të gjitha marrëveshjet e vitit 1995. “BeH është e përgatitur të avancojë integrimin e saj në NATO, dhe është plotësisht e përkushtuar për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale”.
“Suksesi i përfshirjes së NATO-s në BeH tregon se si bashkëpunimi ndërkombëtar mund të çojë në paqe të qëndrueshme në rajonet pas konfliktit”- thanë zyrtarët e Sarajevës gjatë takimit me një delegacion të lartë të NATO-s.”
Ne jemi të përkushtuar të jemi një partner pro-aktiv në formësimin e së ardhmes së sigurisë në rajonin euroatlantik. Roli i BeH në strategjitë e ardhshme të NATO-s është jetik për mbajtjen e Ballkanit Perëndimor si shtyllë të qëndrueshme në Evropë”.
Është shumë e vërtetë se pa një BeH të tërë, do të jetë e vështirë të ruhet balanca aktuale në Ballkan. Megjithatë, disa veprime të pakoordinuara të BE-së, dhe të Përfaqësuesit Ndërkombëtar për BeH, i kanë inkurajuar serbët që të vazhdojnë politikat e tyre të shkatërrimit dhe madje ta bëjnë politikën e jashtme të pavarur. Duhet të jemi të qartë për opinion se kjo mund të konsiderohet si një rrugë e shkatërrimit të federatës, duke i toleruar liderët serbë të vendosin për fatin jo vetëm të BeH. Për fat të keq, liderët boshnjakë serbë dhe të Serbisë përballë komunitetit ndërkombëtar kanë vendosur ta bëjnë këtë. SHBA dhe BE kanë vënë nën sanksione politikanët e profilit të lartë nga Sarajeva dhe Beogradi, por pa rezultate në rolin e tyre në politikë. Millorad Dodiku dhe liderë të tjerë serbë nga Serbia kanë mbajtur lidhje me Bjellorusinë, serbët e Kosovës, dhe tani janë në marrëdhënie speciale me serbët në Maqedoninë e Veriut, pasi një qeveri e re në krye me kryeministrin Hristijan Mickoski janë pushtet në Shkup.
Paqja në Ballkan është në rrezik jo vetëm nga veprimet e liderëve aktualë, por edhe nga politikat e të ashtuquajturve politikanë pro- BE-së, dhe aktorë të tjerë të huaj që ndikojnë në rajon në mënyra të ndryshme. Andaj pjesëmarrja e serbëve në Samitin e BRICS-s në Kazan është një dëshmi se nga do të shkojë rajoni dhe pjesa tjetër e botës e cila po lufton kundër demokracive të konsoliduara dhe atyre në zhvillim. Shqetësuese mbetet politika serbe e cila është duke i motivuar shtetet e BRICS të bëhen aktive në Ballkan bashkë me Rusinë. Synimi kryesorë i tyre mbetet lëkundja e stabilitetit në Ballkan dhe dështimi ekonomik. Caku i Serbisë dhe i Rusisë mbeten B-H, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. BRICS përbëhet kryesisht nga Brazili, Rusia Kina, India, Afrika e Jugut, Egjipti, Etiopia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Irani.
Në vitin 2009 u formua si koalicioni i shteteve kundër Perëndimit. Në BRICS ka edhe anëtarë jo të përhershëm dhe anëtarë të mundshëm. Serbia ka statusin e një vëzhguesi me shanse për t’u bërë anëtare e plotë. Po shihet se Serbia dhe serbët në Ballkan po sfidojnë Perëndimin, NATO-n dhe BE-në me lojën e dyfishtë. Samiti i fundit në Kazan ka pasur jehonë në rajon. Mediat rajonale (të krahut të djathtë) duke përfshirë ato në Maqedoninë e Veriut, gjithnjë e më shumë kanë raportuar rreth BRICS si alternativë ndaj BE-së dhe Perëndimit. Përpara se alternativat e BRICS të bëhen realitet ose të formohen opsione për qeveritë autoritare, stabiliteti aktual në Ballkan duhet të ndryshohet ose zëvendësohet tërësisht po nga lojtarët gjeopolitikë të BRICS. Do të ishte sfiduese për skenarë të tillë kur BE-ja tashmë ka ndarë mbi 6 miliardë euro për zhvillimin e shteteve të Ballkanit.
Por, gjithmonë duhet pasur parasysh se e kaluara dhe historia ka luajtur një rol të rëndësishëm për kombet e rajonit të Ballkanit. Për më tepër, ndërveprimi ndërmjet BRICS, autokratëve dhe radikalëve të Ballkanit duhet të shikohet në afat të shkurtër dhe afatgjatë në vendet e brishta etniko-fetare, pa përjashtuar ndikimin ekonomik.