Nga Dr George Friedman [GPF – 15 prill 2024]
SHBA-ja ka miratuar një strategji kombëtare të krijuar për të përdorur forcën pa rrezikuar viktimat e veta. Kjo strategji është shfaqur plotësisht në Ukrainë, ku Uashingtoni ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe ndoshta vendimtar jo duke angazhuar trupa, por duke armatosur forcat ukrainase me armë, duke përdorur sinjale politike dhe potencialin e rritjes së pranisë ushtarake për t’i dhënë formë veprimit rus. Politika qëndron në kontrast të plotë me atë të miratuar në Vietnam, ku SHBA kishte viktima masive dhe shkaktoi pasoja të rënda politike brenda vendit. Politikat gjatë operacioneve në Irak dhe Afganistan ishin variacione të asaj strategjie.
Nëse do të besonim se ndërhyrja në Ukrainë ishte e vetme, ngjarjet e kësaj fundjave ndoshta sugjerojnë ndryshe. Nga frika e ndërhyrjes iraniane në luftën kundër Hamasit, Izraeli më 1 prill lëshoi raketa në një kompleks diplomatik iranian në Damask, duke vrarë dy gjeneralë dhe pesë oficerë të tjerë të lartë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike. Irani u përgjigj gjatë fundjavës duke lëshuar raketa dhe dronë në objektivat izraelite. Deri në përfundim të kësaj analize, ato duket se kanë shkaktuar shumë pak dëme, pasi sistemi i mbrojtjes raketore me shumë shtresa të Izraelit duket se ka kapur shumicën e predhave. Me fjalë të tjera, Izraeli nuk kishte domosdoshmërisht nevojë për ndihmë nga jashtë në këtë episod.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar përdorën mjete detare të armatosura me sisteme antiraketë për të kapur raketat iraniane mbi Siri, Irak dhe Jordani. Në këtë kohë, nuk ka asnjë indikacion se Irani po synonte asetet e SHBA-së ose Britanisë – ose se izraelitët kishin nevojë për ndihmë. Shpjegimi më i mundshëm është se ishte një sinjal për Iranin se sulmi ndaj Izraelit mund të grishte ndërhyrjen e SHBA-së dhe Britanisë, megjithëse pa trupa në terren. SHBA ka një histori të gjatë dhe të pakëndshme me Iranin dhe dëshironte t’i kujtonte Teheranit se do të përballej me më shumë se një armik, nëse do të përballej me Izraelin.
Kjo nuk është një çështje e mbështetjes së SHBA-së për Izraelin; është një çështje e kërcënimit të Iranit. Projekti bërthamor iranian ka shqetësuar SHBA-në për disa kohë, ashtu si edhe përpjekjet e Iranit për të riformuar rajonin sipas dëshirës së tij. Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë fuqinë iraniane si një kërcënim për interesat amerikane. Izraeli mund të jetë një aleat amerikan, por mbrojtja e Izraelit nuk ishte motivimi kryesor i Uashingtonit. Motivimi i tij kryesor ishte të pengonte sjelljen ekspansioniste nga Irani.
Veprimet e Uashingtonit gjatë fundjavës, pra, janë në përputhje me dëshirën e tij për të mos vendosur trupa në një luftë me një armik shumë të motivuar që lufton në terrenin e vet. Kur një mbrojtës është edhe i motivuar dhe i armatosur mjaft mirë – siç ishte, të themi, rasti në Vietnam – SHBA-të nuk janë në gjendje për arsye strategjike dhe politike të shkaktojnë, repektivisht trajtojnë konflikte dhe viktima të pacaktuara. Megjithatë, strategët amerikanë e konsiderojnë thelbësore të tregojnë se konflikti është i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara dhe se është e përgatitur të formësojë luftimet në përputhje me rrethanat – jo me çizme në terren.
E thënë ndryshe, strategjia e saj në konfliktin në Lindjen e Mesme është e ngjashme me atë që ka ndjekur në Ukrainë – duke forcuar aleatët e saj me armë të fuqishme duke shmangur viktimat. Ne tani shohim diçka të ngjashme që duket të shfaqet në Lindjen e Mesme. Ashtu si interesi i SHBA-së në Ukrainë është më pak për Ukrainën sesa për frenimin e Rusisë, ndërhyrja e SHBA-së në Lindjen e Mesme ka të bëjë më pak thjesht me mbështetjen e Izraelit, sesa me frenimin e Iranit. Përgjimi i disa raketave iraniane nuk bën shumë për të rritur aftësinë mbrojtëse të Izraelit, por bën shumë për të demonstruar synimet e SHBA-së për të ecur përpara.
Përqendrimi në hyrjen në një luftë pa pësuar viktima të mëdha është, në një farë kuptimi, një strategji që ekziston në një nivel të caktuar për disa kohë, por tani po bëhet thelbi i strategjisë amerikane. Suksesi i saj varet nga forca dhe vullneti i armikut dhe çdo llogaritje e gabuar do të detyrojë SHBA-në të rishqyrtojë qëndrimin e saj ose forcat që duhet të përdorë. Unë normalisht do ta shihja këtë si pjesë të strategjisë së SHBA-së, por në dritën e konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, besoj se është normale, e re, jo vetëm për çështje të vogla, por edhe për menaxhimin e sfidave më të gjera dhe afatgjata. [Përktheu: ISHGJ]