Nga Dr. Jorgji Kote
Tri dëshmitë më të fundit të kësaj dukurie shqetësuese ishin fitorja e bujshme nëntorin e kaluar e të djathtës ekstreme në Argjentinë me presidentin Javier Miley, dhe dy të tjerat në mes të Europës, në një vend bashkëthemelues të BE-së, në Holandë me fitoren e Wildersit dhe në Sllovaki me rikthimin e Robert Ficos në krye të qeverisë. Valët e këtij ekstremizmi kërcënues po ndihen dhe më shumë tani, në prag të zgjedhjeve të reja europiane në qershor dhe ato presidenciale amerikane në nëntor dhe në Indi, Rusi, Britaninë e Madhe dhe gjetkë.
Dhe tashmë nuk bëhet më fjalë për pretendime apo fitore simbolike, për të fituar disa vende në parlament, por për ardhjen në qeverisje, vendore dhe kombëtare, madje dhe në nivel europian, sikurse ka ndodhur me të djathtën ekstreme e cila drejton qeveritë në Itali, Suedi, Danimarkë, Holandë, Sllovaki, Estoni, Finlandë, etj; madje dhe në vendet nordike dhe balltike të cilat njihen botërisht si vende të qeta, me standarde të larta jetese, nivel të lakmueshëm kulturor, ku deri vonë ka ” bërë ligjin” social-demokracia dhe politika tejet e moderuar konsensuale.
Veç vendeve të lartpërmendura, e djathta radikale ka ”marrë yrysh” duke lënë në hije majtizmin në shumicën e vendeve të BE-së. Duke filluar nga Gjermania, ku Alternativa për Gjermaninë ( AfD) vazhdon të shtojë popullaritetin e vet dhe synon të fitojë në 2 – 3 lande në zgjedhjet rajonale këtë vjeshtë; atje ka shkaktuar alarm një takim i zhvilluar nëntorin e kaluar në Potsdam pranë Berlinit i eksponentëve të së djathtës radikale me përfaqësues të AfD-së dhe forcave të tjera të djathta. Ndërsa në Francë, sipas sondazheve më të fundit, Aleanca Kombëtare e Le Pen renditet e para me 10 për qind më shumë se Partia e Macron, i cili është shtrënguar të bëjë ”arnime dhe ndërrime kuajsh qeveritarë”. Në Spanjë, VOX-i arriti të sigurojë plot 13 për qind në zgjedhjet parlamentare në korrik 2023.
Për të kuptuar thelbin, rritjen dhe rrezikun kërcënues ndaj demokracisë të partive të ekstremit të djathtë mjafton të njihesh qoftë dhe kalimthi me programin dhe qëndrimet e tyre politike, ideologjike dhe ekonomike. Ato mbështeten në gjuhën raciste dhe diskriminuese të liderëve të tyre, në trinomin agresiv anti-perendimor, anti-azil, anti – BE dhe anti-klimë. Kështu, Riikka Purra, lidere e “Finlandezëve të Vërtetë” i ka etiketuar gratë myslimane me perçe si ” thasë të zinj të paidentifikueshëm” ndërsa azilantët ” bashkësi primitive”!
Gjithashtu, politika dhe qëndrimet e djathta radikale karakterizohen nga përçmimi, sulmet dhe urrejtja ndaj medias, gazetarëve, shoqërisë civile, etj që shprehen kundër politikave qeveritare. Ky agresivitet në rritje është shqetësues, sidomos në vende që shquhen në këto fusha, sidomos Holanda dhe Finlanda.
Aktualisht po bëhen analizat përkatëse mbi shkaqet dhe arsyet e përshkallëzimit të së djathtës esktreme. Kështu, për të shpjeguar transformimin e radikalëve të djathtë veçohen ” Finlandezët e Vërtetë” që erdhën në pushtet mbas zgjedhjeve të 20 qershorit 2023; kur ishin forcë e majtë me bazë në fshat më 2010, lideri i saj, Timo Soini pohonte se “ jemi parti e punëtorëve, por pa socializëm”!
Ndër shkaqet më kryesore të ofensivës së suksesshme të ekstremit të djathtë në Europë, veç krizave të shumta serioze është dobësimi dhe rënimi i partive tradicionale, sidomos atyre social-demokrate, të cilat tanimë në pushtet ”numërohen me gishtat e dorës!”. Ndryshe nga populistët, këto të fundit ”vuajnë” për liderë karizmatikë, me vizion dhe me simpati në popull, duke i tradhtuar interesat e zgjedhësve, kur bie fjala për aspektet social – ekonomike dhe përditshmërinë e tyre plot halle të shtuara.
Për fat të keq mungesa e liderëve të tillë të rinj po ndihet dhe në SHBA. Rekonkurimi i Presidentit të tanishëm 81 vjeçar, Joe Biden mes shqetësimesh shëndetësore kundër ish Presidentit Trump, ky i fundit mishërim i ekstremizmit të djathtë dhe kundërshtimet në rritje ndaj tyre, sidomos nga brezat e rinj është tregues negativ për deficite jo të vogla në demokracinë amerikane dhe më gjerë.
Ndërsa në Europë, Pedro Sançez, kryeministri spanjoll në largim, i konsideruar si shpresa dhe ylli i social-demokracisë europiane dhe i zgjedhur së fundi President i Internacionales Socialiste pësoi katastrofë në zgjedhjet vendore në majin e kaluar; për pasojë, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në muajin korrik, partia e tij social-demokrate ra në vendin e dytë, duke rrezikuar rrëzimin nga pushteti. Madje, për ta mbajtur atë, ai u detyra dhjetorin e kaluar të largohej dhe nga misioni ndërkombëtar patrullues ” Atalanta” në Detin e Kuq të kryesuar nga SHBA-të, i cili mbron lundrimin civil në Detin e Kuq nga sulmet e armatosura të fiseve jemene ”Futhi”; kjo i ishte vendosur si kusht nga partia e vogël radikale anti-amerikane ”Sumar” për t’iu bashkuar socialistëve spanjollë në koalicionin e ri qeveritar!
Po kështu, homologu i vet socialist portugez Antonio Santos, që 2 vite më parë fitoi bujshëm, në nëntor dha dorëheqjen nga kreu i Partisë dhe qeverisë mbas një afere të madhe korrupsioni në kabinetin e tij. Por Santos nuk u mjaftua me përgjegjësinë personale, iku dhe vetë, duke marrë të gjitha përgjegjësitë politike!
Dhe më e zymtë paraqitet gjendja për Kancelarin social-demokrat gjerman Olaf Scholz, popullariteti i të cilit qysh tani, në mesin e mandatit të parë ka rënë në nivelin më të ulët prej 15 për qind dhe shumica duan zgjedhje të parakohshme!
Në vijim, sipas ekspertëve, lidershipet e partitë tradicionale të majta dhe të djathta nuk ofrojnë dot fabula dhe narrativa tërheqëse; po ashtu institucionet shtetërore nuk u japin dot përgjigje njerëzve të thjeshtë për sfidat dhe problemet e tyre, duke shtuar pakënaqësinë dhe mllefet ndaj demokracisë. Ata kanë janë bërë të mërzitshëm me gjuhën politikisht korrekte apo “ as mish as peshk” si ajo e BE-së, ndryshe në letër dhe ndryshe në vepër! E kundërta ngjet me populistët dhe ekstremistët të cilët çirren dhe bërtasin, me shprehjen në majë të gjuhës se emigrantët janë terroristë, se të huajt do të na zenë vendet e punës, etj, edhe pse nuk japin kurfarë zgjidhje ose alternativë.
Siç pohon politologja gjermane Marina Weisband, demagogët populistë përsëritin gjëra që pa lidhje me realitetin, por që ”ngjitin” dhe tingëllojnë ” muzikë” për njerëzit e thjeshtë, të cilët kënaqen dhe me ”fjalë të bukura e gurë në trastë”.
Faktori tjetër ku kapen ekstremistët është teoria komplotiste se demek luftrat, konfliktet, epidemitë, tërmetet, etj krijohen enkas për të dëmtuar njerëzit e thjeshtë; ndaj, në të tilla raste ata mund t’i shpëtojë vetëm “ babai” apo “ daja” dhe se vetëm ai sikur të ishte i dërguari i Zotit mund të rikthejë normalitetin.
Problemi është se me të tilla gënjeshtra dhe përballë pasivitetit europian, ekstremistët dëmtojnë seriozisht shtyllat kryesore të demokracisë, vlerat dhe parimet e saj themelore, shtetin e të drejtës, lirinë, median e lirë, shoqërinë civile, të drejtat dhe institucionet e pakicave, dhe shënojnë hyrjen në autokraci.
Ndërkohë, eksperti kilian i kësaj fushe, Christobal Rovira Kaltwasser nënvizon se fitorja e bujshme e Miley në Argjentinë nuk tregon rritjen e të djathtës ekstreme atje dhe në Amerikan Latine në përgjithësi. Vota pro tij ishtë ndëshkim i eilitave paraardhëse qeveritare për dështimin në mbajtjen e premtimeve të tyre. Kështu, në Argjentinë dështoi kontrolli i inflacionit, në Brazil lufta ndaj korrupsionit, në El Salvador siguria e kështu me radhë.
Nga ana tjetër, zgjedhësit e shumtë nuk dinë se nga t’ia mbajnë kur vjen puna te muri i lartë i borxheve. Studiuesi i kësaj fushe, Marco d’Eramo në librin e tij ” Masters”, ” shkruan se ”nëse njerëzit shkojë majtas, ata i pret ” shtimi i borxheve”, por nëse shkojnë djathtas, frenimi i tyre”; kësisoj, asnjera prej tyre nuk të çon kund, duke lënë hapësirë veprimi dhe abuzimi për ekstremistët dhe populistët.
Ndërkohë, krejt ndryshe nga partitë e lartpërmendura, forcat e ekstremit të djathtë kudo orientohen më mirë, më shpejt dhe me efikasitet, madje ato i shfrytëzojnë krizat si mundësi afirmimi. Ashtu, pa analiza, pa alternativa, duke mohuar dhe denigruar çdo demarsh të qeverive në vendet e tyre, duke folur ”parë e mbrapsht”, ama troç, me gjuhë vulgare të rrugës, me batuta dhe sulme të paprincipta politike.
Këtu ka fajin e vet dhe BE-ja me institucionet e saj drejtuese, partiake dhe shtetërore që nuk duan të dëgjojnë kambanat e alarmit të ekstremit të djathtë, të cilat kanë kohë që oshëtijnë gjithnjë e më fort dhe atje në Bruksel.
Në fakt, preokupimi kryesor i BE-së këto vitet e fundit është bërë menazhimi i krizave dhe konflikteve të dhunshme, dhe atje më shumë si ”zjarrfiksa” dhe pa ndonjë rezultat bindës në dëm të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Madje, këto të fundit, pavarësisht nga fjalët dhe deklarimet e bujshme nëpër konferenca të shumta, BE-ja i ka kaluar ” prapa liste” dhe vetëm në letër. Puna ka shkuar deri aty sa sipas ish ministrit të jashtëm luksemburgas Jean Asselborn, “tani nuk fiton më vota duke e lavdëruar, por duke e fshikulluar Brukselin dhe BE-në!
Edhe zgjerimi i BE-së ka rënë nga kreu i renditjes në axhendat gjeopolitike. Pavarësisht nga pohimet dhe premtimet e bujshme, ai e ka humbur momentin, ai po ngjan gjithnjë e më shumë kudo ”hallvë e ftohtë”!
Në këto kushte, sipas shumë ekspertëve, kërkohet ndryshimi i narrativës politike të BE-së, jo më thjesht se BE-ja është projekt paqeje, por t’u thuhet njerëzve dhe sidomos të rinjve troç: a doni më programe Erasmus, a doni më Schengen, Euron, liri lëvizje, begati ekonomike, apo kazerma, mure dhe bunker?
Lidhur me përhapjen e ektremizmit në Ballkanin Perendimor, rreziku tani për tani nuk vjen nga opozita, mbasi ajo kudo në rajon e sidomos në Shqipëri është katandisur si mos më keq për ”kusuret” e veta, por dhe sepse BE-ja nuk do t’ia dijë për të; përkundrazi, ajo vazhdon të kujdeset më shumë për ”rehatinë” e liderëve autokratë si Vuçiç që ka mbi 20 vjet e të tjerë që nuk qeverisin por sundojnë pa u ”hyrë gjemb në këmbë” megjithë zullumet korruptive dhe skandalet pa mbarim!
Ja pse rreziku në Ballkan që në fakt ka filluar të shfaqet është që fillimisht ky radikalizim të vijë pikërisht nga qeveritë në pushtet si ” gjethe fiku” për të mbuluar keqqeverisjen dhe dështimet. Madje, prirjet, pohimet dhe prononcimet populiste dhe anti- europiane janë bërë rutinë e zakonshme dhe janë në krye të lajmeve në rajonin tonë. Por ato po kalojnë pa u kritikuar nga Brukseli, në emër të stabilitetit të rremë dhe përballë Rusisë. Për fat të keq, në Bruksel dhe në Uashington nuk po e kuptojnë se me këtë gjoja stabilitet, Rusinë mund ta nxjerrësh jashtë nga dera, por pa trajtuar hallet dhe telashet e brendshme, ajo do të hyjë prapë nga dritarja!
Nga ana tjetër, politika naive qetësuese, përkëdhelëse dhe ledhatuese perendimore ndaj Beogradit, toleranca ndaj separatistëve të Dodik në Bosnie që po kërcënon hapur me ndarje, etj, janë difekte të rënda që ende vazhdojnë ”të shpien ujë në mullirin e ekstremizmit të djathtë” në Ballkan dhe në kërcënime për luftë dhe vëllavrasje; 24 Shtatori i Banjskës ishte sinjali i parë paralajmërues mbi përkeqësimin e mëtejshëm të gjendjes gjatë vitit 2024.
Së fundi, radikalizimi i të djathtës në Amerikë dhe në kudo në Europë është lajm i keq, trishtues dhe shkurajues. Ndaj, Brukseli, Parisi, Berlini, Uashingtoni t’i dëgjojnë kambanat e fuqishme të alarmit; ndryshe ekstremin e djathtë do ta shohim të shtruar këmbëkryq” në Bruksel, Uashington, Paris, Berlin dhe gjetkë!! [Gazeta DITA]