Nga Shaban Murati
Më në fund pas 30 vitesh heshtje turpëruese Kuvendi i Shqipërisë gjeti në 27 qershor 2024 guximin të respektojë veten, ligjin dhe rezolutat, që ka miratuar vetë. Në 27 qershor 2024 Kuvendi i Shqipërisë mbajti një minutë heshtje në nderim të të bashkëatdhetarëve çamë të masakruar në genocidin e shovinistëve grekë kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë.
Në 27 qershor ishte 80 vjetori i “Ditës së gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”, e shpallur dhe e vendosur zyrtarisht në kalendarin kombëtar. Eshtë jo thjesht një datë historike, por datë e kalendarit kombëtar, e shpallur me ligjin nr.7839, date 30 qershor 1994.
Në 12.7.1994, me dekretin nr.885, presidenti i Shqiperise, Sali Berisha, dekretoi këtë ligj, që detyron të gjitha institucionet shtetërore, publike, akademike, etj, që ta përkujtojnë dhe ta nderojnë këtë ditë.
Sali Berisha ndejti 5 vjet president dhe 8 vjet kryeministër i Shqipërisë dhe nuk u kujtua asnjëherë për ligjin, që kishte dekretuar vetë, nuk e zuri asnjëherë me gojë as “Ditën e genocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë” dhe nuk i përmendi kurrë fjalët Çamëri ose çeshtja çame gjatë qeverisjes së tij 13 vjeçare.
Në datën 30 qerhor 1994, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar “Dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. Në Kuvendin e Shqipërisë PD kishte shumicën parlamentare, por kjo shumicë që dominoi 13 vjet në pushtet nuk u kujtua kurrë të respektonte ligjin, që e kishte miratuar vetë dhe të nderonte bashkëatdhetarët çamë të vrarë nga genocidi i shovinistëve grekë.
Në 8 prill 2004 Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezoluten për çeshtjen çame, ku kërkohej që “është koha që çeshtja e të drejtave të shtetasve shqiptarë me origjinë çame të rimerret në shqyrtim nga të dy palët”.
Rezoluta e vitit 2004 “Ngarkon qeverinë e Republikës së Shqipërisë, që këtë rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare, që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit”. Kuvendi dominohej nga shumica parlamentare e PS.
PS ndejti në pushtet tetë vjet, por kryeministri i saj Fatos Nano nuk u kujtua kurrë të respektonte ligin dhe kalendarin kombëtar për “Ditën e genocidit të shovinistëve grekë kundër shqiptarëve të Çamërisë”. Fatis Nano nuk i përmendi kurrë gjatë qeverisjes së tij fjalët Çamëri dhe çeshtja çame dhe jo më të zbatonte rezolutën e Kuvendit për t’ia bërë të njohur qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare çeshtjen çame.
Kryeministri socialist Edi Rama, kryetar i PS, ka 11 vjet në pushtet dhe jo vetëm nuk është kujtuar asnjëherë të respektojë ligjin dhe të nderojë “Ditën e genocidit grek në Çamëri”. Turpi kombëtar dhe zyrtar arriti kulmin tani në 80 vjetorin e “Ditës së genocidit grek në Çamëri” me realitetin tronditës që qeveria, institucionet shtetërore e deri Akademia socialiste e Shkencave e Shqipërisë nuk u kujtuan asnjeri të përkujtojnë 80 vjetorin e genocidit grek të Çamërisë.
Ndaj vlen të përshëndetet akti i tanishëm i Kuvendit të Shqipërisë, i cili pas 30 vjetësh u kujtua të nderojë me një minutë heshtje të vrarët nga masakrat e genocidit grek. Shpresojmë që ky zgjim i vonë i Kuvendit të Shqipërisë të ndikojë sadopak te qeveria e Shqipërisë dhe të përsëritet ky nderim çdo vit, sikurse e kërkon ligji dhe sikurse është detyrë dhe detyrim i Kuvendit të Shqipërisë.
Heshtja e përbindëshme antikombëtare e autoriteteve shqiptare gjatë 30 viteve ka krijuar hapësira për hienat greke apo grekofile të guxojnë të revizionojnë historinë e tragjedisë dhe të çeshtjes çame, duke u dhënë kohë mediatike dhe televizive spekullatorëve të sponsorizuar nga Athina që ta paraqesin sikur në Çamëri janë vrarë vetëm 10 vetë, në një kohë që arrin shifrën 6 mijë vetë numuri i të masakruarve nga ushtria greke 80 vjet më parë.
Një popull, një komb dhe një shtet, që kanë frikë të përkujtojnë dhe të flasin për ngjarjet e dhimbshme të historisë së tyre dhe për të masakruarit shqiptarë të shkaktuar nga shtetet fqinjë, nuk meritojnë ekzistencën, sepse kush fshin ose fsheh historinë e vet, nuk meriton të lëshojë hije mbi dhe.
—-