Tensionet mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit francez Emmanuel Macron janë përshkallëzuar pas komenteve të Macron për rolin e Kombeve të Bashkuara në themelimin e Izraelit.
Gjatë takimit me ministrat e tij, Macron-i theksoi se lideri izraelit nuk duhet të “injorojë vendimet e Kombeve të Bashkuara”, duke kujtuar rezolutën kryesore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 1947 që vendosi ndarjen e Palestinës në një shtet hebre dhe arab.
Netanyahu u kundërpërgjigj, duke hedhur poshtë theksin e Macron-it në rezolutën e OKB-së si bazë për krijimin e Izraelit – raporton POLITICO. Ai deklaroi se shteti i Izraelit u krijua duke fituar Luftën e Pavarësisë në 1948, jo me një vendim të OKB-së, duke vënë në dukje se të mbijetuarit e Holokaustit, përfshirë ata që i mbijetuan regjimit të Vichy-së në Francë, luajtën një rol kyç në atë luftë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Vichy bashkëpunoi me Gjermaninë naziste dhe mori pjesë në dëbimin e mijëra hebrenjve francezë.
Acarimi i marrëdhënieve
Mosmarrëveshja ka acaruar më tej marrëdhëniet midis dy liderëve, veçanërisht në dritën e sulmeve të fundit izraelite në Libanin jugor, ku janë vendosur paqeruajtësit e OKB-së, përfshirë ushtarë francezë.
Franca, e cila historikisht ka pasur lidhje të ngushta me Libanin, ka kritikuar operacionet e Izraelit dhe Macron-i kohët e fundit bëri thirrje për ngrirjen e dërgesave të armëve në Izrael.
Tensionet u rritën më tej pasi Franca u përpoq të ndërmjetësonte një armëpushim midis Izraelit dhe Hezbollahut muajin e kaluar, i cili u prish nga sulmet izraelite që vranë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Netanyahu e quajti kritikën e Macron-it për dërgimin e armëve “të turpshme”, duke theksuar dallimet serioze në qasjen ndaj konflikteve në Lindjen e Mesme midis Izraelit dhe Francës. [GN/ISHGJ]