Nga: Shqiprim Pula
Mëvetësia e shpallur, integriteti territorial, asetet ekonomike në territorin verior, sovraniteti politik dhe subjektiviteti ynë, domosdoshmërisht, duhet ruajtur duke evituar dëmet e të së kaluarës, duke përdorur ‘Rebus Sic Stantibus’ që nënkupton se marrëveshjet mund të pezullohen, anulohen apo tërhiqen përmes kësaj doktrine si valvule sigurie. Doktrina ‘Rebus Sic Stantibus’, si valvul sigurie është e pranuar si shmangie apo si mosrespektim, i parimit të përgjithshëm ‘Pacta Sunt Servanda’; mbase Kuvendi dhe Qeveria e Republikës duhet konsideruar si gur themel i zgjidhjes së një marrëdhënieje për pakt paqeje Kosova e pasluftës krijoji skllevërisht politikë moderne, duke trafikuar e kontrolluar individë në politikë, individë të marrë peng e të cilët flisnin edhe çfarë u thoshin, madje edhe të inkriminuar e të shantazhuar politikisht!, të tillët, u shndërruan në shërbëtorë të së keqes kombëtare. E qartë, nuk kishin një membranë ideologjie të njëjtë por, të tillë individë, nuk kishin njohuri të artit politik, ekonomik e as ushtarak, e fatkeqësisht na lanë shoqëri parapolitike karshi ballafaqimit me sfidën për paqe që nuk u arrit asnjëherë; e dëshmuar kjo me agresionin ushtarak nga grupet parashtetërore serbe më 24 shtator 2023 në Banjë të Zveçanit.
Ishte marsi i vitit 2011, kur Kosova politike e pranoi një sfidë si dimension strategjik politik të pasmëvetësisë së shpallur, atë të dialogut me Serbinë, me garnitura individësh, që pa dyshim kanë lënë gjurmë në kohë. Shqiptarët shumicë absolute në Kosovë nxorën në tregun politik individë të diplomuar, të cilët konsideroheshin si shtresë e privilegjuar, por që nuk njohën mjaftueshëm dijen politike të Serbisë gjatë dialogut në Bruksel, ashtu siç nuk e njohën strategjinë e tyre edhe gjatë procesit dialogues në Vjenë, të cilët trashëgiminë materiale ortodokse të Kosovës ia falën Serbisë!, e bënë Kishë Serbe Ortodokse në Kosovë. Thelbësisht, mungoi vetëdija mbi qytetërimin dhe njohjen politike, sepse u treguan të papërgjegjshëm me sjelljet e tyre tepër përulëse, duke pranuar koncesione si me Kishën Serbe Ortodokse ashtu edhe me Bashkësinë e Komunave Serbe (“Zajednicën”), duke krijuar dëme të së sotmes dhe të ardhmes së shtetit të Kosovës.
Me dialogun e pranuar për tema teknike-pragmatike me interes për të dyja vendet, rrëshqitëm në tema substanciale të subjektivitetit dhe rirregullimit shtetëror me pranimin e Bashkësisë së Komunave Serbe (“Zajednicën”), si një etnike, kundër frymës kushtetuese! Integriteti territorial dhe sovraniteti politik morën tronditje nga pranimi i një dokumenti të tillë, i cili përmbajtësisht përfaqëson Serbinë brenda Republikës së Kosovës. Shpallja e mëvetësisë më 17 shkurt 2008 pranonte kompromiset kushtetuese e ligjore specifikisht për pakicën serbe në Kosovë, e pranimi i një “zajednice” ishte kompromisi i radhës! Kompromis i pranuar e i realizuar ishte edhe “decentralizimi i Kosovës”, u krijuan komuna të reja për pakicën serbe! Por, me ndihmën e bajlozëve qëllimi ishte e mbetet që pakicës serbe t’i jepet epitet i veçuar nga pakicat e tjera në Kosovë.
Pas përvetësimit të trashëgimisë materiale ortodokse të Kosovës si serbe; pas bërjes së decentralizimit të Kosovës me komuna serbe; Serbia kaloi në fazën për bashkimin të këtyre komunave me Bashkësinë e Komunave Serbe apo “zajednicë” për të krijuar lidhje horizontale të dhjetë komunave të Kosovës me një vendim-marrje vertikale deri te Beogradi! Projekt-statutet e qarkulluara dhe publike, për funksionimin unitar të shtetit të Kosovës paraqesin probleme thelbësore, ja disa si në vijim; krijimi i një entiteti ligjor me karakter të veçantë që shmang Kuvendin e Republikës; miratimi i statutit të kësaj “zajednice” të bëhet nga asambleja e saj dhe jo nga Republika e Kosovës; kompetencat e saj të jenë të karakterit administrativ e që në gjuhën ligjore mund të jenë edhe ekzekutive mbi planifikimet urbane, kujdesin social, arsim, ekonomi e shëndetësi, si dhe të vendosë marrëdhënie të pavarura me institucione simotra pa pëlqimin e Republikës; të kontrollohen e administrohen asetet brenda komunave serbe; të ketë delegim kompetencash nga autoritetet qendrore e që bie ndesh me dispozitat kushtetuese; të përcaktojë strukturën drejtuese si: president, këshill, bord e administratë vetëm me miratimin e asamblesë duke përjashtuar autoritetet e Republikës; barasvlerësim të kompetencave të “zajednicës” me autoritetet qendrore të Republikës; të promovoj pakicën serbe në çdo nivel edhe pa pëlqimin e autoriteteve të Republikës; të mund të propozojë amendamente, rregullore e udhëzime administrative, duke e barazuar autoritetin e saj me atë të Kuvendit apo Qeverisë së Republikës; të mund t’iu adresohet të gjitha niveleve të gjykatave në Kosovë; që komunat veriore të jenë kryeqendra e “zajednicës”; që t’i ketë simbolet dhe flamurin e saj; që shteti serb ta financojë “zajednicën” dhe se ajo të lirohet nga tatimi; dhe vetëm “zajednica” të mund ta shpërbëjë vetveten. Pra, nga identifikimi i këtyre komponentëve të kërkuara e shkruara, nëpër projekt-statute, tregon qartazi institucionalizimin e Serbisë brenda Kosovës. Andaj, secila nga këto dhe të gjitha në tërësinë e tyre, nuk e bëjnë paqen ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Mëvetësia e shpallur, integriteti territorial, asetet ekonomike në territorin verior, sovraniteti politik dhe subjektiviteti ynë, domosdoshmërisht, duhet ruajtur duke evituar dëmet e të së kaluarës, duke përdorur ‘Rebus Sic Stantibus’ që nënkupton se marrëveshjet mund të pezullohen, anulohen apo tërhiqen përmes kësaj doktrine si valvule sigurie. Doktrina ‘Rebus Sic Stantibus’, si valvul sigurie është e pranuar si shmangie apo si mosrespektim, i parimit të përgjithshëm ‘Pacta Sunt Servanda’; mbase Kuvendi dhe Qeveria e Republikës duhet konsideruar si gur themel i zgjidhjes së një marrëdhënieje për pakt paqeje.
Vazhdimi i dialogut duhet të marrë një ridimensionim të ri, duke shfuqizuar Ligjin (Ref; Nr. 04/L-199) mbi Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë – Serbi së bashku me dokumentin, përkatësisht 6 pikat për “zajednicën” të 19 prill, 2013, sepse nuk përbën obligim ndërkombëtar për Kosovën sepse janë shkelur postulatet fondamentale mbi marrëveshjet ndërkombëtare që përcakton tekst identik dhe veprime procedurale analoge ndërmjet shteteve si palë nënshkruese; duke kërkuar me ngulm që Serbia ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj; të respektojë integritetin territorial si i tërë dhe i pandarë i përkufizuar dhe i pranuar me kompromisin e pakos së Ahtisaarit për hir dhe me qëllim të paqes së përhershme, e në referencë të përmbajtjes së dy shembujve të dialogohet për arritjen e Paktit të Paqes sikur ndërmjet Sllovenisë dhe Jugosllavisë (korrik 1991) apo Marrëveshje për Marrëdhënie të Normalizuara sikur ndërmjet Kroacisë dhe Jugosllavisë (gusht 1996); në të kundërtën, zgjidhje të përhershme s’do të ketë, veçse, bajlozë që do vdesin, po që nuk do të harrohen asnjëherë, dhe të gjallë por që do të harrohen shpejt. Prandaj, përtej të gjitha trysnive, nga bajlozët, për paqen që nuk u arrit asnjëherë, Kosova politike e tanishme duhet të qëndrojë dhe të refuzojë kërkesat për një entitet territorial serb brenda Republikës së Kosovës.