Nga Dr Selim IBRAIMI
Në 10 vitet e Procesit të Berlinit, shtetet e Ballkanit dhe BE nuk janë kursyer nga dhënia e premtimeve. Disa i kanë quajtur të vërteta premtimet e BE-së, ndërsa ato të qeverive të Ballkanit si gënjeshtra pa fund. Duhet thënë se disa qeveri kanë bërë progres, kanë përdorur fondet evropiane, dhe disa nuk kanë pasur kohë, pasi kanë punuar në politika të tjera. Ndryshe, siç e përshkruan Hanna Arendt (1905-75) të vërtetën në botimin “E vërteta dhe politika”, “e vërteta faktike informon mendimin ekzistues politik, ashtu si e vërteta racionale informon spekulimet filozofike”.
Nëse e shqyrtojmë këtë pikëpamje të H. Arendt në realitetin ballkanik, atëherë kjo është e dhimbshme për shtetet ballkanike, pasi 35 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, një shoqëri e ndarë gjermane arriti të bashkohej duke transformuar ekonominë gjermane si të parën në Evropë, dhe mjaft të respektuar në botë. Ndërsa në Ballkan, gjithçka shkoi prapa. E vërteta është e vështirë të thuhet nga qeveritarët që kanë në kujtesë të kaluarën, të cilët duke përdorur manipulimin e fakteve historike, janë përpjekur të paraqesin realitete joreale. Zakonisht, kujtesa e brishtë e fakteve për të kaluarën sjell përsëritjen e gabimeve që janë bërë nga paraardhësit si në çështjet e brendshme ashtu edhe në ato të jashtme.
Në këtë hapësirë arratisjeje nga racionalja, dhe tendencave për të vendosur anomalitë në lojë, nuk kanë hyrë vetëm disa vende kryesore të BE-së, përfshirë Sllovakinë dhe Hungarinë, por edhe vendet e Ballkanit që aspirojnë anëtarësimin në BE, e që sipas presidentit francez E. Makron po shfaq vështirësi në funksionim. Kur vendet anëtare të BE-së e shohin këtë çrregullim, atëherë çfarë mund të pritet nga ata që nuk janë pjesë e BE-së, ku dëshira për të ikur nga realiteti dhe mosrespektimi i standardeve është e madhe? Ka pasur disa figura politike në Ballkan që kanë bërë përpjekje ta pranojnë realitetin pas rënies së komunizmit, megjithatë, ka qenë një pakicë politikanësh që në fund janë mposhtur nga më të fortët.
Në situatën aktuale qeveritë e rajonit gjenden në parimin e ndërtimit të aleancave që mund të jetë një gjë e keqe në këtë kohë për të gjithë. Mund të jetë mirë vetëm për shtetet që janë të interesuara për aleanca të tilla politike dhe ekonomike. Por, në realitet lëvizjet e reja do të shkaktojnë ndarje të reja. Për këtë çështje kemi shkruar herën e fundit, tani le të vazhdojmë dhe të diskutojmë realitetet politike dhe të tjera me të cilat përballen vendet e Ballkanit bashkë me diskursin e paraqitjes së revizionizmit në veprimet e disa zyrtarëve të BE-së, dhe atyre të Ballkanit. Sipas Fjalorit “Merriam-Webster”, “Revizionizmi” i referohet avokimit të rishikimit (si doktrinë ose politikë ose në analizën historike). Realiteti duhet të përballet me fakte dhe opsione më të mira që politikanët mund t’i sjellin votuesve dhe shoqërisë.
Në Ballkan në veçanti, zyrtarët në tre dekadat e fundit që nga rënia e komunizmit kanë bërë gjithnjë e më pak për interesin publik, paqen dhe më shumë për veten e tyre. Pasojat e luftërave që filluan në vitin 1991, e që përfunduan me konfliktin e vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut janë shembuj konkretë për të ardhmen. Dhe fatkeqësisht duhet të jetë një motiv për më shumë reforma dhe paqe në Ballkan. Rritja e tensioneve ndëretnike dhe marrëdhëniet e brishta fqinjësore janë shenja të këqija për të ardhmen. Shtetet po bëjnë investime të pasigurta. Më shumë investohet në brezat e ardhshëm për të vënë në zbatim koncepte shoviniste. Për shembull, krahasuar me strategjinë e pas bashkimit të Gjermanisë në vitin 1990 me atë të shteteve të Ballkanit, kemi një ndryshim të madh. Sot, gjermanët janë në nivelin më të lartë të zhvillimit pavarësisht sfidave të brendshme. Ndërsa në Ballkan po flasim për paqartësi, konflikte, ekonomi të paqëndrueshme dhe pak lumturi.
Kur papërgjegjshmëria e liderëve politikë të rajonit ndihmohet nga disa deklarata të zyrtarëve të BE-së, atëherë nuk mund të pritet asgjë e mirë në Ballkan. Kështu, diplomati i lartë i BE-së për Ballkanin, Miroslav Lajçak, shpalli dy prioritete të rëndësishme për Ballkanin: ndryshimin (modernizimin) e Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës, dhe marrëveshjet Kosovë-Serbi. Me goditjen kushtetuese, BE-ja do të hapë probleme të reja në rajon ose më shumë argumente për liderin serb Dodik. Ndërsa me bisedimet Kosovë-Serbi ku asgjë nuk respektohet nga Serbia, dhe me një BE që nuk është në gjendje të sigurojë dialog të pavarur, nuk mund të priten ngjarje të mira. Në një mjegull të tillë si nga Brukseli dhe nga Ballkani, liderët politikë të rajonit do të luajnë vazhdimisht me mundësinë që të mos mbyllin kurrë asnjë çështje. Për shkak të mungesës së opsioneve për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkan, si diplomatët e huaj ashtu edhe politikanët vendas kanë tendenca të manipulojnë dhe përdorin revizionizmin, gjë që mund të ndikojë në negociatat e vazhdueshme në vendet e Ballkanit.
Rishfaqja e revizionizmit në diskursin euro-ballkanik nga zyrtarë të lartë si të BE-së ashtu edhe nga disa qeveri në rajon, janë shembuj që asnjë çështje e hapur të mos mbyllet. Sepse ky diskurs revizionist ju jep përgjigje jo të përshtatshme përpjekjeve separatiste për konflikte të izoluara dhe ndarje te reja territoriale në Ballkan. Shfaqja e revizionizmit në lidhjet BE-Ballkan, veçanërisht në raport me Bosnjën dhe Kosovën, do të ketë pasoja afatgjata ose, shkurt, do të jetë shumë e vështirë arritja e marrëveshjeve apo zbatimi i tyre. Është e pamundur të rregullohen çështjet e hapura historike në Ballkan me politika të kundërta dhe të njëanshme, sepse kjo mund të çojë në paqëndrueshmëri, posaçërisht në këtë kohë kur BE-ja dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë nuk kanë një politikë afatgjatë se si t’i rregullojnë çështjet. Çështja serbe- boshnjake dhe problemi kosovaro-serb. Dhe këtu pa përmendur edhe çështjen bullgaro-maqedonase, mbeten tema të nxehta për të gjithë. Në plan afatgjatë, mendoj se do të ishte e vështirë të shmangeshin politika të tilla që vijnë nga të dyja palët. Në të ardhmen aktorët politikë të arsyeshëm duhet të luajnë nën realitetin politik në rajon dhe politikën botërore për të menaxhuar zbatimin e politikave revizioniste. Prandaj, të dyja palët duhet të ndryshojnë opinionin ekzistues për një paqe të qëndrueshme.