AGRON LOCI
Vetëm 24 orë para një takimi kaq të rëndësishëm, siç është Konferenca Vjetore e Sigurisë së Mynihut, ku çdo vit diskutohen çështjet e sigurisë globale, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, u ndal për disa orë në Tiranë. Një “relax” për të karikuar bateritë, mund të konsiderohet kjo vizitë, duke pasur parasysh axhendën e ngjeshur dhe intensitetin e lartë të takimeve dhe mundësisë së elaborimit të temave dhe mesazheve që pritet të japë vetëm pas pak orësh në Mynih, teksa bota përballet me sfida shumë delikate të sigurisë. Konferenca e Mynihut që këtë vit mbush 60 vite qysh nga takimi i saj i parë në kryeqytetin bavarez, konsiderohet si forumi kryesor i sigurisë në nivel botëror, ku diskutohen çështje që lidhen me sigurinë globale dhe të ardhmen e saj.
Ajo mbahet 2 vite pas agresionit rus kundër Ukrainës dhe vetëm katër muaj pas fillimit të luftës mes izraelit dhe Hamasit në gaza. Kaq me rëndësi konsiderohet ky event vjetor saqë çdo vit në të kanë marrë pjesë personalitetet më të larta politike të botës, por edhe të biznesit dhe të aleancës ushtarake.
Në konferencë pritet të jenë të pranishëm zv.presidentja amerikane Kamala Harris, sekretari i përgjithshëm i OKB Antonio Gueterrez dhe Bundeskancelari gjerman Olaf Scholz. Flitet edhe për një pjesëmarrje të presidentit ukrainas Zelenski ditën e shtunë, ku do t’u drejtohet pjesëmarrësve të konferencës. Kjo pjesëmarrje e tij korrespondon me vendimin e para pak orëve të senatit amerikan për të vazhduar ndihmën për Ukrainën. Bashkimi Evropian do të përfaqësohet nga Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen dhe Përfaqësuesi i Punëve të Jashtme, Josep Borrell.
Konferenca korrespondon mes një fushate të pazakontë zgjedhore për president në SHBA, ku një fokus të veçantë ka zënë çështja e angazhimit në të ardhmen i SHBA në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Zonja Harris dhe sekretari Blinken pritet që të vijnë me mesazhin e qartë për qëndrimin zyrtar të administratës “Biden” lidhur me të ardhmen e marrëdhënieve USA – NATO.
Ndërkohë që edhe pikëpamjet e kandidatit Trump mbi sigurinë dhe raportet USA – NATO do të zënë një vend të rëndësishëm në diskutimet e konferencës. Kjo situatë e pazakontë në historinë e marrëdhënieve transatlantike të sigurisë ka bërë që në Konferencë të mund të diskutohet mbi mundësinë dhe rrugët sesi europianët të kenë më tepër pavarësi nga aleati i tyre kryesor në anën tjetër të Atlantikut kur bëhet fjalë për politikën e sigurisë.
Pritet që debatet për luftën mes Izraelit dhe Hamasit të kenë një fokus të veçantë dhe për t’i dhënë një mundësi më të madhe elaborimit të kësaj çështjeje dhe rrugëve për ndalimin e konfliktit të ftuar në konferencë janë edhe presidenti i Izraelit Herzog dhe kryeministri palestinez, Mohammad Schtajjeh. Sigurisht që Lufta në Ukrainë do të zërë një pjesë të konsiderueshme të debatit.
Të shtunën pritet që pjesëmarrësve t’u drejtohet vetë presidenti ukrainas, Zelenski, si i ftuar special i organizatorëve. Në konferencë do të diskutohen edhe për çështje të tjera, të cilat nuk janë shumë të njohura për publikun siç është situata e vështirë për shkak të përplasjeve të bandave në Haiti e deri tek çështje që kanë të bëjnë me strategjinë, që duhet ndjekur për të përballuar zinë e bukës në Sudan dhe Somali.
Nuk mund të mbetet jashtë axhendës së diskutimeve edhe çështja e konfliktit mes Kinës dhe Tajvanit ndërkohë që i ftuar i organizatorëve bavarezë do të jetë ministri i Jashtëm kinez, që do të përfaqësojë qëndrimin kinez për këtë çështje. Vend të veçantë do të zërë dhe diskutimi për sigurinë njerëzore që paraqet prania gjithnjë e më e madhe e realitetit virtual siç është inteligjenca artificiale, apo ajo që lidhet me përdorimin e armëve bërthamore apo rreziku që lidhet me pandemitë. Siguria që të garantohet kërkon buxhete financiare për të zotëruar armatimet më moderne. 2.2 miliardë dollarë më tepër janë shpenzuar për blerjen e armatimeve të reja në 2023 në krahasim me një vit më parë raporton Instituti ndërkombëtar për studime strategjike në Londër.
Shifër e konsiderueshme për t’u marrë në konsideratë nga përfaqësues të spikatur edhe nga industria e armatimeve, por edhe të korporatave më të mëdha financiare dhe bankare në botë, të cilët kanë njoftuar pjesëmarrjen e tyre në konferencë. Në fakt, konferenca mbahet në një kohë kur niveli i sigurisë në botë ka vazhduar të përkeqësohet. Ka një trend të dallueshëm këto vitet e fundit, ku shtetet më tepër po i besojnë armatosjes individuale sesa një armatosje kolektive në kuadër aleancash. Qeveritë po rrisin buxhetet për mbrojtjen, ndërsa rreziqet dhe kërcënimet kanë ardhur në rritje. Në këtë situatë, Konferenca është një mundësi shumë e mirë për të diskutuar dhe ndarë së bashku këto shqetësime teksa në ditët e mbajtjes së saj është planifikuar edhe një takim i G7 në nivel ministrash të Jashtëm. Për dy ditë sytë e botës do të jenë të drejtuar nga Mynihu me shpresën se bota paskëtaj mund të jetë më e qetë dhe më e sigurt.