Nga Prof. dr. Rami Memushaj
Ditën e përurimit të xhamisë së Namazgjasë, kreu i Drejtorisë së Çështjeve Fetare të Turqisë ushtarët osmanë të vrarë në Shqipëri gjatë pesë shekujve i quajti martirë që ranë “për të sjellë islamin në Shqipëri”.
Ky klerik i lartë turk, doktor i shkencave për historinë e besimeve, nuk e ka nxjerrë nga koka këtë pohim. Ka mësuar në lëndën e historisë se ushtritë osmane iu turrën Europës për të përhapur islamin, si një mision hyjnor i ngarkuar nga Pejgamberi dhe formimi i gjymtë historik nuk e lejon të kuptojë që luftërat s’bëhen për qëllime hyjnore.
Në këta dy mijë vjet që nga lindja e monoteizmit luftërat pushtuese janë bërë nën flamurin e kryqit apo të gjysmëhënës, po qëllimet nuk kanë qenë fetare, por ekonomike, për të shfrytëzuar vendet e pushtuara.
Të gjitha shtetet pushtuese e shkruajnë historinë nga këndvështrimi i pushtuesit, pa kurrfarë ndjese për të këqiat që u kanë shkaktuar popujve të pushtuar. Ato nuk flasin për krimet që kanë kryer ndaj këtyre popujve dhe nuk besoj të ketë ndonjë syresh që ta ketë korrigjuar historinë e vet e t’u ketë kërkuar falje viktimave të pushtimeve të tij.
Përkundrazi, kur hyjnë në lidhje miqësore me ta, u kërkojnë ta rishkruajnë historinë, dmth. të mos flasin për krimet e kryera ndaj tyre. P.sh., këtë na kanë kërkuar grekët pas viteve ’90 dhe nuk dimë a e kanë rishkruar historinë e Shqipërisë komisionet e historianëve të ngritura për këtë qëllim.
Këtë nën zë e mbi zë kërkojnë ta bëjnë edhe turqit e sotëm – klerikë, politikanë e profesorë – që na quajnë “vëllezër” prej shekujsh e që na kujtojnë shqiptarët që bënë karrierë në Perandorinë Otomane apo si “kanë ndihmuar” për shkrimin e shqipes dhe mësimin e saj në shkolla etj.
Rishkrimin e historisë sonë, ose, më mirë, përdhosjen e saj kërkojnë ta bëjnë edhe ca historianë tanët, ndonjë “filozof” turkoman dhe ca imamë të shkolluar në medresetë dhe universitetet islamike, të cilët flasin për islam paqësor, duke harruar historinë e luftërave kundërosmane që filluan me Gjergj Arianitin, vazhduan me Skënderbeun dhe përfunduan me kryengritjet e fuqishme të viteve 1910–1912.
Përdhosjen e historisë sonë po e bëjnë çdo ditë elementë turkomanë në Shqipëri, Kosovë e në Maqedoni të Veriut. Në Dibër të Madhe, gjeneralit osman Hajredin Pasha, që shtypi kryengritjen e Dibrës të vitit 1844, këta i kanë ngritur xhami, në përurimin e së cilës morën pjesë, për turp të tyre, edhe politikanë vendas e të Shqipërisë!
Atij Hajredin Pashe, terrorit të të cilit dibranët iu kundërvunë trimërisht duke i shkaktuar humbje të rënda, siç thotë kënga “Hajredin Pasha”, të cilën dibranët e konsiderojnë si pasaportë krenarie të tyre:
“N’ fushë t’ Gjorices o more te kalaja,
Hajredin Pashen more e ka gjet belaja.
……
Hajredin Pasha, ku e ke o ushtrinë?
Malet e Dibrës o more m’i kan’ gri.
Malet e Dibrës o kan’ met o të tanë
Nuk jan pak o more, por 12 mijë
Këtij i ngrenë xhami e ndoshta, po të mos i ndalë njeri, nesër edhe përmendore, për të poshtëruar deri në fund krenarinë e dibranëve.
Këta revizionues e përdhosës të historisë i përgënjeshtron vetë kryemyftiu turk – që nuk është një klerik i rëndomtë, po profesor historie – duke përpallur mu në mes të Tiranës dhe me zë bubullues të vërtetën historike se islami në Shqipëri është përhapur me dhunë.
Pas këtij deklarimi janë krejt pa vlerë pohimet se islamizimi i Shqipërisë është bërë pa dhunë, se Perandoria Otomane ka qenë liberale në punë të fesë, se shqiptarët e kanë përqafuar me dëshirë fenë myslimane etj. E vërteta është ajo që pranon me plot gojën imami turk se feja islame në Shqipëri e Ballkan është përhapur me forcën e shpatës.
Ligji mysliman u jepte të “pafeve” tri alternativa: ndërrimin e besimit, pagesën e haraçit ose luftën. Nga këto tri të këqija, dhënia e haraçit duket si ishte e keqja më e vogël. Por nuk ishte ashtu. Mjafton një shembull i vetëm nga “Defteri i sanxhakut të Shqipërisë” i viteve 1431–1432 për ta vërtetuar këtë.
Sipas këtij defteri, një fshat i Labërisë me 43 hane (shtëpi) duhej t’i paguante spahiut taksën e rajasë (ispenxhën) dhe të dhjetën, gjithsej 3166 akçe; kurse shtetit 1935 akçe për xhizjen (45 akçe për shtëpi të krishterë), xhelepin për bagëtitë (gjysmë akçe për krerë), topjakun (taksë për kullotën), të dhjetën e gjakut (tribut vjetor i fshatit me djem të vegjël për t’i marrë për jeniçerë) si dhe një varg detyrimesh të zakonshme e të jashtëzakonshme.
Nga gjithë këto taksa, vetëm taksat e spahiut dhe xhizja për shtetin bënin 5101 akçe, dmth. 119 akçe për shtëpi. Paguar me drithë, çdo shtëpie të këtij fshati i duhej të prodhonte 2.380 okë grurë (rreth 30,5 kv), që të jepte si taksë një të dhjetën, 238 okë (1 okë = 0,5 akçe), baras me 3 kv grurë; paguar me dhen, çdo familje duhet të jepte si taksë 12 dhen (1 dele = 10 akçe). Edhe vetëm këto dy taksa ishin një barrë e papërballueshme për familje që kishin jo më shumë se një ha tokë.
Për ata që s’dëgjonin të paguanin haraçin, vinte pastaj “lufta”, dhuna, shtrëngimi. Digjeshin kishat, vriteshin klerikët. P.sh., në Progonat të Kurveleshit, për të mposhtur qëndresën e banorëve, turqit mblodhën në kishë banorët që nuk kishin pranuar të ndërronin fenë dhe i therën gjithë, duke bërë një pirg me kokat e prera, me kokën e kryepriftit të fshatit në krye të pirgut.
Një dëshmi tjetër e kësaj dhune është ajo e dy pleqve 85-vjeçarë nga Mazëreku dhe Smokovina e Çamërisë të cilët më 1655 rrëfejnë para gjykatësve të Leçes (Itali) për terrorin e osmanëve mbi fshatin e tyre, që, për t’i detyruar të ndërronin fenë, “dëboheshin me kamxhik nga kishat e nga vendbanimet e tyre e pastaj dëboheshin përsëri edhe nga vendstrehimet provizore e nga kishat e sajuara jashtë vendbanimeve, derisa detyroheshin të merrnin rrugën e mërgimit”.
Himarjotët, në letrën e vitit 1577 për Papën, thonë se “turqit kanë dhunuar tri herë rezidencën e peshkopit dhe pastaj e dogjën”. Kurse prifti arbëresh Zef Skiroi, në një relacion të vitit 1730 për Vatikanin, thotë se ishin ftuar për të predikuar jashtë Himarës “nga shqiptarët e mjerë që ishin pa priftërinj e pa besim”, po nuk mund të shkonin në ato vende se ndiheshin të rrezikuar” nga turqit.
Dhunën e ushtruar për ndërrimin e besimit e kanë dëshmuar edhe të huajt. Kështu, Ibrahim-Mansur Efendiu, që i shërbeu Ali Pashë Tepelenës si oficer artilerie, shkruan se më 1818, veziri i urdhëroi banorët e një fshati të krishterë në Labëri që të bëheshin myslimanë.
Nga frika e ndëshkimit të gjithë burrat e fshatit, me priftërinjtë e tyre në krye, u paraqitën të bëheshin synet. Ali Pashai dërgoi një imam nga Janina që t’u mësonte islamin dhe u kërkoi djem të rinj si pengje. Kështu bëri Ali Pasha me Fterrën e Kuçin për t’i shtrënguar të myslimanizoheshin. Më 1812 afër njëqind familje ortodokse të Kuçit u detyruan të konvertoheshin kur Ali Pashai i kërcënoi se do t’u digjte fshatin.
Dhe rastet kur otomanët kanë ushtruar dhunë ndaj të krishterëve për t’i islamizuar, janë të shumta dhe nga çdo anë e tokave shqiptare.
Përveç taksave të papërballueshme, të krishterët ngarkoheshin edhe me detyrime e pengime të tjera, siç ishte e dhjeta e gjakut, pengimi i të krishterëve për të bërë tregti me qytetet përreth dhe për të lëvizur bagëtitë në kullotat dimërore apo verore etj.
Evlia Çelebiu thotë se rojtësit shqiptarë të kalasë së Zhulatit kishin qenë të krishterë që qenë shtrënguar të pranonin fenë islame, pasi Mehmet Pasha i vogël kishte ndaluar shërbimin e të krishterëve si ushtarë të kësaj kështjelle. Format e diskriminimit të të krishterëve ishin të shumëllojshme, ndërkohë që myslimanët gëzonin shumë privilegje e lehtësira. P.sh., atyre u jepeshin tokat më të mira me ujë; ata nuk ujitnin në vapë, po në mëngjes a në darkë, kurse të krishterët duhej të ujitnin vetëm në vapë.
Prandaj, për t’u shpëtuar dhunës, taksave të shumta, së dhjetës së gjakut, angarive e detyrimeve të jashtëzakonshme për të krishterët, diskriminimit e keqtrajtimeve apo për t’u pranuar si mercenarë me pagë në ushtrinë osmane e për të përfituar ofiqe e pasuri, familje e fshatra të tëra të krishtera pranonin të ktheheshin në myslimanë.
Këto ishin arsyet e vërteta të myslimanizimit të shqiptarëve dhe jo ndonjë afeksion i veçantë për islamin. Por, për shkak të rrethanave të reja që u krijuan në trevat shqiptare në çerekun e fundit të shek. XVIII, qëndrimi i shqiptarëve ndaj islamit ndryshoi.
Ky ndryshim i qëndrimit do shpjeguar me atë që shqiptarët fenë e kanë parë jo aq nga aspekti spiritual sesa nga aspekti pragmatik, si mjet për ruajtjen e shqiptarësisë, ashtu siç e kanë parë edhe katolicizmin.
Kjo kthesë ndodhi pas vitit 1767, kur Porta e Lartë shkriu kryepeshkopatat e Ohrit e të Pejës dhe drejtimin e institucioneve fetare shqiptare e la në duart e klerikëve grekë, të cilët, si pararojë e nacionalizmit shovinist grek, kishin për mision helenizimin e shqiptarëve.
Duke filluar nga kjo kohë, sidomos në zona kufitare vërehet braktisja e fesë së krishterë dhe përqafimi me dëshirë dhe në masë i fesë islame, gjë që bëhej për të kundërshtuar greqizimin. Si rrjedhim, feja islame në trojet shqiptare fillon të marrë tipare kombëtare e të shërbejë si mburojë ndaj greqizimit e serbizimit.
Nga kjo kohë shohim se hoxhë e dervishë shqiptarë i bashkohen lëvizjes kombëtare, marrin pjesë në kryengritje e në lëvizjet kulturore për ndriçimin e kombit. Pra, në Shqipëri ndodhi një shndërrim në thelb i islamit nga fe e imponuar në fe kombëtare, me dy degë, suni e bektashi, po të dyja si përfaqësuese të islamit të moderuar shqiptar.
Dëshmi të dukurisë së apostazisë kemi nga Pukëvili, i cili tregon historinë e “banorëve të Moleshës, qytet ipeshkvnor midis Starovës dhe Beratit, të cilët vunë turbanin të gjithë njëherësh, rreth vitit 1766”. Edhe më shumë dëshmi të kësaj dukurie kemi nga prifti frëng Zhan Klod Faverial, në librin e tij “Historia e Shqipërisë” (Tiranë, 2004), të shkruar gjatë viteve 1884–1889. Faveriali, që shërbeu në Maqedoni në gjysmën e dytë të shek. XIX, tregon se pas daljes së dekretit perandorak të vitit 1767 apostazia mori përmasa të mëdha.
Madje edhe priftërinjtë, duke u ndodhur para trysnisë së kishës greke, pranonin konvertimin në masë në myslimanë. Kështu, sipas tij, 36 fshatra të ipeshkvisë së Pogonianit, të varur nga Berati, ndërruan fenë ditën e Pashkëve. Kështu ndodhi edhe në Nentë (Notini i vjetër), ku banorët e të cilit, të mbështetur edhe nga ipeshkvi i tyre “nuk donin t’i nënshtroheshin patrikut fanariot”. “Dhe atëherë, – shkruan Faveriali, – duke parapëlqyer muslimanizimin më tepër se kristianizmin grek, ipeshkvi ditën e pashkëve zbriti nga froni ipeshkvnor, shkeli me këmbë Ungjillin, mori në dorë Kuranin, u shpall turk dhe ftoi edhe të krishterët e tjerë të bënin të njëjtën gjë. Xhakoni i tij dhe banorët e Nentës ndoqën shembullin e tij.”
Pra, osmanët nuk mund të quhen vëllezër të shqiptarëve. Ata qenë pushtues dhe mbetën armiqtë e tyre që kur erdhën e derisa ikën. Ata shtypën me zjarr e me hekur qëndresën e popullit tonë, duke shkaktuar që në shekullin e parë të pushtimit 2-300 mijë arbër të mërguar në Greqi e Itali dhe shkatërrime e mjerime të pafund e dhjetëra e dhjetëra mijëra viktima derisa ikën. Si mund t’i quajmë vëllezër otomanët që, edhe kur Perandoria e tyre ishte duke dhënë shpirt, nuk pranonin t’i shqitnin duart nga Shqipëria, të cilën e lanë në gjendje të mjeruar, pa rrugë e pa ura, pa asnjë industri, pa shkolla shqipe e në injorancë të thellë.
Pushtim më barbar nuk njeh historia dhe për këtë turqit e sotëm nuk duhet t’i bëjë të ndihen krenarë.
Shqiptarët e sotëm janë vëllezër me turqit e Republikës Turke dhe kjo miqësi nuk shkon përtej 100 vjetëve.
Revizionuesit e historisë dhe imamët e indoktrinuar me islamin fanatik në Turqi e në vendet arabe të mbajnë mend ç’tha kryemyftiu turk në përurimin e xhamisë së Namazgjasë. Në vend që të përdhosim historinë, ajo që duhet bërë është të ruajmë islamin e moderuar shqiptar, si pjesë të identitetit tonë kombëtar, që ka shpëtuar nga greqizimi krahina në Shqipërinë e Jugut dhe nga sllavizimi Shqipërinë e Veriut, Kosovën e Maqedoninë Perëndimore. [DITA]