Dr Donik SALLOVA
Është vërtetë fatkeqësi që Dialogu i Brukselit që nga fillimi i tij në vitin 2011 nuk i ka qëndruar besnik rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të 9 shtatorit 2010 e cila e pranonte vendimin e GJND-së mbi pajtueshmërinë e pavarësisë së Kosovës me të drejtën ndërkombëtare, si dhe e mirëpriste gatishmërinë e Bashkimit Europian për të lehtësuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si subjekte të ndara dhe palë të barabarta, në funksion të paqes, sigurisë, stabilitetit të rajonit dhe bashkëpunimit në rrugën drejt integrimit europian.
– Që prej ndërmjetësimit të Ashtonit, pastaj Mogherinit e deri tek Borrelli e Lajcaku, Brukseli ka dështuar ta mbajë dialogun në margjinat e përcaktuara nga Rezoluta e Asamblesë së OKB-së, si një dialog mes palësh që kanë interes bashkëpunimin për hir të paqes, sigurisë dhe integrimit europian. Herë për shkak të përfaqësimit tonë nga njerëz të korruptuar e të shantazhuar, herë të tjera mbase edhe për shkak të korrupsionit të ndërmjetësuesit, dhe tash së fundmi për shkak të pozicionit politik mosnjohës të ndërmjetësuesëve ndaj pavarësisë së Kosovës, dialogu i Brukselit ka qenë i prië për ta infiltruar gjithnjë e më shumë Serbinë në funksionalitetin dhe stabilitetin e shtetit të Kosovës.
– Qasja e tillë e ndërmjetësuesëve europianë, të mbështetur fatkeqësisht dhe gabimisht edhe nga departamenti amerikan i shtetit, që normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ndërlidhë me realizimin e interesave të Serbisë brenda Kosovës, praktikisht e prekë pavarësinë e Kosovës dhe synon ta rihapë statusin e Kosovës. Marti Ahtisaari, negociator shumë më me përvojë se negociatorët e Brukselit, kur e konsideroi pavarësinë e Kosovës zgjidhjen e vetme të mundshme, arriti në këtë konkluzion duke konstatuar se gjendja nuk mund të kthehet me para vitit 1999. Kjo nënkuptonte se Serbia s’mund ta kontrollonte më Kosovën as tërësisht e as pjesërisht, në të kundërt nuk do të mund të kishte stabilitet as në Kosovë e as në rajon. Cdo përpjekje për ta lënë nën kontroll të Serbisë, në emër të të drejtave tashmë të garantuara të serbëvë, ndonjë pjesë të territorit të Kosovës do të binte ndesh me konstatimet shumë të të sakta të negociatorit Ahtisaari mbi zgjidhjen që garantoi paqen në Ballkanin Perëndimor.
– Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë dialogun që i avancon raportet reciproke deri tek njohja juridike, politike e diplomatike mes tyre. Që ky dialog të vazhdojë, njohja faktike është kusht jo vetëm parimor, por edhe praktik. Serbia nuk mund të bëjë sikur nuk po e di me kë po negocion. Nëse Bashkimi Europian ia pranon Serbisë pretendimin e saj se ajo po negocion për normalizimin e marrëdhënieve me “krahinën e vet jugore”, atëherë kjo do të cojë në kushte dhe kërkesa nga Serbia të cilat synojnë rikthimin e saj në Kosovë në një formë apo në një tjetër. Pranimi i kushtit të Serbisë për Asociacionin, pa njohje të realitetit faktik, do të thotë legjitimim i aspiratës së Serbisë kundër shtetit të Kosovës.
– Kriza politike e krijuar nga Lista Serbe në veri të Kosovës është krejtësisht e zgjidhshme me mekanizmat kushtetues dhe politik që i garanton kushtetuta jonë demokratike. Sistemi politik i Kosovës është shumë më i avancuar se ai i Serbisë, qoftë në kontekstin konstitucional, politik e demokratik, dhe vecanërisht në kontekstin e garantimit të pakicave. Prandaj, edhe për pushtetin e braktisur lokal në veri, edhe për Asociacionin, kushtetua jonë dhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e dytë, garanton zgjidhje demokratike dhe europiane. Serbia vërtetë ka eksportuar shumë mallëra në Kosovë, por Republika Serbska është një mallë i botës serbe i papranueshëm politikisht dhe konstitucionalisht për Kosovën.