Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, njoftoi sulme ajrore të planifikuara kundër Iranit në përgjigje të sulmit raketor iranian më 1 tetor, duke theksuar se kjo lëvizje izraelite do t’i tregojë botës fuqinë e vërtetë ushtarake të vendit – raporton The Guardian.
Sulmi nga Irani ishte si hakmarrje për vrasjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në një operacion të forcave izraelite. Gjatë një vizite në bazën ajrore të Izraelit Hatzerim, Gallant tha se “bota do të kuptojë përgatitjet dhe fuqinë e ushtrisë izraelite” pas kryerjes së sulmeve.
Megjithatë, SHBA-ja ka kërkuar të kufizojë shkallën e sulmeve izraelite, veçanërisht duke i kërkuar Izraelit të mos synojë industrinë e naftës ose objektet bërthamore të Iranit, nga frika e një përshkallëzimi që mund të destabilizojë rajonin, veçanërisht përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Në profilin e tij X, Gallant shtoi më shumë rreth shkëmbimit të tij me personelin e Forcave Ajrore. “Gjatë bisedës me ta, theksova – pasi të sulmojmë Iranin, të gjithë do ta kuptojnë fuqinë tuaj, procesin e përgatitjes dhe stërvitjes – çdo armik që përpiqet të dëmtojë shtetin e Izraelit do të paguajë një çmim të lartë”, tha ministri.
Luftimet me Hezbollahun vazhdojnë
Forcat Ajrore izraelite kanë intensifikuar sulmet në Libanin jugor, duke përfshirë qytetin e Tirit, një zonë historikisht e rëndësishme nën mbrojtjen e UNESCO-s, e cila është kthyer në një strehë për mijëra libanezë të zhvendosur.
Sulmet kanë shkaktuar panik në mesin e popullatës civile, ndërsa Hezbollahu vazhdon të lëshojë sulme me raketa dhe dron ndaj forcave izraelite.
Izraeli aktualisht po lufton në disa fronte, përfshirë Libanin, ku Hezbollahu, pavarësisht humbjeve, ka vazhduar luftimet. Megjithatë, vdekja e fundit e Hashem Safieddine, i cili konsiderohej pasues i Nasrallahut, destabilizoi më tej udhëheqjen e Hezbollahut. [GN/ISHGJ]