“Edhe hienat do t’i mbytnin në mënyrë më njerëzore!”
Nga Bardhyl MAHMUTI, politolog
Është e njohur shprehja, se mosndëshkimi i krimit trimëron kriminelin që ta përsërisë veprën e vet. E njëjta gjë ndodh edhe në nivele shtetërore. Indiferenca e Fuqive të Mëdha ndaj krimeve serbe, malaziase dhe greke inkurajoi vazhdimin e planeve, që synonin shkatërrimin e shqiptarëve në Ballkan.
Dhe ashtu ndodhi. Tri dekada më vonë, në kohën e luftërave ballkanike, kur popujt përpiqeshin të çliroheshin nga pushtimi shekullor osman, në vend që të pranonin aleancë me shqiptarët, sllavët në veri, grekët në jug, u vërsulën “kundër Shqipërisë së mjerë, të zënë tradhtisht, pa armë, mes dy zjarresh”[1].
Për shkak se objekti i hulumtimit tim artikulohet rreth çështjeve që lidhen me gjenocid dhe nuk synon ndriçimin e tërë asaj që ka ndodhur në atë periudhë, në këtë studim do të kufizohem në dëshmitë e nxjerra nga shkrimet e autorëve të huaj e që lidhen drejtpërdrejt me akte materiale që hyjnë në kategorinë e krimit të gjenocidit.
Fillimisht do të mbështetem te shkrimet e Kosta Novaković-it (Novakoviq) dhe të Dimitrije Tucović (Tucoviq), dy socialdemokratë serbë që kishin qenë dëshmitarë të krimeve sistematike të ushtrisë serbe, që synonin shkatërrimin[2] e shqiptarëve.
Në cilësinë e oficerit serb, Kosta Novakoviq kishte qëndruar katër muaj në territoret shqiptare gjatë pushtimit të një pjese të Shqipërisë nga forcat serbe në periudhën 1912-1913. Në ditarin e vet të luftës ai shkruan: “As Komanda supreme, as qeveria serbe nuk dha ndonjë plan se çfarë duhej të bëhej ose cili ishte qëllimi. Për të qëllimi ishte realizuar: Shqipëria ishte përvetësuar, ishte zaptuar dhe tani duhej të prisnim që të përfundonte lufta. Ndërkohë duhej të përqendroheshim në mënyrën e furnizimit të trupave tona dhe të kishim parasysh që edhe pakënaqësia më e vogël të shuhej në mënyrën më të përgjakshme. Të mos kursehet askush edhe në rastet e rezistencës individuale ndaj pushtetit serb dhe për një pushkë që mund të dëgjohet, të digjet i tërë fshati! Oficerëve iu dha urdhri me shkrim të ishin të pamëshirshëm dhe të vrazhdë ndaj popullsisë.
Askush nga strukturat e larta komanduese të ushtrisë nuk e mendonte se si do të reflektohej sjellja e ushtrisë ndaj popullsisë, çfarë ndjenjash do të provokohen tek ai ndaj ushtrisë sonë dhe rrjedhimisht edhe ndaj popullit serb, në emër të së cilit bëhej një gjë e tillë.
Komandat ushtarake konsideronin se vendosja e shtyllave ku mund të vareshin njerëzit dhe kërcënimi me vdekje ishin çështje parësore dhe më të domosdoshme për qeverisjen e Shqipërisë. Eprorët ushtarak nuk u përpoqën të mendonin ndonjë metodë tjetër për zgjidhjen e çështjes, meqenëse njëra nga metodat ishte aty: të vrasësh! (…)
Njeriu neveritet kur dëgjon nga goja e atyre njerëzve me sa gjakftohtësi flasin për therje njerëzish….Ne jemi bërë për shqiptarët, siç ishin turqit për ne. Çështja është se sa kohë do të duhet që të harrohen veprat tona; çështja është nëse politika jonë shtetërore do të mund ta përshpejtonte këtë harresë. Tani turqit nuk na duken aq të këqinj si përpara. Por u dashtë të kalojnë 500 vjet që padrejtësitë historike të rregullohen. Duhet të përpiqemi që shqiptarët të mos kenë nevojë për aq kohë që të na harrojnë si armiq”[3].
Socialdemokrati tjetër serb, Dimitrije Tucoviqi, është më i detajuar rreth krimeve të tmerrshme që kishte kryer ushtria serbe në Kosovë dhe Shqipëri, për të cilat Kosta Novakoviqi sugjeron që të bëhen përpjekje që shqiptarët të mos kenë nevojë 500 vjet për t’i harruar.
Në letrën drejtuar redaktorit të gazetës së socialdemokratëve serbë, “Radničke novine”[4], të botuar në numrin 223, të datës 22 tetor 1913 të kësaj gazete dhe të titulluar “Gjakmarrja e Soldateskës”, ndër të tjera, ai shkruan:
“Shoku redaktor,
Pikërisht këto ditë u bë një vit, qëkurse fiset e pikëlluara shqiptare bartin kryqin e tyre në Golgotë. Ky vit është viti i shfarosjes sistematike të popullsisë shqiptare në të gjitha viset e pushtuara nga ushtria serbe.
Gjatë këtij viti është derdhur shumë gjak nëpër grykat dhe fushëbetejat e gjera ballkanike. Por ajo që luftërave ballkanike u jep vulën e luftërave më barbare dhe më gjakatare të mesjetës së errët nuk janë përrenjtë e gjakut dhe kufomat e njerëzve të armatosur të rënë në luftë. Jo, ata janë përrenjtë e gjakut nga vrasja e popullsisë së paarmatosur, e fëmijëve të pafajshëm, e grave e të njerëzve të qetë të popullit punonjës të Kosovës[5], të Shqipërisë, të Maqedonisë dhe të Trakisë, faji i vetëm i të cilëve ishte që ata i luteshin Zotit në një gjuhë tjetër dhe që janë të një kombësie tjetër (…)
Këto krime nuk janë vepra individësh dhe nuk janë kryer vetëm se i është tekur dikujt, por ato janë pjesë përbërëse e “politikës kombëtare” të shteteve ballkanike. Ushtria serbe shfarosi shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri; ajo bullgare shfarosi turqit në Traki, ndërsa ushtria greke turqit dhe shqiptarët në Devoll, me bindjen kriminale se, duke vepruar në këtë mënyrë, do të bënin një ‘vepër kombëtare’, sepse duke i hequr nga faqja e dheut këta njerëz të pafajshëm, mendonin se po hiqnin qafe armikun, me të cilin do ta kishin të vështirë t’ia dilnin në krye në të ardhmen.
Edhe tash, pas gjithë atyre pamjeve të përgjakshme që të tronditin shpirtërisht, e kam të freskët kujtimin për raportin e parë lidhur me konfliktin e ushtrisë serbe me shqiptarët. Ky konflikt shpërtheu para shpalljes së luftës. Siç e përshkruan një dëshmitar që e ka parë me sytë e vet atë që ka ndodhur, ‘menjëherë pasi mashtruan shqiptarët, që të afroheshin në perimetrin e zjarrit të artilerisë, shrapnelat[6] tanë bënë një kërdi të tmerrshme mbi ta. Shqiptarët binin në grumbuj. Klithmat e tërbimit e të dhembjes gati barazoheshin me gjëmimin e topave. Duar, këmbë, koka dhe copat mishi shqiptarësh fluturonin në ajër. E kur zjarri i artilerisë u ndal, fushëbeteja nuk ishte mbuluar me kufoma, por me gjymtyrë të copëtuara, që dukeshin si ndonjë masë e lyer me ngjyrë të kuqe buzëkuqi (…)’
Edhe tani, pas marshimit të gjatë nëpër gërmadhat e djegieve prej Ristovcit deri në Lerina dhe prej Durrësit në Carevo Selo, nuk mund ta harroj përshtypjen që më ka bërë ngjyra e kuqërremtë e qiellit nga djegia e parë e fshatit. Në javët e para të luftës me turqit, ne nuk kishim natë, sepse lëviznim, fushonim dhe luftonim nën dritën e fshatrave shqiptare që digjeshin. Zjarret e fshatrave të djegura ishin i vetmi sinjal, me të cilin kolonat e ndryshme të ushtrisë serbe lajmëronin njëra-tjetrën se deri ku kishin arritur.
Me rënien e Kumanovës zbritën në Shkup gjithë ata njerëz të popullsisë shqiptare, të cilët ushtria serbe, duke depërtuar nga veriu, i shtynte përpara dhe pikërisht në vendin ku kërkonte strehë, gjeti vdekjen. Dukej sikur mesjeta ishte ngritur nga varri, si puna e atij despotit në qytetin Demir-Kapi, që kur dehej e argëtonte veten duke i hedhur njerëzit kryengulthi në valët e Vardarit.
Kur pushuan operacionet e luftës, dukej se po ndalej edhe zhdukja e popullsisë shqiptare. Brezi shqiptar që rrethonte kufirin e vjetër serb prej Mitrovicës deri në drejtim të Vranjës tashmë ishte fshirë nga faqja e dheut. Në këto aksione ishte shquar veçanërisht një njeri, i cili tash është deputet në Kuvendin Popullor!
Në Kosovë mbretëroi një qetësi varri. Vetëm aty-këtu kriste ndonjë pushkë në shenjë hakmarrjeje, e cila, sipas pohimeve të njërit prej kryeshefave më gjakpirës të qarkut në viset e reja, ishte provokuar nga qëndrimi “jo taktik” i organeve tona të pushtetit.
Vetëm në dukje mund të mendohej se sistemi i vrasjeve kishte pushuar së punuari. Në të vërtetë, ai nuk e kishte ndalur punën, sikurse nuk e ka ndalur as sot. Dhe ajo, shoku redaktor, që bëri ky sistem përpara sulmit shqiptar dhe me rastin e zmbrapsjes së tyre, ua kalon të gjitha tmerreve që janë bërë ndaj këtij populli gjatë këtij viti. Sapo hetohej ndonjë lëvizje jo e qetë e shqiptarëve drejt kufirit serb, komandantët kufitarë fillonin therjet. Ditë e natë, fantazmat e vdekjes qëndronin mbi kokat e popullsinë shqiptare të Pejës, të Gjakovës dhe të Prizrenit. Kush i shpëtonte vdekjes deri në mbrëmje, nuk ishte i sigurt se do të gdhihej i gjallë. Sepse pikërisht natën, koha më e mirë për kryerjen e krimeve më të këqija njerëzore, i nxirrnin nga shtretërit dhe burgjet dhe i dërgonin në poligone ekzekutimi. Nuk dëgjohej as pylli e lëre më të shtëna pushkësh: “qetësia” dhe “rregulli” mbretëronin gjithkund. Megjithatë, shqiptarët çdo natë zhdukeshin diku, a thua se çakejtë dhe hienat i nxirrnin prej këtyre shkrepave, i grabitnin nga shtëpitë e tyre dhe i çonin t’i mbytnin këta njerëz të mjerë. Madje edhe hienat do t’i mbytnin në mënyrë më njerëzore!
Kur u vura në dijeni për heroizmat e fundit të ushtrisë serbe dhe të pushtetit civil në viset e reja, mendova: vallë psikologjia kriminale e komitëve paska pushtuar tërë hierarkinë e pushtetit, prej kryeministrit e deri te xhandari i fundit, ndërsa ti, Serbi, nga do t’ia mbash me ta dhe ku do të ndalesh?
Në atë çast arritën lajmet mbi masakrën në Lumë, lajme të cilave nuk mund t’u besohej, edhe pse janë të vërteta të padiskutueshme, që vështirë mund të dëgjohen deri në fund kur t’i tregon dikush, por edhe më vështirë të shkruhen që t’i lexojë dikush tjetër. Ju e dini, shoku redaktor, se nga thika ose fisheku serb nuk ka vdekur vetëm një grua ose një fëmijë; nuk është djegur vetëm një shtëpi shqiptare dhe nuk është rrënuar me krisma të tmerrshme kulmi i djegur i shtëpisë mbi kokën e vetëm një familjeje shqiptare; nëpër retë e dendura të tymit nuk është dëgjuar cicërima e vetëm një fëmije në gjirin e nënës, cicërimat e fundit të këtyre krijesave të rrezikshme që, në emër të perëndisë, hapin llogore kundër pushtetit serb dhe çohen në kryengritje!
Në Lumë, ku kishin mbetur vetëm gratë me fëmijë në krahë, vajza, të sëmurët e pleqtë, fëmijë të të gjitha moshave, për më pak se dy orë u asgjësua një fshat i tërë dhe tani kemi fshat pa banorë, pa njerëz (…)”[7].
Përveç për krimet që kishte kryer ushtria serbe ndaj shqiptarëve, Dimitrije Tuceviq ngre zërin edhe ndaj krimeve që kishte bërë ushtria malaziase në territoret shqiptare të pushtuara prej saj. Në shkrimin e titulluar “Kasaphanë në Pejë dhe në Gjakovë”, i botuar në “Radničke novine”, Dimitrije Tuceviqi thekson:
“Si ujq të tërbuar, malazezët u vërsulën ndaj çdo gjëje që mund të grabitej: plaçkitën shtëpi, dyqane, torishtë, hambarë dhe çdo vend ku kishte diçka për të plaçkitur. Mirëpo pa këtë ‘çlirim’, askush më shumë se shqiptarët nuk e ka përjetuar se çfarë mund të bëjë tërbimi i këtyre fiseve primitive, të cilët ende shohin në prerje kokash të vetmen formë trimërie, që dëshmohet nga fshatra të djegura dhe banorë të vrarë në të gjitha vendbanimet që i kanë pushtuar…” [8].
Si shembull përmendet “prerja e kokave të 243 pjesëtarëve të fisit Kuç[9], në mesin e të cilëve kishte vetëm 17 ushtarë, të aftë për pushkë, ndërkaq të tjerët ishin pleq dhe fëmijë, shumica e të cilëve nuk kishin as flokë; djelmosha që ende nuk i kishin rënë brisk fytyrës, ndërsa pleqtë e çaraveshur, me dhëmbë të rënë nga pleqëria, të cilët ishte pikëlluese t’i shihje të gjallë, e lëre më tani në atë grumbull kokash të prera…
As sot knjazi nuk ju drejtohet ndryshe malazezët, pos me pyetjen: ‘O sokol, a ke prerë koka turqish dhe shqiptarësh?’… Kështu që e bënë rrafsh me tokë dhe e vranë tërë fisin Krasniqi, që ishte në perimetrin e operacioneve të ushtrisë malazeze. Barbaria malazeze ndaj Krasniqes lirisht mund t’i qëndrojnë përkrah barbarisë së ushtrisë serbe në Lumë: metoda të njëjta, pafytyrësi e njëjtë, e njëjta etje për gjak!”[10].
Megjithëse dy socialdemokratët serbë theksojnë se qeveria serbe dhe komanda ushtarake e Serbisë kishte mbajtur të fshehur planin që u zbatua “në vitin e shfarosjes sistematike të popullsisë shqiptare në të gjitha viset e pushtuara nga ushtria serbe”, ata publikuan fakte të shumta, që dëshmojnë se kishim të bënim me të njëjtën kornizë programore gjenocidale, “etničko čišćenje”-n, në kuadër të së cilës u përdorën të gjitha mjetet që ishin zbatuar edhe në kohën e dy kryengritjeve serbe të dekadave të para të shekullit XIX, me qëllim shkatërrimin e shqiptarëve: e njëjta “etje për gjak”, e njëjta egërsi, ku “edhe hienat do t’i mbytnin në mënyrë më njerëzore”, “vrasja si metodë e vetme” për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare në Ballkan, “përrenj gjaku nga vrasja e popullsisë së paarmatosur, e fëmijëve të pafajshëm, e grave dhe e njerëzve të qetë të popullit punonjës të Kosovës[11], të Shqipërisë, të Maqedonisë dhe të Trakisë…”, ku “zjarret e fshatrave të djegura ishin i vetmi sinjal, me të cilin kolonat e ndryshme të ushtrisë serbe lajmëronin njëra-tjetrën se deri ku kishin arritur”, të bindur se “duke vepruar në këtë mënyrë, do të bënin një ‘vepër kombëtare’, sepse duke i hequr nga faqja e dheut këta njerëz të pafajshëm, mendonin se po hiqnin qafe armikun, me të cilin do ta kishin të vështirë t’ia dilnin në krye, në të ardhmen”.
Për krimet e ushtrisë serbe raportoi edhe njëri nga mendimtarët më të shquar të marksistëve rusë, Leon Trocki[12]. Si korrespondent i gazetës “Kievskaya Mysl“, ai mori leje nga pushteti në Beograd që të vizitonte Shkupin. Mirëpo ende pa mbërritur në vendin për ku ishte nisur, Trocki-t iu bë e qartë se kishte hyrë në “skenën ku luhej njëra nga tragjeditë më të rënda njerëzore të fillimshekullit XX”.
Në reportazhin e titulluar “Prapa perdes (Krimet shoviniste)”, të publikuar në “Kievskaya Mysl” më 23 dhjetor 1912, Trocki shkruan: “Sapo kaluam kufirin e vjetër të Serbisë, na pushtuan tmerret. Ishte ora pesë e pasdites dhe ne i afroheshim Kumanovës. Dielli po perëndonte dhe filloi të binte muzgu. Dhe sa më shumë që terrohej qielli, dritëzat e zjarreve shiheshin më pastër. Digjej gjithçka përreth nesh. Fshatra të tëra shqiptare – që ndodheshin afër apo larg, madje edhe pranë hekurudhës – ishin shndërruar në gërmadha që nxirrnin tym. Për herë të parë gjatë luftës isha i pranishëm në një shfarosje të vërtetë të njerëzve nga njerëzit. Shtëpitë, prona familjare të trashëguara brez pas brezi, u bënë shkrumb e hi. Dhe pamje të njëjta na shoqëruan gjatë gjithë udhëtimit tonë deri në Shkup”[13](…)
“Në një han takova një rreshter, të cilin e njihja. Njësiti i tij ishte përqendruar në Ferizaj, një qytet shqiptar në Kosovë[14].
E çfarë bën në Ferizaj me shqiptarët?- e pyeta.
Pjek pula dhe vras shqiptarë! Por tani më është bërë boll, shtoi duke hapur gojën dhe duke i shoqëruar fjalët me një gjest lodhjeje dhe mospërfilljeje[15](…)
Doja t’i shihja nga afër dhe pashë atë që pashë. Mishi i gjedheve dhe i njerëzve kalbej. Fshatra të shndërruara në gërmadha që tymonin. Ushtarët shfarosin personat ‘e moshës mbi 12 vjeç’. Atje bëhesh i vrazhdë, humbë të gjitha aspektet njerëzore. Mjafton të ngremë perden e ndërmarrjeve të lavdishme ushtarake dhe lufta na shfaqet, para se gjithash, e neveritshme”[16].
Për herë të parë Trocki pa një shfarosje të vërtetë të njerëzve nga njerëzit dhe gjithkund e shoqëruan pamje të njëjta: Mishi i gjedheve dhe i njerëzve kalbej. Fshatra të shndërruara në gërmadha që tymonin. Ushtarët shfarosin personat ‘e moshës mbi 12 vjeç’… Por ai u kthye në Beograd pa e kuptuar se ajo që ndodhte në territoret e banuara me shqiptarë nuk ishte pasojë e “luftës së neveritshme”, por zbatim i kornizës programore gjenocidale, “etničko čišćenje”-s, që në atë kohë sintetizohej në urdhrin që kryeministri serb, Nikolla Pashiq, u kishte dhënë ushtarëve: “Ako je kokoška arbanaška, utepaj!” – (“Edhe nëse pula është shqiptare, mbyte!”[17].
[1] Justin Godart, vepra e cituar, L’Albanie en 1921, f. 22.
[2] Në mungesë të përkufizimeve të qarta juridike të kategorive që lidhen me krimet gjatë luftës, në shumicën e rasteve është përdorur termi “shfarosje” për të shënjuar rastet më ekstreme të dhunës. Përdorimi i termit “shfarosja” në citimet e autorëve të ndryshëm duhet të shihet në kontekst të kohës, por nuk duhet të harrojmë se ky term, si kategori juridike e të Drejtës Penale Ndërkombëtare, hyn në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit. Për hollësi të tjera lidhur me këtë term shih trajtimin e veçantë që i kemi bërë në pjesën e titulluar: “Termi ‘shfarosje’ dhe gjenocidi” . TË SAKTËSOHET FAQJA PASI TË BËHET FAQOFSJA PËRFUNDIMTARE E LIBRIT
[3] Sto godina od srpske okupacije Albanije, Ratni dnevnik Koste Novakovića, (Njëqind vjet nga pushtimi serb i Shqipërisë, ditari i luftës i Kosta Novakoviqit). https://web.archive.org/web/20130225105509/http://www.e-novine.com/srbija/srbija-tema/75004-Ratni-dnevnik-Koste-Novakovia.html
[4] Letra është përfshirë në botimin serbisht të veprës: Dimitrije Tucović, Srbija i Arbanija, Jedan prilog kritici zavojevačke politike srpske buržuazije, (Serbia dhe Shqipëria, një vështrim lidhur me kritikën e politikës pushtuese të borgjezisë serbe), Reprint “Mostart”, Zemun 2011, f. 58-60: https://www.rwfund.org/wp-content/uploads/2014/09/Dimitrije-Tucovic-Srbija-i-Arbanija-Jedan-prilog-kritici-zavojeva%C4%8Dke-politike-srpske-bur%C5%BEoazije.pdf
Për shkak të disa pasaktësive në përkthimin shqip të botimit të shtëpisë botuese “Rilindjes”, kam bërë shqipërimin e citateve nga serbishtja.
[5] Autori përdor termin Stara Srbija (Serbi e Vjetër) për Kosovën. Në këtë përkthim shqip do të përdoret emri gjeografik Kosovë, që të jetë e qartë për lexuesin se për cilën hapësirë bëhet fjalë.
[6] Shrapneli është predhë thërrmuese e artilerisë, e mbushur me saçma plumbi, që shpërthen në ajër dhe që përdoret për asgjësimin e qenieve të gjalla.
[7] Dimitrije Tucović, Srbija i Arbanija, Jedan prilog kritici zavojevačke politike srpske buržuazije,
Reprint “Mostart”, Zemun, 2011, f. 58-60: https://www.rwfund.org/wp-content/uploads/2014/09/Dimitrije-Tucovic-Srbija-i-Arbanija-Jedan-prilog-kritici-zavojeva%C4%8Dke-politike-srpske-bur%C5%BEoazije.pdf
[8] Dimitrije Tuceviq, Pokolj u Peći i Đakovici (Kasaphanë në Pejë dhe në Gjakovë), Radničke novine, nr. 239, 9. nëntor 1913. Shkrim i ribotuar më 16 nëntor 2012. Shih: https://www.bosnjaci.net/prilog.php?pid=47426
[9] Kuçi është një fis malësorësh shqiptarë në Mali të Zi.
[10] Po aty.
[11] Autori përdor termin Stara Srbija (Serbi e Vjetër) për Kosovën. Në këtë përkthim shqip do të përdoret emri gjeografik Kosovë, që të jetë e qartë për lexuesin se për cilën hapësirë bëhet fjalë.
[12] David Leontievitch Bronstein, i njohur si Leon Trocki, ishte një mendimtar hebre nga Hersoni i Ukrainës dhe politikani i parë që iu kundërvu Stalinit. Fillimisht u dëbua nga vendi dhe më vonë, në gusht 1940, u vra në Meksiko, në atentatin që i kishte kurdisur Stalini.
[13] Lev Trocky, Les guerres balkaniques 1912-1913, Éditions Sciences Marxiste, Paris 2002, f. 142-143.
[14] Nën ndikimin e literaturës serbe, edhe Trocki përdor termin “Stara Srbija” (Serbi e Vjetër) për Kosovën.
[15] Lev Trocky, Les guerres balkaniques 1912-1913, Éditions Sciences Marxiste, Paris 2002, f. 146.
[16] Po aty, f. 148.
[17] Arkivi i MPJ-së të Shqipërisë, viti 1930, dosja 194, f. 43-54.