[26 shkurt, 2024]
Parlamentarët hungarezë kanë ratifikuar kërkesën e Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO pas një votimi të vonuar gjatë, duke i hapur rrugën anëtarësimit të vendit nordik. Suedia aplikoi për t’u bashkuar që në vitin 2022 pasi pushtimi rus të Ukrainës; Hungaria dhe Turqia e bllokuan atë për një kohë të gjatë. Gjegjësisht, parakusht për anëtarësim në NATO është miratimi i të gjithë anëtarëve, transmeton BBC.
Megjithatë, javën e kaluar kryeministri hungarez Viktor Orban tha se ata tani janë “gati të vdesin për njëri-tjetrin”. Të gjithë anëtarët e NATO-s pritet të ndihmojnë një aleat të sulmuar. Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha se sot është një “ditë historike” dhe se Suedia është “e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj për sigurinë euroatlantike”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se vendimi i parlamentit hungarez e bëri aleancën “më të fortë dhe më të sigurt”.
Orban është një politikan konservator që mban lidhjet më të ngushta me Putinin në mesin e liderëve të BE-së. Ai shpesh ka bllokuar përpjekjet e BE-së për të dërguar ndihmë ushtarake në Ukrainë. Suedia është një nga vendet e BE-së që vazhdimisht dhe me shumë zë të lartë akuzon qeverinë e Budapestit për devijime nga parimet demokratike të BE-së. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Orbanit, Zoltan Kovacs, akuzoi zyrtarët në Suedi se janë ulur në një “fron të shkatërruar të epërsisë morale”.
Orban: “Të jesh anëtarë i NATO-s do të thotë se jemi gati të vdesim për njëri-tjetrin”
Megjithatë, javën e kaluar Orban priti homologun e tij suedez Ulf Kristersson dhe njoftoi mbështetjen e tij për anëtarësimin e Suedisë. “Të jesh anëtarë i NATO-s do të thotë që ne jemi gati të vdesim për njëri-tjetrin. Ajo bazohet në respektin e ndërsjellë. Ishte e mençur që ai proces të fillohej me ritmin e duhur”, tha ai. Me atë rast, ata ranë dakord t’i shesin katër avionë të prodhimit suedez Saab Gripen në Hungari.
Miratimi i parlamentit hungarez tani duhet të nënshkruhet nga presidenti – pas së cilës një ftesë zyrtare i dërgohet Suedisë për t’iu bashkuar grupit prej 31 anëtarësh. Procesi zakonisht zgjatë disa ditë. Turqia ishte vendi i dytë i NATO-s që refuzoi miratimin e aplikimit të Suedisë për atë që e quajti mbështetjen e Suedisë për separatistët kurdë. Ajo përfundimisht tërhoqi veton e saj në janar pasi SHBA vendosi t’i shesë F-16 Turqisë.
Suedia dhe fqinji i saj lindor Finlanda, e konsideruar prej kohësh ushtarakisht neutrale, kanë shpallur synimin e tyre për t’u bashkuar me NATO-n në maj 2022. Finlanda u bashkua zyrtarisht në prillin e kaluar, duke dyfishuar gjatësinë e kufirit të aleancës me Rusinë. [GN/ISHGJ]