[Publikuar tek gazeta DITA, 24 qershor, 2024]
Nga Fatos TARIFA
Botuar në DITA
Pjesa I
Bashkimi i dy shteteve shqiptarë në ligjërimin politik të z. Kurtit
Një pjesë e mirë e shqiptarëve në Kosovë besojnë se lideri i Vetvendosjes, partia që sot drejton qeverinë e Kosovës, Albin Kurti, e bëri çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë “misionin e jetës” së vet. Unë nuk di ndonjë pohim të drejtpërdrejtë të z. Kurti që ta konfirmojë këtë. Por di që ai, në shumë raste, të paktën qysh nga viti 2010, e ka vlerësuar bashkimin kombëtar si “një detyrë në interesin e të gjithë shqiptarëve” dhe që “e duan të gjithë shqiptarët”. Qysh atëherë, ai është shprehur madje se, “të gjithë aktorët politikë shqiptarë duhet të nisin njësimin e kuadrit ligjor dhe të [punojnë për krijimin] e kohezionit shoqëror”. Në atë kohë besohej gjerësisht se hyrja e Vetëvendosjes në politikën kosovare nuk kishte si qëllim thjesht njohjen e sovranitetit të munguar të Kosovës, siç është shpehur vetë z. Kurti në mëse një rast, por realizmin e qëllimit final të bashkimit kombëtar. Por, se si do të bëhej i mundur realizimi i këtij qëllimi final, për këtë z. Kurti jo vetëm që nuk ka pasur e nuk ka një blueprint të qartë e realist, por as nuk ka thënë e nuk thotë ndonjë gjë të re, përpos asaj që mund ta quanim common wisdom.
Në vitin 2010, kur Vetvendosja synonte të afirmohej si një faktor politik në Kosovë, Albin Kurti deklaronte: “Ne duam që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë. Për këtë qëllim, duhet që qeveritë në Tiranë dhe në Prishtinë të harmonizojnë ligjet dhe veprimet politike e strategjike, në mënyrë që, një ditë, sa më parë aq më mirë, të organizojmë paralelisht referendume në Shqipëri dhe në Kosovë për bashkim”. Vetëm kaq, asgjë më shumë.
“Qysh sot”, pohonte ai në vitin 2010, “nuk kemi asnjë dyshim se cili do të ishte rezultati i këtyre referendumeve. Vullneti dhe interesi i shqiptarëve janë për bashkim”. Një vit më vonë, më 2011, Kurti deklaronte sërish: “Duam që Kosova të jetë sovrane [dhe] të ketë…të drejtën për t’iu bashkuar Shqipërisë, sepse vetëm kështu do të bëhemi të barabartë me kombet dhe me shtetet e tjerë të zhvilluar demokratikë e përparimtarë të botës”.
Kjo mënyrë ligjërimi politik është reminishencë e gjuhës që kanë përdorur patriotët shqiptarë të Rilindjes Kombëtare—Shahin Kolonja, Jani Vruho, Josif Bagëri, Nikollë Ivanaj—në vitet 1908-1912, kur kërkonin pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. I kam lexuar thuajse të gjitha shkrimet e tyre në gazetat që ata vetë botonin në atë kohë në Kairo, në Sofje apo në Bukuresht, ose në të cilat ata shkruanin, dhe vë re se, gjuha e z. Kurti sot jo vetëm që nuk është më moderne sesa gjuha e tyre një shekull më parë, por nuk ka as thellësinë e përmbajtjes në mendim dhe as sharmin e shqipes që përdornin ata.
Deklaratat e herëpasherëshme të z. Kurti mbi bashkimin kombëtar mund të kenë pasur një qëllim pragmatik—dhe një ndikim pozitiv—në përpjekjet e tij si një individ, i cili, pasi krijoi një organizatë politike, u përpoj të bëhej pjesë e konstelacionit politik në vendin e vet dhe, pse jo, të synonte të marrte drejtimin e qeverisë, siç edhe ia arriti dy herë. Në Shqipëri, një përpjekje e ngjashme (por e dështuar), ishte krijimi, në vitin 2011, i një partie politike efemere, e quajtur Aleanca Kuq e Zi, synimi final i së cilës do të ishte, po njëlloj, bashkimi kombëtar i shqiptarëve.
Mua gjithnjë më ka shqetësuar diçka esenciale te z. Kurti. Nuk di të them nëse është një farë megalomanie, një farë naiviteti politik apo, ndoshta, është më shumë demagogjia e tij. Këtë të fundit e kuptoj pasi, shpesh herë, politika dhe demagogjia janë binjake me njëra-tjetrën. Ajo çfarë mua më ka shqetësuar e më shqetëson te z. Kurti është “platforma” e tij për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, nëse mund të flitet për një platformë të tillë, ose, më saktë, naiviteti flagrant i ideve që ai ka lidhur me këtë çështje madhore, tepër delikate e tepër sensitive, aq sa gjithmonë i bëj vetes pyetjen: Vërtet beson ky njeri në ato që thotë?
Albin Kurti, Skënderbeu dhe bashkimi kombëtar i shqiptarëve
Një ndër rastet kur Albin Kurti më ka habitur shumë me sjelljen dhe retorikën e tij ishte një vizitë që ai bëri në Lezhë, më 2 mars 2021, vetëm pak kohë pasi Vetvendosja e tij kishte fituar në zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe vetëm tri javë para se ai të rizgjidhej kryeministër i Kosovës për herë të dytë. Siç mund t’i kujtohet lexuesit të informuar, ajo ishte një vizitë e panjoftuar, arsye kjo për të cilën z. Kurti nuk u prit—dhe as u takua—në Lezhë nga asnjë zyrtar i lartë në Shqipëri, madje as nga kryetari i Bashkisë së atij qyteti. Për një ish-kryeministër të Republikës së Kosovës, i cili ishte thuajse e sigurt se do të bëhej sërish pak ditë më vonë kryeministri i atij vendi, një vizitë e tillë ishte, nga pikëpamja protokollare, aspak dinjitoze.
Por mua nuk më preokupon shumë kjo gjë. Ndoshta Kurti nuk di më shumë ose më mirë, ose ndoshta këshilltarët e tij nuk kanë ditur ta këshillojnë siç duhet. Ajo që më shqetëson ka të bëjë me retorikën e tij “patriotike”—një formë anakronike në politikën moderne—dhe përdorimin e saj tërësisht pa vend për të argumentuar pikëpamjen dhe qëndrimin e tij në lidhje me bashkimin kombëtar.
Në atë kohë, Albin Kurti erdhi në Lezhë (ose u takua këtu) me një grup politikanësh shqiptarë nga treva të ndryshme shqiptare në Ballkanin perëndimor—nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Tuzi, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci—për të bërë një homazh në monumentin që përkujton “Besëlidhjen Shqiptare” të Lezhës. Ai erdhi në Lezhë me një mision politik, edhe pse u përpoq ta vishte atë me një petk patriotik.
Të gjithë e dimë se formimi i “Besëlidhjes së Lezhës” ka qenë një ngjarje historike mjaft e rëndësishme në historinë mesjetare të shqiptarëve. Veçse, ajo ngjarje kishte ndodhur 577 vite më parë (më 1444) nga dita që Kurti vizitoi Lezhën, më shumë se gjysmë mileniumi para se Kristofor Kolombi të zbulonte Amerikën (në vitin 1492) dhe vetëm 4 vite pas shpikjes së makinës së parë të shrypshkrimit nga Gutenberg (1440. 577 vite nuk shënonin një përvjetor jubilar, por një përvjetor të zakonshëm për një vizitë jo të zakonshme si ajo e Albin Kurtit.
Unë nuk mendoj se ai veprim i z. Kurti ishte një lëvizje e mençur—as politikisht, as intelektualisht. Dëgjova fjalën që lexoi ai në prani të disa dhjetëra njerëzve të mbledhur me atë rast para monumentit të “Besëlidhjes së Lezhës” dhe ajo fjalë, nuk e fsheh, përveçse një leksion historie i thatë dhe shumë diletantesk, m’u duk edhe patetike për paralelizmat dhe mesazhet që përpiqej të përçonte në vitin 2021. Shahin Kolonja, Nikollë Ivanaj, Jani Vruho apo Josif Bagëri më shumë se një shekull më parë do të kishin shkruar e lexuar një tekst panegjerik shumë më të bukur se sa ai.
Ajo çfarë Skënderbeu, falë gjenisë së tij, arriti të bënte në shekullin e 15-të me fisnikët dhe feudalët shqiptarë të asaj kohe, duke i bashkuar ata rreth vetes për të organizuar qëndresën legjendare të shqiptarëve ndaj pushtuesve osmanë, nuk mund të evokohet si shembulli i një politike moderne për shqiptarët e shekullit të 21-të. A nuk kanë bërë dhe a nuk bëjnë serbët pikërisht të njëjtën gjë kur përkujtojnë, edhe sot e kësaj dite, Betejën e Kosovës (1389), në të cilën, ushtrive ballkanike, që luftuan kundër dyndjes së ushtrisë osmane, u priu një princ serb, Lazar Hrebeljanovic?
Më duket tepër naive të thuash, siç bëri z. Kurti në fjalën që mbajti me atë rast, se në atë përvjetor të 577-të të “Besëlidhjes së Lezhës” si një akt politik kolektiv për bashkimin e shqiptarëve në atë kohë, ne, shqiptarët e sotëm, duhet të gjykojmë se “si do të mendonin e vepronin Skënderbeu, rilindasit tanë dhe, në veçanti, luftëtarët dhe dëshmorët e luftës së fundit në Kosovë” për bashkimin kombëtar të shqiptarëve sot.
A ka vallë z. Kurti ndonjëfarë sensi historik. A mundet të modernizohet historia siç kërkon të bëjë ai dhe shumë të tjerë që mendojnë e veprojnë si ai? Dhe a mundet që një politikan, nëse ai do të ishte mjaftueshmërisht i ditur dhe i arsyeshëm, në vitin 2021, të “zotohej” (fjalë e përdorur nga z. Kurti) para heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, ndarë nga jeta 556 vite më parë, se do ta çojë përpara amanetin e tij dhe të të parëve tanë për “çlirim, bashkim, zhvillim dhe përparim të gjithanshëm” (fjalët e tij)!
Pyetja që bëj në këtë rast është: “Kjo është vallë mënyra se si do të shkojmë përpara, si shoqëri dhe si komb, ne shqiptarët e shekullit të 21-të—duke e mbajtur vështrimin gjashtë shekuj pas, kur ende nuk ishim formuar si një komb i vetëm, ndërkohë që nuk jemi në gjendje të shohim përpara e të dimë se cilët duhet të jemi dhe çfarë duhet të bëjmë qoftë edhe në dhjetëvjeçarin e ardhshëm?
Edhe pse, si çdo analogji, edhe kjo çalon, thjesht përfytyroni për një çast sikur nacionalistët flamandë në Belgjikë t’i justifikonin sot pretendimet e tyre për ta bashkuar veriun e atij vendi (qytetet Antwerp, Ghent, Bruzh e qytete të tjerë, si dhe territoret rreth tyre) me Mbretërinë e Hollandës, duke iu referuar historisë së principatave të Vendeve të Ulëta në shekujt e 14-të deri 16-të, për të mos përmendur qindra principata të tjera në çdo pjesë të kontinentit tonë në atë periudhë të Mesjetës së vonë.
Historinë mund ta përdorësh për të bërë politikë. Por, marrëdhënia mes historisë dhe politikës, siç vinte në dukje Louis Althusser, ka qenë e mbetet gjithnjë një marrëdhënie e vështirë. Albin Kurti nuk mund ta bëjë dot marrëdhënien mes tyre një ushtrim të lehtë, aq më tepër kur vizita e tij në Lezhë tr evite më pare dhe ai fjalim amatorek pranë një monumenti historik në atë qytet ishin një alibi për të justifikuar qëllimin e vërtetë të asaj vizite—fushatën për një përfaqësues të Vetvendosjes që kandidonte në zgjedhjet legjislative në Shqipëri. Për këdo që kupton sado pak nga politika dhe diplomacia, një sjellje e tillë është vërtet jodinjitoze për një njeri, i cili, siç vura në dukje më sipër, ka qenë dhe është sërish kryeministër i vendit të vet.
Patetizëm apo solipsizëm politik?
Albin Kurti beson—siç edhe është shprehur publikisht në mëse një rast—se forma e organizimit shtetëror të të dy shteteve shqiptarë të bashkuar në një shtet të vetëm do të jetë federata. “Ne mund të bashkohemi në një federatë me Shqipërinë, ose në një federatë me Bashkimin Europian”, ka deklaruar ai.
E lemë mënjanë, për momentin, Bashkimin Europian, pasi kushdo e di se BE nuk është një shtet federativ. Si një sistem politik supranacional, apo si një formacion ndërqeveritar, Bashkimi Europian në disa aspekte i ngjan një shteti federal, ndërsa në aspekte të tjerë i ngjan një organizate ndërkombëtare, pa qenë as njëri, as tjetra. Pra, nuk bëhet fjalë për federimin e Kosovës në BE, por për bashkimin e saj me Shqipërinë, binjakun e saj demografik—dy popuj dhe dy vende “të ndarë mes tyre nga një gjuhë e përbashkët”, siç shprehej George Berndard Shaw kur fliste për dallimet mes Anglisë dhe Amerikës.
Për Albin Kurtin, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë dukej se mund të suhte një sipërmarrje jo shumë e vështirë. Mjaftojnë vetëm dy gjëra: së pari, ndryshimi i Kushtetutës aktuale të Kosovës, neni 1.3 i së cilës sanksionon se Kosova “nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti” dhe, së dyti, pas abrogimit të këtij neni, mbajtja e dy referendumeve, një në Shqipëri dhe një në Kosovë, përmes të cilëve shqiptarët, këtej dhe andej kufirit që i ndan, të shprehen nëse e duan ose jo bashkimin e të dy shteteve në një shtet të vetëm. “Të bëhet referendum dhe le të vendosin qytetarët”, thoshte z. Kurti. “Ne [në Kosovë]”, shpjegonte ai, “na kanë vënë pengesë nenin që na ndalon bashkimin [me Shqipërinë], ashtu si Austrisë që nuk i lejohet të bashkohet me Gjermaninë”.
Ç’farë analogjie, edhe pse Kosova dhe Austria janë horses of different colors, njëlloj siç janë edhe Shqipëria dhe Gjermania!
Albin Kurti është i bindur se, pa shkelur Kushtetutën e Kosovës, por më parë duke e abroguar atë nen të saj që e ndalon bashkimin e këtij shteti me një shtet tjetër, “dy referendume, në Shqipëri dhe në Kosovë, mund ta zgjidhin” çështjen e bashkimit kombëtar. Të jetë vallë kaq i thjeshtë bashkimi kombëtar i shqiptarëve? Nëse do të ishte vërtet kështu, përse nuk jemi bashkuar deri më sot dhe përse duhet të presim edhe më tej?
- Kurti dhe ata që mendojnë si ai—në Kosovë ose në Shqipëri—duket se i nënvleftësojnë, ose i mohojnë ata faktorë që realisht e bëjnë të vështirë, madje të pamundur në rrethanat e sotme, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, siç janë, kundërshtimi i vendosur i shteteve fqinjë dhe, sidomos, kundërshtimi i fuqive të mëdha. Si mund të shpjegohet një dritshkurtësi dhe një naivitet i tillë historik, politik e diplomatik?! E drejta e kombeve për vetvendosje? Precedentë të tjerë historikë?
Albin Kurti nuk e la elaboruar asnjëherë në këtë kontekst konceptin mbi të drejtën për vetvendosje por, me një naivitet të habitshëm, ka pohuar se, ndërsa “faktorët ndërkombëtarë vazhdojnë të përcaktojë shumëçka në politikën shqiptare”, këta faktorë “ndryshojnë varësisht nga ne, varësisht se si lëvizim ne”. Nëse i kam kuptuar drejt fjalët e tij, ato nënkutojnë “në varësi të lëvizjeve që bëjmë ne”. “Kur ne kemi qenë këmbëngulës dhe seriozë”, thotë Kurti, aktorët ndërkombëtarë “gjithmonë i kanë ndryshuar qëndrimet e tyre”! Me fjalë të tjera, nuk jemi ne, shqiptarët, që bëjmë çfarë kërkojnë nga ne dhe çfarë na thonë aktorët ndërkombëtarë; janë këta të fundit që bëjnë çfarë duam ne dhe çfarë u kërkojmë ne atyre! Është ky patetizëm apo solipsizëm politik?
Argumenti i vetëm që sjell z. Kurti ëshë ky: “Faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë e përkrahën pavarësinë e Kosovës kur panë vendosmërinë tonë. Dhe, të mos harrojmë”, shton ai, “se ata e bënë këtë për interesin e tyre. E përkrahën shpalljen e pavarësisë dhe e njohën atë vetëm atëherë kur kuptuan se nuk ka kurrfarë gjasash për stabilitet në rajon pa e lejuar dhe pa e mbështetur këtë”.
Mund të diskutojmë gjerë e gjatë mbi këtë subjekt, por këtu vetëm dëshiroj t’i kujtoj z. Kurti se Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe shumë shtete të tjerë e përkrahën Kosovën që të jetë e pavarur, jo që t’i bashkohet Shqipërisë, prandaj edhe imponuan në Kushtetutën e Republikës së Kosovës atë nen që e ndalon atë t’i bashkohet një shteti tjetër. Siç shpjegon Daniel Serwer, një ndër njohësit më të mirë të politikës amerikane në Ballkan, plani për pavarësinë e Kosovës “përfshiu idenë se Kosova nuk do të bashkohej—dhe nuk do të lejohej të bashkohej me ndonjë shtet fqinj, ose me ndonjë pjesë të ndonjë shteti fqinj”, dhe se neni 1.3 i Kushtetutës së saj “synonte që të mbronte Maqedoninë, si dhe Serbinë, dy vende, të cilët, në kufijtë e tyre me Kosovën kanë territore të banuara në shumicë nga shqiptarë. Ai synonte, gjithashtu, që të parandalonte formimin e Shqipërisë së Madhe”.
Pyetjet që unë kam për z. Kurti janë këto: Nëse bashkimin e Kosovës me Shqipërinë Shtetet e Baskuara dhe Bashkimi Europian nuk e lejuan atëherë, çfarë ka ndryshuar që nga ajo kohë, ç’rrethana të reja janë krijuar dhe çfarë arsyesh të reja ekzistojnë sot që këto fuqi të mëdha ta përkrahin dhe ta njohin bashkimin e dy shteteve shqiptarë?
- Kurti nuk ka përgjigje për pyetje të tilla. Përkundrazi, vetëm dy javë para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, ai deklaroi se “nuk ka ndërmend që të nisë një luftë për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë”. Pse e pa të domosdoshme ta theksonte këtë, nëse kjo luftë do të ishte për një kauzë, të cilën, sipas tij, fuqitë e mëdha—para së gjithash Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania—mund ta përkrahin nëse ne, shqiptarët, “i bindim” ose “i detyrojmë” ata me qëndrimin tonë?! A nuk është kjo e tëra një hipokrizi e shkallës më të lartë?
Dy pyetje të thjeshta kërkojnë doemos përgjigje:
Së pari, cila fuqi e madhe do të pranonte—në rrethanat e sotme dhe në kontekstin e sotëm gjeopolitik rajonal e global—që për të bashkuar dy shtetet shqiptarë në Ballkan, pra për të krijuar një federatë shqiptare, të zhbënte 3-4 shtete ekzistues, pra të prishte ekuilibrat—edhe kështu të brishtë—në marrëdhëniet mes shteteteve të këtij rajoni, pa rrezikuar që “fuçia e barutit” të mos mbetej thjesht një metaforë, por të bëhej shkak për t’u kthyer në të kaluarën tragjike të këtij rajoni?
Së dyti, cili vend i rajonit do të donte t’i shihte Shqipërinë dhe Kosovën të bashkuara në një shtet të vetëm? Serbia? Maqedonia e Veriut? Mali i Zi? Greqia? Bullgaria?
A ka Albin Kurti përgjigje për këto pyetje? Apo ato nuk kanë rëndësi nëse Kosova abrogon një nen të kushtetutës së saj dhe në Kosovë e në Shqipëri organizohen dy referendume për çështjen e bashkimit kombëtar?
Vetvendosje?! Vullneti i popujve për të vendosur vetë për fatet e tyre?! Nëse do të ishte kaq e thjeshtë—vetëm një çështje parimesh—baskët dhe katalanët do të kishin sot shtetet e tyre sovranë; Irlanda e Veriut dhe Republika e Irlandës do të ishin sot një shtet i vetëm; Çeçnja nuk do të ishte pjesë e Federatës Ruse; Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, nëse do të mbeteshin shtete sovranë, mund të mos kishin kufijtë që kanë sot; Bosnia dhe Hercegovina gjithashtu.
Shembujve të mësipërm mund t’u shtoheshin dhjetra të tjerë. Siç kam argumentuar edhe në raste të tjerë, çështja është se, sot nuk jetojmë në një botë habermasiane “post-historike”, “post-westfaliane”, “post-nation-state”, në të cilën çështjet territoriale dhe marrëdhëniet mes shteteve të mund të zgjidheshin jashtë strukturave të sistemit shtetëror dhe jashtë konjukturave e marrëveshjeve ndërshtetërore që rregullojnë rendin e sotëm botëror.
Ky është një realitet gjeopolitik kokëfortë, i cili nuk mund të injorohet nga askush, sado i madh të jetë pathosi patriotik i tyre.
Dy shtetet shqiptarë dhe dy Gjermanitë—një analogji absurde
Naiviteti, për të mos thënë absurditeti i z. Kurti shkon deri atje sa, për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ai merr si shembull—dhe si model—rastin e ribashkimit të dy Gjermanive në vitin 1990. “Dy Gjermanitë”, ka deklaruar Albin Kurti në vitin 2017, kur ishte deputet i Vetvendosjes në Parlamentin e Kosovës, “u bashkuan, edhe pse fqinjët dhe fuqitë e mëdha europiane ishin kundër këtij bashkimi”.
“Bashkimin e dy Gjermanive”, tha ai, “e mbajmë si shembull për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”. Në atë kohë, z. Kurti shprehte bindjen se ky bashkim do të ndodhë “në aleancë me Shtetet e Bashkuara dhe me Gjermaninë dhe atëherë kur Kosova e Shqipëria të qeverisen nga politikanë të mençur, të ditur, të ndershëm e kombëtarë” (nënteksti, kur partia e z. Kurti të qeverisë Kosovën dhe kur mbështetësit e tij në Tiranë të qeverisin Shqipërinë). Në vitin 2017, për Albin Kurtin dita e bashkimit të dy shteteve shqiptarë “nuk do të ishte e largët”! Por se sa e afërt mund të jetë ajo ditë, këtë z. Kurti nuk dinte atëgerë, siç nuk di as sot, të na e thotë. Në fakt, askush nuk e di, edhe nëse ajo ditë vërtet mund të vijë.
Unë nuk di nëse mund të gjendej një analogji më e papërshtatshme, madje edhe më absurde sesa krahasimi i rastit të ribashkimit të dy Gjermanive me mundësinë e bashkimit të dy shteteve shqiptarë në Ballkan.
Perandoria Gjermane, siç dihet, u krijua si një shtet i unifikuar nga bashkimi i 26 shteteve gjermanë, në janar të vitit 1871. Krijimi i një shteti të unifikuar gjerman në atë kohë ka qenë një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë europiane dhe atë botërore në shekullin e 19-të. Në atë kohë, Shqipëria dhe Kosova ishin ende provinca të Perandorisë Osmane. Para se Gjermania të ndahej në dy shtete gjermanë, me fillimin e Luftës së Ftohtë, më 1949, ajo kishte qenë, pra, një shtet i vetëm për afro 80 vite me radhë—me kufij shtetërorë të përcaktuar, me një qeveri qëndrore, me një jetë politike të përbashkët, me një treg kombëtar e financiar të përbashkët, me një monedhë kombëtare të vetme, me një sistem arsimor të përbashkët etj. Për rrjedhojë, kur në vitin 1990 Gjermania Perëndimore dhe ajo Lindore u bashkuan, ky nuk ishte bashkim i dy shteteve të ndryshëm, por ribashkim i dy pjesëve të një shteti të vetëm, siç kishte qenë më parë Gjermania Imperiale dhe, pas Luftës së Parë Botërore, Republika Gjermane, ose Republika e Weimarit.
Fatkeqësisht, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë qenë asnjëherë një shtet më vete, që të kishte kufijtë e vet shtetërorë dhe autoritetin legjitim për të ushtruar kontroll në territoret brenda atyre kufijve, të kishte një jetë politike dhe ekonomike të përbashkët, përveçse, ndoshta, në periudhën e Skënderbeut (nëse mund të bëhet fjalë për një shtet shqiptar në atë kohë kur, edhe në Europë, shtetet unitarë ishin përjashtime të rralla). E njëjta popullsi etnike po, por jo një shtet i përbashkët. Para pushtimit osman të Ballkanit, territoret e banuara nga shqiptarët kanë qenë të ndara e të organizuara në principata, ose në forma të tjera organizimi politik, çka ishte një dukuri e përgjithshme kudo në Europë—në territoret që sot formojnë Italinë, në ato që përbëjnë Gjermaninë e sotme, në Vendet e Ulëta etj.
Me pushtimin osman këto territore u bënë pjesë e Perandorisë më të madhe të kohës dhe mbetën territore të saj deri në krijimin e shteteve kombëtarë në Ballkan. Greqia ishte i pari vend ballkanik që u shkëput nga Perandoria Osmane në vitin 1821 dhe u njoh ndërkombëtarisht si një shtet i pavarur më 1830. Pas saj, si rezultat i Krizës së Madhe Lindore (1975-1878), e cila filloi në territoret ballkanike të Perandorisë Osmane, si dhe i Luftës Ruso-Turke (1877-1878), nga e cila kjo perandori doli e humbur, një pjesë e popujve ballkanikë krijuan shtetet e tyre të pavarur—Romania më 1877, Serbia dhe Mali i Zi më 1878; Bosnia dhe Hercegovina fituan autonomi dhe u vunë nën protektoratin e Austrisë. Bullgaria, gjithashtu, me ndërhyrjen ushtarake të Rusisë, u krijua, po më 1878, si një principatë autonome.
Traktati i Shën Stefanit (1878) i njohu ndërkombëtarisht këto ndryshime në hartën politike të Ballkanit, duke shënuar fundin e sundimit osman në territoret e shteteve sovranë të sapoformuar, si dhe duke kënaqur ambicjet e këtyre të fundit në dëm të territoreve shqiptare, një pjesë e të cilave u aneksuan prej tyre, ndërsa pjesa më e madhe e katër vilajeteve shqiptare mbetën edhe për afro tri dekada e gjysmë nën Perandorinë Osmane. Kongresi i fuqive të mëdha që u mbajt në Berlin po atë vit, më 1878, i sanksionoi përfundimisht pavarësinë e shteteve të rinj në Ballkan dhe padrejtësitë e mëdha ndaj shqiptarëve.
Në rrethana tepër të disfavorshme për ta dhe në mungesë të përkrahjes nga ndonjë fuqie e madhe, drejtuesit e lëvizjes kombëtare shqiptare u përpoqën që t’i mbronin me çdo kusht—edhe me armë—territoret shqiptare nga copëtimi dhe aneksimi i tyre prej shteteve fqinjë. Por, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881), sado i rëndësishëm ka qenë roli i saj për mbrojtjen i integritetit territorial të trojeve shqiptare dhe administrimin e tyre, nuk mundi të krijonte një shtet shqiptar të pavarur, me kufij të përcaktuar qartë, brenda të cilëve të ushtronte autoritetin e vet shtetëror, madje as një “vilajet shqiptar autonom”, siç kërkonte Pashko Vasa më 1879, në të cilin të përfshiheshin të gjitha trojet e banuara nga shqiptarë. Edhe pse objektivi final i krerëve të Lidhjes së Prizrenit ishte krijimi i një shteti shqiptar të pavarur, në rrethanat e asaj kohe ata e shihnin qëndrimin nën sovranitetin e Perandorisë Osmane si një garanci për të mbrojtur territoret e vilajeteve shqiptare nga copëtimi prej shteteve fqinjë.
Këtu dëshiroj të vë në dukje se territori është një element qenësor për ekzistencën e çdo shteti. Asnjë shtet nuk mund të konceptohet dot “në mungesë të një sipërfaqeje gjeografike të arsyeshme”. Siç ka venë në dukje L. Oppenheim, i njohur gjerësisht si themeluesi i disiplinës moderne të së drejtës ndërkombëtare, “një shtet pa territor është i pamundur, edhe pse ky territor i domosdoshëm mund të jetë shumë i vogël”. Edhe pas Lidhjes së Prizrenit, territori që sot është Shqipëri dhe territori që sot është Kosovë (si dhe territore të tjerë të banuar nga popullsi shqiptare) mbetën të ndarë prej njëri-tjetrit dhe nuk arritën kurrë të bëhen pjesë e një shteti të vetëm kombëtar.
Më duhet ta korrigjoj z. Kurti edhe në një çështje tjetër, për t’i thënë se, edhe pse vende të tillë, si Britania e Madhe, Franca, Hollanda apo Polonia e shihnin me shqetësim ribashkimin e dy Gjermanive në një shtet federal të vetëm në fillim të viteve 1990, siç ky vend kishte qenë para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, këta vende nuk do të kishin mundur dot ta pengonin edhe për shumë kohë Gjermaninë që të ribashkohej. Ribashkimi i Gjermanisë Perëndimore me Gjermaninë Lindore ishte bërë iminent dhe, në fakt, pritej qysh me rënien e Murit të Berlinit, në nëntor të një viti më parë. Shembja e atij muri bashkoi Berlinin Perëndimor me Berlinin Lindor, si dhe qytetarët berlinezë, të cilët, për dekada me radhë kishin jetuar të ndarë mes tyre nga ai mur famëkeq. Gjatë një fundjave në nëntorin e vitit 1989, më shumë se 2 milionë banorë të Berlinit Lindor dhe të ardhur nga qytete të tjerë të Republikës Demokratike Gjermane vizituan Berlinin Perëndimor për të festuar bashkimin e dy pjesëve të atij qyteti, në një festë, të cilën Timothy Garton Ash e ka përshkruar si “festën më të madhe në rrugë në historinë e botës”.
Rënia e Murit të Berlinit shënoi edhe rrëzimin e “Perdes së Hekurt”, e cila e kish mbajtur Europën të ndarë në dy pjesë gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë. Pas rënies së atij muri, bashkimi i dy Gjermanive u bë i pashmangshëm, edhe pse Margaret Thatcher, François Mitterrand dhe ndonjë lider tjetër europian e shihnin me shqetësim këtë zhvillim të ri. Sidoqoftë, përveç rrëzimit të Murit të Berlinit, gjë që presidenti amerikan Ronald Reagan, përmes thirrjes së famshme “Mr. Gorbachev, tear down this wall”, ia kishte kërkuar liderit sovjetik qysh në qershor të vitit 1987, ishin edhe katër faktorë të rëndësishëm që e mundësuan, madje shumë shpejt dhe lehtësisht këtë proces, të cilët z. Kurti, nuk i përmend.
Së pari, mbështetja e fortë e Uashingtonit për ribashkimin e dy Gjermanive, veçanërisht angazhimi personal i presidentit amerikan George H. W. Bush për atë projekt, në atë masë sa ai është cilësuar si një ndër arkitektët kryesorë të tij, duke insistuar që një Gjermani e bashkuar duhej të ishte anëtare e NATO-s.
Së dyti, siguria që Moska, pavarësisht shqetësimeve të saj, nuk do e kundërshtonte ribashkimin e dy Gjermanive. Përmes “Doktrinës Sinatra”, Moska kishte dhënë ndërkohë jo vetëm sinjalet, por edhe garancitë se nuk do të kundërshtonte dhe nuk do të ndërhynte në asnjë prej vendeve që ishin në orbitën e interesave të saj, nëse këta vende do të zgjidhnin një rrugë të pavarur nga politika e Kremlinit. Kur Kremlini deklaroi se “nuk do të kundërshtonte nëse Hungaria do të dilte nga Traktarti i Varshavës, ose nëse Gjermania Lindore do të ribashkohej me Gjermaninë Perëndimore”, u bë e qartë se rruga për ribashkimin e Gjermanisë nuk do të kishte pengesa serioze.
Ky qëndrim i Moskës e qetësoi edhe kryeministren britanike, “zonjën e hekurt” Margaret Thatcher, qeveria e së cilës, bashkë me qeverinë amerikane, kishte qenë ndër kundërshtarët më të vendosur të Bashkimit Sovjetik. Përballë eventualitetit të ribashkimit të Gjermanisë, Thatcher kishte si preokupim kryesor jo nëse duhej ta mbështeste kancelarin Kohl në atë mision, por qëndrimin që do të mbante Mikhail Gorbachev lidhur me këtë çështje.
Në fakt, negociatat kryesore të Bonit ishin ato me Moskën dhe kancelari Kohl arriti të merrte pëlqimin e liderit sovjetik. Siç ka argumentuar historiania Helene von Bismarck, “bashkimi i Gjermanisë varej jo nga dëshira e popullit gjerman, as nga kolapsi ekonomik i Republikës Demokratike Gjermane, por nga konsensusi i fuqive aleate, kryesisht Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik”.
Së treti, vetë personaliteti i kancelarit Helmut Kohl dhe prestigji që ai gëzonte në skenën politike europiane dhe atë botërore. Si një ndër të fundit e gjeneratës së politikanëve që kishin përjetuar Luftën e Dytë Botërore dhe si kancelari më jetëgjatë i Gjermanisë qysh nga koha e Bismarkut, Kohl gëzonte një respekt të veçantë në radhët e krerëve të fuqive të mëdha. Përveç kësaj, edhe pse kërkoi—dhe realizoi—ribashkimin e Gjermanisë, Kohl dukej se nuk kishte aspirata ekspansioniste, të cilat mund të ngjallnin dyshime, pasiguri dhe frikë te qeveritë e vendeve europiane. Nëse huazoj fjalët e shkrimtarit të shquar gjerman Thomas Mann, Kohl kërkonte të krijonte “jo një Europë gjermane, por një Gjermani europiane”.
Së katërti, marrëdhëniet personale shumë miqësore mes kancelarit Kohl, presidentit Bush, liderit sovjetik Gorbachev, presidentit francez Mitterrand dhe kryeministrit italian kristian-demokrat Andreotti, siç kishin qenë të tilla deri në atë kohë edhe marrëdhëniet mes presidentit amerikan Reagan dhe kryeministres britanike Thatcher.
Pra, ndryshe nga sa thotë z. Kurti, ribashkimi i Gjermanisë nuk u kundërshtua nga të gjitha fuqitë e mëdha; për më tepër, ai nuk u kundërshtua nga dy superfuqitë e kohës. Në fund të fundit, “Traktati Dy Plus Katër” (Two Plus Four Treaty), që u nënshkrua në Moskë në shtator 1990 dhe që e zgjidhi përfundimisht çështjen e ribashkimit të Gjermanisë, ishte një marrëveshje e nënshkruar nga dy shtetet gjermanë të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe nga katër fuqitë e mëdha fituese në atë luftë: Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe Franca.
Unë besoj se një leksion i tillë do të kishte qenë krejt i panevojshëm për z. Kurti dhe për këdo që ndan të njëjtat mendime dhe iluzione me të, nëse ata do të dinin të dallonin rastin shqiptar nga rasti gjerman, ose konceptet (dhe proceset) e bashkimit kombëtar apo bashkimit shtetëror të dy shteteve që s’kanë qenë asnjëherë një shtet i vetëm (Shqipëria dhe Kosova), nga procesi i ribashkimit të dy shteteve që më parë kishin qenë një shtet i vetëm, por ishin ndarë për arsye gjeopolitike nga një luftë globale, siç ishte Lufta e Ftohtë. Sa për dallimet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, nga nga njëra anë, dhe Kosovës e Austrisë, nga ana tjetër, a duhet që dikush t’ia bëjë të njohura ato z. Kurti, nëse ai nuk arrin të kuptojë pse një bashkim i Kosovës me Shqipërinë nuk pengohet për të njëjtat arsye si bashkimi i Austrisë me Gjermaninë?
Pyetjet që natyrshëm mund t’i bëhen z. Kurti janë këto: Nga sa vumë në dukje më sipër, a mundet ribashkimi i Gjermanisë të shërbejë si një “shembull” (dhe si një “model”) për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”? A e kanë realisht Kosova dhe Shqipëria mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të Gjermanisë për t’u bashkuar në një shtet të vetëm, siç duket se shpreson Albin Kurti? A është realisht i mundur ky bashkim nëse atë e kundërshtojnë Rusia dhe Kina? A ka vetë z. Kurti atë personalitet dhe a gëzon ai atë prestigj në mjedisin ndërkombëtar që të mund të siguronte mbështetjen e fuqive të mëdha dhe atyre të mesme për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë? A ka vetë z. Kurti atë talent diplomatik dhe ato marrëdhënie personale miqësore me liderë të rëndësishëm në politikën e sotme europiane dhe atë globale, që mund ta përkrahnin kauzën e tij për bashkimin kombëtar?
Me fjalë të tjera, a është platforma (pa platformë) e Albin Kurtit për bashkimin kombëtar të shqiptarëve një projekt realist, i realizueshëm, apo ajo është thjesht një premtim demagogjik e populist, për të mos thënë një “ëndërr në diell”, me të cilën mund të gënjejmë veten sa të duam, duke shpresuar se bota do të na ndihmojë, mjafton që ne ta duam bashkimin e dy shteteve shqiptarë dhe të dimë se si ta kërkojmë këtë?
Unë druaj se është kjo e dyta—pra bashkimi kombëtar si një premtim demagogjik. Nëse z. Kurti, ose nëse elitat politike në Prishtinë dhe në Tiranë do të mund të influenconin më shumë komunitetin ndërkombëtar, Kosova do të kishte siguruar sot një njohje ndërkombëtare shumë më të gjerë dhe vetë z. Kurti nuk do të ishte sot kryeministri më i kritikuar në Bruksel e në Uashington.
Dëshiroj të vë në dukje se ribashkimi i Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut është një tjetër mundësi, e cila, me krijimin e kushteve të favorshme dhe për arsye gjeopolitike rajonale e globale, mund të realizohet, pak a shumë si në rastin e Gjermanisë. Një shtet, i cili për shekuj me radhë ka qenë një i vetëm, u nda në fund të Luftës së Dytë Botërore, më 1945, në dy shtete më vete, të pushtuar në atë kohë përkatësisht nga ushtritë e dy superfuqive të globit, nga Ushtria e Kuqe (territoret në veri të paralelit 38) dhe nga ushtria amerikane (territoret në jug të atij paraleli), për të mbetur edhe sot e kësaj dite dy Kore. Bashkimi i tyre, nëse regjimi komunist në Korenë e Veriut bie, është jo vetëm i mundur dhe i pakontestueshëm, por do të ishte edhe i dëshirueshëm për fuqitë e mëdha dhe për komunitetin ndërkombëtar. Shqipëria dhe Kosova nuk janë as dy Gjermanitë, ose dy Vietnamët e djeshëm, as dy Koretë e sotme, por një rast krejt tjetër.
Pikëpamjet dhe qëndrimi i Albin Kurtit (edhe pse kohët e fundit duket se kanë ndryshuar), janë historikisht, politikisht dhe diplomatikisht naive dhe praktikisht të pamundura—sot për sot dhe për një periudhë të parashikueshme. Qëndrimi i tij, në fakt, dëshmon jo vetëm mungesë njohurish në këtë çështje, por edhe një mungesë të perspektivës historike dhe të imagjinatës politike e diplomatike, dy kualitete këto shumë të rëndësishme për një politikan që drejton qeverinë e vendit të vet.
Dëshira jonë për bashkim kombëtar, sado e madhe të jetë, nuk duhet ngatërruar me mundësitë reale për realizimin e saj. Nuk është kurdoherë e vërtetë ajo çfarë kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, po ashtu një lider populist, e ka deklaruar gati si një truizëm në Prishtinë, në shkurt të vitit 2018, se “historia na këshillon se ajo çka është e drejtë të ëndërrohet, nuk është e pamundur të realizohet”. Trajektoria e zhvillimit historik nuk ka qenë asnjëherë produkt i ëndrrave dhe i dëshirave njerëzore. Në qoftë se veprojmë të udhëhequr vetëm prej dëshirave tona, por kur rrethanat nuk janë të përshtatshme dhe mundësitë për realizimin e tyre mungojnë, e vetmja gjë e sigurtë që ndodh është dështimi, madje edhe përkeqësimi i vetë këtyre rrethanave dhe mundësive për të realizuar të njëtat dëshira në një kohë të ardhme.
—-
Pjesa e II-të
Populizmi, patetizmi dhe solipsizmi politik i Albin Kurtit (II)
[Publikuar më 25 qershor, 2024]
Bashkimi kombëtar—nëse do të ishte i mundur, si?
Sigurisht që në Shqipëri, ashtu si në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi, ka individë dhe forca politike që do të dëshironin të shihnin një Shqipëri të bashkuar dhe që kërkojnë krijimin e saj, ose të një “Shqipërie natyrore”. Kjo nuk ka pse të çudisë askënd, madje, në një botë më të mirë e më të drejtë, nëse shtetet do të ekzistonin ende, një ide e tillë mund të ishte e realizueshme. Por ja që kjo nuk është bota në të cilën jetojmë sot dhe argumentet apo thirrjet për një Shqipëri “të bashkuar” ose “natyrore” mbeten të parëndësishme dhe ekzistojnë vetëm në marxhinat e mendimit akademik e strategjik në të gjitha trevat shqiptare, përfshirë edhe Shqipërinë e Kosovën.
Deri më sot, askush në Tiranë dhe as në Prishtinë nuk ka marrë përsipër, ose nuk ka mundur të shpjegojë e të argumentojë rrethanat në të cilat realizimi i kësaj dëshire, ose i këtij objektivi strategjik, mund të bëhej praktikish i mundur. Një përjashtim është Prof. Ksenofon Krisafi, i cili e ka trajtuar këtë çështje në mëse një rast nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare.
Në një artikull të publikuar në vitin 2012 në revistën Academe, që boton Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, titulluar “E ardhmja politike e shqiptarëve në vështrim juridiko-ndërkombëtar”, Prof. Krisafi është përpjekur të argumentojë mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, nëse anëtarësimi i tyre në Bashkimin Europian vonohet përtej pritshmërive të tyre. Ai sugjeron dy skenarë të mundshëm:
Skenari i parë: bashkimi—përmes dy referendumeve—në formën e një konfederate të përbërë nga Shqipëria dhe Kosova, në të cilën të dy këta shtete do të ruajnë pavarësinë e tyre si subjekte të së drejtës ndërkombëtare dhe si anëtarë të organizatave ndërkombëtare, secili me territorin e vet dhe me të drejtën legjitime për të ushtruar kontroll mbi atë territor, por me një pjesë—ose me pjesën më të madhe—të pushtetit politik deleguar një autoriteti qendror, siç mund të ishte një “këshill konfederativ”, ose “kongresi”. Skenari i dytë: bashkimi në formën e një federate, si Republika Federale Gjermane, Federata Ruse apo Zvicra.
Edhe pse analizat e Prof. Krisafit janë të informuara juridikisht e historikisht dhe më të argumentuara se sa formulimet thjesht deklarative të Albin Kurtit, unë mendoj se argumentet e dhënë për secilin nga këta skenarë të mundshëm janë të dobët e të paqëndrueshëm në kontekstin e sotëm rajonal dhe atë global, si dhe në logjikën e në frymën e politikës së sotme ndërkombëtare.
Së pari, në ditët tona, konfederata është një formë anakronike organizimi shtetëror dhe thuajse nuk e gjejmë më. Edhe atje dhe atëherë kur konferederatat kanë ekzistuar, ato kanë qenë shumë efemere. Shtetet e Bashkuara u krijuan si një konfederatë në vitet 1777-1781 nga bashkimi i 13 shteteve të parë (pas shkëputjes së tyre nga sundimi britanik) dhe mbetën të organizuara në këtë formë deri në vitin 1789. Afro një shekull më vonë, 11 shtete të Shteteve të Bashkuara u shkëputën nga Federata për të krijuar Konferedatën e Shteteve të Amerikës, e cila ekzistoi vetëm nga viti 1861 deri më 1865—periudha e Luftës Civile në atë vend. Pas mbarimit të saj lufte, ideja e konfederalizmit në Shtetet e Bashkuara u diskreditua dhe u harrua një herë e përgjithmonë.
Shembuj të tjerë: Peruja dhe Bolivia krijuan së bashku një konfederatë, e cila ekzistoi vetëm për tre vite (1836-1839); një përpjekje në vitin 2011 për ta rikrijuar këtë konfederatë dështoi. Federata Arabe (Iraku dhe Jordania) zgjati më pak se 6 muaj në vitin 1958; Republika Arabe e Bashkuar (Egjipti dhe Siria) dhe Shtetet e Bashkuara Arabe (që përfshinë Jemenin e Veriut) zgjatën vetëm nga viti 1958 deri më 1961, Federata e Republikave Arabe (Egjipti, Siria dhe Libia) mbijetoi më pak se 10 muaj në vitin 1972; Konfederata e Senagambias zgjati nga viti 1982 deri më 1989, ndërsa Bashkimi Shtetëror i Serbisë me Malin e Zi mbijetoi pak më shumë sesa tre vite (2003-2006).
Së dyti, sa për idenë e një shteti federative që do të inkorporonte Shqipërinë dhe Kosovën, mundësitë që kjo të ndodhë, sot për sot—dhe për një kohë që askush s’mund ta parashikojë se sa mund të zgjasë—janë pothuajse inekzistente. Arsyet janë të ndryshme, por më kryesoret janë dy, të cilat i kam shtjelluar edhe më sipër: kundërshtimi i vendosur i shteteve fqinjë, si dhe kundërshtimi i fuqive të mëdha brenda dhe jashtë Bashkimit Europian, në radhë të parë i Rusisë dhe i Kinës. Edhe nëse ka njerëz që mendojnë se Shtetet e Bashkuara mund të mbështesin idenë e një shteti të vetëm të shqiptarëve, ose bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si një kundëpeshë ndaj influencës ruse në Ballkanin Perëndimor, ky mendim, në kontekstin gjeostratetik aktual, jo vetëm është i pabazuar, por edhe naiv.
Sado paradoksale të duket—dhe unë e di se, me këtë që po them, edhe pse vetë nuk e dëshiroj, shumë njerëz do të shprehin habi—më e lehtë mund të ishte që Shqipëria ose Kosova, ose të dy këta vende së bashku, t’u bashkoheshin Shteteve të Bashkuara, si territore të saj, sesa të bashkohen me njëra-tjetrën në një shtet të vetëm pa pëlqimin e fuqive të mëdha dhe të shteteve fqinjë.
E drejta ndërkombëtare parashikon disa raste kur çdo shtet mund t’i shtojë territorit të vet territore të reja. Teorikisht, çdo territor i planetit, i definuar juridikisht si një hapësirë gjeografike e përfshirë brenda juridiksionit të një autoriteti shtetëtror autonom ose të pavarur dhe nën kontrollin e tij, mund t’i bashkohet territorit të një shteti tjetër. Nuk është e pamundur që banorët e një territori të tillë të duan t’i bashkohen Shteteve të Bashkuara. Kryetarët e fiseve të Ishujve Samoa, fjala vjen, në vitin 1900, votuan që t’ua dorëzonin autoritetin dhe sovranitetin e tyre mbi ata ishuj Shteteve të Bashkuara, duke u shndërruar në një territor amerikan (American Samoa). Po kështu, banorët e ishujve që sot njihen si Komonuelthi i Ishujve të Marianave Veriore (Commonwealth of the Northern Mariana Islands – CNMI) në Oqeanin Paqësor, me një referendum në vitin 1975, votuan që territoret e tyre (22 ishuj) të bëheshin pjesë e Shteteve të Bashkuara. Këta ishuj u vunë nën sovranitetin e Shteteve të Bashkuara në vitin 1986, vit në të cilin banorët e tyre u bënë shtetas amerikanë.
Në analogji me shembujt e mësipërm—edhe pse jo për të njëjtat arsye dhe jo në të njëjtat rrethana—nëse me referendum qytetarët e Shqipërisë, apo ata të Kosovës (ose përfaqësuesit e zgjedhur prej tyre në parlament) do të kërkonim bashkimin e vendit të tyre me Shtetet e Bashkuara, ky bashkim, në parim, nuk do të pengohej as nga e drejta ndërkombëtare, as nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara. Kjo e fundit nuk përcakton ekzaktësisht se si Shtetet e Bashkuara mund t’i shtojnë territorit të tyre territore të reja, por ia delegon të drejtën për të vendosur mbi këtë çështje Kongresit.
Me pak fjalë—edhe pse shumë njerëzve kjo mund t’u tingëllojë si gjëja më e çuditshme dhe më e pamundur—që Shqipëria (ose Kosova) t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara si një territor i saj, formalisht do të duhej që: (i) qytetarët shqiptarë (me referendum), ose përfaqësuesit e tyre në parlament, ta kërkonin dhe ta miratonin këtë bashkim; (ii) drejtuesit e vendit t’ia kërkonin zyrtarisht këtë bashkim Kongresit të Shteteve të Bashkuara; (iii) Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati i Kongresit amerikan me shumicë votash ta miratonin atë dhe (iv) Presidenti i Shteteve të Bashkuara ta firmoste vendimin e Kongresit, që ky të shndërrohej në ligj dhe të hynte në fuqi.
Modalitetet e një bashkimi të tillë dhe statusi i territorit të ri do të përcaktoheshin bashkë me këtë ligj: (a) territor amerikan, si ishujt Samoa, Guami në Oqeanin Paqësor, ose Ishujt Virxhin (U.S. Virgin Islands) në Detit e Karaibeve, apo (b) komonuelth, si Porto Riko në Karaibe dhe Ishujt e Marianave Veriore në Paqësor. (Statusi ligjor dhe politik i një komonuelthi qëndron më lart se sa ai i një territori, por më poshtë se sa statusi i një shteti të Shteteve të Bashkuara). Edhe pse, në të kaluarën, statusi i komonuelthit ishte një hap paraprak për të fituar statusin e një shteti të ri të Shteteve të Bashkuara, sot ky ndryshim statusi nuk ndodh më automatikisht. Në çdo rast, sidoqoftë, banorët e territorit të ri do të ishin shtetas amerikanë.
Kjo parantezë nuk do të ishte aspak e nevojshme nëse nuk do më duhej të theksoja pamundësinë reale të bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë në kushtet e sotme—e përsëris, në rrethanat e sotme dhe jo në rrethana shumë më të favorshme që ndoshta mund të krijohen në një kohë të ardhme. Unë jam i bindur se fuqitë e mëdha perëndimore, në radhë të parë vetë Shtetet e Bashkuara, janë të interesuara për ruajtjen e paqes e të stabilitetit në Ballkan, çka nënkupton se ato janë kundër ndryshimit të kufijve në këtë rajon, qëndrim që edhe e kanë deklaruar hapur në shumë raste.
Siç vë në dukje me të drejtë Daniel Serwer, duke pranuar Planin Ahtissari për pavarësinë e Kosovës, Shtetet e Bashkuara i dhanë përgjigje edhe çështjes shqiptare. Kjo përgjigje ishte “Jo. Shqiptarët nuk do të jetojnë në një shtet, por në disa shtete”. Serwer argumenton se, “në mungesë të një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës”, pavarësia e Kosovës ishte një marrëveshje “mes Perëndimit, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve të BE-së dhe shqiptarëve të Kosovës: Kosova fitoi pavarësinë, por kjo e përjashtoi [idenë] e Kosovës së Madhe (Kosova plus pjesët shqiptare të Maqedonisë) dhe Shqipërinë e Madhe”.
Kjo, në konjukturat e sotme gjeopolitike praktikisht nënkupton “zero chance” për njohjen ndërkombëtare të një federate që eventualisht do të përfshinte Shqipërinë dhe Kosovën (po territoret e tjera të banuara nga shqiptarë në Ballkan?).
Nëse bëhet fjalë për rrugën ekstreme për zgjidhjen e kësaj çështjeje, për “mënyrën klasike”, pra për alternativën e bashkimit të të dy shteteve shqiptarë “me hir ose me pahir”, siç është shprehur në një rast kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kjo është krejtësisht jorealiste dhe e pamundur në rrethanat e sotme. Do të ishte tepër naive të mendosh se Shqipëria dhe Kosova—veçmas ose së bashku—i kanë muskujt, resurset dhe përkrahjen e fuqive të mëdha për të garantuar suksesin e një sipërmarrjeje të tillë, që do të ngrinte kundër tyre të gjithë shtetet e Ballkanit.
Në kohën e sotme, përpjekja për bashkim me anë të forcës do të ishte një aventurë vetvrasëse. Vetë z. Kurti e përjashton këtë mundësi, pasi shprehimisht ka deklaruar se “nuk ka ndërmend që të nisë një luftë për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë”. Edhe pse ai beson se bashkimin e dy shteteve shqiptarë mund ta mbështesin Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania (pa dhënë vetë asnjë argument pse mund të ndodhë kështu), ai e kupton se një aventurë e tillë është një lojë e rrezikshme me zjarrin.
Thelbi i çështjes, të cilit nuk i japin shpjegim, ose të cilin e evitojnë si Prof. Krisafi, ashtu dhe Albin Kurti, është realpolitik, pra ka të bëjë jo thjesht me parime morale, me konsiderata ideologjike, ose me situata të imagjinuara, por me konsiderata praktike reale. Një shtet i vetëm, i krijuar nga bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, nuk mund të jetë më as Shqipëri, as Kosovë, por një shtet i ri, i cili do të duhej të pranohej e të njihej ndërkombëtarisht nga çdo shtet i veçantë (ose nga shumica e tyre) dhe nga çdo organizatë ndërkombëtare, në të cilën ky shtet eventualisht do të kërkonte të aderonte.
Një shtet i ri, i krijuar nga bashkimi i territoreve aktuale të Shqipërisë me ato të Kosovës—pavarësisht formës së organizimit shtetëror të tij—nuk mund të ishte automatikisht, ose vetvetiu një vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (siç është Shqipëria, por jo Kosova), për aq kohë sa Kosova nuk është pranuar si anëtare e kësaj organizate. Rasti i ribashkimit të Gjermanisë, siç kam vënë në dukje më sipër, nuk mund të shërbejë as këtu si një precedent pasi, si Gjermania Perëndimore, ashtu dhe Gjermania Lindore, ishin pranuar në OKB, veç e veç, qysh në vitin 1973. E ribashkuar më 1990 me pjesën lindore të saj (ish-Republikën Demokratike Gjermane), e cila pushoi së ekzistuari si një shtet sovran, Gjermania, tashmë e njohur zyrtarisht si Republika Federale Gjermane, vijoi të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Rasti i Jemenit është i ngjashëm me atë gjerman. Kur në vitin 1990 Jemeni i Jugut iu bashkua Jemenit të Veriut, për të formuar një shtet të vetëm sovran (i njohur sot zyrtarisht si Republika e Jemenit), bëhej fjalë për bashkimin e dy shteteve, çdonjëri prej të cilëve kishte qënë më parë anëtar i OKB-së. Tanzania (Republika e Bashkuar e Tanzanisë), gjithashtu, u krijua si një shtet më vete në vitin 1964 nga bashkimi i dy shteteve sovranë, Tanganikës dhe i Zanzibarit, pasi këta dy shtete ishin pranuar më parë, secili si një subjekt më vete, në OKB. Nëse Korea e Jugut dhe Korea e Veriut do të ribashkohen një ditë në një shtet të vetëm, do të kishim një përsëritje të precedentit gjerman, pasi të dy shtetet koreanë janë ndërkohë anëtarë të OKB-së.
As rasti i ribashkimit të Vietnamit nuk mund të shërbejë si një precedent. Vietnami i Veriut dhe Vietnami i Jugut kishin qenë më parë, deri në vitin 1955, një shtet i vetëm; ata u ndanë për 20 vite me radhë—në periudhën mes viteve 1955 dhe 1975—dhe ekzistuan si dy shtete sovranë pa qenë as njëri, as tjetri anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ata u ribashkuan në një shtet të vetëm (zyrtarisht i njohur si Republika Socialiste e Vietnamit), në vitin 1976. Në OKB, ky shtet u pranua për të parën herë një vit më vonë, më 1977.
Një Shqipëri të bashkuar (me Kosovën) në një shtet të vetëm—në kushtet e sotme dhe për një periudhë që s’mund ta dimë se sa do të zgjasë—vështirë të mendohet se mund ta njohin Rusia (me shumë të ngjarë edhe Kina) dhe vendet fqinjë, në radhë të parë Greqia dhe Serbia. Dhe ç’garanci ekzistojnë që një Shqipëri të bashkuar me Kosovën—për sa kohë ekziston Bashkimi Europian, në të cilin duam të integrohemi—do ta njohin ata vende të BE-së, të cilët kanë refuzuar dhe vazhdojnë të refuzojnë ta njohin Kosovën si një shtet të pavarur e sovran? A nuk do të vihej në këtë mënyrë në pikëpyetje edhe e ardhmja “europiane” e vetë Shqipërisë?
Një zhvillim i tillë mund ta vononte edhe më tej, ta rrezikonte, ose, edhe më keq, ta anulonte gjithçka që Shqipëria, si një shtet sovran, edhe pse i ndarë padrejtësisht për më shumë se një shekull nga trojet e tjera shqiptare në rajon, ka arritur në arenën ndërkombëtare deri më sot. Në interes të kujt do të ishte kjo? Në interes të Shqipërisë sigurisht që jo; por as në interes të vetë Kosovës pasi, edhe pse të ndara, Shqipëria dhe Kosova mbeten për njëra-tjetrën partneri strategjik kryesor—dhe natyror—në rajon.
Asnjë vend tjetër në rajon nuk ka për Kosovën—dhe as për Shqipërinë—atë rëndësi strategjike dhe nuk përbën për intreresat tona kombëtare të përbashkëta atë mbështetje që ofrojnë Shqipëria dhe Kosova për njëra-tjetrën. Historia dhe gjeografia, gjuha e përbashkët dhe konstituimi shpirtëror kushtëzojnë marrëdhënie të një lloji të veçantë mes dy popujve dhe dy vendeve tanë, të ngjashme (edhe pse për arsye të ndryshme) me marrëdhënien e veçantë mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.
Unë nuk e vë aspak në dyshim avantazhin e shumëfishtë që do të kishte, si për Shqipërinë dhe për Kosovën, bashkimi i tyre në një shtet të vetëm, në rrethana që do e bënin të mundur këtë bashkim. Por, unë gjykoj se, çdo përpjekje për ta realizuar këtë në rrethanat e sotme, ashtu si dhe çdo përpjekje për ta përdorur idenë e bashkimit kombëtar për interesa politike të momentit, nga cilado forcë politike, në Kosovë ose në Shqipëri, do të ishin jo vetëm të padobishme, por edhe të dëmshme.
Unë besoj se është shumë vonë sot të kthesh pas kohën historike dhe të ndryshosh kufijtë shtetërorë në Ballkan, edhe pse do të dëshiroja që kjo të ishte e mundur. Pavarësia e Kosovës nga Serbia ka korrigjuar një pjesë të padrejtësive dhe ka “shëruar” një pjesë të plagëve që morën shqiptarët nga copëzimi dhe grabitja e territoreve të tyre më 1913. Padrejtësi të tjera, që kanë të bëjnë me të drejtat e popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi dhe në Greqi mbeten ende të pakorrigjuara. Këto padrejtësi nuk do të mund të vihen në vend për aq kohë sa i tërë Ballkani Perëndimor nuk do të jetë integruar në Bashkimin Europian. Vetëm nëse kjo ndodh dhe vetëm atëherë, kufijtë mes shteteve—le të shpresojmë—do të bëhen irrelevantë. Vetëm atëherë, por jo më parë, siç pohon Marcus Tanner, fantazma e “Shqipërisë së Madhe” nuk do të bëjë më hije mbi Ballkan.
E panjohura e madhe
Ka një problem, megjithatë. Dhe mund të rezultojë që ky problem të jetë më serioz nga ç’mund të mendojë ndokush sot. Çfarë mund të ndodhë në Ballkanin Perëndimor dhe ç’do të ndodhë me 7 milionë shqiptarët që jetojnë të ndarë në 5 shtete të këtij rajoni nëse Projekti Europian dështon? E ardhmja e Bashkimit Europian është “open-ended” dhe mundësia e shpërbërjes së tij nuk mund të injorohet krejtësisht.
Britania e Madhe, një prej vendeve kryesorë të Bashkimit European dhe deri dje ekonomia e dytë më e madhe e BE-së, pas Gjermanisë (edhe pse nuk ishte pjesë e Eurozonës), nuk është më një vend i BE-së. Por ‘Brexit’ mund të mos mbetet për shumë kohë i vetmi rast i largimit të një vendi nga Bashkimi Europian. ‘Grexit’, për të cilin u fol shumë disa vite më parë, në kohën e krizës së madhe financiare në Greqi, mbetet potencialisht një mundësi, ndërkohë që, pas daljes të Britanisë së Madhe nga BE-ja, në zhargonin popullor të qytetarëve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë gjetur përdorim terma të tillë, si ‘Italexit’, ‘Frexit’ ose ‘Frauervoir’, ‘Nexit’ ose ‘Nethermind’, ‘Irexit’, ‘Swexit’, ‘Outstria’, ‘Czech-out’, ‘Extonia’ etj.”.
Të mos harrojmë se sa joadekuatë janë studiuesit e politikës, sociologët, historianët dhe ekonomistët në parashikimin e dukurive dhe të ngjarjeve të mëdha historike. Asnjë nga të “pesëdhjetë e shtatë sistemet teorikë dhe njëqind e pesëdhjetë e shtatë teoritë mbi shoqërinë”, nëse përdor një shprehje të njohur të sociologut amerikan Russell Gordon Smith, nuk i ndihmuan sociologët, politologët, ekonomistët dhe historianët perëndimorë, ekspertët sovjetologë apo reformatorët e njohur në Europën Lindore që të mund të parashikonin shembjen e sistemit komunist dhe shpërbërjen e perandorisë së madhe sovjetike.
Kur Gorbachev ishte në krye të Kremlinit, në gjysmën e dytë të viteve 1980, asnjë nga bashkëkohësit e tij nuk mundi ta parashikonte krizën që po afrohej dhe shembjen e sistemit as në një të ardhme të largët, e jo më brenda pak vitesh ose muajsh. Maje, edhe para 9 nëntorit 1989, askush nuk kishte mundur ta parashikonte dot rënien e Murit të Berlinit dhe ribashkimin e Gjermanisë. Në janar të atij viti, lideri komunist i Gjermanisë Lindore, Erich Honecker, kishte deklaruar me krenari se ai Mur do të ishte po atje edhe pas 100 vitesh dhe, në tetor 1989, pra vetëm një muaj para rënies së Murit të Berlinit, Honecker drejtoi festimet e 40 vjetorit të krijimit të Republikës Demokratike Gjermane.
Si mund të shpjegohet një miopi e tillë gati universale? Përse edhe akademikë të tillë të shquar në atë kohë, si historiani i Harvardit, Richard Pipes, e konsideroi shembjen e komunizmit dhe shpërbërjen e Bllokut Sovjetik një “surprizë”? Përse një ndër ekspertët më të njohur për Rusinë, si Martin Malia, e cilësoi shembjen e “papritur dhe të plotë” të sistemit sovjetik, si “surprizën më të madhe të fundit të shekullit të 20-të”?
Me të drejte mund të pyesim: Nëse studiuesit e politikës e të shoqërisë dhe teoritë që ata kanë në dispozicion nuk mundën të parashikonin dot shembjen e Bashkimit Sovjetik—dhe, bashkë me të, shembjen e “Botës së Dytë”—përse duhet të besojmë se ata, të armatosur me të njëjtat teori dhe metodologji, mund të kenë më shumë sukses sot në parashikimin e ndryshimeve të thella në nivel makro-shoqëror dhe të ngjarjeve botërore, përfshirë, ndoshta, edhe shpërbërjen e Bashkimit Europian?
Kjo është një pyetje e logjikshme. Dhe, që është e tillë, kjo, në fakt, është një arsye për t’u ndier intelektualisht sa të dëshpëruar, aq edhe të lehtësuar. Të dëshpëruar, sepse kjo riafirmon kufizimet e teorive tona të sotme mbi ndryshimet shoqërore dhe politikën si udhëzues jo të mirë për të parashikuar të ardhmen; të lehtësuar, sepse kjo konfirmon se e ardhmja mbetet për t’u krijuar, edhe pse, nëse perifrazoj Marksin, e ardhmja nuk është në mundësitë tona për ta zgjedhur.
Koha për të reflektuar dhe për të planifikuar të ardhmen tonë si komb në një Europë post-BE
Ka kohë që kam ardhur në përfundimin se, ndërsa Shqipëria përgatitet dhe pret që të anëtarësohet në Bashkimin Europian, ajo, si çdo vend anëtar i BE-se dhe si çdo vend kandidat që aspiron të anëtarësohet në atë union, duhet të mendojë e të përgatitet, madje seriozisht, edhe për mundësinë e shpërbërjes së BE-së.
E njëjta gjë vlen të thuhet edhe për Shqipërinë dhe Kosovën. Integrimi i Shqipërisë, i Kosovës dhe i krejt Ballkanit Perëndimor në BE është vetëm një mundësi. Është krejt e mundur që Bashkimi Europian të shpërbëhet para se vendet tona të bëhen pjesë e tij. Ç’do të bëhet me ne, shqiptarët, nëse vërtet ndodh kështu, ose nëse Bashkimi Europian shpërbëhet pasi ne të jemi anëtarësuar në të? Cili do të jetë fati ynë në një Europë post-BE dhe në një Ballkan, i cili përsëri mund të mbetet një “oborr i pasëm” i kontentinetit tonë?
Unë gjykoj se duhet të fillojmë të mendojmë qysh sot për këtë mundësi. Të kemi një Plan B, në mënyrë që të mos gjendemi të papërgatitur e të disavantazhuar nesër si vend dhe si komb. Një plan i tillë strategjik do të kërkonte jo aq kontributet e politikanëve “profesionistë” sezonalë, por, siç këshillonte Rexhep Qosja qysh në fillim të viteve 1990, pjesëmarrjen dhe kontributet e mendjeve më të shquara dhe të njerëzve më të talentuar të këtij kombi, në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë—ekonomistë, sociologë, antropologë, strategë ushtarakë, inxhinierë, juristë, diplomatë, ekspertë të bujqësisë, të teknologjisë së informacionit—me fjalë të tjera, tërë atë arsenal intelektual të kombit tonë, që mund të marrë përsipër e të realizojë këtë projekt të madh kombëtar.
E sotmja është për kombin tonë një ndër ato momente që Hegeli i quante “momente unike” në histori—një moment për të reflektuar dhe planifikuar të ardhmen tonë si komb, nëse duam vërtet që të jemi të bashkuar në një shtet të vetëm, nëse bashkimi kombëtar është vërtet qëllimi dhe projekti ynë strategjik. Nëse ky nuk është qëllimi ynë, le të mos flasim më për të. Nëse është, sot kjo sipërmarrje është e pamundur, por, në një të ardhme, rrethana dhe konjuktura ndërkombëtare të reja, më të favorshme mund ta bëjnë këtë projekt të realizueshëm.
Gjëja e parë që lipset të zhvillojnë çdo qeveri, në Tiranë dhe në Prishtinë, është një kulturë strategjike, e cila, deri më sot, ne shqiptarëve na ka munguar, ndërkohë që Athina dhe Beogradi e kanë zhvilluar e përpunuar një kulturë të tillë strategjike qysh nga gjysma e dytë e shekullit të 19-të dhe jo pa sukses e kanë aplikuar atë në politikat e tyre në rajon.
Me kulturë strategjike unë kuptoj një kulturë politike që kultivon e promovon ndërhyrje të herëshme, të shpejta dhe—kur është e nevojshme—të fuqishme për të përballuar situata të caktuara, të favorshme ose jo të tilla. Pa një kulturë strategjike, çdo aspiratë politike, përfshirë edhe atë për bashkimin kombëtar, do të ishte e vështirë të arrihej, ndërsa krijimi i kapaciteteve për realizimin e qëllimeve strategjike do të ishte ose më pak i mundshëm, ose më i vështirë.
Qëllimet strategjike të një shteti janë objektivat e planifikuar që ai synon të arrijë. Nëse një qëllim strategjik për Republikën e Shqipërisë dhe për Republikën e Kosovës është vërtet bashkimi i tyre në një shtet të vetëm, ky qëllim, që të realizohet, do të duhet të reflektojë një vlerësim realist të mjedisit rajonal dhe atij ndërkombëtar—të sotëm dhe atij të pritshëm. Por, a kanë Tirana dhe Prishtina, përveç deklaratave të Albin Kurtit, një strategji për ta realizuar një qëllim të tillë, pra një synim afatgjatë të qartë e të mirëplanifikuar, objektiva të përcaktuar saktë, afate kohorë dhe plane veprimi?
Një qëllim strategjik nuk mund të arrihet pa pasur dhe pa realizuar objektiva strategjikë të veçantë, çka do të thotë pa bërë përparime graduale në realizimin e planit të përgjithshëm strategjik. Edhe pse qeveritë e të dy republikave shqiptare janë mbledhur së bashku disa herë dhe kanë miratuar mbi 100 vendime, duket se për integrimin e të dy vendeve tona deri më sot është bërë fare pak. Shumë retorikë, shumë premtime, shumë vendime, por fare pak imagjinatë dhe veprim.
Nëse historia—historia e vjetër dhe ajo e re—na ofron ndonjë mësim të vyer për të sotmen dhe për të ardhmen tonë si shoqëri dhe si komb, ky mësim është se të suksesshme kanë qenë dhe janë vetëm ato shoqëri, të cilat kanë ditur dhe dinë ta planifikojnë të ardhmen e tyre. Dhe e ardhmja mund të planifikohet e të realizohet me sukses vetëm nëse jemi të zotë që të kapërcejmë horizontin e ngushtë të atyre gjërave që na kanë ndarë e na mbajnë në vend, nëse arrijmë të kemi një vështrim strategjik të përbashkët drejt objektivit që duam të arrijmë, nëse i kushtojmë vëmendje strategjike (me një qartësi strategjike) mënyrës se si mund ta arrijmë atë objektiv, nëse mendojmë, planifikojmë, drejtojmë dhe veprojmë strategjikisht për të realizuar—gradualisht dhe hap pas hapi—qëllimin strategjik.
Nëse bashkimi kombëtar i shqiptarëve në të ardhmen është dhe do të mbetet një qëllim strategjik për çdo parti politike dhe për çdo qeveri që do të drejtojnë Shqipërinë dhe Kosovën, suksesi i realizimit të këtij qëllimi do të varet kryesisht nga konjukturat ndërkombëtare që mund të krijohen, por edhe nga qartësia dhe vendosmëria me të cilën mendohet, planifikohet, drejtohet dhe veprohet sot, nga vetë ne, shqiptarët, për ta arritur këtë qëllim.
Ky nuk është një mision, përmbushjen e të cilit duhet ta kërkojmë e ta presim nga Edi Rama dhe Albin Kurti. Ky është një mision për çdo qeveri shqiptare në të ardhmen, këtej dhe andej kufirit që sot na ndan. Ky është një mision në emër të brezave të ardhshëm të shqiptarëve, të cilët, nëse nuk do arrijnë të bëhen qytetarë të Bashkimit Europian, do të duhet të kenë atdheun e tyre të përbashkët në një Europë post-BE.