NGA LEONARD DEMI
Pak më shumë se një muaj më parë, forcat ukrainase befasuan botën kur u zhvendosën në Rusi dhe përparuan për rreth 1000 kilometra katrorë në rajonin e Kurskut. Ky inskursion ishte një nxitje e madhe morale për ukrainasit, ushtarët dhe civilët, të cilët kishin dëshpërimisht nevojë për të.
Inkursioni i Kurskut është një arritje, sado e vogël, në narrativën e propaganduar nga Presidenti Vladimir Putin se Rusia do të shkatërronte Ukrainën dhe do të shfrytëzonte ndarjet në aleancën perëndimore për të diktuar kushtet e një zgjidhjeje.
Në festivalin e sivjetshëm të të përditshmes britanike “Financial Times”, Drejtori i CIAs, Burns, dhe ai i MI6 (Shërbimit Sekret Britanik), Moore, thanë se ofensiva e papritur e Ukrainës në rajonin e Kurskut kishte ekspozuar dobësitë në ushtrinë ruse dhe ishte një përpjekje “e guximshme” për të “provuar dhe për të ndryshuar lojën” në luftën, pothuajse, trevjeçare. Ajo është një faqe e re në historinë e kësaj lufte, që i ka vënë autoritetet ruse në një pozitë të pakëndshme. Presidenti Putin nuk mund të pretendojë më se është i gatshëm të diskutojë një armëpushim bazuar në vijën e frontit. Sidoqoftë, pavarësisht nga shenjat e shqetësimit në mesin e elitave ruse, sot, Burns nuk sheh asnjë provë se kontrolli i Putinit në pushtet po dobësohet.
Ofensiva e Kurskut, pos mundësive që ofron, mbart rreziqe dhe kosto të konsiderueshme. Në Kursk janë dislokuar disa nga trupat më të mira dhe më me përvojë të Ukrainës, personel i forcve elitare të sulmit ajror të Ukrainës. Disa janë marrë nga vijat e frontit në Donetsk dhe Kharkiv, ku po luftonin kundër avancimit rus. Kësisoj, duke devijuar disa prej trupave më të mira në këtë mision, a mos qeveria ukrainase la të ekspozuara zonat kryesore të frontit, ku Rusia tani është e gatshme të përparojë?
Liderët ukrainas besojnë se ofensiva e Kurskut nuk do të rrezikojë frontin në brendësi të vendit që shkon deri në 1200 km, se nuk do të humbasë ndonjë numër të madh ushtarësh dhe pajisjesh dhe se përfitimet nga operacionet në Kursk do të tejkalojnë kostot diku tjetër.
Agjencitë e inteligjencës euroatlantike vërejnë se është e paqartë se për sa kohë Ukraina mund të mbajë territorin, që ka fituar dhe se ky operacion nuk ka arritur një nga objektivat e tij: të detyronte Rusinë të devijojë forcat nga sulmet e saj të vazhdueshme ndaj qyteteve në rajonin lindor të Ukrainës. Për to, ofensiva e Kurskut, pjesë e planit të Presidentit Zelenski për t’i dhënë fund konfliktit, nuk do të ndryshonte rrjedhën e luftës.
Së fundmi, komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Oleksandr Syrsky, tha se Rusia në vend të tërheqjes ka intensifikuar përpjekjet dhe ka dislokuar në frontin e Pokrovskit në Donetsk njësitë e saj më të gatshme luftarake, të cilat po përparojnë dhe janë rreth 7 – 8 km larg qytetit Pokrovsk, një qendër jetike logjistike. Nëse ky qytet do të bjerë, Rusia do t’i afrohej qëllimit të saj për të pushtuar të gjithë Donbasin, gjë që do të ishte një goditje e egër për moralin ukrainas dhe do të ndryshonte në mënyrë thelbësore realitetin në terren.
Kundërofensiva ruse
Javën e kaluar, Rusia filloi kundërofensivën për të larguar trupat ukrainase nga rajoni i Kurskut, të cilët vazhdojnë të bllokojnë logjistikën ruse. Shërbimet inteligjente perëndimore kanë publikuar imazhe satelitore të urave strategjike mbi lumin Seim të shkatëruara.
Në këto kushte, kur Moska ka nisur kundërofensivën në rajonin e Kurskut dhe po avancon në Donbas, autoritetet ukrainase u bëjnë thirrje më me këmbëngulje aleatëve perëndimorë: Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Francës të lejojnë Forcat e Armatosura të Ukrainës të godasin në thellësi të territorit rus. Kësisoj, zoti Zelensky kritikoi Shtetet e Bashkuara për vonesën që po tregojnë për të miratuar sulmet me raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi në thellësi të territorit rus. Sipas tij, këto vonesa i kanë dhënë mundësi Rusisë të zhvendosë objektiva ushtarake më tej rrezes të këtyre raketave. Për më tepër, Presidenti Putin sapo ka nënshkruar një dekret për të zmadhuar ushtrinë ruse, e cila duhet të arrijë në 2.39 milionë trupa, nga të cilat 1.5 milionë ushtarë. Kësisoj, ushtria ruse bëhet ushtria e dytë në botë, pas asaj kineze.
Strategjia për t’i dhënë fund luftës
Dy vjet e gjysmë pasi Rusia pushtoi Ukrainën, strategjia e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë për t’i dhënë fund luftës mbetet e njëjtë: t’i imponojnë Rusisë kosto të mjaftueshme që presidenti i saj, Vladimir Putin, të vendosë të ndalë konfliktin se nuk ka zgjidhje tjetër.
Studjuesit venë në dukje se Uashingtoni është përpjekur të gjejë pikën më optimale midis mbështetjes së Ukrainës dhe ndëshkimit të Rusisë nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, uljes të rreziqeve, që mund të nxitin përshkallëzim. Kësisoj, pretendohet se me presion të mjaftueshëm, Putini mund të detyrohet të tërheqë trupat nga Ukraina ose të paktën të negociojë një armëpushim. Prandaj, Uashingtoni dhe aleatët e vet kanë vendosur sanksione ekonomike gjithëpërfshirëse kundër Rusisë dhe po mbështesin Ukrainën me pajisje ushtarake dhe inteligjencë, duke izoluar Moskën në skenën globale.
Strategjia e Ukrainës
Kievi ka kërkuar prej kohësh t’i japë fund luftës me kushte të favorshme ose, të paktën, të shmangë një zgjidhje të pafavorshme, që mund të përfshijë kompromentimin e sovranitetit të Ukrainës ose pranimin e humbjeve territoriale. Në vitin 2023, Kievi shpresonte të fitonte levën e nevojshme duke thyer linjat ruse në jug dhe duke kërcënuar Krimenë. Marrja e një pjese të Kurskut mund të jetë një mjet alternativ për të arritur një qëllim të ngjashëm, duke supozuar se Ukraina do të jetë në gjendje ta mbajë këtë territor për një kohë mjaft të gjatë.
Përtej ofensivës së Kurskut dhe situatës në front, fushata e goditjes së Rusisë kundër rrjetit energjetik të Ukrainës, gjithnjë e më shumë, po bëhet problemi më i madh i vendit. Ukraina përballet me një dimër të pasigurt. Ajo ka nevojë për gjeneratorë dhe mbrojtje ajrore për të mbyllur boshllëqet në mbrojtjen e saj. Në këtë pikëvështrim, Ukraina duhet ta detyrojë Rusinë t’i ndërpresë këto sulme, nëse nuk mundet sivjet, atëherë, në 2025. Kësisoj, dëshira e Ukrainës për të hequr kufizimet në përdorimin e raketave perëndimore me rreze të gjatë veprimi është e kuptueshme. Ofensiva e Kurskut e ka nxitur këtë debat, por ajo duhet të bëjë shumë më tepër. Mbajtja e Kurskut si një mjet negociatash, zgjerimi i sulmeve dhe presioni ekonomik ndaj Rusisë mund të forcojnë ndjeshëm Ukrainën, duke supozuar se Ukraina do t’i rezistojë fushatës sulmuese të Rusisë këtë dimër.
Gjasa të afërme
Operacionet në terren tregojnë se Vladimir Putini e konsideron luftën shumë të rëndësishme nga e cila nuk dëshiron të tërhiqet dhe, deri tani, presioni perëndimor nuk ka gjasa ta detyrojë të ndryshojë qëndrim dhe t’i japë fund luftës me kushte të pranueshme për Ukrainën dhe vendet aleate. Ushtria ruse, vërejnë ekspertët, do të vazhdojë të dërgojë në luftë ushtarë dhe kapacitete ushtarake, ndërsa një fitore e Ukrainës në terren do të kërkonte sasi shumë më të madha municionesh.
Në Samitin e Uashingtonit, udhëheqësit e Traktatit të Uashingtonit ranë dakord për të ngritur një komandë të re të NATO-s (NATO Security Assistance and Training for Ukraine) për të koordinuar pajisjet ushtarake, që i ofrohen Ukrainës nga aleatët dhe partnerët, si dhe trajnimet. Aleatët synojnë, gjithashtu, t’i japin Ukrainës 40 miliardë euro brenda vitit të ardhshëm dhe të zotohen të sigurojnë financim të qëndrueshëm për një afat të gjatë, që Ukraina të mbrohet dhe të pengojë agresionin rus në të ardhmen. Por, Ukraina do të duhet të vazhdojë të dërgojë ushtarë në betejë. Perëndimi do t’ia trajnojë, por nuk do të angazhojë trupat e veta në terren.
Negociata
Zyrtarët ukrainas dhe ata perëndimorë vërejnë se presidenti Putin ende nuk po tregon shenja se është i gatshëm të përfshihet në bisedime për paqe. Diplomatë amerikanë dhe evropianë, duke folur në kushte anonimati, së fundmi, e kanë bërë të qartë se po operojnë mbi idenë se Ukraina duhet të konsolidojë dhe të zgjerojë përfitimet e veta në fushën e betejës, në mënyrë që të nxitë zotin Putin drejt negociatave dhe të ketë ndikim domethënës në to.
Këto diskutime janë gjallëruar nga pushtimet e ushtrisë ukrainase në territorin e Kurskut, nga intensifikimi i sulmeve kundër disa objekteve ruse të prodhimit të naftës, burimi më jetëdhënës i ekonomisë së vet dhe nga neutralizimi i flotës detare ruse të Detit të Zi. Por, diplomatë të zëshëm vërejnë, gjithashtu, se Vladimir Putin nuk beson në asnjë diplomaci, por dëshiron të shohë prova. Për momentin, nuk ka asnjë arsye bindëse se përse Moska duhet të negociojë, ndërkohë që Ukraina mban një pjesë nga territori i saj, dhe nuk ka ende tregues të besueshëm se mund të jetë e prirur ta mbajë këtë për gjatë.
Kritikët e qasjes graduale të zotit Bajden thonë se, kjo qasje, në fund të fundit, minon diplomacinë afatgjatë në disa mënyra: së pari, ngërthen një atmosferë zhgënjimi dhe mosbesimi midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas dhe, së dyti, nuk u jep ukrainasve aftësitë që u nevojiten për ta detyruar zotin Putin të negociojë.
Përpjekjet për të arritur një paqe të pranueshme duket se kanë nxitur ish-Nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike dhe një nga arkitektet kryesore të politikës së administratës Bajden për Rusinë, Victoria Nuland, të komentojë për atë, që është ndoshta episodi më i mjegullt i kësaj lufte: Bisedimet e paqes në Stamboll midis Rusisë dhe Ukrainës, në prill të vitit 2022, që dallohen nga një mungesë pothuajse e plotë transparence diplomatike. Ajo pranon se në Stamboll u arrit një marrëveshje në tryezë, por fuqive perëndimore nuk u pëlqyen kushtet, që do të kishin kufizuar arsenalin ushtarak të Ukrainës, duke na lënë të besojmë se mbështetësit e Ukrainës, në fund të fundit, ndikuan për të braktisur bisedimet e ndërmjetësuara nga Turqia rreth një projekt-traktati, që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë.
Historia e plotë e kësaj intermexoje jetëshkurtër diplomatike nuk ka gjasa të zbulohet deri pas luftës, për shkak të ndjeshmërisë së dukshme politike që ngërthen. Por, një gjë është e qartë: aktorët Perëndimorë, që ishin caktuan si “garantues” të sigurisë së Ukrainës, me gjasa europianë, shprehën rezerva për formatin e Stambollit. [Gazeta Panorama]