[Në foto: Kundëradmirali Daniel Hagari, zëdhënësi kryesor i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, duke njoftuar për sulmin e Izraelit ndaj Iranit në platformën e mediave sociale X. (X: @IDF)]
Ushtria izraelite tha se ka përfunduar sulmet “precize” ndaj caqeve në Iran, si hakmarrje për sulmet iraniane ndaj Izraelit, të kryera në fillim të këtij muaji.
“Tani mund të konfirmoj se kemi përfunduar përgjigjen izraelite ndaj sulmeve të Iranit kundër Izraelit. Ne kryem sulme të shënjestruara dhe precize ndaj objektivave ushtarake në Iran”, tha një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) përmes një video-deklarate.
“Avionët tanë u kthyen në gjendje të sigurt në shtëpi”, tha ai.
Sipas tij, ushtria izraelite sulmoi “ndërtesa për prodhimin e raketave”, ku, siç tha, Irani ka prodhuar raketat me të cilat ka sulmuar Izraelin.
Avionët luftarakë goditën, po ashtu, “raketat tokë-ajër dhe kapacitetet tjera ajrore iraniane, që synonin të kufizonin operacionin e Izraelit kundër Iranit”.
Më herët, ushtria izraelite tha se sulmet ndaj Iranit u bënë për shkak të “sulmeve të vazhdueshme të Iranit” ndaj Izraelit.
“Regjimi në Iran dhe bashlëpunëtorët e tij vazhdimisht kanë sulmuar Izraelin që nga 7 tetori [2023] në disa fronte, përfshirë sulme të drejtëpërdrejta nga toka iraniane”, tha zëdhënësi i ushtrisë.
Nga Irani nuk ka ende ndonjë deklarim zyrtar në lidhje me pasojat e sulmit izraelit.
Por, agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve, Tasnim, raportoi se Irani i rifilloi fluturimet normalisht, pas një ndërprerjeje të shkurtër.
Pas sulmit që kreu javë më parë në Izrael, Teherani tha se ishte hakmarrje për një sulm paraprak nga Izraeli.
Zëdhënësi i IDF-së shtoi se, “si çdo vend tjetër sovran në botë, shteti i Izraelit ka të drejtë dhe detyrë të përgjigjet”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, “është informuar dhe po ndjek nga afër zhvillimet”, raportoi televizioni CBS.
Sulmet izraelite raportohet se nuk kishin në shënjestër objektet energjetike apo bërthamore.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Sean Savett, tha se Uashingtoni është këshilluar për sulmet paraprakisht.
Sipas tij, sulmet janë “ushtrim i vetëmbrojtjes dhe në përgjigje të sulmit me raketa balistike të Iranit kundër Izraelit, që u krye më 1 tetor”.
Rreth së njëjtës kohë, agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA raportoi se një sulm ajror i Izraelit shënjestroi disa lokacione ushtarake në pjesët qendrore dhe jugore të Sirisë.
Shqetësimet janë rritur se Irani dhe Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqen në një luftë rajonale, derisa Izraeli i intensifikon sulmet në Liban kundër Hezbollahut – grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor.
Sulmet ajrore që kanë goditur Bejrutin dhe Libanin jugor, janë shoqëruar edhe me operacion tokësor.
Hezbollahu – i cilësuar organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – mbështet Hamasin, i cili ka qenë shënjestër e Izraelit gjatë gjithë vitit të kaluar.
Kjo, pasi Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.[REL]