Strategjia e ashpërsisë ushtarake e Izraelit kundër Hamasit më në fund po sjell suksesin e shpresuar. Tani strukturimi i së ardhmes së Rripit të Gazës nuk mund të shtyhet më.
Nga Peter Rásonyi [NZZ]
Terrori që lideri i Hamasit, Yahya Sinvar ushtroi në Lindjen e Mesme, ka marrë fund.
Numri i ekspertëve që deklaruan se qëllimet e ofensivës së Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës ishin joreale ishte i madh. Kryeministri Netanyahu nuk kishte kërkuar asgjë më pak se shkatërrimin e plotë të trupave të milicisë terroriste. Në këtë mënyrë ai justifikoi veprimet jashtëzakonisht të ashpra të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës me shkatërrimin e më shumë se gjysmës së ndërtesave të banimit dhe të pjesës më të madhe të infrastrukturës, si dhe vdekjen e mbi 35,000 palestinezëve, duke përfshirë një numër të madh, të panjohur civilësh.
Në fillim të ofensivës izraelite, qëllimi i Netanyahu-t u konsiderua i paarritshëm nga shumica e ekspertëve. Edhe presidenti Biden, aleati më i rëndësishëm i Izraelit, ka kërkuar një armëpushim në Rripin e Gazës prej muajsh. Por Netanyahu e la Bidenin të vazhdimisht dhe përherë të dështonte.
Hamasi është dobësuar ndjeshëm
Vdekja e konfirmuar tani e Yahya Sinvar, liderit dhe strategut kryesor të Hamasit, që ishte edhe arkitekti i sulmit vrastar ndaj Izraelit më 7 tetor, i jep Netanyahut konfirmimin përfundimtar: kokëfortësia e Izraelit ishte e drejtë. Loja e fshehtë dhe e kërkimit e Sinvar-it në tunelet e Hamasit mori një kohë zhgënjyese të gjatë, por IDF më në fund ishte në gjendje të mbante përgjegjës vrasësin masiv. Pas vrasjes së Sinvar -it, dhe para asaj të liderit politik të Hamasit, Ismail Haniya në Teheran – organizatës terroriste iu pre koka.
Vdekja e figurës misterioze të Hamasit përfaqëson një dobësim të jashtëzakonshëm të Hamasit. Dhe në sytë e verbuar të islamistëve, askush nuk mund të mburrej një triumf më të madh në fushatën kundër armikut dërrmues sesa Sinwar, organizatori i terrorit të 7 tetorit. Me vdekjen e këtij njeriu, jo vetëm që u eliminua një strateg i aftë paraushtarak, por edhe një idhull i xhihadit vrasës që festohej shumë përtej kufijve të Gazës.
Nevojitet vizion i ri për Rripin e Gazës
Parashikimi i ekspertëve ka të ngjarë të dalë i saktë pasi Hamasi tani është shkatërruar në masë të madhe, por jo i çrrënjosur. Ai përfundimisht do të ngrihet përsëri nga trualli i pasur e urrejtjes, mjerimit dhe shkatërrimit. Pas Sinvarit, si gjithmonë pas një suksesi izraelit, një udhëheqës i ri nga radhët e milicisë do të ngjitet në krye.
Kjo është arsyeja pse tani do të ishte edhe më e rëndësishme të kishim një koncept për të ardhmen e Rripit të Gazës. Sulmi i 7 tetorit në veçanti tregon se strategjia e vjetër e lënies së Rripit të Gazës në duart e huaja ose nën diktatin e Hamasit pas tërheqjes së trupave izraelite në 2005 ka rezultuar fatale. Milicia terroriste përdori autonominë për të krijuar një regjim terrori që shërbente për të armatosur dhe terrorizuar Izraelin.
Izraeli ka interes të madh sigurie për shmangien e një vakumi pushteti në të cilin organizata terroriste mund të rikthehet dhe të riarmatoset për t’u bërë kërcënimi i ri për Izraelin. Por, një koncept i tillë nuk është në horizont. Netanyahu gjithmonë e ka shtyrë këtë deri në momentin e fitores kundër Hamasit. Tani ai është aq afër sa vonesa e mëtejshme nuk është më e pranueshme.
Por si mund të duket një vizion kuptimplotë dhe realist për Rripin e Gazës? Kushdo që kërkon përgjigje do ta kuptojë shpejt pse Netanyahu e ka shtyrë këtë çështje për një kohë sa më të largët.
Nuk ka konsensus ndërkombëtar për Gazën
Në pranverë, Liga Arabe propozoi dërgimin e një force paqeruajtëse të OKB-së në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, por asgjë nuk pasoi. Emiratet e Bashkuara Arabe e morën idenë në verë dhe e ndërlidhën atë me qëllimin e krijimit të një shteti të pavarur palestinez. Kjo është e papranueshme për Izraelin për shkak të mungesës së garancive të sigurisë. Në të njëjtën kohë, vetë Netanyahu prezantoi një vizion që parashikonte rindërtimin e Rripit të Gazës nën mbikëqyrjen e shteteve arabe. Izraeli do të ruante aksesin në territor për të garantuar sigurinë e tij atje. Ky vizion i paqartë u refuzua në mënyrë brutale nga Emiratet.
Në qarqet shoqërore të krahut të majtë në Izrael, vizioni i një zgjidhjeje me dy shtete vazhdon të mbështetet, pa qenë e qartë se si Izraeli mund të garantonte sigurinë e tij në fqinjësinë e një shteti palestinez.
Planet e partive ultra të djathta dhe partnerëve qeveritarë të Netanyahut janë edhe më konkrete. Ata kërkojnë pushtimin e përhershëm dhe vendosjen e hebrenjve të Rripit të Gazës. Natyrisht, kjo do të përmbyste afrimin e Izraelit me shtetet arabe dhe do të kërkonte përpjekje dhe kosto të larta afatgjata për të ruajtur sigurinë e tij në Rripin e Gazës së pushtuar. Në fund të fundit, opsioni mbetet për t’u kthyer në status quo-në e mëparshme: një Rrip i Gazës i lënë në duart e veta, i izoluar nga Izraeli nga sisteme edhe më të mëdha dhe më të forta të sigurisë kufitare.
Të gjitha opsionet janë ose joreale ose jashtëzakonisht të rrezikshme dhe të kushtueshme. Megjithatë, tani që Hamasi është mundur, formimi i së ardhmes së Rripit të Gazës nuk mund të shtyhet më tej. Komuniteti ndërkombëtar i shteteve, por kryesisht Izraeli dhe shtetet arabe, janë në kërkim të një zgjidhjeje. Tashmë problemi nuk do të duhej të zvarritej pambarim. [Përktheu: ISHGJ]