Nga Bardhyl MAHMUTI, politolog
“Golgota shqiptare”
Në mesin e intelektualëve që ngritën zërin kundër planeve që synonin shkatërrimin e popullit shqiptar, një vend të veçantë zë publicisti hebre që jetonte në Vjenë, Leo Freundlich (Leo Frojndlih).
Duke u mbështetur në burime të ndryshme informimi për krimet e tmerrshme që forcat serbe dhe malaziase kryenin kundër shqiptarëve, Leo Frojndlih ngriti zërin e revoltës për heshtjen e Europës ndaj masakrimit të dhjetëra mijëra persona pa mbrojtje, të përdhunimit të grave, të vrasjes së fëmijëve, të djegies së vendbanimeve shqiptare…
Të Dielën e Pashkës, më 23 mars 1913, ai u drejtoi një letër Fuqive të Mëdha, opinionit publik europian dhe, në veçanti, atij anglez dhe francez që të mos heshtnin, por të angazhoheshin “që të ndalej vala e shfarosjes së shqiptarëve dhe të formohej një komision hetimor ndërkombëtar, i cili do të hetonte akuzat që ishin bërë kundër qeverisë serbe”[1].
Në apelin e lartpërmendur, Leo Frojndlih theksonte se Konferenca e Ambasadorëve në Londër kishte propozuar që kufijtë e Shqipërisë të përcaktoheshin në bazë të statistikave të përkatësisë etnike dhe fetare që do të përpilonte nga terreni një komision i caktuar prej tyre. Serbët përshpejtuan t’ua përgatisnin statistikat me mitraloza, pushkë dhe bajoneta. Ata kanë kryer krime të tmerrshme (…)[2].
Për të ilustruar me shembuj konkretë përmbledhjen e rrëfimeve rrëqethëse, autori citon “Daily Chronicle” të datës 12 nëntor 1912. Në këtë shkrim pohohet vërtetësia e lajmit, se mijëra shqiptarë ishin masakruar nga serbët dhe saktësohej se “në Shkup numri i të masakruarve ishte 2000, ndërsa në Prizren 5000”[3]. Ndërsa gazeta “Frankfurter Zeitung” “përmend rastin e 300 lumjanëve të ekzekutuar në Prizren, pa proces gjyqësor, dhe se që nga koha kur forcat serbe kaluan kufirin dhe pushtuan territoret shqiptare, masakrat nuk kishin të ndalur”[4]. “Serbët janë duke bërë një luftë që ka për qëllim shfarosjen e kombit shqiptar dhe nëse do të mundnin, ata do ta çrrënjosnin të tërin”[5].
Në vijim, Leo Frojndlih mbështetet në gazetën “L’Humanité” të Parisit, e cila publikoi një procesverbal, që i ishte dorëzuar konsullatës franceze në Selanik, në të cilin përshkruheshin aktivitetet e Serbisë në Shqipëri: plaçkitje, shkatërrime, masakra. Sipas të dhënave të këtij procesverbali, “Serbia në mënyrë sistematike kishte shkatërruar tërësisht ose pjesërisht fshatrat shqiptare në rrethinën e Kumanovës, Shkupit, Shtipit, Krakovës, Koçanit, Zhujovës, Meshelit, Kavadarcit, Bogdancit, kurse në Drenovë u vranë të gjithë banorët. Madje në varrezat që u zbuluan ndërmjet fshatit Drenove dhe Palikura kishte ndodhur varrosja për së gjalli e shqiptarëve”[6].
Mizoritë e ushtrisë serbe kishin shkuar kaq larg, saqë edhe “Fritz Magnussen, korrespondenti i gazetës daneze “Riget”, i njohur për simpatinë e tij ndaj serbëve, në telegramin që kishte dërguar, theksonte se ushtria serbe bën një luftë të pashembullt krimesh duke përmendur masakrimin e 3000 shqiptarëve në Kumanovë dhe Shkup dhe 5000 të tjerëve në Prishtinë, fshatra shqiptare të rrethuar dhe të djegura, shqiptarë të dëbuar dhe të vrarë si minjtë”[7].
Në vazhdim Leo Frojndlih sjell të dhënat e dosjes së publikuar nga “Reichspost”, ku theksohej se “shqiptarët konsideroheshin si kafshë gjahu dhe nuk mbroheshin nga asnjë ligj dhe asnjë gjykatë”[8]. Si shembull për këtë pohim kjo agjenci përmend faktin, se “edhe në rastet kur popullsia shqiptare nuk rezistonte, siç ishte me banorët e pesë fshatrave të rrethinës së Shkupit, u vranë pothuajse të gjithë banorët, ndërsa fshatrat u dogjën. Hendeku prapa kalasë së Shkupit ishte i mbushur me kufoma të mbi njëqind viktimave të kësaj fushate, ndërsa në Kisela Voda u gjetën trupat e tetëdhjetë viktimave shqiptare”[9].
Përshkrimi i tmerreve vazhdon me krimet e kryera në rrethinën e Kumanovës, ku, sipas dëshmive të atyre që kishin marrë pjesë në këto krime, “shumë fshatarë që nuk kishin mundur të iknin, ishin strehuar në tavane të shtëpive. Ne ua vumë zjarrin dhe kur shtëpitë i përfshiu flaka, ata dolën si urithët nga shtrofullat e tyre duke bërtitur, duke u lutur dhe duke kërkuar mëshirë. I vramë te dera. Vetëm ndaj fëmijëve kursyem plumbat dhe përdorëm bajonetat…”[10].
E njëjta gjë ndodhi edhe me shqiptarët e Tetovës[11]. “Tetëdhjetë e pesë shqiptarë u masakruan në shtëpitë e tyre në Tetovë, pa asnjë rezistencë të armatosur, ndërsa vendi u plaçkit. Janë të papërshkrueshme aktet neveritëse të çnderimit të grave dhe vajzave, duke përfshi edhe fëmijë të moshës 12 vjeçare. Për të kurorëzuar të gjitha këto tmerre, baballarët dhe burrat e viktimave u detyruan, nën kërcënimin e revolverit, t’ua mbanin qirinjtë dhe të ishin dëshmitar të poshtërimit që u bëhej vajzave dhe grave të tyre, në shtëpitë e veta”[12].
Në përmbledhjen e sintetizuar të krimeve më të tmerrshme serbe, Leo Frojndlih përmend “vrasjen e 1200 shqiptarë në Ferizaj dhe pothuajse të gjithë banorët shqiptarë të Gjilanit. Kësaj fushate shfarosëse i kishin shpëtuar vetëm një numër shumë i vogël i atyre që arritën të iknin”[13].
Barbaritë shkuan deri aty, sa grave shtatzëna ua shqyenin barkun me bajoneta dhe u nxirrnin fëmijët. Kështu, për shembull, autori përmend se pasi “kishin shkatërruar tërësish 27 fshatra të zonës së Lumës, u vranë të gjithë njerëzit, deri te fëmijët. Këtu i mbështollën ngratë dhe fëmijët me kashtë, si të ishin mullarë sane, dhe i dogjën për së gjalli përpara burrave dhe baballarëve të tyre, që ishin të lidhur. I plaçkitën gratë shtatzëna dhe, me bajoneta, ua nxorën foshnjat nga barku[14]. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe në fshatin Gjylekar[15].
Vazhdojnë të dhënat për vrasjet: “60 shqiptarë të masakruar në Tërstenik, 32 në Smirë, 20 në Vërban, 19 në Lubizhdë… Në Komogllavë, që numëronte 50 familje, u vranë të gjithë burrat pa përjashtim… Mbetën pak të mbijetuar në Preshevë”[16].
Nga të gjitha të dhënat që kishte grumbulluar, autori vjen te përfundimi, se “Prishtina dhe Prizreni ishin shndërruar në ‘Mbretëri të vdekjes’, ku u vranë të gjithë, pa dallim moshe dhe gjinie”[17], ndërsa Gjakova e rrënuar dhe popullsia e masakruar.
Në këtë kontekst vlen të përmendet dëshmia e sekretarit të kryeministrit serb, Nikolla Pashiq. “Zoti Tomiq kishte raportuar se gjatë udhëtimit të tij nga Prizreni në Pejë, në të dyja anët e rrugës nuk kishte parë asgjë tjetër, pos gërmadhave të fshatrave të djegura që ishin bërë rrafsh me tokë. Në shtyllat e shumta përskaj rrugëve, rrinin varur trupat e shqiptarëve. Rruga e Gjakovës ishte shndërruar në një ‘Bulevard varjesh’”.[18]
Nga shembujt e shumtë të krimeve që përmenden në veprën e Leo Frojndlih kam përzgjedhur raportin e të dërguarit special të “Daily Telegraph”, i cili kishte ardhur te konkluzioni i mëposhtëm:
“Të gjitha tmerret e historisë janë tejkaluar me veprimet e tmerrshme të trupave të gjeneral Jankoviqit. Kanë vrarë jo vetëm shqiptarë të armatosur, por në egërsinë e tyre edhe njerëz të paarmatosur, persona të moshuar, gra, fëmijë, madje edhe foshnje në gjirin e nënave të tyre. Oficerët serbë, në dehjen e tyre nga fitorja, gjetën zgjidhjen se mënyra më efektive për të qetësuar Shqipërinë ishte shfarosja e plotë e shqiptarëve. Për të shuar etjen e tyre për gjak, ushtarët serbë zbuluan metoda të reja të kasaphanës: burrat vriteshin në sy të grave dhe fëmijëve të tyre, ndërsa gratë e gjora detyroheshin të shihnin se si ua copëtonin fëmijët.”[19] . “Për shkak të tokës së ngrirë, të vetmin telash që kishin ushtarët serbë ishte hapja e varreve. Prandaj i hidhnin në bunarë. Në rrethin e Shkupit një informator kishte numëruar 38 bunarë të mbushur me kufoma shqiptarësh”[20].
Nuk mund ta dimë saktësisht se deri në çfarë mase kanë ndikuar apelet e vazhdueshme që Leo Frojndlih u drejtoi qeverive të Fuqive të Mëdha dhe opinionit publik të këtyre shteteve, por ajo që mund të themi pa fije rezerve ka të bëje me faktin, se hapësira që u dha në shtypin europian dhe atë amerikan krimeve të kryera në Ballkan, ndikuan drejtpërdrejt që Fondacioni Karnexhi për Paqe Ndërkombëtare[21] të krijonte një komision ndërkombëtar të përbërë nga juristë dhe politikanë austriakë, francezë, gjermanë, britanikë, rusë dhe amerikanë, që të hetonte vërtetësinë e lajmeve për tmerret që kishin ndodhur gjatë luftërave ballkanike.
Vlen të përmendet këtu, se ithtarët e Fondacionit Karnexhi ishin tepër kritikë për përmbajtjen e konventave që përcaktonin ligjet dhe zakonet e luftës dhe mënyrën se si e shihnin juristët e të drejtës ndërkombëtare çështjen e luftës. Për anëtarët e këtij fondacioni shumë më e rëndësishme ishte “organizimi i arbitrazhit, ndërmjetësimi dhe vullneti i mirë që synon parandalimin e luftës, sesa përpjekjet për ta bërë të njerëzishme atë”[22]. Mirëpo, duke parë “shkeljen e të gjitha klauzolave të së drejtës ndërkombëtare për luftën”[23] pikërisht nga “palët ndërluftuese që ishin nënshkruese të Konventës së vitit 1907”[24], ata u angazhuan të bënin këtë hetim.
Siç theksohet edhe në raportin e Fondacionit Karnexhi, “në Ballkan luftën e bëjnë vetë kombet” dhe pushtimi i vendbanimeve shoqërohet “me dëshirën që të zëvendësohet popullsia vendase me pjesëtarët e kombit të vet. Kjo është arsyeja përse këto luftëra janë kaq të dhimbshme, përse ato prodhojnë humbje kaq të mëdha në njerëz, dhe përse ata kulmojnë në asgjësimin e popullsive dhe shkatërrimin e rajoneve të tëra…”[25].
Pa u zgjeruar në shembujt e logjikës Bellum omnium contra omnes[26], që mbizotëron në Ballkan, do të ndalem vetëm në çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët.
Në funksion të fshehjes së krimeve ndaj shqiptarëve, Qeveria e Serbisë nuk i lejoi këtij komisioni ndërkombëtar të bënte hulumtime në territoret që kontrolloheshin prej saj. Për këtë çështje në raport sqarohet me sa vijon:
“(…) Në kufirin shqiptar, ku keqtrajtimet po rifillonin, vizita e Komisionit u kundërshtua. Lidhur me këtë çështje, një gazetë serbe ngriti një pikëpyetje që duhet adresuar, pavarësisht motivit të saj. Pikërisht ditën e largimit me forcë të Komisionit (13/26 gusht), ‘Trgovinski Glasnik’ u përpoq të arsyetonte veprimin e qeverisë serbe duke deklaruar se në Ballkan do të ndërmerrej një hetim ndërkombëtar që kërkonte kompetenca juridike, kompetenca të cilat, në një shtet të pavarur dhe sovran, ishin ekskluzivitet i qeverisë (vendase). Nisja e një hetimi të kësaj natyre, sipas gazetës, nënkuptonte kufizim të sovranitetit dhe ndërhyrje në të drejtat e shtetit. Për sa kohë shteti nuk binte dakord dhe nuk jepte leje të posaçme për kryerjen e hetimeve, vetë emërimi i një komisioni të tillë përbënte në vetvete ‘një akt të arbitrazhit ndërkombëtar’”[27].
Megjithatë, gjatë muajit gusht dhe shtator të vitit 1913, anëtarët e komisionit arritën të mblidhnin të dhëna të mjaftueshme, qoftë nëpërmjet bisedave me të mbijetuar, fotografimin e vendbanimeve të djegura, grumbullimin dhe arkivimin e letrave, njoftimeve, vendimeve që u mundësuan të vinin deri te një pasqyrë e përafërt për atë që u munduan të fshihnin qeveritarët serbë.
Kapitulli IV i këtij raporti titullohet “Lufta dhe kombësitë” dhe i kushtohet shfarosjes, emigrimit dhe asimilimit[28]. Madje pika e parë e tij mban nëntitullin “Shfarosja, emigrimi dhe asimilimi”. Në bazë të hulumtimit që kishin bërë, përpiluesit e raportit të Fondacionit Karnexhi kishin ardhur në përfundim se: “(…) qëllimi i këtyre konflikteve të armatosura, qofshin ato të hapura ose të fshehta, të konceptuara qartësisht ose të vështira për t’u perceptuar, është kudo dhe gjithnjë i njëjti: shfarosja e plotë e një popullsie tjetër. Në disa raste, ky qëllim është shprehur në formën e një ‘urdhri’ të prerë dhe të pakthyeshëm për eliminimin e të gjithë meshkujve të popullsisë në rajonet e pushtuara”[29].
Duke u mbështetur në disa letra të ushtarëve grekë, vërtetësia e së cilave nuk vihet në dyshim, nxirret në pah urdhri që kishin marrë ushtarët: “Ne duhet të djegim fshatrat, të masakrojmë të rinjtë, duke mos kursyer askënd përveç pleqve, fëmijëve dhe të miturve”. Ajo që synohet është e qartë: nuk duhet të shpëtojë askush, përveç atyre që nuk janë më në gjendje të vijojnë racën e vet dhe atyre që janë në një moshë aq të re sa mund të humbin përkatësinë përmes edukimit grek”[30].
Sa u përket ushtrive sllave, urdhra të njëjtë nuk mundën të siguronin. Përkundrazi. Në funksion të fshehjes së përgjegjësisë në zinxhirin komandues të krimeve, haset edhe në urdhra të kundërt. Mirëpo, duke u mbështetur “në bashkëbisedime private” hulumtuesit konstatuan se “karakteristika e lartpërmendur ndeshet vazhdimisht. Ajo që tregon se këto biseda nuk ishin thjesht një mënyrë e të shprehurit, është fakti se popullata turke u përndoq nga bullgarët, ashtu si ajo shqiptare nga serbët. Në rastin e bullgarëve, kjo dëshmohet nga djegia e të gjitha lagjeve turke në fshatra, të cilët u vizituan nga anëtari i Komisionit në Traki. Për sa i përket serbëve, ne disponojmë prova të pakundërshtueshme në formën e një letre nga një anëtar i ushtrisë serbe, botuar në gazetën socialiste serbe “Radnitčke Novine” të datës 9-22 tetor. Përmbajtja e kësaj letre është shumë e ngjashme me letrat e ushtarëve grekë.
‘Miku im i dashur’, shkruan ushtari. ‘Nuk kam kohë të të shkruaj gjatë, por mund të të them se këtu po ndodhin gjëra të tmerrshme. Jam i lebetitur prej tyre dhe vazhdimisht pyes veten se si njerëzit mund të jenë aq barbarë sa të kryejnë të tilla mizori. Është e tmerrshme. Nuk guxoj (edhe sikur të kisha kohën që nuk e kam) të të shkruaj më tepër, por mund të të tregoj se Luma (një rajon shqiptar përgjatë lumit me të njëjtin emër), nuk ekziston më. S’ka mbetur gjë, veç kufomave, pluhurit dhe hirit. Në fshatra me 100, 150 apo 200 shtëpi, nuk ka ngelur më asnjë njeri, asnjë për be. I grumbullojmë njerëzit në grupe nga dyzet a pesëdhjetë veta dhe më pas i therim me bajoneta një për një. Plaçkitjet vijojnë. Oficerët u thanë ushtarëve të shkonin në Prizren dhe të shisnin çfarë kishin vjedhur”. Gazeta që botoi këtë letër shton: ‘Personi në fjalë na tregoi edhe ngjarje më të tmerrshme se këto (!); por ato janë kaq të dhimbshme dhe tronditëse, saqë vendosëm të mos i botojmë’”[31].
Përveç dëshmisë së ushtarit serb, në raport përmendet një letër e dërguar nga Elbasani dhe një raportim përmbledhës për gjendjen në territoret shqiptare të okupuara nga forcat serbe dhe malaziase, të publikuara në gazetën bullgare “L’Écho de Bulgarie”[32]. Përkundër asaj se komisioni nuk arriti të vërtetojë saktësinë e pohimeve të këtyre shkrimeve, në raport thuhet në mënyrë të qartë: “Nuk ka asnjë arsye për të dyshuar në vërtetësinë e tyre, kur kemi parasysh atë që është parë dhe dëgjuar: Më 20 shtatorin e kaluar (kalendari i ri)[33], ushtria serbe kishte shtënë në dorë të gjithë bagëtitë e Malësisë së Dibrës. Barinjtë kishin qenë të detyruar të mbroheshin dhe kishin luftuar, por, të gjithë u vranë. Serbët kishin vrarë edhe dy krerët e fisit Luma, Mehmed Ademin dhe Xhafer Elezin, dhe, më pas, kishin plaçkitur e djegur të gjitha vendbanimet që u kishin dalë përpara: Peshkopi, Pjeçë dhe Doçisht në Dibrën e poshtme; Aliaj, Beg, Maç, Para, Obok, Kloboçishtë dhe Sollokiç, në Dibrën e sipërme. Në të gjitha këto vendbanime, serbët kryen masakra të frikshme si dhe dhunuan gra, fëmijë e pleq. Autoritetet e qytetit të Dibrës dhanë urdhrin që pazari i së dielës të mos hapej dhe që, atë ditë, banorët të mos dilnin nga shtëpitë. Dyzet e tetë persona të shquar (të zonës) u arrestuan. Kur serbët vunë re se banorët e fshatrave të plaçkitur, lista me emrat e të cilëve është publikuar më lart, kishin ardhur për të rimarrë bagëtitë e veta dhe po rrethonin qytetin, morën të burgosurit në fjalë dhe i vranë në mënyrën më të turpshme të mundur. Që atëherë, në mesin e shqiptarëve në Dibër e rrethina ka sunduar terrori dhe dëshpërimi, çfarë i detyroi ata të ngrinin krye. I sulmuan serbët me armë, sëpata, gurë e shkopinj. Vranë një numër serbësh, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan nga qyteti. Thuajse të gjithë të vrarët ishin eprorë serbë; ushtarët e mbetur gjallë kaluan në anën tjetër të lumit Radika”[34].
Në vijim të raportit, përpara se të citohet një pjesë e shkrimit të publikuar në të njëjtën gazetë të datës 3 dhe 16 tetor, raportuesit e Fondacionit Karnexhi kërkojnë nga lexuesit që “të shohin ‘Reichspost’ të 29 shtatorit ku gjendet dhe lista e masakrave të kryera në dy javët e para të shtatorit të 1913-ës, të pasqyruara në peticionin e mbledhjes së përfaqësuesve shqiptarë në Shkodër më 21 shtator”[35] dhe vazhdon: “Fshatrat e përmendura më poshtë, me popullsi të përzier, shqiptare e bullgare, u plaçkitën dhe u dogjën: Loçnan, Lisiçan, Gitoçe, Dibricë, Harliçë, Desovë, Kradeshnicë, Pçelopek. Shumë familje myslimane nga këto fshatra, përfshirë gra dhe fëmijë, u masakruan pa mëshirë. Me të hyrë në fshatin Porçasijë, ushtria e rregullt serbe i dërgoi të gjithë burrat jashtë fshatit. Më pas solli atje gratë, ku u kërkuan para, një farë haraçi, në shkëmbim të lirisë së burrave të tyre. Gjithsesi, pas pagesës së haraçit, burrat e mjerë u kyçën në xhami, e cila, më pas, u hodh në erë me katër predha. Në fshatin Sulp, shtatëdhjetë e tre shqiptarë pësuan një vdekje të tmerrshme dhe dyzet e shtatë të tjerë nga fshati Pçelopek u bënë pre e një atentati të ulët. A nuk ishte prefekti i Krushevës ai që, kur ushtria serbe po kthehej nga kufiri shqiptar, haptazi i bëri thirrje që të digjte të gjitha fshatrat që ndodheshin midis Krushevës dhe Ohrit?”[36].
Duke u mbështetur në dëshmi të tilla, në raport vihet te përfundimi: “Delegacioni shqiptar, i cili më 21 shtator iu drejtua Fuqive të Mëdha në emër të popullatës së Gjakovës, Pejës, Plavës, Gucisë dhe ish-vilajetit të Kosovës, nuk e teproi aspak kur në lidhje me inskenimin e kryengritjes deklaroi se ‘që nga dita e parë që pushtuan territorin shqiptar, trupat e rregullta serbe e malazeze ndërmorën dhe bënë gjithçka mundën ose për të detyruar banorët të humbnin kombësinë e tyre, ose për të shtypur brutalisht racën shqiptare. Mjetet që ushtria serbo-malazeze ka përdorur dhe vazhdon të përdorë me qëllim transformimin e plotë të karakterit etnik të rajoneve të banuara ekskluzivisht nga shqiptarët janë shtëpi dhe fshatra të tëra të bëra pluhur e hi, popullata të paarmatosura e të pafajshme të masakruara në masë, akte të pabesueshme dhune, plaçkitje, brutalitet të çdo lloji e të tjera”[37].
[1] Leo Freundlich, Albaniens Golgatha: Anklageakten gegen die Vernichter des Albanervolkes (Golgota shqiptare: Dosjet e akuzës kundër shfarosësve të popullit shqiptar), Wien 1913. Verlag der Buch-und Kunstdruckerei Josef Roller & Co. III., Seldlgassa, f. 4-6.
[2] Po aty, f. 6.
[3] Po aty, f. 8.
[4] Po aty, f. 7.
[5] Po aty, f. 8.
[6] Po aty, f. 8-9.
[7] Po aty, f. 9.
[8] Po aty, f. 11.
[9] Po aty, f. 10.
[10] Po aty, f. 11.
[11] Në shkrim përdoret emri turqisht i Tetovës, Kalkandele.
[12] Po aty, f. 12.
[13] Po aty, f. 12
[14] Po aty, f. 15.
[15] Po aty, f. 17.
[16] Po aty, f. 16.
[17] Po aty, f. 13.
[18] Po aty, f. 19.
[19] Po aty, f. 18.
[20] Po aty, f. 11.
[21] Fondacioni Karnexhi për Paqe Ndërkombëtare (Carnegie Endowment for International Peace) u themelua në Uashington, në vitin 1910, nga filantropi Andrew Carnegie.
[22] Carnegie Endowment for International Peace, Division of intercourse and education, Publication No.4, Report of the International Commision,To Inquirein to the Causes and Conduct of the Ballkan wars, Published bay the endowment, Washington, D.C, 1914, f. 14. Teksti i plotë i raportit është publikuar edhe në faqen e internetit dhe të interesuarit mund ta gjejë në: http://www.pollitecon.com/html/ebooks/Carnegie-Report-on-the-Balkan-Wars.pdf
[23] Po aty, f. 14.
[24] Po aty, f. 233. Bëhet fjalë për konventën lidhur me ligjet dhe zakonet e luftës në tokë (Convention concernant les lois et coutumes de la guerre sur terre), të miratuar më 18 tetor 1907, në Hagë. Nënshkruese të kësaj konvente ishin edhe Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria. Për nënshkruesit dhe përmbajtjen e kësaj konvente shih: https://www.fedlex.admin.ch/eli/cc/26/429_338_411/fr
[25] Po aty, f. 148.
[26] Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve. Shprehje latine që u bë e njohur falë veprës “Leviathan” të Thomas Hobbes.
[27] Raporti i lartpërmendur i Fondacionit Karnexhi, f. 233.
[28] Chapter IV, The War and the Nationalities, f. 148-207.
[29] Po aty, f. 148.
[30] Po aty, f. 148.
[31] Po aty.
[32] Jehona e Bullgarisë.
[33] I referohet kalendarit gregorian (shënim i përkthyesit).
[34] Raporti i lartpërmendur i Fondacionit Karnexhi, f. 149.
[35] Po aty, f. 150.
[36] Po aty, f. 151.
[37] Po aty, f. 150 -151.