[Në foto: Protestues të mbledhur në sheshin e Bujancit, në jug të Serbisë, për të demonstruar kundër, siç thonë ata, diskriminimit që Qeveria serbe po ua bën shqiptarëve, 12 gusht 2024.]
Qindra shqiptarë nga Lugina e Preshevës në jug të Serbisë kanë marshuar të hënën, për siç thanë ata, kundër diskriminimit dhe në kërkim të barazisë dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi.
Një nga organizatorët e marshit tha se “nga këtu dërguam porosinë se shqiptarët duan barazi, se barazia pa drejtësi nuk bëhet. Kërkesat e shqiptarëve janë të kamotshme, e kamotshme është edhe heshtja e shtetit dhe padrejtësia që po ua bën shqiptarëve”.
Ajo theksoi se kërkesat janë kthimi i gjykatës, zbatimi i marrëveshejve të deritashme, kthimi i adresave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, njohja e diplomave shkollore dhe integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore.
Të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”, marshuesit kaluan nëpër qendrën e qytetit të Preshevës pranë institucioneve duke mbajtur pankarta me thirrjet si: “Stop pasivizmit selektiv”, “Duam libra shqip” dhe “Kthema adresën”.
Marshuesit, të cilëve u prinë përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetarja e Preshevës, Ardita Siani, u ndalën pranë ndërtesës së Komunës së Preshevës, ku u këndua himni kombëtar shqiptar.
Kjo është protesta e dytë e shqiptarëve të Luginës në dy muajt e fundit, pas asaj në Bujanoc në gusht.
Serbia e ka mohuar vazhdimisht se shqiptarët në këtë vend janë të diskriminuar.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një adresimi për gazetarë më 23 shtator në Nju Jork, tha se Serbia është gati të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të ndihmojë shqiptarët që jetojnë në jug të Serbisë “për të ndërtuar shkolla dhe gjithçka tjetër”.
“Askush nuk po i rrah, nuk po i ngacmon apo diçka tjetër. Serbia është shtet demokratik dhe ne do të vazhdojmë të sillemi në këtë mënyrë”, tha Vuçiq në përgjigje të pyetjes së gazetarëve lidhur me protestën.
Ai shtoi se “ata [shqiptarët] po protestojnë sepse tani forcat e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti nuk arritën të formojnë një koalicion të pavarur qeverisës, pikë së pari në Bujanoc”.
“Ky është problemi i tyre kryesor”, tha Vuçiq.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.
Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës – shpesh janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi.
Një problem me të cilin përballet shqiptarët e Luginës së Preshevës është edhe mosnjohja e diplomave universitare të fituara në Kosovë, pavarësisht se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Më 2020 Kosova dhe Serbia e ritheksuan përkushtimin e tyre për njohjen e diplomave dhe certifikatave profesionale, por deri tani nuk janë bërë hapa për zbatimin e tyre.
Ndërkaq, në fund të vitit të kaluar, shqiptarët u Luginës u ankuan edhe për një rritje të numrit të çaktivizimit të adresave të tyre nga policia serbe, duke e akuzuar atë se i ka fshirë ato në mënyrë të paligjshme, për t’ua mohuar të drejtat elementare.
Problemi i çaktivizimit të adresave është përmendur në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë më 2022, në pjesën që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të pakicave.
Pas protestës së gushtit në Bujanoc, Qeveria e Serbisë, kishte thënë se ajo ishte përpjekje e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti “për të destabilizuar rajonin”.
Qeveria serbe i kishte hedhur poshtë akuzat e deputetit Kamberi për diskriminimin e shqiptarëve dhe për përfaqësim të pamjaftueshëm në institucione duke thënë se nuk qëndrojnë.
Më 2001 ishte arritur një marrëveshje e njohur si Marrëveshja e Konçulit për çmilitarizim e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) dhe për integrimin e pakicës shqiptare nëpërmjet një procesi demokratik.
Në korrik të vitit 2013, Qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq e miratoi planin shtatëpikësh, i cili ishte pothuajse i njëjtë si marrëveshjet e mëparshme.
Qeveria serbe tha në gusht se ai plan u ndërpre nga deputeti i atëhershëm shqiptar në Kuvendin serb, Riza Halimi, në nëntor të vitit 2013. [REL]