Në betejat identitare që patën maqedonasit me fqinjët, shqiptarët i patën jo vetëm aleat , por edhe kalorës të vijave të para të frontit. Për pasojë, shumë çështje që duhej të hapeshin në favor të avancimit të statusit juridik e kushtetues të shqiptarëve, u prolonguan dhe u futën nën rrogoz, në favor të një procesi me karakter identitar që maqedonasit kishin nevojë ta fitojnë ndaj fqinjëve. Dhe çka ndodhi pastaj?
Nga Emin AZEMI
Gjykata Kushtetuese , si një mekanizëm juridik që do të duhej të ruaj kohezionin e brendshëm etnik e qytetar në Maqedoninë e Veriut, si duket është në rrugë ta bëjë të kundërtën.
Fillimisht ajo e ka ndërmend ta reduktoj edhe më tej hapësirën ligjore në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, si fazë e parë e përpjekjeve për ta çmontuar Marrëveshjen e Ohrit ( nga heqja e balancuesit e deri te menjanimi i Badinterit, si një mekanizëm që mbron pakicën nga vendimarrja majorizuese e shumicës).
Ditëve të fundit lexuam në media se Gjykata Kushtetuese tashmë e ka në sirtar vendimin për shfuqizimin e tre neneve kryesore të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, kryesisht nenin që parashikon gjuhën shqipe në monedhat e Maqedonisë së Veriut, nenin për gjuhën shqipe në uniformat e policisë dhe ushtrisë, si dhe nenin që lejon përdorimin e gjerë në gjyqësi.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese lehtësisht mund të përdoret si levë juridike-ndihmëse për të gjitha ato struktura politike e parapolitike në Maqedoninë e Veriut që janë kundër barazisë etnike e qytetare dhe për rrjedhojë favorizojnë dominimin e një etnie ndaj etnive të tjera.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është një bidon me benzinë që qëndron në ‘bodrumet’ e mendësisë së vjetër politike, dhe pret momentin të ndez një zjarr, që në vend të progresit shoqëror dhe zhvillimit ekonomik e social, të sjell regres dhe acarim ndëretnik.
Partitë politike që erdhën në pushtet, sidomos ajo që kryeson aktualisht bllokun politik maqedonas, lajtmotiv të fushatës zgjedhore patën ekonominë, investimet, uljen e papunësisë, luftën kundër korrupsionit, zbutjen e varfërisë.
Pyetja më e logjikshme që shtrohet tani është: Çka ndodhi që prej prioriteteve ekonomike, zhvillimore e sociale, Maqedonia e Veriut të rrëshqet në axhenda të dyshimta që prodhojnë tensione dhe animozitetete të natyrës ndëretnike, ku si palë më e dëmtuar dalin të jenë shqiptarët?!
Çka ndodhi që më të qenësishme për politikën e ditës, po listohen çështjet që hapin probleme të reja, siç është tendenca për degradimin e statusit politik e juridik të shqiptarëve, që filloi me shkërmoqjen e gjuhës shqipe, tendenca për pastrimin e institucioneve nga drejtuesit shqiptarë, tendenca e rikthimit të falangave maqedonase për rrahjen e shqiptarëve nëpër rrugët e Shkupit, se sa çështjet për të cilat qytetarët kanë më shumë nevojë dhe për të cilat, fundja, kanë votuar: rrogë më të dinjitetshme, çmime të përballueshme, vende të reja të punës dhe heqjen dorë nga shpërngulja për një jetë më të mirë në Perëndim?!
Tendenca politike e cila u nis si narrativ parazgjedhor që në thelb kishte sloganin “Ta kthejmë shtetin”, ka rrezik të shndërrohet në një narrativ tjetër i cili, siç po shihet, ka për synim të prodhojë një slogan tjetër “Ta mbajmë shtetin vetëm për vete!”.
Në betejat identitare që patën maqedonasit me fqinjët, shqiptarët i patën jo vetëm aleat, por edhe kalorës të vijave të para të frontit. Për pasojë, shumë çështje që duhej të hapeshin në favor të avancimit të statusit juridik e kushtetues të shqiptarëve, u prolonguan dhe disi u futën nën rrogoz, në favor të një procesi me karakter afirmues identitar që maqedonasit kishin nevojë ta fitojnë ndaj fqinjëve.
Dhe çka ndodhi pastaj? Pasoi ajo që historikisht iu kishte ndodhur shqiptarëve – të tradhëtohen!
Aktualisht – a po ndjehen të tradhëtuar shqiptarët nga estabilishmenti politik maqedonas pas gjithë atij kontributi që dhanë ata në zhvillimin e betejave të përbashkëta identitare me maqedonasit?
A ka një bashkërendim të heshtur, por mirë të menduar, në mes të subjekteve politike maqedonase (pushtet-opozitë) për rikthimin e proceseve politike para Marrëveshjes së Ohrit, ku shqiptarët sërish do të trajtoheshin si qytetarët të rendit të dytë, pa kurrfarë mekanizmi mbrojtës politik e kushtetues?
A ka një tendencë që Maqedonia e Veriut të rreshtohet në kuadër të një aleance të re ballkanike, përmes së cilës do të katapultohej politika e përjashtimit të vendimarrjes së shqiptarëve nga proceset e rëndësishme, sidomos tani kur Shqipëria u shkëput nga “treni” i përbashkët euro-integrues?
Këto dhe pyetje të tjera, sa më shpejt do të duhej të kenë përgjigje, sepse çdo veprim që i bën më të vonshme përgjigjet, mund të implikojë disa faktorë të tjerë destabilizues që mezi presin ta shohin Maqedoninë e Veriut sa më larg Brukselit e Washingtonit dhe sa më afër Stepave ruse.
Shkup, 28 shtator 2024